Ish -skënderbegasit, takim pas 40 vjetësh

925
Sigal

Nuk ishte rastësi, që pas afro 40 vjetësh, një grup ish skënderbegasish nga disa treva të Tiranës u mblodhën në një takim nostalgjie, në Pezë. Emri i Pezës, historia e saj, “aroma”, zëri i saj, është si një forcë magjie që të tërheq, të josh për t’u grumbulluar, për të kuvenduar, për t’u çmallur,  për t’u mbushur me jetë, me energji… Evenimenti në fjalë, ka ndodhur pak ditë më parë, në një bar-kafene në Pezë të Vogël, pas një vizite që ata bënë më parë në qendër të Pezës, në vendin ku ka lindur “Heroi i Popullit”, Myslim Peza, luftëtari dhe komandanti legjendar i çetës së parë antifashiste në Shqipëri dhe Evropë. Organizatori i këtij takimi ishte intelektuali dhe biznesmeni pezak Sherbet Zgura, ish- skënderbegas, njeriu i pasionuar pas historisë së Pezës dhe personazheve të tjera historike të saj që kanë bërë emër në vite. Të ardhur nga Peza, Arbana, Vrapi, Allgjata, Ndroqi, Matera, Çalabërzezi, Petrela, Baldushku e Picalla, ish- skënderbegasit e dikurshëm, përqafohen, shtrëngojnë duart përmallshëm, komplimentojnë  njëri-tjetrin, por aty-këtu befas shpërthejnë në “kritika” të forta: “Po ku humbe a derëzi që s’je dukur qyshkur…”. Nuk janë më si dikur; me cullufe të krehura me merak, a me  kaçurrela të zeza. Jo; vitet kanë bërë të vetën; “u kanë hedhur ca borë” mbi flokë. Por ata gjithsesi, kanë ruajtur mrekullisht temperamentin e dikurshëm, prej djemsh energjikë, gjithnjë në një miqësi vëllazërore me njeri-tjetrin. Dhe kanë qenë të gjithë djem studiozë, me një kuraje për t’u admiruar, me një sqimë prej ushtaraku që di të shohë vetëm përpara, që s’e njeh kurrë dështimin… Kushedi se sa stërvitje komplekse, sa mësime treguese, sa parada e qitje luftarake kanë pasur për protagonistë pikërisht këta burra, dikur me uniformë të blertë, tani flokëthinjur, hokatarë e shakaxhinj me njeri-tjetrin, si kurrë ndonjëherë. Çdonjëri prej tyre ka nga një “libër më vete” për të shkruar. Çdonjërit prej tyre do t’i duheshin njëmijë e një net për të rrëfyer historitë nga shërbimi i gjatë ushtarak. Sherbet Zgura, ish -sekretar rinie në brigadën e Peqinit dhe në divizionin e Kavajës për mbi 12 vjet. Sot janë me dhjetëra e dhjetëra ish ushtarë që atë e ndalin nëpër rrugë, cep më cep të Shqipërisë kudo ku shkon. E takojnë me respekt e admirim. S’më harrohet një drekë në një mjedis turistik të Vaut të Dejës. Ishim 6 vetë, së bashku  me Sherbetin. Në fund, pronari i lokalit afrohet tavolinës tonë dhe thotë: “Jo…Janë të paguara; shef Sherbeti, unë jam një ish ushtari yt. Respektin për ju, do e ruajmë gjithë jetën…”. Thellë zemrës të gjithë sa qemë prezentë u prekëm. Ngelëm pa gojë… Tani, pas 40 vjetësh, ja, këta ish skënderbegas takohen këtu në Pezë. Tani kanë një tjetër emër: Quhen “ushtarakë në rezervë”. Mbi shpatulla kanë vite të tëra jete nën uniformë. Dikur, me një karrierë të suksesshme: Tut Çali, arriti deri në nivelin e shefit të shtabit të Shkollës së Bashkuar  të Oficerëve, dhe një vit më pas, edhe komandant i kësaj shkolle. Mersin Kurti, ushtarak me dy fakultete, ashtu si edhe kolegu tjetër, Shaqir Matera. Mersini vitet e fundit shërbeu edhe si korrespodent i gazetës “Ushtria” për Forcat Ajrore. Ali Kuqi, për dhjetë vjet rresht ka qenë pedagog në Shkollën e Bashkuar. Azis Allgjata, arriti deri në detyrën e shefit të logjistikës. Kolegu tjetër, Xhavit Dervishi, ka pasur gjithashtu një karrierë interesante në Veri, në Kukës ku shërbeu me trupa. Pati rezultate mbresëlënëse. Fatmir Uku, një ushtarak tjetër që kurrë nuk i munguan sukseset. Ashtu si edhe Vait Taku. Ali Kuqi, për 10 vjet ishte pedagog në Shkollën e Bashkuar. Ramiz Allmuça, shërbeu si kuadër i lartë në degën ushtarake dhe në qendrën e rekrutimit. Kjo ditë mes shokësh të vjetër, nuk ka hierarki e grada. Shaqir Matera prin humorin. Tri këshillat e tij për moshën që ata jetojnë janë: ““hani, pini e…këndoni”, për të pasur shëndet të mirë, vëllezër”. Në çast, të gjithë shpërthejnë në gaz. Dikur, ushtarët e baterisë dridheshin përpara tij… Kjo ditë, sikur nuk ka orar. Gati dyzet vjet më parë, ata qenë skënderbegas. Shkrimtari ushtarak Përparim Kapllani, (tani me banim në Amerikë), në një libër të tij i ka quajtur skënderbegasit e vegjël me një epitet të çuditshëm: “zogjtë e korrentit”. Një lloj krahasimi migjenian. Por “miku i mirë në ditë të vështirë njihet”, thotë populli. Pikërisht, pse kanë një histori të tillë të gjatë për të rrëfyer, për sakrificat e asaj moshe teksa ishin vetëm 14 vjeç, ata sot pas 40 vjetësh janë sërish bashkë. Bashkë, këtu në Pezë. Këndojnë e dëfrejnë për nostalgjinë e viteve që lanë pas. Këndojnë këngë trimash, këngë për “Babë Myslymin”. Kushedi se kur do të takohen sërish më. Në fund, urimi i ndarjes: “Mirë u takofshim, vëllezër. Dhe mbani vesh mirë; të mos mungoni….”.  Është zëri i Besnik Karafilit, i vetmi që në këtë takim pati “status të veçantë”, pasi ishte i ftuari i nderit. E respektojnë në mënyrë të veçantë, pasi e kanë pasur pedagog.