Moisi Dalipi: Ilir Përnaska,“mbreti” i golave blu

421
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Në historinë  70- vjeçare  të klubit të futbollit të “Dinamos”, pa asnjë  dyshim,  sulmuesi Ilir Përnaska është në podin e më të mirëve, për sa i përket shënimit të golave të shumtë  në  vitet që u aktivizua  tek kjo skuadër. Se është  një futbollist i tillë,  me  një “thesar” plot vlera për golat e shënuar, ndaj shpesh specialistët dhe dashamirësit e skuadrës dinamovite, e kanë vlerësuar këtë sulmues si “mbretin” e golave blu. Mjafton fakti për t’u bindur se, me “Dinamon” e tij të dashur si pak kush tjetër,  Përnaska ka qenë 6 herë golshënuesi më i mirë i kampionateve shqiptare. Dhe lidhjet me futbollin për këtë djalosh me trupin “robust”, nisin që në vitet  e fëmijërisë  tij,  me djemtë e “Rrugës  Elbasanit”  në Tiranë , ku  papritmas një ditë,  kur ishte vetëm  13 vjeç është gjendur tek ekipet e moshave  të “17 Nëntorit”.

Trajneri njohur në ato vite  tek klubi bardheblu, “ustai” talenteve Xhavit Demneri, nuk i dha hapësirën  e duhur për t’u aktivizuar dhe shfaqur talentin e tij. Kjo  gjë solli pakënaqësi tek djaloshi, që  shpejt bëri zgjedhjen, duke kaluar tek ekipi i para të rinjëve të “Dinamos”, me trajner Leonidha Dashin. Në  moshën 15- vjeçare bëhet pjesë e ekipit të të rinjve të  klubit dinamovit, ku bie në sy si një sulmues golshënues. Pavarësisht nga mosha e re, Ilir Përnaska është shfaqur si një “gjuetar” i pamërshirshëm në shënimin e golave. Aftësia  për të dribluar kundërshtarin me mënyra që shpesh të habisnin me ato improvizime të çastit, me hapa të shpejtë  dhe me topin pranë këmbëve, vështrimi tij  ishte gjthmonë  tek porta. Dhe kur ishte vetëm 15 vjeç,  në vitin 1966, do bëhet kalimi tij tek  ekipi parë i “Dinamos.Trajneri  njohur Skënder Begeja pasi njohu  mirë aftësit e këtij sulmuesi , duke e testuar në ndeshjet e kontrollit të mesjavës, në fillim të vitit 1967 në një ndeshje kampionati ndaj “Traktorit” në Lushnjë, do t’i besojnë vendin e titullarit  në skuadër, përkrah kapitenit Iljaz Çeço.

Fiton bukur  “Dinamo” me rezultatin 3-1, ku dy gola mbajnë  autorësinë  e sulmuesit të ri, Ilir Përnaska. Një fillim dhe start  tepër premtues për këtë  futbollist që pak kush kishte besuar dhe parashikuar se ky Ilir Përnaska,  do  të kthehej shpejt në një “mbret” të golave të shënuar dhe jo vetëm për “Dinamon”, por dhe tek ekipi kombëtar. Edhe pse askush nuk jep një  shifër të saktë të golave  që ka shënuar në karrierën e tij në vitet 1966-1982, ky sulmues “race” që është e vështirë të përsëritet, për të qënë pjesë e futbollit shqiptar. Gjithsesi, tregohet për një takim sulmuesish, që ka ndodhur disa vite më parë, larg fushës. Në rrugë, përballë, i ndjeri Din Zhega dhe Ilir Përnaska. Të dy mjeshtër të golit, të dy që sakrifikonin edhe kokën për një gol më shumë. I thotë Dini dinamovitit: “O Pernaske, sa gola mund të kesh shënuar gjithsej?”. Iliri u habit nga pyetja që mbërriti krejt papritur dhe pastaj reagoi: “Nja 200 gola, më duket”. Dini, duke qeshur me stilin e tij, i kishte thënë: “Sidoqoftë, unë kam bërë më shumë se ty!”.

