Intervistë me dekanin e Fakulteti i Drejtësisë dhe i Shkencave Humane (FDSHH), Prof. Dr. Ksenofon Krisafi
Intervistoi Enxhi Musai
I nderuar prof Krisafi,
Pesë vjet me parë ju kam intervistuar me cilësinë e dekanit të Fakultetit të Shkencave Juridike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, i cili sot quhet Fakulteti i Drejtësisë dhe i Shkencave Humane (FDSHH), por edhe të një personaliteti në fushën e arsimit të lartë, me një përvojë mjaft të pasur. Tema kryesore e intervistës ishte ecuria e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë (UMSH), objektivat dhe pritshmëritë për të ardhmen. Kanë kaluar gati pesë vjet, prandaj mendova që në prag të fillimit të vitit të ri akademik, 2024-2025, t’i riktheheshim bisedës sonë të mëparshme. Kjo do të ishte me interes për lexuesit në përgjithësi, por në radhë të parë për maturantët që në vjeshtën e këtij viti do të hyjnë në auditoret universitare për të nisur rrugën e formimit të tyre professional, por edhe për prindërit e tyre.
Do të dëshiroja që fryma e intervistës të orientohej në ndryshimet që kanë ndodhur këto kohë në UMSH dhe veçanërisht në FDSHH.

Prof. Krisafi, ndryshime ka jo pak dhe ato ndodhin në vazhdimësi, vit pas viti. Një prej tyre, që është mjaft i dukshëm, ka të bëjë me faktin që UMSH nuk ka më tre fakultete si më pare, por katër.
Siç e dini, midis tyre, i pari dhe ndër më të rëndësishmit, është Fakukteti i Ekonomise, i cili përgatit ekonomistët e rinj, me konceptet bazë teorike të ekonomisë, financave, kontabilitetit, biznesit dhe ligjit, ekonomisë informatike, shprehitë e nevojshme praktike të ekonomiksit, menaxherit, financierit, bankierit, kontabilistit dhe specialistit të teknologjisë.
Fakulteti i Informatikës fizikisht dhe virtualisht ka në fokus arritjet me te fundit të shkencave informatike, sistemeve dhe teknologjive në zhvillim. Duke funksionuar në një kohë arritjesh marramendëse, oferta akademike në këtë fakultet ndjek ritmin e mbështetur nga një staf akademik pretencioz me kualifikimin e duhur bashkëkohor.
Pedagogët e tij dhe studentët ekselentë janë përfshirë në projekte të përbashkëta duke maksimalizuar përpjekjet për rezultate të larta.

Telegraf: Vijmë tani te FDSHH, të cilin ju e drejtoni që prej vitit 2017. Ka edhe aty ndryshime besoj?!
Prof. Krisafi: Siç u tha, ky fakultet nuk ka më emrin e mëparshëm. Por, nuk kemi të bëjmë me një ndryshim formal emri. Ai pasqyron ristrukturimin e tij, sipas një arkitekture tjetër konceptuale dhe organizative. Duke ndjekur dinamikën e zhvillimeve që dikton stadi aktual i vendit, kërkesat e shumta të procesit të integrimit në strukturat europiane, futjen e teknologjive të reja moderne, ai është zgjeruar dhe përfshin disa degë, disa profile dhe disa njësi organizative. Quhet, siç e thatë edhe ju, Fakulteti i Drejtësisë dhe i Shkencave Humane – FDSHH dhe jo si më parë. Ka katër departamente, Klinikën e Ligjit “Mesdhetari”, si dhe Programin e ri të Trajnimit profesional “Ndërmjetës i pasurive të pa luajtshme”.
Ky Fakultet përgatit juristë, politologë, diplomatë, specialistë në fushat e profileve psiko-sociale, komunikimit, mësuesisë etj duke i pajisur me formimin dhe njohuritë e nevojshme teorike dhe me shprehitë praktike. Këta duhet të përballojnë sfidat aktuale dhe të ardhme të sistemit të drejtësisë, marrëdhënieve ndërkombëtare, politikës, shkencave psiko-sociale, komunikimit, mësuesisë etj.
Telegraf: Nga sa thatë deri tani më bën përshtypje përmendja prej jush e Programit të trajnimit profesional “Ndërmjetës i pasurive të paluajtshme” dhe Klinika e Ligjit “Mesdhetari”. Ju lutem mund të na thoni diçka më shumë rreth tyre?
