Artan Xh. Duka: Apeli Kuqezi me arvanitas e Çamëri!

35
Sigal

Artan Xh. DUKA
As.Prof.Dr. MSc.

Ngjarjet kuqezi si Dita e Pavarësisë, Samitet e Diasporës, Dita e Arbëreshëve, Paradat etj., që bëjnë bashkë kuqezinj nga vise e epoka historike të ndryshme, mbeten të paarrira nëse nuk bëzan njeri për Arvanitas e Çamëri, miliona kuqezinj aq pranë dhe aq larg shtetit amë! Arvanitasit janë arbëreshë si ata në Itali, të ndarë nga shekujt e deti kaq kohë. Vetë Kosova mund të bëhej një tjetër Çamëri nëse Sërbisë do i lihej dorë e lirë dhe aq sa dhëmb Kosova sot duhet të dhëmbi edhe Çamëria e bota arvanitase. Kosova ia doli. Tani sytë nga Çamëria e arbëreshët e Greqisë! Arvanitas e Çamëri janë gjysma tjetër e kombit mbetur jashtë shtetit amë. Koka tjetër e shqiponjës në flamurin që arvanitasit e Çamëria valvitën shekuj e shekuj më parë. Mungesa e tyre në ngjarjet kuq e zi është zbrazëti aq e madhe në mozaikun e identitetit kombëtar, sa këto ngjarje historike mbeten gjysmake pa to. Koha tregoi se Greqia ndryshon nga Italia në respektimin e gjakut arbëror atje, por heshtja e shtetit amë ndaj fatit të kuqezinjve në Greqi që sot, ndryshe nga Kosova që i del zot vetes, kanë nevojë më shumë se kurrë për një fjalë e gjest inkurajues nga Tirana, flet shumë. Nëse shteti amë nuk di apo nuk do t’i hyjë detit me këmbë se i ndruhet Greqisë (ndryshe nga Kosova që ngre zërin për Luginën nën Sërbi), flamurin e ringjalljes së identitetit kuqezi në Greqi duhet ta marrin arbëreshët në Itali me diasporën në SHBA. Arvanitas e arbëreshë janë vëllezër shekullorë. Askush nuk mund të futet mes vëllezërve. Dhe Greqia, e mësuar me teka ndaj nesh, kësaj rradhe do ketë përballë Itali e SHBA. E tok me arvanitasit, e pashmangshëm bëhet pastaj edhe Çamëria dhe që shteti amë të mos ndjehet keq një ditë, bën mirë të nxitojë e të vërë një kurorë me lule tek varret e atyre, këtej e matanë kufirit, që e vaditën me gjak atë truall kuqezi atje. Sa kohë nuk flitet për Çamëri e Arvanitas, apeli kuqezi mbetet i cunguar. Shteti amë të mos bëjë as dhjaksin e as snobin kozmopolit, por të interesohet si duhet për kuqezinjtë e lënë në harresë në Greqi. Nuk ia vlen “miqësia” me Greqinë në kurriz të vëllazërimit kuqezi. Çamëria martire, bota arvanitase, e penës dhe jataganit, e Boçarit dhe Kolës me trima e shokë plot, pret shtetin amë të hedhë hapin e tij. Bota duhet ta shohë shqiponjën me dy koka në ngjarjet kuqezi e kjo ndodh kur flitet e brohoritet edhe për Arvanitas e Çamëri! Apeli i 28 Nëntorit nuk është thjesht çështje kufiri, por vëllazërie kuqezi që bën të pavlefshëm çdo kufi mes nesh. Jo Shqipëria e vogël e kufijve të mbrapshtë të 1913, por Shqipëria e madhe e zemrave kuqezi kudo në gadishullin Ilirik e nëpër botë ku kufiri nuk ka më punë.