Krizat ekonomike, paraja neutrale dhe rendi natyror ekonomik

1821
Sigal

Nga Florjan Bombaj

Pedagog në Universitetin Mesdhetar Tiranë 

 Një fantazmë po qarkullon në botë. Virusi i ri që po bëhet shkaktar i humbjes së jetës së shumë shpirtrave njerëzore duket i pamëshirshëm dhe po bëhet si një murtajë sociale për shumicën e vendeve të zhvilluara ekonomikisht. Sipas studimeve më të fundit zgjidhja më e mirë për t’a mposhtur këtë patogjen nano-mikroskopik mbetet vetëizolimi dhe shmangia e kontakteve sociale. Paketa mijëra miliarda eurosh dhe dollarësh po akordohen nga shtetet Europiane dhe botërore që kjo krizë të tejkalohet. Përsëri ata që janë të fundit në zinxhirin ekonomik të sistemit aktual, individët dhe familjet, do të përballojnë shpenzimet monetare të këtyre paketave ndihmëse nëpërmjet taksave të rritura dhe kushteve të punës që do t’i përshtaten konjukturave të reja ekonomike. Solidariteti i të pasurve në këtë krizë duket sikur nuk do të ndodhë. Sot 1% e popullsisë më të pasur të planetit ka dy herë më shumë sesa pasuria e grumbulluar e 6.9 miliardë njerëzve. Maja e piramidës ekonomike përqendron mijëra miliarda dollarë në duart e një elite, pasuria dhe fuqia e së cilës po rritet në mënyrë eksponenciale. Logjikisht, për sa kohë që pabarazia midis të pasurve dhe të varfërve vazhdon të rritet, për sa kohë që rritja ekonomike vazhdon të përshpejtojë shkatërrimin e natyrës, dhe për sa kohë që kombet e ashtuquajtur të civilizuar të veriut vazhdojnë të shfrytëzojnë fqinjët e tyre jugorë pa ndrojtje, të supozuar  si të pazhvilluar, mbetet e domosdoshme të kërkohen alternativa për krizat ekonomike. Në këto rrethana, modeli i rendit natyror ekonomik dhe koncepti i parasë neutrale mbeten të rëndësishëm dhe meritojnë të marrin një njohje më të gjerë për njerëzit.

Fuqia e parasë

Krizat më të mëdha botërore të së kaluarës, sidomos në vitet 1929-1933 dhe 2007-2009, na kanë mësuar se shfrytëzimi i punës njerëzore nuk e ka origjinën në pronësinë private të mjeteve të prodhimit, por përkundrazi në sferën e alokimit e cila është nën mbikëqyrjen e strukturave defektoze të sistemit monetar. Filozofi i njohur Aristotel, njihte rolin e dyfishtë dhe kontradiktor të parasë, së pari si mjet shkëmbimi për t’i shërbyer tregut dhe së dyti si instrument fuqie i aftë për t’a mbizotëruar tregun. Por eksperiencat njerëzore të deritanishme nuk i kanë dhënë ende përgjigje pyetjes: si mund t’a kapërcejmë këtë karakteristikë që paraja ka si një instrument fuqie kredituese, pa e eliminuar atë si një mjet shkëmbimi neutral? Ajo ka dy tipare esenciale : 1 – Paraja si një mjet shkëmbimi është e aftë të grumbullohet, gjë që nuk ndodh me punën njerëzore dhe as me mallrat dhe shërbimet që ndodhen në anën e ofertës të ekuacionit ekonomik. Ajo mund të mbahet përkohësisht larg nga tregu për qëllime spekulative pa bërë që mbajtësi i saj të ekspozohet ndaj humbjeve të mëdha; 2 – Paraja ka avantazhin e një likuiditeti epëror në krahasim me mallrat dhe shërbimet; me fjalë të tjera, mund të përdoret në çdo kohë, në çdo vend dhe zotëron fleksibilitet alokimi të ngjashëm me letrën joker në një lojë me letra.

 

Paraja jo-neutrale. Këto dy karakteristika të parasë i japin mbajtësit të saj një pozicion të privilegjuar përballë prodhuesve të mallrave dhe shërbimeve, veçanërisht për ata që e mbajnë ose administrojnë atë në sasi të mëdha. Mbajtësit e saj mund të perturbojnë rrjedhën dinamike të veprimtarisë ekonomike; blerjet, shitjet, kursimet, investimet. Kjo fuqi ju lejon atyre të kërkojnë pagesa interesi si shpërblim që nuk kanë pranuar mbajtjen e saj për qëllime spekulative, duke lejuar kështu që paratë të qarkullojnë në ekonomi. Kjo fuqi strukturore e parasë nuk varet nga grumbullimi i saj i vërtetë, por nga potenciali i saj për të shkatërruar aktivitetin ekonomik, i cili i lejon asaj të nxjerrë një shpërblim në formën e interesit, sepse ka krijuar mundësinë e “shkëmbimit metabolik” të mallrave dhe shërbimeve në “organizmin shoqëror”. Pra “fitimi i kapitalit” i ka dhënë vetes një përparësi më të lartë se çdo konsideratë natyrore ekonomike dhe prodhimi bëhet më i përshtatshëm me interesin financiar sesa me nevojat reale të Homo Sapiens-it. Normat pozitive afatgjatë të interesit shqetësojnë ekuilibrin e fitimeve dhe humbjeve të nevojshme për vetë-rregullimin e decentralizuar të tregut. Ky është shkaku i një sëmundjeje të organizmit shoqëror dhe simptomat e tij duket se janë komplekse. Norma e interesit, pra paraja jo-neutrale, shkakton humbje të produktivitetit dhe një shpërndarje të pabarabartë të të ardhurave. Këto të fundit nga ana tjetër, konvergojnë në përqendrimin e kapitalit monetar si dhe atij jo monetar, dhe më pas në monopolizimin e ekonomisë. Mbajtësi i parasë që vendos nëse ajo do të qarkullojë ose jo, nëse do bën që ajo të mos qarkullojë normalisht, njësoj si gjaku në trupin e njeriut. Kjo e bën të pamundur çdo kontroll efektiv publik të bazës monetare dhe qarkullimit të saj dhe i bën të pashmangshme luhatjet në nivelin e përgjithshëm të çmimeve, në inflacion dhe deflacion. Gjatë cikleve ekonomike, kur rënia e normave të interesit shkakton mbajtjen e sasive të mëdha të parave nga tregu, në pritje të një perspektive më të mirë investimi, rezultati është stanjacioni ekonomik dhe papunësia.

