Prof. Dr. Lush Susaj: Shqipëria ka nevojë për indeksim dhe rritje reale të pagave

287
Sigal

– Varfëria ka pllakosur dhe bllokuar edhe shkollat dhe universitetet shqiptare

– Punonjësit e universiteteve kërkojnë rritje reale të pagave.

Prof. Dr. Lush Susaj

Varfëria ka pllakosur dhe bllokuar edhe shkollat dhe universitetet shqiptare

Tomas Xhefërson (1743-1826), ka shkruar: “Çdo qeveri degjeneron kur iu besohet vetëm sundimtarëve të popullit… Populli është i vetmi rrëzues i tyre”. Ndërsa Tolstoi, ka shkruar: “Nëse do që të jesh i lumtur, përpiqu t’i pëlqesh zotit dhe jo njerëzve”. Ndërsa në Shqipëri kjo shprehje merr një formë tjetër: sepse Zoti duket që është zëvendësuar nga partia. Ndërsa korrupsioni dhe vëllasundimi qëndrojnë mbi çdo vlerë, sjellje dhe vyrtyt tjetër shoqërorë e njerëzor. Në Shqipëri, nëse do që të jesh i pasur dhe i lumtur, nëse do që të kesh të drejtën për të punuar dhe për të zhvilluar familjen, jetën dhe pronën tënde, me patjetër duhet që të bëhesh gojëkyçur dhe shërbëtor i verbër i klikës apo komitës së korrupsionit. Në këtë kohë antivlerash, ajo që bie në sy është rritja e papërballueshme e varfërisë së pjesës më të madhe të stafeve dhe punonjësve të shkollave dhe universiteteve. Duke krijuar kështu një kategori shoqërore të keqpaguar, të kequshqyer e plotësishtë të mënjanuar nga qeverisja dhe nga roli jetik në mësimin dhe në edukimin shoqëror dhe profesional të rinisë. Paga aktuale e stafeve të punonjësve të universiteteve dhe shkollave të Shqipërisë,është gati sa gjysma e pagës së universiteve publike të Kosovës, dhe 3-4 herë më e vogël se paga e universiteteve të Malit të Zi, si vende të ngjashme me ne, e me çmime më të ulëta. Në këtë mënyrë politika antivlerë dhe konfliktuale e këtyre viteve dhe dekadave, ka prodhuar vetëm reduktim të thellë të hapësirave të lirisë akademike dhe intelektuale, dhe një pamundësi të pedagogëve për të jetuar dhe për të kryer punën si duhet. Ky realitet i përditshëm, pikë së pari po rëndon mbi rininë shqiptare, që po largohet nga Shqipëria, në kërkim të cilësisë së shkollës, punës, pagës dhe sigurisë për jetën, pronën dhe karrierën. Me këtë nivel pagash, shof që mësuesit dhe profesorët nuk kanë mundësi për të udhëtuar jashtë, as për të rritur dhe shkolluar fëmijët, as për të patur një automjet modest, as për të blerë një banesë, e as për të publikuar librat dhe artikujt e tyre shkencorë dhe divulgativ. Për më tepër, profesorët dhe mësuesit e Shqipërisë, nuk kanë as mjetet më themelore të punës së përditshme, sikurse janë kompjutëri dhe videoprojektori. Në shumë raste, edhe karriget e tavolinat ku qëndrojnë janë mbi 20 vjeçare, e gjysëm të thyera e të grisura. Madje për profesorët e meritës dhe fjalës së lirë, e që nuk servilosen pas partive dhe drejtuesve të lartë, nuk kanë as zyra me hapësirat e nevojshme e me kondicionerë. Përkundrejtë faktit të trishtë që zyrat me hapësira normale edhe me tavolina e kondicionerë të ri, ekzistojnë vetëm për ata që nuk bëjnë zë, që firmosin e nuk reagojnë, e që janë pjesë e tarafit. Pedagogët dhe mësuesit e Shqipërisë, në të shumtën e rasteve nuk kanë as printera, as letër të bardhë, as fotokopjues e as tualete higjenike. Këto e shumë më tepër se kaq, duhen marrë në considerate, sepse e kanë dëmtuar dhe po e dëmtojnë rendimentin dhe cilësinë e punës. Në këto kushte, duhet më shumë financim për të përballuar varfërinë dhe inflacionin.

