Bujar Leskaj/ Në tre vjet, dy rezoluta të Kombeve të Bashkuara për SAI-t

619
Sigal

Në Harkun kohor të tre viteve të fundit (22 dhjetor 2011-19 dhjetor 2014), në kuadrin e Agjendës së saj të Zhvillimit post 2015, Organizata e Kombeve të Bashkuara(OKB) ka miratuar dy rezoluta për institucionet supreme të auditimit, Rezoluta A/66/209 “Nxitja e eficiencës, përgjegjshmërisë, efektivitetit dhe transparencës së administratës publike, duke forcuar Institucionet Supreme të Auditimit” dhe Rezoluta A / 69/228:  “Promovimi dhe fuqizimi i efiçiences, përgjegjshmërisë, efektivitetit dhe transparencës së administratës publike, me anë të forcimit të institucioneve të larta të auditimit“.

Miratimi i këtyre dy rezolutave përbënte kurorëzimin e përpjekjeve të bashkuara të institucioneve supreme të auditimit (SAI-ve) nga i gjithë globi,  të një lobimi konkret dhe të mirëorganizuar nga ana e Organizatës së tyre INTOSAI, e cila numëron 191 SAI anëtare nga 191 shtete të botës.

 Koha kur u miratua rezoluta e parë ishte koha kur SAI-t luftonin për të konsoliduar pavarësinë e tyre dhe për të siguruar njohjen e plote dhe të padiskutueshme të autoritetit të tyre nga shtetet anëtare të OKB-së, sidomos njohjen dhe kuptimin e rëndësisë që kanë dokumentet themelore të shkencës së auditimit publik suprem, Deklarata e Limës e vitit 1977 dhe Deklarata e Meksikos e vitit 2007. Këto dokumente, nëse njihen dhe zbatohen nga SAI-t dhe parlamentet përkatëse, sigurojnë një auditim suprem të përgjegjshëm, profesional, të aftë të forcojë llogaridhënien dhe rrisë transparencën në administrimin e fondeve dhe aseteve publike. Miratimi i Rezolutës në fund të vitit 2011, u bë i mundur, pasi SAI-t, anëtare të komunitetit të INTOSAI-t , krijuan parakushtet e nevojshme në fushat e tyre të kompetencës, duke i dhënë në këtë mënyrë përmbajtje dhe kredibilitet motos se INTOSAI-t”Experentias mutua Omnibus Prodest (Nga Përvoja e përbashkët përfitojnë të gjithë)”. Simpoziumet e përbashkëta OKB-INTOSAI, që zhvillohen rregullisht një herë në çdo dy vjet në dy dekadat e fundit, garantuan njohjen dhe besimin reciprok të të dy organizatave. Me Rezolutën, institucionet supreme të auditimit u pajisën me një dokument që u lejonte atyre të këmbëngulnin pranë asambleve të parlamenteve të tyre, që të zbatohen parimet bazë të pavarësisë se SAI-ve. Në nivelin më të lartë të vendimmarrjes së shteteve, inkurajimi i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për të gjitha shtetet anëtare, që të zbatojnë parimet e përcaktuara në deklaratat e Limës dhe Meksikos, u dha të kuptonte SAI-ve qe nuk ishin të vetme në përpjekjet e tyre për përgjegjshmëri dhe transparencë të rritur në administratën publike. Kjo përkrahje pa rezerva e OKB-së rriti vendosmërinë e tyre, sidomos të SAI-ve në vendet në zhvillim, për të luftuar të sigurojnë elementet bazë të pavarësisë së plote nga qeveritë. Sfida rezultoi sa e vështirë, aq edhe e gjatë, pse dëshirat dhe ngacmimet e disa segmenteve qeveritare për ndërhyrje që kufizonin pavarësinë e SAI-ve, vijuan në shumë vende të botës, sidomos tek SAI-t e vendeve në zhvillim. Ja perse, vetëm tre vite më vonë, më 19 dhjetor 2014, Asambleja e Përgjithshme e OKB-se miratoi një Rezolutë të dytë.

