Kujtim Bizhga: Pse qeveria e shikon me syrin e njerkës Shërbimin Zjarrfikës?

271
Sigal

Pse Ministria Përgjegjëse dhe Drejtoria “formale” e PMZSH-së i kanë lënë jetim zjarrfikësit? Kush do t’i rrisë pagat e zjarrfikësve Qeveria apo Bashkia?

Sa herë zjarrfikësit shpëtojnë jetë njerëzish, menjëherë pushtetarët qëndrorë e vendorë nxitojnë t’i përgëzojnë duke u dhënë ndonjë copë letër falenderimi, certifikatë mirënjohje apo duke i quajtur “heronj të heshtur”, “trima”, “të përkushtuar” siç janë me të vërtetë ata njerëz të sacrifices, që në çdo moment rrezikojnë jetën e tyre. Kjo është gjë e mirë se i motivon ata psikologjisht për të realizuar ndërhyrje edhe më të vështira në të ardhmen. Por kjo nuk mjafton për këtë shërbim dhe për këta punonjës të sakrificës. Ata duan përkujdesjen e autoriteteve të varësisë në të gjitha drejtimet e punës së tyre. Ata janë të ofenduar profesionalisht që ju i kini lënë me teknikë, paisje të pakta e të vjetra, që i keni lënë pa qëndër trajnimi (shkollë) dhe akoma me keq i keni lënë me një pagë qesharake. Nqs teknikën dhe paisjet e vjetra mundohen dhe sakrifikojnë ta mbajnë me pahir në gadishmëri, mungesën e shkollës e kompesojnë me trajnimin privatisht nga shoku që di më shumë apo nëpërmjet internetit, me pagën e vogël nuk dinë ç’të bëjnë, me çfarë ta kompesojnë. Janë ankuar për pagën bazë, për shtesat mbi pagë, për orët e natës, për afatin e marrjes së gradës pasardhëse, por çdo gjë ka rënë në vesh të shurdhër, i është lënë të ardhmes dhe është harruar nga institucionet e vartësisë. Nqs Bashkia justifikohet se zjarrfiksat paguhen me VKM të veçantë, po Drejtoria e Përgjithshme ç’ka bërë dhe bën për këtë problem? Asgjë! Sipas ligjit 152/2015 aktet nënligjore si janë VKM “Për miratimin e Rregullores së funksionimit të shërbimit”, VKM për pagat, gradat, shtesat në pagë e të tjera duhet të bëheshin tre muaj pas miratimit të ligjit. Jo vetëm nuk u bënë për tre muaj, por u zvarritën me vite. Edhe pse u miratua “VKM për gradat dhe ekujvalentimin e tyre” urdhërat për marrjen e gradave dolën me shumë vonesë dhe në mënyrë të paligjshme. Punonjësve zjarrfikës të të gjitha niveleve periudha para daljes së VKM së gradave nuk ju quajt si kohë për marrjen e gradës pasardhëse, por çdo gjë u llogarit pas datës që i deshi qejfi Drejtorit të Përgjithshëm për të firmosur urdhërin për marrjen e gradës së re. Ç’përgjigje duhet t’u japë sot Drejtoria e Përgjithshme zjarrfikësve për të gjithë këto vonesa në marrjen e gradave dhe pagave? Ç’do t’u thotë zjarrfikësve kjo Drejtori që VKM “Për shtesat në pagë”, që u bë në kundërshtim me kodin e punës ? Çfarë u bë me propozimet e komisionit të vitit 2021 për disa ndryshime në VKM për pagat dhe gradat ku shtesa vetëm për pagën bazë dhe vështirësinë në punë parashikonte një rritje gati 15 mijë lekë të reja? Ç’përgjigje do t’u jepni zjarrfikësve, që edhe këtë herë nuk u përfshinë në vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave ashtu si u veprua me struktura të tjera të sigurisë? Sa herë Policisë së Shtetit dhe asaj të Burgjeve ju është rritur paga dhe zjarrfikësit me të drejtë pyesin: ” Po ne kur do na e rrisin pagën? Të kujt jemi ne, të Qeverisë apo të Bashkisë? Pse nuk vlerësohet puna jonë? Kush duhet të ineresohet dhe përgjigjet për këtë problematikë të krijuar në vite? Ata gjithmonë janë në ankth se kur do të vijë ajo ditë që të marrin një pagë dinjitoze për punën e vështirë që bëjnë. Ata nuk i njohin pushimet gjatë verës ku mund të pushojnë disa ditë më familjet dhe fëmijët e tyre. Ata janë nën presionin e ruajtjes së vëndit të punës dhe në presion psikologjik sa herë që ka zgjedhje se me patjeter duhet të jenë me partinë e kryetarit të Bashkisë edhe pse me ligj gjoja janë të “depolitizuar “. Ata janë në dilemë për ta vazhduar punën në këtë profesion fisnik dhe të respektuar nga qytetarët, apo ta lënë dhe të ikin në kurbet si shumë të tjerë, se në fund të muajit nuk ju dalin lekët për të jetuar normalisht. Shërbimi zjarrfikës ka një Drejtori të Përgjithshme, që duhet të ishte e angazhuar sipas ligjit që si “rregullatore” do t’ju jepte zgjidhje këtyre problemeve të mprehta, që ndeshet shërbimi zjarrfikës, por ata me mosveprimet dhe paligjshmërinë e tyre, e kanë penguar veprimtarinë normale të këtij shërbimi. Gjithë kjo problematik në dëm të shërbimit zjarrfikës dhe zjarrfikësve është krijuar nga Drejtoria “formale” e Përgjithshme MZSH-së, e cila me këtë organizim dhe me këta drejtues e punonjës që la pas, ai që e shkatërroi këtë shërbim A. Kristuli, nuk duhet të vazhdojnë më ta mbajë peng shëbimin, por t’i hapin rrugë krijimit të një Drejtorie të Re të strukturuar ndryshe me drejtues e punonjës profesionistë të tjerë, të aftë dhe mëndësi të reja, për të marrë mbi vete përgjegjësinë për reformimin, organizimin dhe drejtimin e Shërbimit Zjarrfikës Shqiptar.