Ilmi S.Qazimi: Pse nuk pastrohen mirë plehrat në qytete dhe bregdete?

162
Sigal

Ndëshkim të pamëshirshëm atyre që na i mbushën vendin me plehra! Natyra na ka dhuruar një vend të mahnitshëm, që e kanë ruajtur me armë e me dituri të parët tanë deri më sot. Vend që u derdh gjaku i 28 mijë bijve e bijave gjatë luftës për çlirim nga fashizmi e nazizmi. Truall i bekuar ku deti, mali, fusha, bora, gjelbërimi dhe rëra, kultura e arkitektura e lashtë dhe ajo moderne janë të njëkohshme, në çdo stinë të vitit dhe në çdo cep. Kjo gjendje alarmante e ndotjes së mjedisit mund të përmirësohet

 

Kryeqyteti ynë shumë i bukur i Tiranës, i stërmadh për ne, dhe i mahnitshëm për turistët aq të shumtë që kanë pllakosur sheshet e udhët, ka edhe jo pak plehra: në politikë, në ekonomi, nëpër zyra, në shtëpi dhe në rrugë. Ata të parët, pra të politikës, na”i zbulon” Amerika, ajo që edhe i ushqen ideologjikisht pa e zënë në gojë asfare fjalën ‘ideologji’, duke iu dhënë gradën”nongrata”, ose, kur ne bëjmë sikur s’jemi dakord me import plehrash, ngase kemi boll këtu brenda nesh. Ata, të mëdhenjtë na heqin veshin dhe na thonë: “Kujdes! Plehrat që nisët për në Tajlandë, kthejini mbrapsht!” Dhe qeveria jonë harton plane e projektligje! Media zien për dava plehrash! Ato të dytat, pra plehrat në ekonomi, i nikoqirisim vetë duke ‘edukuar’ njeri-tjetrin me të’ goditur’- kur e kemi inat se, si kundërshtar është më i zoti dhe po vjedh më shumë se ti; dhe me të ‘gostitur’, kur i kemi vartës (i japim një kockë dhe ai bëhet manar patronazhist) apo partner krevati a tavoline.

Kategorinë e tretë të plehrave, ato që quhen shkresurina, grisurina, letra ambalazhe ushqimesh të thata, cigare të shumëllojshme, pambukra, e plot hedhurina nga stolisjet e zbukurimet (lexo; shëmtimet e së natyrshmes trupore femërore e mashkullore), i mbledh pastruesja e godinës së dikasterit, institucionit, apo kompanisë, në një qese të zezë dhe i shpie tek koshi i madh prej llamarine a kauçuku, herë me kapak e herë pa kapak. Plehrat e shtëpisë, ku sundojnë ato që ‘prodhohen’ nga gratë i nxjerr e i hedh në kosh zakonisht burri kur shkon në punë, ndërkohë që në pallate moderne shumëkatshe ka edhe ulluqe plehrambledhës. Por meqë banorët e këtij metropoli më shumë lëvizin nëpër rrugë, jashtë banesës se sa rrinë brenda saj, mbeturinat e sendeve njëpërdorimshe dhe të konsumit vetjak rëndom i hedhin përtokë, ku të munden, sepse koshat e plehrave janë tepër të rrallë. Edhe atje kur e ku mbushen e harrohen për t’u zbrazur.

Era kur fryn dhe shiu kur bie, ndihmojnë pa pagesë, për pastërti modeste, por shumë rrallë! Sepse, siç thonë gjithologët, si rezultat i ngrohjes globale shiu na u bë si “ëndërr gushti” kurse dielli u kthye në ‘diktator’ vrasës gjatë ‘marshimit’ të tij nga Afrika në Europë. Kështu që na ka mbetur bregdeti durrsak miku i yni-por ama, vetëm për turistët e huaj dhe bosët e këtushëm. Edhe atje problemi më i madh janë plehrat në plazhe e pastaj çmimet. Kësisoj, në kryeqytetin tonë europian, me gjelbërim, me shumë zhurmë, shumë karbon, beton, zift, taraca e trotuare, llamarina e kurriz makinash të nxehura e rrota makinash të djegura, xhama e qelqurina,  po marrin, të drejtën e qytetarisë edhe plehrat e rrugës.

