Kim Mehmeti:  jo të gjithë mbjellin kanabis dhe e shesin votën!

151
Sigal

Kur një shoqëri i afrohet pikës më të rrezikshme të saj – mos ndjeshmërisë ndaj fatit të vet kolektiv dhe ndaj përbuzjes që ia bëjnë pushtetarët dhe të pasurit – kur një vend bie ne duart e krimit dhe hajdutërisë, kur gjithë idealet e një populli bëhen pjesë e cirkut politik, kur tradita dhe kultura e një kombi bëhen shtrat ku bëjnë gjumë pushtetarët, ajo tregon se ai popull ka elita të sëmura nga sëmundja ‘vdekjeprurëse’ – nga paturpësia!

Nga kjo sëmundje, kryesisht, vuajnë ata që shikojnë vetëm sofrën e ‘mbretit’ nga e cila ushqehen, e jo edhe atë që ndodh rreth tyre, kjo sëmundje përhapet në shoqëritë e lodhura nga vetvetja, ku shuhen shpresat se diçka mund të ndryshojë, pra në shoqëritë ku ata që duhet t’u prijnë ndryshimeve, as dëgjojnë e as shohin gjë, ngaqë kokën e kanë të zhytur në grazhdin e pushtetit.

Dhe ne jetojmë në kohë kur të duket se gjithë shqiptarinë e ka pushtuar një lodhje e frikshme, e cila atë e bënë të pandjeshme edhe ndaj rrënimit të Tetarit Kombëtarë, edhe ndaj ‘Ballkanit të Hapur’ të ‘Botës Serbe’ me shqiptarinë në të që do e bashkojë Beogradi, ndaj paturpësisë së pushtetarëve shqiptarë që më shumë brengosen si tua shpërlajnë duart e përgjakura kriminelëve serb se sa ku prehen viktimat e pagjetura shqiptare nga Kosova.

Po pra, kur idealet e një kombi nuk kanë ku të mbështeten, mos ndjeshmëria e popullit ndaj fatit të vetë kolektiv bëhet sëmundje ‘vdekjeprurëse’. Dhe kjo sëmundje, popullit në fillim ia ‘merr’ rininë, duke e degdisur atë anëve të botës, pastaj, ua merr aftësinë e të folurit atyre që në mos më shumë, Kryeministrit të Shqipërisë do duhej t’i thoshin: Zotëri, mos pandeh se çdoherë e çdokund më me ndikim janë prodhuesit e hashashit dhe se do mund t’i shpërlash mëkatet me paratë e pasanikëve që sot t’i blejnë votat!

Por për fat të keq askush nuk thotë asgjë dhe shumica e të ‘urtëve’ tanë heshtin. Flasin vetëm ata që e adhurojnë Piktorin dhe i urrejnë kundërshtarët e tij. Pra më të zhurmshëm janë ata që e duan helmin politik që i asgjëson gjitha idealet dhe shpresat e shqiptarisë, helmin politik që ia merr ‘frymën’ frymës për ta pastruar shqiptarinë nga politikano-kreminelët e saj.