25 prilli është ditë referendumi kombëtar

407
Sigal

Dr. Bledar Kurti

“Një nga ndëshkimet për refuzimin e pjesëmarrjes në politikë është që përfundon të qeverisesh nga ata që janë më inferiorë se ti,” ka thënë Platoni. Në historinë e zgjedhjeve parlamentare dhe vendore në Shqipërinë e periudhës post-komuniste përqindja e votuesve ka qenë gjithmonë e ulët duke bërë kështu që qeveritë e ardhura në pushtet, përbërja e parlamentit, kryetarët e bashkive si edhe këshillat bashkiakë të mos kenë gëzuar pëlqimin nga pjesa më e madhe e shqiptarëve. Të gjitha këto kanë qenë përfaqësues të pakicës dhe jo shumicës. Madje pjesa më e madhe e atyre që nuk kanë votuar i përkisnin qendrave të qyteteve, përfshirë edhe kryeqytetin, si edhe zemrën e Durrësit, apo qytete të tjera të rëndësishme në vend. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 kishin vetëm 46.77% pjesmarrje. Më e ulta në dekadat e fundit: 2013 – 53.5%; 2009 – 50.5%; 2005 – 48%. Pjesmarrja e ulët në votime e shqiptarëve në tërësi por edhe e elitave ka bërë që fatet e shqiptarëve të binin në duart e drejtuesve të dalë nga pakica. Jo vetëm kaq, por edhe mospërfshirja e elitave në politië rezultoi në një degradim të Parlamentit me personazhe të botës së krimit, analfabetë dhe gaztorë, ndryshe nga figurat e shquara intelektuale më të shquara të vendit në jetën parlamentare të viteve 90-të. Ulja e pjesmarrjes në votime vërehet edhe më e madhe në zgjedhjet vendore: në vitin 2015 – 45%; 2013 – 53%, pa përmendur votimet moniste të 30 qershorit 2019 në të cilat ndryshe nga rezultati i fryrë i qeverisë i certifikuar 27 ditë më vonë, e paprecedentë në historikun e zgjedhjeve tona, nga një KQZ militantësh, nuk arriti as 8%. Çfarë tregon kjo? Tregon qartë që shqiptarët janë të zemëruar. Dhe ky zemërim është shtuar edhe më shumë gjatë viteve të fundit, siç u pa më 30 qershor 2019, ku në shumë qendra votimi kishte kutia bosh. Pa as edhe një votë. Ky ishte një akt zemërimi ndaj qeverisjes. Por zemërimi nuk mjafton. Ky zemërim duhet të kthehet në veprim. Veprimi më revolucionar dhe patriotik që mund të bëjnë shqiptarët është të votojnë më 25 prill jo si një ditë zgjedhjesh por si një referendum kombëtar. Referendum si ai i 22 nëntorit 1998 kur me 93.5% u miratua Kushtetuta e Shqipërisë, dokumenti themelor i shtetit, i hartuar nga mendjet më të ndritura të vendit, me ekspertizën më të mirë të partnerëve tanë ndërkombëtarë, e cila sot është jo vetëm e dhunuar dhe e degraduar nga qeveria në detyrë por vazhdon e shkelet dita-ditës me nisma dhe ndryshime që bien në kundërshtim me të dhe që shkelin të drejtat dhe sovranitetin e popullit shqiptar. Ndaj më 25 prill shqiptarët duhet të votojnë një referendum në mbrojtje të Kushtetutës, shtetit ligjor, për një parlament elitar dhe qeverisje përfaqësuese dhe jo me personazhe inferiorë për nga inteligjenca, vlera dhe integriteti. Intelektualët, shtresa elitare e vendit duhet të jenë pjesmarrës aktiv në këtë ditë të shënuar për të ardhmen e vendit dhe të jenë administratorët e drejtimit të gjithë sektorëve të jetës publike. Të gjithë shqiptarët duhet të kryejnë detyrën e tyre civile dhe patriotike dhe të votojnë për të ardhmen e familjeve të tyre dhe të vendit. Koha e drejtuesve të rëndomtë që e shkatërruan atdheun ka mbaruar. Shqipëria është vendi i shqiponjave. I shqiponjave të guximshme por edhe të zgjuara, të talentuara dhe me vlera që mund të kthejnë shpresën dhe të ndalin shpopullimin e vendit. Me mendësi evropiane për ta integruar vendin në BE, në familjen e madhe evropiane ku shqiptarët meritojnë të jenë jo vetëm gjeografikisht por edhe me mendje, zemër, ide dhe aspirata. 25 prilli është referendum që sovraniteti në Republikën e Shqipërisë t’i rikthehet në zotërim vetëm popullit shqiptar.