Jo pak prej banorëve të  lagjes nr.7, që jetojnë në të dy anët e bulevardit “Rruga e Kavajës”(dikur me emrin “Konferenca e Pezës”) si dhe kalimtarët e të punësuarit e shumtë në objektet e kësaj rruge të bukur me kumbulla gjethe kuqe, me vazo lulesh të betonta anash, të shtruar me asfalt dhe të vizuar bukur, me ndriçim  të veçantë, kanë një shqetësim: Ndotjet fizike të lloj-sojshme të pa justifikueshme dhe vetëm sëmundjeprurëse të kësaj rruge. Dendur, jo vetëm buzë pemishtes anësore, por edhe nëpër rrugica, duhet të bësh kujdes nga të pëgërat e panumurta të thata e të njoma të qenve. Çfarë nuk  të rrokin sytë e nuk të shkelin këmbët: shishe plastike, tapa e sende të ngjashme me to, maska lecke, letra higjienike, letra ambalazhesh, ushqime të vjella ose të hedhura, hi dhe sende të djegura; qese të çdo lloji, mbeturina gjithfarësoji. Kështu rrëfen qytetari I.S.

Tregon  P.A:Ishim dy shokë për një homazh tek ‘Vila 2000’ në rrugën e Dibrës. Nga stacioni i autobusit deri tek dera e atij institucioni modern funeral asnjë kosh nuk dukej, as në shtylla, as në këmbë i vetmuar, as  në grup anash trotuarit.Vend e pa vend, syri të zinte plehra të gjithfarshme, ku zotërojnë shishet e plastikës, cigaret, paketat dhe qeset prej letre që kanë pasë mbështjellë vaktin (apo nepsin) e ngrënies kalimtarët e panumurt halleshumë apo qefpasosur. E njëjtë ishte kjo gjendje edhe në rrugën “Fortuzi”, edhe fatkeqësisht në pjesë të rrugës së gjatë unazore “M.Gjollesha”, e në rrugën mbrapa ndërtesës madhoshe të Presidencës,etj.

Thotë pensionisti A.C.: në mëngjes, bashkë me gruan, bëjmë më këmbë një ‘xhiro shëndetësore’ në unazë, nga Pallati me Shigjeta deri te ura pranë Shkollës “Vasil Shanto”. Nëpër skuta, qoshe e kthina të vogla të ndërtesave, ka togje plehrash, në tokë, në trotuar. Plehra gjithkund. Sikur askush nuk ka pastruar natën.Vëmë re se pastrimi fillon pas orës tetë dhe formalisht. Është një traditë e pashkruar që sapo zbret nga  autobusi urban biletën tashmë të konsumuar do ta hedhësh diku. Po ku? Ku janë koshat e plehrave që i ‘komandon  bashkia’ me lekët që i paguajmë ne, banorët kokulur në emërtimin “taksë pastrimi”? Historia e qyteteve të mëdha ka treguar se detyra e bashkisë së pari, është të sigurojë ujë të pishëm e të mos e përzjejë atë më ujrat e zeza, energjinë elektrike, pastërtinë maksimale të mjediseve publike dhe të objekteve gjithpërdorimshe. Pastaj vijnë të tjerat. Në një kohë që kemi jo pak ambjente publike të papastërta, e sidomos në këtë kohë me kaq shumë temperatura të larta, kur dihet se ndër pesë vdekje, një shkaktohet nga pisllëku i mjedisit. Qeveria mban përgjegjësi të rëndë. Problemi i plehrave ka marrë përmasa kombëtare. Ankesa ka nëpër të gjitha qytetet e mëdha- madje edhe për qëndrat e banuara, fshatrat, lagjet, shtëpitë e vetmuara që tashmë quhen ‘rurale’. Dhe ne, tërë qytetarët e thjeshtë paguajmë cing për cing taksën e pastrimit,- si më i bukuri shpend, -thonë në Shkodër!