Prof. Krisafi: Aty gjejmë një ndryshim tjetër. Paralel me curriculat klasike, të pasuruara dhe të përshtatura sistematikisht me arritjet bashkëkohore dhe me përvojat më të mira të fakulteteve të tjera, vendase dhe të huaja, vitin e kaluar akademik ka filluar Programi i trajnimit profesional “Ndërmjetës i pasurive të paluajtshme”. Ai synon aftësimin teorik, praktik dhe profesional të specialistëve që dëshirojnë të përfshihen në fushën e ndërmjetësimit për trajtimin ekstragjyqësor të çështjeve që kanë të bëjnë me pasuritë e paluajtshme, të konsulentëve dhe agjentëve të ardhshëm në këtë fushë etj.
Pranë këtij Fakulteti vazhdon të veprojë me efikasitet dhe rezultate inkurajuese Klinika Ligjore “Mesdhetari”, qëllimi i së cilës është ai i ofrimit të shërbimeve juridike pa pagesë, për individë nga shtresat e margjinalizuara që janë në pamundësi ekonomike për t’ju drejtuar një zyre avokatie private. Krahas kësaj ajo ka si qëllim edhe aftësimin praktik të studentëve të FDSHH të UMSH, nёpёrmjet angazhimit tё tyre nё dhënien e ndihmës konkrete juridike për kërkuesit, duke u mbështetur dhe mbikqyrur nga pedagogët e vet.
Telegraf: Ju lutem edhe dy fjalë shkurt për fakultetin e katërt.
Prof. Krisafi: Prej një viti është hapur dhe po funksionon shumë mirë Fakulteti i Shkencave Mjekësore. I organizuar në disa profile, nga ato që tregu i punës i rekomandon si më të kërkuarit dhe i drejtuar nga personalitete të shquara të shkencave mjekësore në vend, ai e ka nisur mjaft mbarë rrugëtimin e vet akademik. Fakulteti i Shkencave Mjekësore erdhi si një tjetër synim ambicioz i UMSH, i cili është orientuar për të dhënë kontributet e veta modeste në shërbim të rritjes së kapaciteve mjekësore në vend. Mësimi zhvillohet sipas programeve në përafrim të praktikave më te mira europiane.

Telegraf: Si ka qenë ecuria e UMSH këtë vit?
Prof. Krisafi: E mira s’ka fund, por gjithësesi, mund të shprehem përnjëherësh, e kënaqshme. Prej 16 vjetësh ai është afirmuar si një institucion prestigjioz i arsimit të lartë, ku disa mijëra djem e vajza, kanë gjetur vatrën e ngrohtë të dijes dhe të formimit kompetent, profesional e kulturor. Në dispozicion të tyre është një ekip akademik i shquar, i përbërë nga disa qindra pedagogë të përkushtuar, të formuar brenda dhe jashtë vendit. Shumica, me grada e tituj shkencorë e akademikë, vijnë edhe nga përvoja të suksesshme në organe të larta qendrore të vendit, si ministra, ambasadorë, drejtues ose funksionarë të institucioneve të pavarura shtetërore, gjyqtarë, prokurorë etj. Të tjerë janë pjesë e një plejade specialistësh të nivelit të lartë shkencor dhe akademik që kontribuojnë në përpunimin e mendimit elitar intelektual në shoqërinë shqiptare, të zhvillimeve politike, ekonomike, sociale, të reformës në sistemin e drejtësisë në vend, të marrëdhënieve ndërkombëtare, shkencave psikologjike, shkencave të komunikimit, mësuesisë etj. Janë gjithashtu anëtarë të ekipeve të angazhuar në realizimin e reformave të domosdoshme për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian (BE), për zbatimin e programeve bashkëkohore në fushën e ekonomisë, shkencave teknologjike, digjitalizimit, kibernetikës, inteligjencës artificiale, marrëdhënieve ndërkombëtare, diplomacisë, shkencave politike, sociale, psikologjike, komunikimit, mësuesisë, shkencave mjekësore etj.
