Jovan Bizhyti: Lushnja dhe Myzeqeja, me historinë e tyre ndër vite

18
Sigal

(Të njohim historinë e vendlindjes)

Telegraf.al / Lushnja dhe Myzeqeja me fushat dhe kodrinat më pjellore të vendit, me historinë e tyre ndër vite e shekuj, na bëjnë krenar ne brezat e së shkuarës e së ardhmes, për të qënë të lidhur ngushtë me historinë dhe jetën e atij populli të urtë, të kulturuar dhe shumë puntorë të asaj krahine fushore bregdetare, që ndër vite e shekuj është quajtur shpesh dhe, “Hambari i Shqipërisë”.

Lushnja është nga qytetet e reja të vendit, me një histori qytetërimi rreth 150 vjeçare. Por si vendbanim ka ekzistuar shumë herët. Nga të dhënat njihet që nga shekulli XV me toponimin “Lusnie”. Regjistrimi nga defterët e lashtë osman i bërë në vitin 1431, tregon se krahina e Myzeqesë kishte 33 fshatra, kurse “Lusnia”, ishte katund i vogël me 15 shtëpi dhe me rreth 100 banorë. Në vitin 1679, ky vendbanim kishte 17 hane ku pushonin karvanët e udhëtarëve dhe rreth 150 banorë. Në këtë kohë ishte Karbunara si qendër e Nahijes së Myzeqesë. Në vitin 1744, “Lusnia” ishte ende katund me 57 shtëpi dhe me rreth 500 banorë.

Shoqëria e Tregtarëve Lushnjarë, dalë në Bangën e Napolit në Itali, viti 1936.
Në foto në këmbë nga e majta: Gaqi Pjetri, Llambër Nasi Çomo (Libofshë), Nasi Xhoxhi, Vangjel Shandro, Liçi Kasapi (Sinjari),Llaqi Pilo Bozo dhe ulur në karige: Llambi Lipe, Taqi Spiro Kondakçiu, Ndre Papai, Gaqi Tushe, Taqi Bozo.

Në vitin 1830, njihet me emrin Lushnje dhe citohet për herë të parë në fjalorin enciklopedik evropian. Aty thuhet se, Lushnja ka 200 shtëpi dhe është e banuar nga të krishterë e myslimanë, që përbënin mbi 1300 banorë. Në vitin 1848 erdhi në Lushnje poeti dhe piktori i njohur anglez, Eduard Lear, që qëndroi disa orë dhe fjeti një natë në Manastirin e Ardenicës në 17 tetor 1848. Lushnjen ai e përshkruan si një katund me hane për udhëtarët, ndërsa për Manastirin e Ardenicës dhe për peizazhin që e rrethonte, ai shkruan:

-“Qe e vërtetë, që prej andej dukej e gjithë bota”. Të zotët e vendit, kryeprifti me klerikë të tjerë, e pritën mikun përzemërsisht, duke i shtruar një darkë parajsë. Prej aty ai shkoi për vizitë në Manastirin e Shën Kozmait në Kolkondas, ku dhe për këtë shkruan: -“Një shkollë ngrihet afër kishës, aty qëndrojnë 30-40 fëmijë në një rashe dhe mësonin lexim, ose këndonin me zë të ulët”. Bëhet fjalë për një shkollë në gjuhën greke hapur pranë këtij manastiri në vitin 1817, me porosi të Ali Pashë Tepelenës. Pastaj piktori anglez shkoi në Apoloni. (Këto të dhëna cituar nga libri i A. Karagjozit për Eduard Lear, botim i vitit 1997).

Në vitin 1870, Lushnja u njoh nga qeveria osmane si qendër administrative e Myzeqesë, ku këtë rrol më parë e ka patur katundaria e Karbunarës, një fshat i hershëm në afërsi dhe me pozicion në jug-lindje të Lushnjes.

