Kozma Gjini: Kur do të ndahet “Torta” e regjistrave të shkollës znj. Ministre? 

535
Sigal

Kaluan 4 muaj nga ky vit shkollor. Katër muaj që mësues e nxënës presin t’u vijnë regjistrat, por asnjë dritë jeshile nuk duket në fund të tunelit. Mësuesit këtë vit mësimor në vend të regjistrave zhgarravisin nëpër fletore, si as një shekull më parë. Vërtet, vitet e fundit librat e regjistrat kanë ardhur me vonesë nëpër shkolla, por jo më shumë se një muaj. Kurse ky vit, (2021-2022) bëri çudinë. Në një kohë që mbetet edhe një javë e do të mbyllet ky semestër, regjistrat  akoma nuk kanë ardhur në shkollat e Shqipërisë. Është një rast unikal, që Ministria e Arsimit  nuk e di saktë se kur do të shtypen regjistrat. Si kanë vepruar mësuesit, rrogëtarët e përunjur deri në gjunjëzim të shtetit deri më sot? Në takimin që pati ministrja me drejtuesit e arsimit iu bë një pyetje nga një drejtor për skandalin me regjistrat, por ajo u mundua të justifikohej me “defekte objektive”. Pyeta disa drejtues të shkollave për të marrë një përgjigje të saktë për vonesën e regjistrave dhe të gjithë ngrinin supet: “Kemi marrë urdhër që në vend të regjistrit të mbajmë fletore shënimesh”!? Të çudit kjo praktikë pune e shkollave me ecje mbrapsht. U bënë kaq vite demokraci dhe regjistri, dokumenti bazë i shkollës, (pas amzës), akoma s’ka ardhur në shkollë. Pse? Cila është arsyeja e vërtetë zonja ministre e arsimit, që nuk janë botur akoma regjistrat dhe mësuesit në vend të regjistrit përdorin fletore shënimesh duke e shtuar kështu burokracinë nëpër shkolla? Kjo vonesë, pa diskutim, që e ka një emër. “Korrupsion!” Në një kohë që Tirana numëron mbi 200 shtëpi botimi (përfshi edhe shtypshkronjat), të cilat mund t’i botonin për një javë regjistrat, ky problem ka ngecur për arsye subjektive dhe jo “defekte objektive”.

Zonja ministre (e re), e di fort mirë se cili është shkaku i vonesës, por edhe baza e ka një mendim:” E vetmja arsye e vonesës së botimit të regjistrave  është se akoma përfituesit po zihen për ndarjen e “tortës”. Shtetarë të padukshëm, pas kuintave, qeveritarë ose jo, lidhen me interesa monetare dhe nuk lëshojnë pe, derisa të marrin pjesën e tyre të tenderit. Opsioni, se gjasme vonesa e botimit të librave ka ardhur, sepse ka dështuar plani i “Regjistrit online”, më duket krejt absurditet.

Duke qënë tek ky dokument bazë i përdorimit të përditshëm në shkollë, prej gojës së mësuesve kam marrë edhe disa shqetësime të tyre që lidhen me përdorimin e regjistrave. Mësuesve u është shtuar puna burokratike. Ata  në vend që kohën ta mbushin me studime në ininteres të ngritjes së tyre profesionale, e harxhojnë kohën me punë rutinë, duke hedhur notat e nxënësve në fletore dhe në fund të tre mujorit  të nxjerrin një notë mesatare dhe këtë ta hedhin sërish në regjistër.(?!) Ku është e mira e këtij “novacioni”? Në një kohë që në regjistër hidhen vetëm mungesat e përditshme dhe temat e mësimeve, po notat pse duhet të mbahen në fletore, kur regjistri ka faqen përkatëse? Përveç se u shtohet burokracia mësuesve, ku janë avantazhet e tij? Na e argumentoni pak, pse hidhet poshtë tradita e kaq dekadave ku nota shërbente edhe si mjet nxitës sistematik për nxënësit dhe ajo vihej në regjistër, kurse sot kjo praktikë nuk zbatohet?

E treta që dua të diskutoj me ju, znj. ministre është edhe një “urdhër i brendshëm”,  (ndoshta i pashkruar), që u keni çuar shefave të drejtorive arsimore të bashkive me qëllim që të ndërrojnë 60-70% të drejtorëve të shkollave dhe t’i zëvendësojnë me të tjerë. Arsyeja e qarkullimit të drejtorëve është për t’u përshëndetur, sepse aktualisht ka drejtues shkollash që kanë një performancë mesatare më të ultë se mësuesit e tjerë, ngaqë kjo kategori e drejtimit është vendosur nga politika. Shqetësimi që ka ngjallur ky urdhër dhe përgjegjësia e Zyrave e Drejtorive Arsimore për ndërrimin e tyre, është disa herë përgjegjësi dhe vështirë, sepse nuk gjendet dot mundësia e sistemimit të kuadrit brenda profilit që ka mbaruar shkollën. Atëhere do të pranojmë zëvendësimin e tyre gradualisht dhe jo me  “aksion me goditje të përqendruar”? Të mos harrojmë, se gjithçka rëndon në kurrizin e formimit të nxënësve. Larg duart nga politika, për t’i ndarë mësuesit e drejtuesit në të majtë e të djathtë. Por, si do të ndodh kjo në realitet? Le të presim.