Në synimet e veta afatgjata UMSH ecën në gjurmët e universiteteve më të mira në vendet e tjera, të cilat janë pika referimi për synimet akademiko-shkencore, organizimin administrativ dhe për cilësinë e studentëve që formohen në Universitet. Jeta e tij e deritanishme ka dëshmuar vitalitetin dhe dinamizmin, vizionin dhe vendosmërinë për një vazhdimësi të qëndrueshme dhe sistematike investimesh, për zhvillimin e veprimtarive të gjithanshme e të përhershme, në shërbim të komponentëve të procesit akademik, kërkimor e shkencor dhe të studentëve.

UMSH ka ndërtuar një mozaik interesant partneritetesh institucionale me universitete dhe institucione akademike e kërkimore-shkencore, vendase dhe të huaja. Nëpërmjet tyre realizohen gjatë gjithë vitit veprimtari të dobishme për përmirësimin e mëtejshëm të standardeve mësimore dhe akademike, duke nisur që nga përpunimi dhe zbatimi i kurrikulave bashkëkohore, ndërtuar sipas modeleve më të mira dhe më të suksesshme të shteteve të tjerë, zbatimi i sistemit të Bolonjës, që inkurajon dhe lehtëson mobilitetin e stafeve dhe të studentëve, duke përfituar edhe nga aplikimet në projektet e ndryshme të organizmave evropiane, rajonale e më gjerë. Lidhur ngushtë me këtë kanë marrë rëndësi zgjerimi i marrëdhënieve institucionale me universitete, qendra kërkimore e shkencore, institucione publike e private, biznese, banka etj, brenda e jashtë vendit, nëpërmjet një numri të konsiderueshëm marrëveshjesh e projektesh.
Ato shfaqen edhe si komponent i konsolidimit të procesit të ndërkombëtarizimit, me qëllim që UMSH të jetë i hapur ndaj bashkëpunimit dhe shkëmbimeve me institucione të huaja, si dhe për t’i përgatitur studentët e vet për t’u përfshirë në skemat e mobilitetit, sipas sistemit të Bolonjës.
Studentët tanë teorikisht, juridikisht dhe praktikisht mund të zhvendosen në shtete ose organizata ndërkombëtare për vazhdimin e studimeve, ose për të punuar, çka lehtësohet nga pjesëmarrja në projekte të Bashkimit Europian dhe donatorëve të tjerë, në disa prej programeve si IPA, Adrion, Erasmus Youth, Erasmus CBHE, CERV, GIZ, Digital Europe etj dhe në programet kombëtare të shkencës. Ato shërbejnë jo vetëm për përfitime konkrete për studentët dhe pedagogët, nëpërmjet bashkëpunimit në konferenca, projekte shkencore, shkëmbime pedagogësh dhe studentësh, por edhe si mundësi për të fituar përvojë, për t’u përballur me konkurrencën ndërkombëtare, për tërheqjen e studentëve të huaj.
Përmbushja tërësore e procesit të ndërkombëtarizimit do të arrihej më lehtë duke rekrutuar staf ndërkombëtar, veçanërisht të specializuar, ndoshta edhe për periudha afatshkurtëra, sikurse ka ndodhur edhe në të kaluarën. Mund të procedohej edhe me tërheqjen e pedagogëve shqiptarë, të cilët kanë zenë vend në universitetet prestigjioze jashtë shtetit.

Drejtimi strategjik i UMSH është projektuar për t’i aftësuar studentët që të përballojnë realitetet e reja me të cilat ndeshet Shqipëria sot e në të ardhmen. Punohet fort që ata të pajisen me njohuri teorike dhe shprehi praktike për t’i bërë të aftë për zbatimin e strategjisë së integrimit të Shqipërisë në Evropë, në të gjitha drejtimet dhe në të gjitha fushat si ekonomia, informatika, digjitalizimi, kibernetika, inteligjenca artificiale, politika, diplomacia, drejtësia dhe gjyqësori, zhvillimi social, kulturor, mjekësia, shëndetësia etj.