Veç shkollave greke pranë manastireve, në vitin 1860 u hap dhe në Lushnje një shkollë në gjuhën greke pranë kishës së Shën e Premtes. Mësuesit e parë ishin Ndini dhe Gori Ziu, babë e birë nga fshati Gorre. Ndërsa në vitin 1870 u hap shkolla Mejtepe (shkollë fillore fetare osmane). Në vitin 1878 erdhi në Lushnje dhe në Myzeqe organizatori i Lidhjes së Prizrenit, Abdyl Frashëri, i cili hodhi idenë e krijimit të nën/degëve të Lidhjes dhe krijimit të çetave të para me luftëtarë patriotë. Kështu në Myzeqe u ngritën 4 çeta me patriotë vullnetarë,

-Çeta e Karatoprakut e drejtuar nga Ikonom Kozma Dhima,

-Çeta e Bubullimë-Ngurrëz drejtuar nga Jashar Blezencka, Llazar Bozo dhe Hajdar Ngurrëza,

-Çeta e Krutje-Fiersheganit e drejtuar nga Lam Shtëmbari dhe Pal Kadillari.

-Çeta e Karbunarës e drejtuar nga Taulla Sinani.

Pazari i bagëtive në qendër Lushnje, viti 1945

Në vitin 1890 si shumë qytete në Shqipëri edhe qytetaria e Lushnjes mori një zhvillim të dukshëm me 280 shtëpi dhe rreth 1600 banorë me besime fetare të përziera, të krishterë dhe myslimanë, megjithëse treva e Myzeqesë deri nga fundi i shekullit XIX dominohej nga besimi i krishterë ortodoks. Duke përshkruar përbërjen e popullsisë të trevës së Myzeqesë, konsulli austro-hungarez, Dr. Ranzi në vitin 1902, i shkruan ministrit të tij të jashtëm në Vjenë se:-“Perëndimi i Myzeqesë është krejtësisht i krishterë”. (Arkiva e Institutit të Historisë, dokumenti 53, datë 18.08.1902).

Në vitin 1893, administrata e pushtetit osman, ndërtoi një godinë për pushtetin vendor e xhandarmërinë, dhe kështu nisi të marrë jetë ky qytet i vogël myzeqarë. Në vitin 1907, në Lushnje u tentua të hapej për herë të parë një shkollë shqipe me 26 nxënës në hanin e patriotit Nebi Sefa, një nga përfaqësuesit e Myzeqesë si firmëtarë i Pavarësisë së Shqipërisë në 1912 në Vlorë. Por kjo shkollë u mbyll shpejt me dhunë nga nën/prefekti i asaj kohe, Eman Naili, me origjinë armene, ku arrestoi dhe dy vëllezërit, Nebi dhe Abaz Sefa, duke i internuar në burgun e Janinës. (Kujtime të Nebi Sefës të transmetuara ndër breza).

Në 27 nëntor 1912, një ditë para shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, paria e patriotëve myzeqarë në qytetin e Lushnjes, ngritën flamurin shqiptar të pavarësisë dhe nisen për në qytetin e Vlorës tre përfaqësuesit delegatë të Myzeqesë, firmëtarët e Pavarësisë, Ferit Vokopola, Nebi Sefa dhe Qemal Bej Mullai, që iu bashkuan gjithë patriotëve të krahinave mbarë shqiptare. Në 28 nëntor 1912, në qytetin historik të Vlorës u ngrit flamuri i Pavarësisë Kombëtare dhe u krijua Qeveria e Parë Provizore Shqiptare me në krye burrin e madh të Kombit, Ismail Qemal Vlora. Në atë kohë në Lushnje ishte nën/prefekt, Emin Vokopola deri në vitin 1913 dhe më pas, Qeveria e Ismail Qemalit emëroi nën/prefekt, Qazim Kokoshin.

Kongresi Historik i Lushnjes dhe ai Kombëtar i Arsimit Shqiptar në fillimet e shekullit XX-të, që i dhanë emër këtij qyteti.

