Jo vetëm kryeministër i keq, por…

381
Sigal

Ne kemi pasur edhe Kryeministra të tjerë që i kemi kritikuar për drejtimin e punëve të shtetit, por si rrallë herë kemi një Kryeministër që nuk është vetëm i keq në rolin e tij, por edhe ka dëshmuar se interesat kombëtare i ka thjesht plaçkë pazari. U përfshi në një histori pa krye për kēmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, gjë të cilën e mohoi publikisht, por më pas, kishte disa burime që informuan për përfshirjen e tij në atë që mund të ishte një nga aktet më të rënda të implikimit të një politikani të nivelit të lartë të Shqipërisë. Një akt jo vetëm antikombëtar, por edhe i rrezikshëm për sigurinë e të gjithë rajonit.

Çështja e detit me fqinjin tonë jugor, zgjerimi i tyre në 12 milje apo mosmarrëveshja mbi delimitimin e kufinjve detare, në mungesë transparence dhe në një mjegullnajë të plotë nuk mund të jenë tjetër gjë veçse një akt sa i pakuptimtë aq dhe i neveritshëm. Aktori kryesor duket të jetë ai që mohon, që etiketon të tjerët dhe që mbrohet se nuk po bën asgjë. Koha ka treguar se ai është strumbullar i pazareve. Pasi jeta dhe aktiviteti i tij politik ka qenë gjithmonë në linjën e pazareve. Sepse Rama nuk di të bëjë ndryshe. E përdori këtë çështje kur ishte në opozitë dhe po e përdor sot, për kush e di se çfarë arsye. Ngasjen e tij për këtë gjë do ta kuptojmë në të ardhmen.

E si mund të thuash më pas që kishim vetëm një Kryeministër të keq, për dikë që bën atë të cilën të tjerët as nuk e kanë çuar nëpër mend?! E si mund të mos e quash atë jo vetëm Kryeministrin më të keq që kemi pasur në tre dekada, por edhe më të paskrupulltin?! Si mund të shikosh te ai pjesën estetike dhe mund të mos dallosh pazarxhiun dhe pjesën e tij antikombëtare?! Si mundet?! A thua që disa nga neve na është mpakur arsyeja dhe s’na ka mbetur gjak e vlerë shqiptarizme?! Shumë pyetje që unë i di, por ndoshta disa të tjerëve do tu duhet kohë ti kuptojnë. Shpresoj që deri atëhere të mos jetë vonë…

Nga Gentian Çala