Rama bashkon në një tavolinë Menduh Thaçin dhe Ali Ahmetin

462
Sigal

Kryeministri shqiptar viziton Shkupin me ftesë të Kryeministrit Gruevski

 Kryeministri, Edi Rama, është nisur mbrëmjen e djeshme për vizitë zyrtare në Shkup me ftesë të Kryeministrit Nikolla Gruevski. Kryeministri dje  qëndroi në Shkup, ndërsa  sot, sipas axhendës së planifikuar, Rama do të takohet me Kryeministrin Gruevski, Presidentin e vendit Gjorgje Ivanov, kryetarin e Parlamentit Trajko Veljanovski, por edhe me liderët e partive shqiptare Ali Ahmetin e BDI-së dhe Menduh Thaçin e PDSH-së. Takimi i dy kryeministrave është vazhdimësi e praktikës pozitive midis dyja vendeve për takime të nivelit të lartë. Gjatë vizitës së tij në Maqedoni, Rama do të diskutojë me liderët e shtetit fqinj për shumë tema me interes të përbashkët si për bashkëpunimin ekonomik, për rritjen e shkëmbimit tregtar, për realizimin e projekteve kapitale infrastrukturore si dhe për perspektivën euro-atlantike si dhe integrimet rajonale, që janë përcaktime strategjike të të dyja vendeve. E ndërsa Rama ende s’ka mbërritur në Shkup, BDI dhe PDSH kanë shprehur akuza ndaj njëra-tjetrës në prag të vizitës së Kryeministrit shqiptar. PDSH ka drejtuar akuza se përse në qytetin e Shkupit nuk janë vendosur flamujt shqiptarë, në përputhje me protokollin shtetëror për pritjen e burrështetasve dhe mysafirëve të lartë. “Ku janë flamujt shqiptarë??! Para disa muajve për vizitë në Maqedoni ishin Presidenti e më pas edhe Kryeministri serb dhe shqiptarët e mbajnë mend zbukurimin e Kryeqytetit me flamujt e Serbisë në këtë rast. Jemi dëshmitar se sot në ditën e vizitës së Kryeministrit shqiptar Edi Rama në Maqedoni, në Shkup nuk ka asnjë flamur shqiptar. Sa për informim BDI është partner koalicioni në Qeveri dhe në Qytetin e Shkupit dhe si e tillë duhet të del të jep llogari para shqiptarëve,se pse sot në Shkup nuk valon asnjë flamur shqiptar”, ka akuzuar shefi i grupit parlamentar të PDSH-së, Imer Aliu. Sipas tij, për PDSH-në dhe për shqiptarët kjo është skandaloze dhe e papranueshme, dhe siç shtoi ai një tregues për gjendjen e mjerueshme në të cilën gjinden shqiptarët, si pasojë e këtij vazalitetit të BDI-së në pushtet. Por kundër këtyre akuzave është deklaruar menjëherë zëdhënësi i Qeverisë, Muhamed Hoxha, duke nënvizuar se PDSH-ja nuk është mirë e informuar mbi vizitën e Ramës, pritja e të cilit do të bëhet sipas gjithë procedurave që parashikon protokolli diplomatik.