Ishte janari i vitit 1920, kur një Komision iniciator i drejtuar nga Kryetari i Beledijes së Lushnjes, Besim Nuri, dhe në përbërje patriotë myzeqarë e të tjerë si vëllezërit: Jakov e Llazar Bozo, Sheh Ibrahim Karbunara, Eshref Frashëri, Ferit Vokopola, Taulla Sinani, Nebi Sefa, Zija Mullai, Andrea Papai e të tjerë, të cilët përgatitën thirrjen e Kongresit Historik të Lushnjes. Ky Kongres, që mblodhi në 20 janar 1920 përfaqësues nga të gjitha krahinat e vendit, i tha ndal copëtimit të Shqipërisë dhe zgjodhi qeverinë legjitime shqiptare, pas asaj të Ismail Qemalit në Vlorë, me Kryeministër Sulejman Delvinën dhe kabinetin e tij ministror. Tetë muaj më vonë, në 15 gusht 1920, po në Lushnje u mblodh dhe Kongresi Kombëtar i Arsimit Shqiptar, që kurorëzoi kërkesën e lëvizjes shqiptare për dituri e arsim kombëtar. Në këtë Kongres arsimor u trajtuan probleme të strukturës dhe përmbajtjes së shkollës shqipe, duke përcaktuar fizionominë dhe frymën kombëtare të arsimit në shtetin e pavarur shqiptar.

Për herë të parë u vendos dhe detyrimi për arsimin fillor, pasi në Shqipëri dominonte në masë analfabetizmi. Midis figurave kombëtare të arsimit shqiptar si, Aleksandër Xhuvani, Ahmet Gashi, Thoma Papapano e të tjerë, ishin dhe mësuesit e shquar myzeqarë, Anastas Laska nga Vanari, Naun Doko (Prifti) nga Libofsha, Theodhor dhe Aleko Rista nga Bubullima e të tjerë. Nga ajo kohë deri në vitin 1927, kur në Lushnje ishte nën/prefekt Shefqet Dibra, në nën/prefekturën e Lushnjes kishin kaluar mandatet 9 nën/prefektë. Në këtë periudhë, u ndërtua në qendër të qytetit dhe godina e re e nën/prefekturës, që sot nuk egziston.

Popullsia e Myzeqesë së Lushnjes dhe ekonomia në fillimet e shek. të XX-të.

Regjistrimi i parë zyrtar i popullsisë së qytetit dhe gjithë Myzeqesë së Lushnjes, u bë në vitin 1922, duke përfshirë dhe komunën e Libofshës që ishte pjesë e nën/prefekturës së Lushnjes. Nga ky regjistrim, Myzeqeja e Lushnjes kishte 28348 banorë, ndërsa qyteti i Lushnjes kishte 1678 banorë. Kjo nën/prefekturë kishte gjithsej 134 fshatra të ndara në 3 katundari:

-Katundaria e Qendrës rreth qytetit me 70 fshatra.

-Katundaria e Libofshës me 40 fshatra.

-Katundaria e Bubullimës me 24 fshatra.

Në regjistrimin e vitit 1938, popullsia e Myzeqesë së Lushnjes arriti në 46420 banorë, me një shtesë prej rreth 18000 banorë, krahasuar me regjistrimin e vitit 1922. Në vitet 1824-1940, në gjithë territorin e Myzeqesë erdhën rreth 500 familje kosovare, që u vendosën në 30 fshatra të Myzeqesë së Lushnjes dhe të Fierit. Gjatë viteve 1940-44 të Luftës Antifashiste Nac.Çl. në Myzeqe erdhën dhe shumë familje Çame, të dëbuara me dhunë nga trojet e tyre nga genocidi grek. Po ashtu në Myzeqe kishte dhe shumë familje Vllehësh, ardhur herët nga fundi i shekullit XVIII e fillimet e shekullit XIX, nga territoret jug-lindore të vendit, nga Voskopoja, Grabova, Llënga, Frashëri e tjera, pas shkatërrimit që pësoi qytetërimi i atyre krahinave.