Ndërgjegjësimi i tyre, veçanërisht i studentëve të Fakultetit të Drejtësisë dhe të Shkencave Humane, për reformën në drejtësi si conditio sine quoi non, është domosdoshmëri imperative për garantimin e shtetit të së drejtës, i cili duhet të jetë në shërbim të gjithkujt dhe të vendit në përgjithësi. Sepse nuk ka bashkësi njerëzore, të çdo madhësie e niveli, që mund të përparojë e të zhvillohet, nëse nuk respektohen disa rregulla e norma, të cilat në tërësinë e tyre përbëjnë atë që quhet e drejta dhe një sistemi institucionesh, të cilët të gjithë së bashku, formojnë shtetin. Ato duhen njohur, përvetësuar dhe administruar me kompetencë profesionale me qëllim që ta kryejnë siç duhet rolin e vet, si rregullatorë dhe instrumente në dobi të shoqërisë shqiptare.
Një tjetër risi në interes të studentëve është hapja e klasave online.
Janë shënuar arritje në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies si dhe për zbatimin e strategjisë së thellimit të kërkimit shkencor në fushat e studimeve të fakulteteve që përbëjnë strukturën e tij organizative. Ai ka një emër shumë të mire, shkak për të cilin të diplomuarit e tij janë nga më të preferuarit, çka duket në shkallën e lartë të punësimit në sektorin publik dhe atë privat.
UMSH iu ka dhënë mundësinë e shkollimit falas disa dhjetëra e madje qindra studentëve me prejardhje nga shtresat e margjinalizuara. Ju ka hapur dyert dhe ka trajtuar në të njëjtën mënyrë edhe studentët e ekselencës, që kanë mbaruar shkollën e mesme me mesatare të lartë, studentët me prirje dhe aftësi talenti në shkencë, art dhe në sport, studentët e spikatur në veprimtaritë e lidershipit etj.
Studentët dhe pedagogët e UMSH-së kanë në dispozicion dy ndërtesa shumë të mira. Njëra prej tyre, është ndërtuar sipas një projekti arkitekturor unikal, të vendosur në një nga zonat më të preferuara dhe më interesante, pothuajse në qendër të kryeqytetit. Ajo është plot dritë, me salla komode leksionesh, te paisura me projektorë, smart board, foni qendrore, laboratorë të teknologjisë informatike dhe multimediale, bibliotekë me internet në gjithë shkollën. Pak më tej saj është një tjetër ndërtesë ku është vendosur një pjesë e FDSHH dhe Fakulteti i Shkencave Mjekësore. Në mjediset e të dy ndërtesave organizohen prezantime mbi kërkime shkencore nga stafi dhe akademikë me reputacion, prezantime dhe biseda me të ftuar që janë profesionistë të shquar, liderë të suksesshëm, dëshmitarë të momenteve apo ngjarjeve të rëndësishme historike, njerëz të rëndësishëm publikë të politikës, diplomacisë, medias, hapen herë pas here ekspozita, zhvillohen promovime librash si dhe aktivitete të ndryshme.
Telegraf: Ju lutem mund të na thoni në mënyrë të përmbledhur se përse maturantët duhet të zgjedhin UMSH-në?
Prof. Krisafi: Për ata që ia kanë besuar ose do t’ia besojnë formimin e tyre profesional, në Bachelor, Master dhe doktoraturë, UMSH ofron avantazhe të shumta. Ai përfaqëson një mjedis të mirëfilltë shkencor dhe intelektual, ku zhvillohen 50 programe studimi, bashkohore dhe multidisiplinore, në katër fakultete dhe në shumë degë etj. Mbizotëron mësimdhënia inovative dhe interaktive, prirja drejt teknikave dhe metodave moderne, digjitalizimit dhe inteligjencës artificiale, përmes të cilave theksi vihet në kultivimin e aftësive analitike dhe mendimit kritik, në nxitjen e krijimtarisë dhe të inteligjencës së studentëve. UMSH është shembullor në punën me studentët, të cilët drejtohen, inkurajohen dhe ndihmohen që të përfshihen sa më shumë në jetën akademike dhe në aktivitete jashtë saj. Në shërbim të tyre është një mjedis infrastrukturor bashkohor si dhe një staf pedagogësh që i ndihmojnë ose orientojnë për veprimtaritë që organizojnë. Gjatë dy vjetëve të fundit ata kanë zhvilluar dy konferenca shkencore studentore me tematikë shumë interesante, pjesëmarrje të gjerë dhe cilësi impresionuese. Kanë krijuar klube studentore, të cilat ushtrojnë veprimtari argëtuese, artistike, sportive etj. por edhe debate të gjalla, në shkencat politike, juridike, ekonomike, informatikës, inovacionit dhe teknologjisë, shkencat psiko-sociale, të komunikimit, mësuesisë, shkencat teknike mjeksore etj.