Sipas sekretarit të Përgjithshëm të INTOSAI-t, Dr. Josef Moser, njëkohësisht president i Gjykatës Austriake të Auditimit, “Miratimi i Rezolutës se dyte te OKB-se është një hap i mëtejshëm i rëndësishëm, në kuadrin e përpjekjeve intensive te INTOSAI-t, për të ankoruar rolin e SAI-ve në Agjendën e Zhvillimit Post 2015 të OKB-së. Një nga qëllimet kryesore të Agjendës së Zhvillimit Post 2015 të OKB-së, është përmirësimi i sistemeve të kontabilitetit publik dhe llogaridhënies publike, me synim mirëqeverisjen publike dhe rritjen e transparencës

E ndodhur përpara pasojave të krizës botërore ekonomike dhe financiare 2008-2012 ( e cila u shkaktua dhe nga informacioni i mangët apo i devijuar fiskal dhe financiar) dhe domosdoshmërisë së disiplinimit të mëtejshëm të financave publike dhe rritjes së transparencës fiskale e financiare të qeverisjes kudo ne botë, OKB gjykoi se partnerët më të rëndësishëm të qeverive në botë, në përballimin e këtyre sfidave janë SAI-t dhe organizata e tyre mbarëbotërore, INTOSAI. Gjatë viteve 2011-2014, kontaktet, konsultimet, seminaret dhe simpoziumet e përbashkëta OKB-INTOSAI vijuan rregullisht dhe me intensitet, duke bindur OKB-në për rolin e pazëvendësueshëm dhe kyç të institucioneve supreme të auditimit në shëndoshjen dhe garantimin e qëndrueshmërisë dhe transparencës së financave publike. Një rol të tillë e ka promovuar dhe vlerësuar edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, në përditësimin e Kodit të tij të Transparencës Fiskale në gusht 2014.