Që nga fillimet e shekullit të 20, ekonominë bujqësore të Myzeqesë së Lushnjes, e zotëronin 63 çifliqe me rreth 250 pronarë tokash, 16 prej të cilëve, zotëronin mbi 500 ha. tokë secili. Kishte gjithashtu 203 pronarë të mesëm, që zotronin 1812 ha, tokë gjithsej dhe 31 kulte fetare me 133 ha. tokë, ku Manastiri i Ardenicës, zinte vendin kryesor. Ndër pronarët më të mëdhenj të tokave në Myzeqenë e Lushnjes, përmenden Biçakllinjtë e Elbasanit, që kishin pronë 4 fshatrat e Çermës në anë të lumit Shkumbin, ishte Ahmet Bej Resuli, në Lushnje, që kishte në pronësi fshatrat Krutje e Poshtëme, Lifaj, Zhym, e Fierveizbej. Ali Bej Këlcyra, kishte çiflik fshatrat Rrupaj dhe Zhelizhan, familja Meçe kishte çiflik fshatin Fierseman e tjera. Prona të mëdha kishin dhe familjet e bejlerëve të Kurtëve në Ngurrëz, Xhindolët në Imësht, Eskaj, Kamçisht e tjera.

Bazën kryesore të popullsisë në Myzeqe, e kanë përbërë popullsia fshatare autoktone vendase dhe vit pas viti, komunitetet e tjera të ardhura si, vlleh, kosovarë, çamë, e pas çlirimit të ardhur dhe nga krahina të ndryshme si, Skrapari, Gramshi, Librazhdi dhe nga zona të veriut, si dhe familje të dëbuara e të internuara, që pas përfundimit të dënimit, kanë mbetur në Myzeqe.

Qendra e Lushnjes në vitet 1970.

Në fillimet e shekullit XX-të, në Myzeqe u hap shkolla e parë shqipe në fshatin Libofshë në 1908 dhe në vitin 1913, u hapën shkolla shqipe edhe në qytetin e Lushnjes, në shkollën e Manastirit të Ardenicës dhe në disa nga fshatrat e tjerë të Myzeqesë.

Në këtë periudhë mori zhvillim dhe tregtia e zejtaria, qendra e qytetit u mbush me dyqane e lokale shërbimi, ku një rol të dorës së parë lozën familjet e vllehëve me tradita tregtare, si familja grabovare e Bozove, një fis i gjerë që merreshin kryesisht me tregti, siç mund të përmendim vëllezërit, Jakov e Llazar Bozo, Mihal Bozo, Bush Bozo, Pilo Bozo, Vasil Bozo, Zoi Bozo, Koçodin Gogu, Ndre Papai, Kic Puka, Thoma Misa, dhe familjet e tjera, vëllezërit Kabuli dhe Xhevdet Nepravishta, familjet, Sefa, Ruli, Vokopola, Fuga, Gina, Taq Spiro, ky i fundit së bashku me Jakov Bozon ndërtuan hotelin e parë në Lushnje, që pas çlirimit u shtetëzua dhe mori emrin, “Hotel Myzeqeja”, ndërsa para çlirimit quhej, “Hoteli i Taq Spiros” (Kondakçiu) e tjerë.

Roli patriotik i qytetarisë së Lushnjes në mobilizimin e popullit në Luftën Nac.Çl.

