Ilmi S.Qazimi: O shtet! Mos pengo shtetasit të zhvillojnë biznesin familjar!

Demek shteti ynë iu qan hallin individëve që janë punësuar nëpër biznese familjare!? Jo, more jo! Shteti e ka hallin gjetkë! Ai do që të mbledhë sa më shumë taksa, do të rrjepë sa më shumë të ardhura nga të gjithë shtetasit e vet, me çdo mënyrë në çdo kohë, në çdo skutë e me çdo mjet.

Në javën e parë të vjeshtës, pas tërë atyre zjarrvënieve fizike dhe shkrumbimit të pasurive materiale e shpirtërore që provuam së toku, shoqëruar ato me premtime, indiferentizëm e dekorime qeveritare, me fillimin e vjeshtës, disa qarqe të caktuara të shtetit kapitalist shqiptar(lexo:as i plotë e as i mangut, as i fortë e as i dobët, por i lig dhe i plogët, një karikaturë ky lloj shteti, që me shkatërrime pa fre, e ka’ndërtuar’ Edi Rama), janë të shqetësuar për diçka të veçantë.’Objekti’ i shqetësimit është: përse në Shqipëri biznesi familjar nuk i siguron pjesëtarët e punësuar. Demek shteti ynë iu qan hallin individëve që janë punësuar nëpër biznese familjare!? Kush i është ankuar vallë? Kaq të shumtë qenkan ankuesit? Jo, more jo! Shteti e ka hallin gjetkë! Ai do që të mbledhë sa më shumë taksa, do të rrjepë sa më shumë të ardhura nga të gjithë shtetasit e vet, me çdo mënyrë në çdo kohë, në çdo skutë e me çdo mjet. Nga këndshikimi i organizimit kapitalist të jetës shoqërore, të strukturave që sjellin produkt shoqëror për konsum, ku “njeriu është thjesht një mall që prodhon mallra”, pra nga ku rrjedh mbivlerë, ky lloj ‘shqetësimi’ është i pranishëm vetëm për shtetin, sepse  janë njerëzit që do t’ i japin atij sa më shumë taksa e frymëmarrje.

Por në këndshikimin e gjerë njerëzor dhe në atë të realitetit të traditës qindravjeçare shqiptare ky fakt nuk përbën shqetësim.Le ta marrim konkretisht. Djali ka krijuar një biznes dhe në të’derdhet’ djersa e të gjithë pjesëtarëve të familjes nga plaku e plaka deri tek fëmija i rritur në moshën e kryerjes së punëve të lehta e të vogla. Isha në një biznes të tillë në një nga rrugët e Tiranës dhe vura re diçka konkrete. Vetëm njëri vëlla ishte në rolin e kryetarit.Njëri nga vëllezërit ishte në rolin e kamerierit dhe një nipi i tij kishte detyrën e ndihmësit. Ky, ndihmësi, ishte tejet i preokupuar që  asnjë klient të mos rrinte në pritje,por shkonte sakaq për të marrë porosinë.Nëna ishte punësuar si pastruese e territorit. I ati ishte shofer i një automjeti të vogël furnizimi. E sa e sa të tillë kemi parë e shohim jo vetëm në Shqipëri !? Por kudo nëpër botë-që fatkeqësisht tani, siç thotë një piktor, ka marrë, gjithkund, të njëjtën ngjyrë “ atë të miut, ngjyrën gri në të zezë!”

NOA

Vjen një ditë në fundmuaji e fundviti që ky biznes i kënaq kërkesat optimale të të gjithëve. Edhe të klientëve, edhe të pjesëtarëve të familjes. Edhe dasmën e të pamartuarëve, edhe studimet e larta, edhe mobilimet e familjeve në katet e veçanta të  shtëpive, edhe vdekjen e pleqve, edhe lindjen e bebeve në vijimësi. Shtetit kapitalist, këtij xhelati që duket sikur të fërkon, por në realitet të helmon, i jep tërë taksat sipas ligjeve në fuqi. Natyrisht duke zbatuar rregullisht edhe ‘mirësjelljen’ që e ka emrin’korrupsion’ sado i vogël qoftë. Dhe kjo vijimësi familjare ekonomike, njerëzore është e zilishme për një kohë relativisht të gjatë. Atëherë, përse e detyron shteti këtë familje që ta prishë këtë rregullsi tejet humane dhe efektive? Një praktikë e kudogjendur edhe në 199 shtete të tjera të botës kapitaliste, mbasi siç dihet, ka aq shumë avantazhe dhe të mira?! Së pari shpirtërore, sepse kultivon dhe granitizon unitetin e familjes, së shenjtës qelizë të shoqërisë, e cila ka qenë e tillë qysh në zanafillë. Së dyti, edukon të rinjtë e familjes, me ndjenjën e punës dhe me dashurinë për punën në mënyrë të natyrshme e jo me detyrim ligjor e ca më pak policor. E treta, profilizon dhe klasifikon një minindarje shoqërore të punës, për të cilën ka nevojë çdo lloj biznesi i vogël. Më tej: kultivon bindjen dhe detyrimin për zbatim të detyrës së secilit, atje ku i është caktuar, ndaj NJËSHIT, drejtuesit kryesor që është bir, baba, nënë,motër e kësaj familjeje.

Në Shqipërinë tonë të vogël na duhet ta ruajmë unitetin familjar edhe në biznes mbasi jemi popullsi e paktë, në mplakje e në mpakje me këto politika që po ndjekin qeveritë Rama e Berisha-këta dy pronarë  kontraversë partish sunduese  për Shqipërinë. Edhe më : Nga pikpamja ekonomike, biznesi familjar ka në shumë krijimtari, ndjeshmëri për cilësinë dhe traditën, kërkesë pa bujë për shtim prodhimi dhe e thënë troç, bollëku që sjell kallaballëku është forcim uniteti dhe rritje mirëqenieje. Me të tilla kërkesa nën maskën e luftës kundër informalitetit, nën maskën më të ndotur të kësaj shoqërie të shkërmoqur keqas, që emërtohet “të drejtat e njeriut”, shteti i sotëm shqiptar i ka hyrë me zell punës për shkatërrimin përfundimtar të unitetit familjar të familjeve shqiptare që kanë bisnes të tillë. Dikush mund të thotë se djali apo vajza kur mbush moshën 18 vjeç “do të shkojë të bëjë jetën e vet”?! Po pse vallë, si përgjigje këtij skeptiku dhe njeriu anormal, a nuk bëhet jeta më e mirë në unitet familjar? Ku je më i mbrojtur, më i pastër, më i edukuar dhe më atdhetar?Ku je po aq i pasur dhe i zhvilluar sa ç’është edhe vëllai yt apo nipi e mbesa? E vërteta e hidhur është se shteti kapitalist nuk e ushqen por e shkatërron familjen e kjo dihet, është plaga më kanceroze e këtij sistemi shoqëror që tashmë po i dridhen leqet e këmbëve.

Nuk mjaftojnë trubullirat që ka shkaktuar aksioni katërvjeçar qeveritar i prishjeve të bizneseve që kanë zaptuar hapësira të paligjshme i iniciuar personalisht nga kryetari Edi Rama (që me sa duket vetëm tani pas 14 vitesh po e shikon këtë katrahurë të qeverisjes së tij kaotike?!). Por na del edhe detyrimi tjetër: o të zhduket informaliteti deri në zero edhe në gjithë bizneset familjare, o s’ka! O shtet! Lëri shtetasit të zhvillojnë biznesin familjar! Në qoftë se nuk ke mundësi t’i ndihmosh, mos i pengo!