Pastërtia është çështje edukate, e cila trashëgohet nga gjeni, edukohet tek familja, tek shkolla, kolektivi i punës dhe deri tek ecuria jetësore me rregulla e norma gjer në vdekje. Këto hallka të zinxhirit edukativ tek ne, në këto tridhjet e pesë vjet  janë ‘ndryshkur’ keqas. Por krahas saj, plehrat e trajtimi kompleks i tyre, përbën problem shtetëror ligjor për jetën e kulturuar e të sigurt të komunitetit, që jeton në këtë juridiksion. Realisht plehrat në rrugë janë pasqyrim i njerëzve plehra në drejtim të punëve që lidhen me atdheun, e posaçërisht ata të mbrojtjes së mjedisit, që sado të veçantë të jenë,  janë jo pak. Dëshiroj të mos jetë e vërtetë që në Ministrinë e  Mjedisit të kësaj qeverie paguhen mbi 254 vetë! Po edhe nëpër çdo bashki ka disa rrogëtarë, që përgjigjen për mjedisin gjithashtu.

Është vendi, shkurtazi, të hedhim një vështrim në kohën e socializmit: Kishte pastrim rrugësh të qyteteve të mëdha, e posaçërisht në Tiranë, me dorë, me makina plehrambledhëse e plehrafshirëse, ujëderdhëse dhe sheshfshirëse që punonin me tre turne. Kurse tani bëjnë sikur punojnë me tre turne. Edhe cilësia e pastrimit tani lë shumë për të dëshiruar. E para, duhen paguar më shumë punonjësit e këtyre sektorëve. E dyta, duhet forcuar kontrolli i punës për secilin nga kryetari i qeverisë deri tek brigadieri i pastrimit të lagjes. Dihet se një xhamafshirës në qytet të madh, si Toronto, paguhej me pagë të përafërt me një këshilltar të bashkisë e jo si karrocier i thjeshtë. A ka më turp sesa kjo që ndodh tek ne kurthuajse çdo vit ngrihen pagat e tërë nëpunsave, jo rrallë llafeshumë e punëlumë, dhe nuk rriten pagat e punonjësve të pastrimit të kryeqytetit? U bënë tridhjet vjet që fondet janë paracaktuar për  përpunimin e plehrave të rajoneve, bashkive, apo zonave të banimit. Ku venë gjithë këto pará? Ata që i vjedhin, kurrë mos i hëngshin! Iu bëftë farmak në grykë ai fond atyre e futën në xhep e nuk e harxhuan për sistemimin e plehrave! Helm dhe ndëshkim të pamëshirshëm atyre që na i mbushën vendin me plehra! Natyra na ka dhuruar një vend të mahnitshëm, që e kanë ruajtur me armë e me dituri të parët tanë deri më sot. Vend që u derdh gjaku i 28 mijë bijve e bijave gjatë luftës për çlirim nga fashizmi e nazizmi. Truall i bekuar ku deti, mali, fusha, bora, gjelbërimi dhe rëra, kultura e arkitektura e lashtë dhe ajo moderne janë të njëkohshme, në çdo stinë të vitit dhe në çdo cep.  Kjo gjendje alarmante e ndotjes së mjedisit mund të përmirësohet, mendoj unë, vetëm në qoftë se kryetari Edi Rama e merr problemin në dorë vetë. E të mos harrojmë se problemi i plehrave është së pari çështje konceptuale, është mënyrë jetese, është botkuptim. Kur e kupton mirë i pari, do ta kuptojë edhe i fundit!