Nuk e treguam këtë histori për të gjetur të vërtetën, dhe as për të fiksuar shifrën e saktë të golave, porse inati i golit është inati më i bukur, siç thoshte profesor Lym Alla.  Zhega dhe Përnaska, dy “kamikazë” që rrezikonin të shkonin edhe në spital për të dërguar një top më shumë në rrjetë. Thonë se jo të gjithë misionarët e golit ndjekin të njëjtën aventurë për të shënuar. Ca shënonin me hundë, thuhej për ata që nuhatnin, ca të tjerë me forcë dhe një palë me dinakëri. Për tifozët, ashtu si edhe për të madhin Gerd Myler, mjafton që topi të kalojë vijën fatale dhe është goli më i bukur. Kur pyet Përnaskën për “golin e jetës”, atë që i shënoi Jani Kaçit pasi kishte marrë takat në fytyrë, ka një përgjigje që vlen si një gol: “Më pëlqenin golat që shkaktonin dhimbje”.  Kështu ai e ka kryer më së miri detyrën e tij , duke vënë në shërbim të skuadrës vet të gjithë forcën dhe talentin. Nga një përllogaritje e bërë rezulton se, Përnaska ka shënuar 265 gola në kampionat, Kupë dhe  ndeshje ndërkombëtare.

E jashtëzakonshme do të jetë karriera e tij në fushën e lojës  kur tek “Dinamo”, do  vijnë  dy miqtë e tij, Ballgjini dhe Zëri. Kështu  kjo trio,  Përnaska –Zëri –Ballgjini , do  vinte përpara  çdo kundërshtar me gola dhe lojë të bukur . Tek sulmuesi Përnaska çdo lloj mbulimi nga kundërshtari, nuk pengonte atë të nxirrte nga arsenali tij teknikën dhe mjeshtërinë e driblimit, mënyrën  e shmangies të kundështarit edhe atëhere  kur,  ndodhej i rrethuar nga shumë mbrojtës.  Sapo e kapte topin, vështrimi tij  shkonte drejt portës, duke qenë i aftë të shënonte gola dhe atëhere kur nuk pritej. Me trupin e tij  plot muskuj, me një shkathtësi që të habiste  ai ju “rrëshqiste” me  lehtësi mbrojtësave kundërshtarë, “gjarpëronte” me topin mes tyre, duke u shndërruar në një sulmues të tmerrshëm dhe të pagabueshëm përpara portës. Këtij sulmuesi nuk do t’i mjaftonte vetëm shpejtësia dhe shkathësia, por dhe nuhatjen  për shënimin e golit e kishte tepër të zhvilluar. Kishte raste, siç tregojnë bashkëlojtarët që ka luajtur, që Përnaska të  kthehej në “fantazëm” për mbrojtësit dhe me golat që shënonte,  i detyronte sportdashësit të duartrokisnin  gjatë. Edhe  pse shënonte shpesh  në fushën e lojës, dukej i “pakënaqur” me vetveten.

Në momentet kur skuadra e tij  nuk arrinte të shënonte golin, krejt papritur do shfaqej Përnaska. Për atë, pak rëndësi kishte se me çfarë mënyre realizohej goli, me driblim, gjuatje nga vendi  apo në ecje e sipër, me  këmbën  e  majtë,  apo me të djathtën, me kokë,  apo rroveshjatë, mjaftonte që topi të prekte rrjetën e portës. Ky  ishte sulmuesi Ilir Përnaska, i pagëzuar dhe vlerësuar si “mbreti” golave blu,  që për  6 sezone,  mbajti  kurorën e  golshënuesit më të mirë  të kampiontit shqiptar . Dhe janë pikërisht sezonet 1971/1972  me  19 gola të shënuar , 1972/1973 me 17 gola të shënuar, 1973/1974  me 12 gola të shënuar, 1974/1975  me  19 gola të shënuar, 1975/1976  me  17 gola të shënuar dhe 1976/1977  me  18 gola të shënuar.

