Vangjush Saro: Shqipëria dhe shqiptarët, si viktimë…

229
Sigal

“Ka një servilizëm të paanë veças ndaj SHBA-ve, një zell të madh për t’u besuar atyre në çdo temë, një shtirje (me gjasë properëndimore) si kurrë më parë, një mungesë e dukshme dinjiteti shtetëror e në rang kombi, çka po e dëmton pamjen e vendit”

Në vend të arritjeve reale, të pritshme, qeveria shqiptare – por edhe ajo në shtetin tjetër shqiptar, në Kosovë – janë duke prodhuar propagandë e lejuar grindje e kaos; në aspektin e brendshëm dhe të jashtëm. Kështu, propaganda flet për ‘thesare’ falë të cilave vendi do të jetë ‘fuqi e rëndësishme në rajon’. Më parë kjo thuhej për hidrocentralet. Pastaj për Piramidën (qendra më e madhe digjitale në Ballkan). Këto ditë është shtuar edhe një përrallë tjetër me flotë ajrore me helikopterët më të mirë…

Pak e nga pak, ne po kthehemi në parrullat e pasluftës (së II Botërore) kur u thuhej njerëzve se do të hanin me lugë floriri. Por ndërkaq, kushtet e jetesës janë vështirësuar; sa për shkak të rrethanave në rajon e më gjerë, sa ngaqë nuk e bëjmë dot zap korrupsionin e krimin. Në aspektin e politikës së jashtme, përballja me Iranin, është gjithashtu një tregues i derexhesë ku ka shkuar vendi këto kohë. Shqipëria është sot një viktimë. E timonit që s’di nga të rrotullohet… E tepsisë që gëzon vetëm një sërë. Besoj, ju kujtohen këto dy fjalë të pafajshme, por që koha i mbarsi me shumë nënkuptime, falë aftësisë së politikanëve shqiptarë për të prodhuar rrotulla e metafora (se për gjë tjetër s’janë). Kryeministri E. Rama më së pari.

“Pak e nga pak, ne po kthehemi në parrullat e pasluftës (së II Botërore) kur u thuhej njerëzve se do të hanin me lugë floriri. Ndwrsa qeveria flet pwr  ‘thesare’ falë të cilave vendi do të jetë ‘fuqi e rëndësishme në rajon’”

E mbase nuk është mirë të sjellësh në një të vetme argumente që në pamje të parë rrahin në drejtime të ndryshme; por mjerisht, në një kuvendim më të qetë, ato sërish të çojnë në të njëjtat pikëpyetje. Bie fjala, përse Irani na përzgjodhi ne? Po i marrim (disa nga) argumentet një nga një; pa anësi, pa nerv. Në shërbim të partnerëve, ne jemi të parët, më të përkushtuarit, më servilët. Ne s’na ndahen gjithfarëlloj zgjedhash, nga brenda dhe nga jashtë. Në Kosovë ka 800 xhami. Shqipëria ka 810 aso. Maqedonia ka 580. Ndërkaq, ti mund të kërkosh gjithashtu të dhëna për shkollat; por nuk gjen asgjë në asnjërën nga faqet zyrtare të ministrive përkatëse në çdonjërin nga shtetet ku ka interesa mbarëshqiptare (!)

Prapë, bie fjala gjithnjë, përse ne (shqiptarët) dolëm nga sundimi i stërgjatë otoman të fundit dhe me një transformim rrënjësor të identitetit tonë: me gjuhë të coptuar e të harruar, me një popullsi të myslimanizuar në masë, pa institucione, etj? Kjo nuk ndodhi as me bullgarët, as me rumunët, as me serbët, as me hungarezët, etj. ndërkohë që edhe ata u përballën në shekuj me të njëjtin fat pak a shumë, (sado që me ndonjë ndryshim, sepse serbët bënë disa herë marrëveshje me Portën e Lartë).

Druaj se ne kemi patur dhe kemi probleme që në këtë shënim nuk ua vëmë dot emrin… Unë kërkoj ndjesë që e çel këtë temë dhe që, në të njëjtën kohë, nuk kam mundësi të jap shpjegime bindëse; thjesht ofroj një diskutim sensibilizues. Por fusha – ku do të preferonim të mos ishim vetëm – lyp kontributin e historianëve, sociologëve, politologëve; ata duhet të ulen këmbëkryq e të përpiqen të gjejnë arsyet, rrënjët e një vazhdimësie sjelljesh e qasjesh që dhembin.

Folëm për besimin fetar, për institucionet. Ato nuk u përgjigjen ndjesive reale të shqiptarëve për fenë. Në masë, shqiptarët janë ateistë dhe sa u takon besimeve, kanë qenë gjithnjë tolerantë e mirëkuptues. Ne jemi rritur në lagje me familje të besimit mysliman, ne kemi pasur e kemi në rreth shoqëror e familjar shumë asi, ne jemi martuar me vajza të atij besimi (punë tjetër sa i ndiqnin ritet familjet e tyre). Por teprimi është teprim, nënshtrimi është nështrim dhe s’ka emër tjetër. Paketa e nënshtrimit është një nga episodet më të errëta të historisë sonë.

Për fat të keq, ky film, ky serial vazhdon… Sot, ndërsa i është nënshtruar presionit islamik – numri i objekteve të kultit përkatës e shpjegon më së miri këtë, por edhe ndryshimet në veshje – nga një pikëpamje tjetër, vendi ka ulur kokën edhe ndaj diktatit perëndimor, sidomos atij amerikan. Ka një servilizëm të paanë veças ndaj SHBA-ve, një zell të madh për t’u besuar atyre në çdo temë, një shtirje (me gjasë properëndimore) si kurrë më parë, një mungesë e dukshme dinjiteti shtetëror e në rang kombi, çka po e dëmton pamjen e vendit dhe po na bën të dyshojmë (siç edhe e thamë më lart, me dhimbje) se kemi probleme që në këtë shënim nuk ua vëmë dot emrin…

Këtu gjenden gjithashtu një pjesë e arsyeve pse Irani na përzgjodhi ne dhe do të uroja shumë të isha i gabuar. (Se… bie fjala, sikundër folëm më lart për daljen nga pushtimi i stërgjatë otoman, përse nuk kapen këta me Slloveninë, me Rumaninë, me Malin e Zi, etj.?) Çfarë ka që fati i keq dhe zgjedha s’u ndahen shqiptarëve?

Shqipëria e Kosova duhet të shohin me përparësi një program për bashkimin e tyre në termat kryesore të historisë, jetës, arsimit, kulturës, si dhe përafrimin e politikave në një vështrim sa më perspektiv për kombin; duke mbajtur fort emrin, duke u përpjekur për të qenë dinjitozë në aleancat dhe miqësitë e tyre. Por kjo nuk mund të arrihet me ata që janë sot në timon e të zhytur në tepsinë e zënë goje kohë më parë e që tash është bërë batak fare… Ne me durim do të presim të ndërgjegjësohemi ca më shumë për fatin tonë dhe për sjelljet tona, por edhe që të vijë një ‘racë’ tjetër politikanësh; asish që të mos e kenë mendjen (vetëm) te timoni dhe te tepsia si qëllim në vetvete, por të lënë pak kohë e pak zell edhe për dinjitetin, mëvetësinë dhe mbarësinë e atij kombi, kohërash i pafat.