Punonjësit e universiteteve kërkojnë rritje reale të pagave

Të ndodhur në kushtet e një varfërie nga rritja e kostos së jetesës me mbi 80%, si dhe përkundrejtë mungesës totale të indeksimit dhe të rritjes së pagave prej më shumë se 18 vjetësh (2004-2022), punonjësit e të gjitha universiteteve të Shqipërisë, përmes sindikatës së tyre, kanë kërkuar një të drejtë elementare, e që është rritja e pagës me të paktën 50%, për t’u afruar me nivelin e pagës së pedagogëve të universiteteve publike të Kosovës. Përkundrejt kësaj kërkese të ligjshme, të arsyeshme e plotësisht të realizueshme, përveç presionit idjot mbi drejtues dhe aktivistë të sindikatës, po bëhet aq shumë demagogji për një rritje të pagës me pikatore, që sipas qeveritarëve do të jetë rreth 15%. Unë mendoj se kjo masë rritje nuk e zgjidh problemin, sepse stafet e universiteteve janë kategoria që nuk ka patur asnjë indeksim dhe rritje page në 18 vitet e fundit. Përkundrejt indeksimit dhe rritjes që është bërë për kategoritë e tjera. Politika jonë duhet të kuptojë që paratë e taksave nuk janë për të zhvilluar tendera rrugësh e as kontrata me PPP. Përkundrazi janë për të mbajtur dhe zhvilluar arsimin, shkencën, kulturën, mjeksinë, punësimin dhe rritjen e pagave, në mënyrë që njerëzit të rritin konsumin dhe të jetojnë e të punojnë në Shqipëri. Kujtojmë faktin që sondazhet e kohëve të fundit, tregojnë se rreth 80% e rinisë po largohet për paga më të larta. Shqiptarët duhet ta kuptojnë mashtrimin dhe hipokrizinë e thellë me investimet e buxhetit, ku qeveritarët e këtyre 30 viteve, në vend që të paraqesin projektet prioritare për autostrada, rrugë, porte, aeroporte, energjetikë, etj, e që këto projekte të financoheshin dhe të mbikëqyrën nga BE, sikurse ndodh në Greqi, Maqedoninë e Veriut, Serbi, Kroaci etj, bëjnë të kundërtën. Duke e ditur shumë mirë faktin që nga projektet e BE nuk mund të vjedhin e as të korruptojnë, hiqen si patriotë dhe fillojnë fjalimet dhe demagogjinë për rrugët, që edhe pse kostoja e tyre korruptive është 5-7 herë më e lartë se në Gjermani, Francë dhe Itali, kurrë nuk u ndërtuan si duhet, por janë lënë copa -copa e gropa -gropa.

Paketa e dytë e ndihmës, për mendimin tim është jo reale dhe e pamjaftueshme, sepse nuk zgjidh asgjë. Rritja me 15-20% e pagave dhe ndihmës sociale, në kushtet e inflacionit dhe të rritjes së energjisë dhe produkteve të shportës me rreth 80%, është e pamjaftueshme. Është koha që qeverisja, sado moniste, inkopetente dhe e pabesueshme që të jetë, të shohë më thellë në hallet e popullit e jo të ndërtojë skema, që synojnë ruajtjen e fitimeve të klientelës nepotike. Rritja e pagave të punonjësve të shkollave dhe universiteteve me të paktën 30 %, kushtëzohet edhe nga fakti që për këtë kategori, janë hequr padrejtësisht disa nga benefitet, që ishin më parë, sikurse janë ulur koeficientët e leksioneve nga 1,5 në 1. Realisht nuk ka as para për kërkimin shkencor dhe as për publikimet në revistat dhe konferencat ndërkombëtare. Janë hequr doktoraturat, janë minimizuar dhe hequr projektet pasi me ato shpërblehen militantët dhe jo profesorët. Pa harruar faktin që mësuesit dhe pedagogët janë kryefamiljarë, dhe në kushtet që jemi nuk marrin të tilla bonuse, si psh, sikurse marrin në Kosovë, me nga 100 euro/muaj për pensionistët, apo 50-100 euro/muaj shtesë page, e as 100 euro/muaj për studentët. Shtojmë këtu edhe faktin që të gjitha analizat dhe vizitat mjekësore në Shqipëri duhet me i paguar me lekë në dorë. Pasi siguracioni shëndetësor që na mbahet muaj për muaj nuk vlen për asgjë, e nuk e njeh askush. Në këto kushte, unë mendoj që duhet një rritje reale më e madhe të pagave, nga ku do të ketë vetëm të fituar.