Janusz Bugajski/ Një vit me pasiguri kaotike

389
Sigal

Viti 2015 ka për të qenë një vit me një kaos global në rritje. Konkurrenca rajonale ndërmjet fuqive të mëdha do të ndërthuret me pasigurinë në gjirin e institucioneve ndërkombëtare si dhe me shfaqjen e kërcënimeve të reja. Disa nga konfliktet janë të përhershme dhe ndizen herë pas here gjatë viteve. Lindja e Mesme është një terren i përhershëm për terrorizmin, separatizmin, revolucionet e dhunshme dhe luftërat ndërshtetërore. Përballja për dominim rajonal ndërmjet Iranit dhe Arabisë Saudite ka për t’u ndezur, sidomos tani teksa çmimet e naftës vijojnë të bien. Rusia dhe Irani kanë bindjen se çmimet e ulëta globale janë një konspiracion nga Uashingtoni për të rrëzuar qeveritë e tyre. Teherani mund të godasë interesat saudite duke mobilizuar radikalët shiitë kundër qeverive në Irak, Jordani, Bahrein dhe gjetkë. Një përballje direkte Iran-Saudi nuk mund të përjashtohet, sidomos nëse përfshirja e SHBA në rajon pakësohet edhe më tutje. Edhe kryengritja e ISIS ka për të sfiduar thellësisht rajonin, krerët e saj do të orvaten të përhapin rebelimin në shtete të tjera. Dhe në Evropë mund të priten mizori të reja terroriste, teksa ISIS i shndërron disa prej njësive të saj në skuadra vrasëse anti-perëndimore. Në Lindjen e Largët, mosmarrëveshjet detare ndërmjet Kinës dhe Japonisë mund t’i japin hov përballjeve të dhunshme. Kjo ka për të pasur një impakt madhor në ekonominë globale, teksa dy vendet zotërojnë ekonominë e dytë dhe të tretë më të madhe, dhe gjithashtu do të angazhojë SHBA-në në mbrojtje të Japonisë. Një raund i ri i konfliktit Indi-Pakistan po ndizet tashmë, teksa ambiciet rajonale të Indisë po zgjerohen ndërkohë që Pakistani po i kthehet gjithnjë drejt radikalizmit islamist. Me Rusinë që zhytet në një gropë të zezë ekonomike, presidenti Putin me shumë gjasa do të godasë fqinjët e ndryshëm dhe ka për të mbledhur popullatën kundër armiqve të shpikur. Kjo do të zgjerojë luftën në Ukrainë dhe do të ketë ndikim në stabilitetin rajonal të Detit Baltik dhe Detit të Zi, si dhe në Kaukazin e Jugut dhe në Azinë Qendrore. Me shumë gjasa, institucionet ndërkombëtare do të dobësohen gjatë vitit 2015, aftësitë e tyre në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të vjetra dhe të reja do të bllokohen nga interesat personale. Edhe kohezioni i BE-së ka për t’u sfiduar nga frika e aksionit ushtarak dhe nga kundërvënia e brendshme ndaj zgjerimit të mëtejshëm dhe integrimit më të thellë. Dhe me Rusinë të vendosur ndërmjet zgjerimit dhe rrënimit, NATO ka për t’u vënë në provë me mbrojtjen e anëtarëve të saj më të cenueshëm.