Rezoluta e dytë e OKB-së, në mënyrë të ngjashme me Rezolutën e parë,  thekson se SAI-t mund të kryejnë detyrat e tyre objektivisht dhe në mënyrë efektive, vetëm nëse ato janë të pavarura nga subjektet që auditojne dhe janë të mbrojtura nga çdo ndikim i jashtëm. Ajo njeh rolin e rëndësishëm te SAI-ve në promovimin e efiçiences, llogaridhënies, efektshmërisë dhe transparencës së administratës publike. Ky rol është thelbësor për arritjen e objektivave dhe përparësive të zhvillimit kombëtar. Sërish, OKB vlerëson Deklaratën e Limës dhe Deklaratën e Meksikos mbi pavarësinë e Institucioneve Supreme të Auditimit dhe i inkurajon shtetet anëtare për të aplikuar, në përputhje me strukturat e tyre kombëtare institucionale, parimet e përcaktuara në këto deklarata. Rezoluta inkurajon shtetet anëtare dhe institucionet e Kombeve të Bashkuara për të vazhduar dhe intensifikuar bashkëpunimin e tyre me SAI-t, duke përfshirë edhe ndërtimin e kapaciteteve, ne INTOSAI, në mënyrë që të promovohet qeverisja e mirë në të gjitha nivelet, duke siguruar efiçiencë, llogaridhënie, efektivitet dhe transparencës, përmes forcimit te SAI-ve. Kjo është e rëndësishme për INTOSAI-n, pse mbështetja e OKB-së shtyn edhe shumë organizata botërore donatore të ndihmojnë me fondet e tyre nismat e strukturave rajonale të INTOSAI-t, për të rritur kapacitetet audituese të SAI-ve, sidomos të atyre të vendeve në zhvillim. OKB thekson në Rezolutë  edhe rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërkombëtar, për të mbështetur zhvillimin e SAI-ve dhe ndërtimin e kapaciteteve te duhura audituese, në bazën e standardeve të INTOSAI-t dhe praktikave më të mira, të lidhura me kontabilitetin publik dhe auditimin suprem. Tani është fjala e parlamenteve të vendeve anëtare që të njihen me përmbajtjen e Rezolutës, duke siguruar përkrahjen dhe ndihmesën e duhur, së pari, për pavarësinë e plotë të SAI-ve respektive dhe së dyti, për rritjen e kapaciteteve të tyre audituese në nivelin e  sfidave të kohës. Sipas përcaktimit të Dr. Moser në letrën që ai u dërgon të gjitha SAI-ve anëtare me rastin e miratimit te Rezolutës së dytë, vetë SAI-t tani po punojnë në nivel të organizatës së tyre INTOSAI, për të garantuar kontributin e SAI-ve në përgatitjet për Agjendën e Zhvillimit Post 2015 të OKB-së, të cilat do të vazhdojnë intensivisht dhe janë planifikuar të përfundojnë, nga ana e INTOSAI-t, në fund të këtij viti. Kontrolli i Lartë i Shtetit, si një SAI që synon të modernizohet dhe të vendosë aktivitetin e tij auditues tërësisht në linjë me standardet e INTOSAI-t, po jep dhe do të vijojë të japë kontributin e tij modest në këto përpjekje, duke punuar brenda strukturës rajonale EUROSAI, së bashku me SAI-t e tjera partnere. Periudha pas Rezolutës së parë koinçidoi për ne me kohën kur paraqitëm në Kuvend ligjin e ri për KLSH, bazuar mbi standardet e INTOSAI-t. Në debatet e ndryshme në komisionet e Kuvendit, shpesh herë kam cituar Rezolutën e 22 dhjetorit 2011, sidomos ato pasazhe të saj kur flitet për dokumentet themelore të SAI-ve, standardet ISSAI, 1-Deklarata e Limës dhe ISSAI 10-Deklarata e Meksikos. Si rezoluta dhe dy standardet e mësipërme u janë shpërndarë deputetëve në gjuhen shqipe, ne formën e një broshure. Pavarësisht debateve me deputetët, kam gjetur njohje dhe mirëkuptim të kësaj Rezolute (veçanërisht në Komisionin e Ekonomisë). Jemi të kënaqur që tashmë ligji ynë i ri është miratuar nga Kuvendi (i kthyer si ligj nga Presidenti i Republikës vetëm për përmirësimin e një neni në frymën e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese) dhe ky miratim është mesazhi me i rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në BE në fushën e auditimit te jashtë publik (detyrimet e kapitullit te 32-të të Progres Raportit).  Kujtojmë këtu prononcimin e Delegacionit të BE-se në Shqipëri, një : “Delegacioni përshëndet vendimin e djeshëm të Parlamentit shqiptar mbi Ligjin për Kontrollin e Lartë të Shtetit. Delegacioni i BE-së e përgëzon Parlamentin shqiptar për vendimin e djeshëm për miratimin e Ligjit mbi Kontrollin e Lartë të Shtetit. Ai është jo vetëm një hap i madh përpara lidhur me përpjekjet e Shqipërisë për reformuar auditin e jashtëm të fondeve publike, por gjithashtu i lehtëson rrugën programit të BE-së për Mbështetjen e Buxhetit për Menaxhimin e Financave Publike”.  Nga ana tjetër, ai është shembull i bashkëveprimit Komisioni i Ekonomisë së Kuvendit-KLSH, ashtu si e kërkojnë dhe dy Rezolutat e OKB-se për SAI-t, te dala në harkun kohor të tre viteve te fundit(22 dhjetor 2011-19 dhjetor 2014).

Unë besoj dhe shpreh gatishmërinë dhe vullnetin që ne si KLSH do të vazhdojmë bashkëpunimin me Komisionin e Ekonomisë, sipas orientimit te Rezolutës së dytë të OKB-së, që shprehet se ”ïnkurajojmë parlamentet e shteteve  anëtare për të aplikuar, në përputhje me strukturat e tyre kombëtare institucionale, parimet e përcaktuara në Deklaratat e Limës dhe Meksikos”, sipas Kushtetutës së Shqipërisë, ligjit tonë themeltar dhe ligjeve të tjera të këtij vendi.