Paraja neutrale dhe organizmi shoqëror i shëndetshëm

Për të privuar paranë nga fuqia e saj, nuk duhen marrë masa të tilla si eliminimin e normës së interesit, absolutisht Jo. Fillimi mund të jetë me ndryshime institucionale në sistemin monetar, në mënyrë që çdo kursim spekulativ të përfshijë “koston e depozitës”, e cila do të neutralizonte avantazhet e kursimit dhe likuiditetit. Vendosja e “kostove të depozitës” mbi disponibilitetin e parave likuide do t’i hiqte fuqinë e saj (private) për të mbizotëruar në treg, duke e lejuar atë të luajë rolin e saj publik si mjet këmbimi. Pengimi i kursimeve spekulative për të mos perturbuar qarkullimin e mjeteve të shkëmbimit do të lejonte që baza monetare dhe shpejtësia e qarkullimit të saj të adaptoheshin në mënyrë periodike me vëllimin e prodhimit dhe nivelin e përgjithshëm të veprimtarisë ekonomike, në mënyrë që fuqia blerëse e saj të jetë po aq e qëndrueshme për një kohë të gjatë sa peshat dhe masat e tjera. Vazhdimi  mund të jetë me “kartëmonedha të skadueshme” si një mjet për “reformën organike të sistemit monetar”. Për të shmangur skadimin, kartëmonedhat duhet të emetohen periodikisht kundrejt nje tarife. Pa këtë stampim të ri, ato do të bëheshin pa vlerë. Në këtë sistem, kursimi i parave do të kushtonte para. Kursimet, me fjalë të tjera, do të kishin një normë negative interesi. Vetëm duke shpenzuar ose investuar, do të shmanget tarifa e stampimit. Kështu paraja, e cila deri më sot ka qenë një material steril i huaj për organizmin shoqëror dhe botën natyrore, mund të bëhet pjesë e ciklit të përjetshëm të jetës dhe vdekjes, duke u bërë kalimtare dhe duke humbur kapacitetin e saj për përhapje të pakufizuar me anë të interesave të thjeshtë dhe të përbërë. Një reformë e tillë e sistemit monetar do të përbënte një terapi holistike, rregulluese, e cila do të largonte frenat në qarkullimin e parave. Si rezultat, hipotetikisht, organizmi shoqëror jofunksional do të shërohej gradualisht nga simptomat e tij të shumta të krizës ekonomike dhe strukturore, për të gjetur më në fund ekuilibrin e tij, në harmoni me pjesën tjetër të rendit natyror.

 

Në veprën e tij kryesore mbi rendin ekonomik natyror përmes parasë dhe tokës së lirë [Die Natürliche Wirtschaftsordnung durch Freiland und Freigeld] botuar në Berlin dhe Bern në 1916, ekonomisti pak i njohur për publikun e gjerë dhe kërkuesit shkencorë, Silvio Gesell, shpjegon në detaje se si oferta dhe kërkesa e kapitalit mund të ekuilibrohen në një kontekst të qarkullimit të pandërprerë të parave, i cili do të lejonte një ulje të normës reale të interesit nën barrierën e zakonshme prej 3-4%. Autori përdor termin “normë primitive e interesit” për të përshkruar këtë normë interesi monetare e cila ka ndryshuar shumë pak përgjatë historisë dhe që përfaqëson homazhin e fuqisë punëtore ndaj fuqisë së parasë, duke origjinuar të ardhura të pamerituara më tepër se sa kjo përqindje mund të lejojë. Reforma organike mbi sistemin monetar përfundimisht mund të zhdukë normën primitive të interesit, duke lënë vetëm një premium risku dhe kosto administrative. Luhatjet në normën e interesit të tregut rreth këtij ekuilibri të ri afër zeros do të lejojnë në mënyrë më efektive dhe të decentralizuar, drejtimin e kursimeve drejt investimeve adekuate. Paraja neutrale pra, një mjet shkëmbimi i çliruar nga homazhi historik i normës primitive të interesit, do të jetë neutrale në impaktin e saj në alokim dhe nuk do të jetë më në gjendje të ndikojë në natyrën dhe vëllimin e prodhimit në dëm të prodhuesve dhe konsumatorëve. Rezultati final është që të ardhurat e siguruar nga puna, të bërë të mundura nga eleminimi i normës primitive të interesit, mund t’i lejojnë njerëzimit të gjejë vetë-punësim në profesione private ose bashkëpunuese. Duke e ekuilibruar kështu lidhjen e tij me natyrën, shoqëria njerëzore e bën më të fortë aftësinë për t’i bërë ballë krizave ekonomike dhe sulmeve shëndetësore si kjo e fundit e fantazmës nano-mikroskopike. Thellime të mëtejshme janë të nevojshme për të kuptuar rolin që Shteti, ky “fetus artificial” për qënien njerëzore, do të kishte hipotetitikisht në këtë rend natyror ekonomik.