Qytetaria e këtyre familjeve dhe e shumë qytetarëve të tjerë lushnjarë, ndikoi jo vetëm në zhvillimin e tregtisë, zejtarisë, të arsimit e kulturës në qytetin e Lushnjes, por mjaft prej tyre u shquan dhe për kontributin patriotik, veçanërisht në luftën partizane Nac.Çl. për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazi-fashistë. Djemuria qytetare e Lushnjes, dhe e gjithë Myzeqesë, përqafuan që herët idetë patriotike të rezistencës kundër pushtuesve fashist, të cilat më pas u kthyen në një lëvizje të organizuar partizane. Në qytetarinë e Lushnjes u shquan shumë familje patriote që kontribuan si familjet: Bozo, Libohova, Haxhiu, Gina, Gogu, Dervishi, Rruli, Jano, Dhamo, Xhafa, Nuri, Nepravishta, Sefa, Ranxhi, Shtrepi, Bano, Bello, Pjetri, Tushe, Shandro, Dimashi, Llazo, Gjeçi, Durri, Prifti, Shyti, Sinjari, Xhoxhi, Puka, Aleksi, Zela, Taullau, Zegali, Jaçellari, Bizhyti, Billo, Hajdari, Canka, Sylari, Sheqi, Tufa, Gega, Ferro, Korreshi, Quku, Kallajxhiu, Karame, Kujunxhiu, Toshkëzi, Turku, Verria, Qystri, Krakulli, Shabani e tjera, si dhe dy nga bazat e para të partizanëve, shtëpia e Asllan Dakës dhe e Rrap Gjoshit, e shumë e shumë të tjera.

Familja e patriotit Llazar Bozo, u përfshi pothuaj totalisht në radhët partizane, që nga kryefamiljari, Llazar Bozo, me katër djemtë e tij, Petri, Aleko, Koli dhe Irakli Bozo, dhe vajza Parashqevi Bozo, familja e Loni Bozos, që i dha luftës dy djem, Miti dhe Nako Bozo (dëshmor i Atdheut). Po ashtu familja Robo me djalin Xhorxhi Robo, familja Gina, që veç djalit Hasan Gina, angazhoi në radhët e luftës dhe Bajazit Ginën, si dhe vajzën Fete Gina, ndërsa shtëpia e Dervish dhe Rexhep Ginës u bënë baza të luftës partizane. Po ashtu dhe familja patriote e Koçodin e Vasilika Gogut, që e kthyen shtëpinë në bazë të luftëtarëve të lirisë, duke hedhur në radhët partizane dhe katër pjestarë, nipi Uan Gogu (dëshmor i Atdheut), si dhe tre djemtë partizanë, Miti, Xhoxhi dhe Llazar Gogu. Shtëpia e patriotit Kamber Ruli, u kthye në bazë ku mblidheshin komunistët e parë, që krijuan celulën e partisë komuniste të qytetit në 27 dhjetor 1941 me pjesëmarrës, Xhorxhi Robo, Hasan Gina, Loni Dhamo (dëshmor), Muharrem Qamili, Sedat Ruli, Koli Ll. Bozo, Myfit Hysi, Miti dhe Nako Bozo (dëshmor), Skënder Libohova (dëshmor), Lili Shtrepi e tjerë.