Dhe  gazeta italiane “Guerrin SPORTIVO ” , në  100- vjetorin e  golshënuesëve më të mirë  evropianë, do t’i japë  vendin e nderit Ilir Përnaskës,  që  me  6 herë fitues si golshënues, do  rreshtohej pas Nordahl (9 herë golëshënues),Kajfos dhe Pushkak ( 8 herë golëshënuëes) Imre Schlosser  dhe Gerd Myler (7 herë  golëshënues”. Kështu,  Ilir Përnaska ka lënë pas austriakun  Krankl, spanjollin Di Stefano, ukrainasin Bllohin , holladezin Van Basten dhe  argjentinasin Maradona.  Me “Dinamon” e tij në vitet 1966-1982,  ai do të fitojë  6 herë titullin kampion në sezonet  1966/1967,  1972/1973, 1974/1975,  1975/1976,  1976/1977 dhe 1979/1980. Plot  4 herë fitues  i  Kupës  në vitet  1971,1974,1978 dhe 1982, si dhe 2 herë fitues në Spartakiadat  Kombëtare në vitet  1974 dhe  1979. Ai  çdo sukses e ka ndarë me shokët  e skuadrës, me Sejdinin, Çeçon, Zërin, Ballgjinin, Targaj, Makon, Çobanin, Dautin, Bregun, Çirakun, Çurtën, Xhafën e tjerë dhe të tjerë. Më i  plotë bëhet portreti tij me 15 ndeshjet  ndërkombëtare me ekipin tonë kombëtar,  ku ka shënuar dhe 5 gola.

E ka nisur “aventurën” e tij me fanelën kuqezi  më  14 nëntor 1971,  në ndeshjen Shqipëri –Turqi,  ku ai shënon dhe 2 gola në atë fitore, 3 me 0. Por “mbreti” golave Ilir Përnaska, ka dhe një rekord tjetër, që nuk e ka thyer asnjë futbollist shqiptar deri tani. Ai ka shënuar 4 gola në një ndeshje zyrtare  ndërkombëtare, pikërisht në vitin 1975,  si pjesë e ish -“17 Nëntorit” në ndeshjen  e fituar për Kupën Ballkanike,  me rezultatin 6 me 0 kundër grekëve të  “Panionos”.  Dhe e veçanta me këtë sulmues ka qenë dhe fakti tjetër, që ai sa herë shënonte gol, gjithçka ia  dedikonte  skuadrës së tij,  “Dinamos” . Ndodhte  kështu, sepse siç thotë dhe vetë, “pa atë “Dinamo”, unë  nuk do isha  shënuesi golave  të  shumtë”. Një arsye më shumë kjo, për ta thënë në tërë kuptimin e fjalës se,  Ilir Përnaska, është “mbreti” golave blu !

 

                                          Skeda  e Ilir Përnaskës

Lindur:  në Tiranë  më 7 Mars  1951
Karriera sportive: Me “Dinamon”,  në vitet  1966/1982
Roli në skuadër:  Sulmues me numrin   7
Gola të shënuar: rreth 265 gola të shënuar në ndeshje kampionati, Kupe dhe ndërkombëtare . 6 herë golashënuesi më i mirë i kampionateve shqiptare.
Ndeshje me ekipin kombëtar: 15  ndeshje  me 5 gola të shënuar
Trofe të fituara: Me “Dinamon”  6 herë titullin kampion, 4 herë fitues i Kupës dhe 2 herë fitues i Spartakiadave Kombëtare.
Vlerësime:  Gazeta italiane “Guerrin SPORTIVO” , në 100- vjetorin e  golshënuesëve më të mirë  evropianë, do t’i japë  vendin e nderit Ilir Përnaskës,  që me  6 herë fitues si golashënues, do  rreshtohej pas Nordahl (9 herë golashënues), Kajfos dhe Pushkak (8 herë golashënues), Imre Schlosser  dhe Gerd Myler (7 herë golashënues).
Titull  sportiv: “Mjeshtër i Merituar” “Nderi Sportit Shqiptar” dhe “Mjeshtër i Madh”.