Studentët e Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane, të UMSH-së dhe të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, në pranverën e këtij viti, shkëmbyen reciprokisht vizita në Prishtinë dhe në Tiranë, gjatë të cilave organizuan disa veprimtari mjaft të dobishme.
Funksionon me rezultate shumë të mira rrjeti Alumni, i cilësuar si garanci e diplomës UMSH në tregun e punës. Nëpërmjet Zyrës së Këshillimit të Studentit dhe Karrierës, ata ndihmohen edhe për ndjekjen dhe këshillimin e karrierës, për sigurimin jo vetëm të intershipeve në institucione, organizata apo kompani private biznesi, por edhe nëpërmjet shoqatave studentore për interesa të ndryshme sociale, politike, artistike dhe kulturore.
Një tjetër hallkë disi sui generis është ngritja pranë UMSH e katedrës “Për Paqe të Drejtë”, e fondacionit mjaft prestigjioz, të njohur ndërkombëtarisht, i cili mban emrin Abdulaziz Saud Albabatain, personalitet i shquar në botën arabe dhe në hapësirën e Lindjes së Mesme.
Pjesë e rëndësishme e UMSH-së është një bibliotekë e pasur, e specializuar në studimet mesdhetare, që pasurohet vazhdimisht, e cila ka institucionalizuar lidhje me disa biblioteka prestigjioze në universitete dhe institucione të tjera.
Nuk mund të mos vihet në dukje edhe ekzistenca e UMSH Press, e cila ka kontribuar që pedagogë dhe studiues, jo vetëm të Universitetit, të kenë botuar librat e tyre.
Universiteti ka planifikuar fonde dhe ka përballuar pjesëmarrjen e pedagogëve të vet në konferenca dhe veprimtari kërkimore-shkencore të organizuara jashtë vendit nga universitete ose institucione homologe, nga të cilat kanë përfituar një numër i konsiderueshëm.
Universiteti ka vënë në dispozicion të stafit të vet akademik, por edhe studiuesve të tjerë, një numër jo të paktë revistash shkencore, që gjallërojnë jetën akademike dhe kërkimore shkencore.
Sekretaria mësimore, mjaft funksionale, ku japin kontributetet e tyre një grup të rejash e të rinj të papërtuar, përbën një tjetër hallkë me shumë rëndësi në mbarëvajtjen e punëve në UMSH.
Do të dëshiroja ta mbyllja këtë intervistë me konstatimin, se Universiteti Mesdhetar dallohet qartësisht nga universitetet e tjerë, publikë e jo publikë. Në mos është më i miri, unë gjykoj se është ndër më të mirët. Arsyet janë disa. Pa u zgjatur, do ndalem te njëra prej tyre, që ka të bëjë me faktin se ai u ideua dhe u themelua nga profesori i shkencave ekonomike, Anastas Angjeli, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe i Akademisë Europiane të Arteve dhe Shkencave, një personalitet i shquar i fushës akademike e shkencore, brenda dhe jashtë vendit. Idea udhëheqëse në konkretizimin e ëndrrës së vet ishte dëshira për të kontribuar në kushtet e ekonomisë së tregut, në ngritjen e një institucioni të arsimit të lartë elitar, ku të shihte të materializuara idetë e tij për një institucion arsimor universitar modern, me fizionomi euro-mesdhetare. Universiteti Mesdhetar sot e personifikon filozofinë dhe idenë e prof. Angjalit dhe ka përfituar jo vetëm nga kujdesi i vazhdueshëm, por edhe nga fryma novatore, fantazia e tij krijuese, mënyra e organizimit dhe e drejtimit si dhe nga përvoja e tij e gjatë dhe e pasur në veprimtarinë politike, shtetërore, akademike e shkencore.
Për të gjitha sa përmenda më sipër, përsëris se UMSH ofron garanci të plota për një shkollim të suksesshëm dhe modern, si dhe për një formim cilësor profesional, në përshtatje me kërkesat gjithnjë në rritje të tregut të punës.






