Qendra e Lushnjës sot, 2024

Krahas këtyre, u angazhuan në radhët e luftës dhe familja Haxhiu, me pjesëtarët e saj që u rreshtuan në radhët partizane si, Halim Haxhiu, vajza Lute Haxhiu, Rakip, Adem dhe Isuf Haxhiu, familja Dervishi me pjesëtarin Shyqyri Dervishi, familja Libohova, me tre djemtë partizanë, Skënderi, Aqifi dhe Gëzim Libohova, ku dy vëllezërit e parë mbetën dëshmorë në luftë, familja Jano i dha luftës dy djem partizanë, Llaqi e Mihal Jano (dëshmor), familja e Todi e Liçi Banos i dhanë luftës djemtë, Andrea dhe Llazar Bano, familja e Taq Shtrepit i dha luftës partizanin Lili Shtrepi, kështu dhe familjet e tjera, si ajo Dhamo me djalin Loni Dhamo (dëshmorë), familja Gega me dy djemtë partizanë, Dervish dhe Sami Gega, familja Nepravishta i dha luftës dëshmorin Xhevdet Nepravishta dhe të tjera. Po ashtu, në Karbunarë u shqua familja Uruçi, që i dha luftës komandantin trim të bataljonit, të Grupit të Myzeqesë dhe së fundi Komandantin e Brigadës XVI Sulmuese, Rrahman Uruçi. Në qytetin e Lushnjes, gjatë luftë Nac.Çl. ishin rreth 50 baza të Frontit Nac.Çl. dhe në shkallë nën/prefekture rreth 200 të tilla. Në qytetin e Lushnjes, që në vitin 1941, banonte dhe Major Spiro Moisiu, i sapo kthyer nga dezertimi me batalionin “Tomorri” nga fronti i Luftës Italo-Greke. Major Spirua, që në orët e para të lëvizjes partizane Nac.Çl. u vu në krye të djemurisë së Lushnjes e të Myzeqesë, duke ngritur kudo formacionet e para me luftëtarë partizanë, që nga Çeta e Parë partizane, Batalioni i Parë dhe deri Grupi partizan i Myzeqesë me mbi 800 luftëtarë, që mbas luftimeve të “Operacionit të Madh të Dimrit” 1943-44, u shpërndanë nëpër Brigadat Sulmuese.

Në vitet e luftës 1942-43, shumë të rinj të njësive të para partizane në qytetin e Lushnjes, organizuan disa aksione kundër qeverisë lokale fashiste. Kështu mund të përmendet aksionin për marrjen e makinës së shkrimit në zyrat e nën/prefekturës, ku u angazhuan të rinjtë, Besim Ruli, Vangjel Bozo, Llazar Bano, Foto Puka, Uan Kondakçiu dhe Isuf Haxhiu. Një aksion tjetër i rëndësishëm ishte, çarmatosja e xhandarmërisë italiane në hyrje të Lushnjes kur vjen nga Berati, në kodrën e “Kalifasë”, që siguruan një sasi armatimi për luftëtarët partizanë, ku në këtë aksion u angazhuan të rinjtë trima, Loni Dhamo, Vasil Bello, Besim Ruli, Ahmet Sheqi, Bush Durri dhe Halil Ahmeti. Po ashtu ishte dhe aksioni për marrjen e shifrës sekrete në zyrat e nën/prefekturës, ku u angazhuan, Andrea Bano, Abdyl Demi dhe patrioti Jorgji Dhamo. Në këtë shifër sekrete bëhej fjalë për arrestimin e Spiro Moisiut dhe disa drejtues të tjerë të luftës partizane në Myzeqe, të cilët u njoftuan në kohë dhe kaluan shpejtë në ilegalitet.

Me shumë rëndësi ishte dhe aksioni i prerjes së linjave telefonike, për të izoluar qeverinë fashiste të Lushnjes me qytetet e tjera dhe me qendrën. Ishte data 23 korrik 1942, kur të rinjtë antifashistë në ora 23 të asaj nate pa hënë, u gjendën pranë shtyllave të linjave telefonike që lidhnin Lushnjen me Beratin, Fierin dhe Tiranën. Në linjën Lushnje-Berat u angazhuan Xhorxhi Robo dhe Koli Ll. Bozo, në linjën Lushnje-Fier, shokët Miti Bozo dhe Ilia Zdrukthtari, ndërsa në linjën Lushnje-Rrogozhinë shokët Hasan Gina dhe Skënder Libohova. Në orën e caktuar aksioni u krye me sukses dhe Lushnja në 24 korrik 1942, gdhiu pa lidhje telefonike me rrethet e tjera dhe me qendrën. Por kontributin e madh atdhetar populli i Myzeqesë e dha në Luftën e lavdishme Nac.Çl., ku u rreshtuan në radhët partizane me armë në dorë për çlirimin e Atdheut mbi 3500 djem e vajza, nga ku ranë në betejat e luftës 226 dëshmorë, që derdhën gjakun në themelet e Shqipërisë së lirë që gëzojmë sot.