Ish-Drejtor i Voa-s për Euro-Azinë, Frank Shkreli*: Të ndarë dhe të përçarë

565
Sigal

                                      

Ditët e fundit është ndezur debati në Shqipëri dhe në Kosovë në lidhje me
deklaratat që bëri Kryeministri i Shqipërisë gjatë vizitës së tij të fundit në
Beograd.  Kryesisht debati përqëndrohet
në faktin nëse Kryeministri Edi Rama gjatë takimeve të tija me serbët, kishte
të drejtë të fliste në emër të Kosovës ose për Kosovën.  Komentet dhe interpretimet mbi prononcimet e
Z. Rama në Beograd vazhdojnë të jenë të ashpra nga komentues, si nga Shqipëria
ashtu edhe nga Kosova, madje me akuza të ashpra, se kush po i fryn  erës së ndasive dhe përçarjeve midis
shqiptarëve, dashtë e pa dashtë, duke hedhur më shumë benzinë në flakët e kësaj
gjendjeje të krijuar, krejtësisht pa nevojë. 
Reagimeve të komentuesve të ndryshëm u paraprin  deklarata  e qeverisë së Republikës Kosovës dhe e
Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Z. Enver Hoxhaj.  Qeveria e Kosovës, nëpërmjet zëdhënësve të
saj, përfshirë edhe
Këshilltarin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës,
Bajram Gecaj, citohet nga media të ndryshme të ketë thënë, se problemet
ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhen zgjidhur midis nesh, duke shtuar se “Ne
mirëpresin angazhimet e të gjitha shteteve mike rreth shtensionimit të
marrëdhënieve në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë,
posaçërisht angazhimet të cilat vijnë nga Shqipëria. Megjithatë, Republika e
Kosovës është shtet i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht nga shumica e shteteve
të botës, posaçërisht nga shtetet me demokraci të zhvilluar, prandaj në emër te Kosovës flasin
institucionet e shtetit tonë.
Ne jemi në dialog për normalizimin e marrëdhënieve
në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe ato probleme duhen
zgjidhur kryekëput në mes nesh”, është cituar të ketë thënë këshilltari
Kryeministrit të Republikës së Kosovës. Ndërsa Kryeministri i Republikës së
Shqipërisë, Z. Edi Rama duke reaguar ndaj atyre që e cilësuan si “përplasje”
midis Tiranës dhe Prishtinës zyrtare në lidhje me ato që u thanë e që nuk u
thanë në Beograd, u shpreh se në takimet me Kryeministrin serb Vuçiq ai, “Nuk
kishte folur në emër të Kosovës, por për Kosovën.” Në rregull, sepse gjatë një
vizite zyrtare në Beograd, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë nuk kishte
si mos të fliste për Kosovën, ndonëse deklarata e Z. Rama për njohjen e Kosovës
nga Serbia nuk është asgjë e re. Ai e kishte thënë këtë edhe gjatë vizitës së
parë në Beograd, ndërkohë që edhe udhëheqësit perëndimorë në çdo takim me
zyrtarët serbë bëjnë thirrje për një gjë të tillë, që Serbia ta njohë Kosovën,
shtet të pavarur. Kjo është një thirrje drejtuar Serbisë  që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës
edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Evropian.


Ndërsa edhe Prishtina
zyrtare, qeveria dhe ministri i jashtëm Hoxhaj kishin të drejtë të shpreheshin
– sidomos për faktin që të mos kishte ndonjë keq kuptim nga ana zyrtare e
Beogradit – se janë ata që flasin në emër të shtetit të Kosovës dhe jo
Kryeministri i Shqipërisë. Kaq e pranoi edhe vet Z. Rama, se ai kishte folur
për dhe në emër të Kosovës. Por, cilatdo qofshin interpretimet e deklaratave të
Z. Rama në Serbi, në lidhje me marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe të reagimeve
zyrtare nga Prishtina, një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë, se askush
nuk i njeh serbët më mirë së shqiptarët e Kosovës.  Gjithashtu duhet thënë, se Z. Rama ka të
drejtë kurë thotë se shqiptarët, për një jetë më normale duhet të ndërtojnë ura
midis serbëve dhe shqiptarëve. Por urat duhet të ndërtohen midis serbëve dhe
gjithë shqiptarëve,
dhe jo vetëm gjysmës së shqiptarëve. Shpesh është dhënë
shembulli i pajtimit midis gjermanëve dhe francezëve pas Luftës së Dytë
Botërore, ndoshta si model për pajtimin midis shqiptarëve dhe serbëve. Në
rregull, historikisht, shqiptarët kanë qenë gjithmonë dhe janë për pajtim.  Por ndryshimi është, se shqiptarët e Kosovës,
as shqiptarët në përgjithësi anë e mbanë trojeve shqiptare, nuk kanë qenë kurrë
agresorë kundër asnjë populli dhe nuk kanë pushtuar tokat e askujt, përfshirë tokat
serbe. E vërteta është anasjelltas. Duhet kuptuar gjithashtu, se serbët nuk
janë si gjermanët. Gjermanët, jo vetëm kërkuan falje për krimet e tyre gjatë
luftës, por ata madje edhe kompensuan materialisht dhe financiarisht shumë prej
viktimave të tyre anë e mbanë Evropës.  Fatkeqësisht,
shqiptarët dhe serbët janë shumë larg pajtimit dhe për këtë nuk janë fajtorë
shqiptarët dhe as Tirana, as Prishtina zyrtare. Për këtë, faji i duhet lënë te
dera Serbisë.  Por për mua në këtë moment
historik kanë më shumë rëndësi marrëdhëniet dhe avancimi i tyre midis
shqiptarëve – në radhë të parë midis Prishtinës dhe Tiranës zyrtare, se sa
marrëdhëniet midis Republikës së Shqipërisë dhe Serbisë, ndonëse të nevojshme. Sepse,
në qoftë se nuk ka bashkim dhe marrëdhënie vëllazërore midis shqiptarëve kudo,
nuk na duhet gjë hiç as ndërtimi i urave me Serbinë, në kurriz të bashkëpunimit
dhe të bashkimit të shqiptarëve. Të gjitha këto komente gjatë ditëve të fundit
në lidhje me këtë situatë të krijuar pa nevojë, vetëm çojnë ujë në mullirin
serb dhe përkeqësojnë edhe më shumë, ato që disa vërejtjes po i cilësojnë si
“ndasi dhe përçarje” në rritje midis shqiptarëve, si rezultat i kësaj vizite në
Beograd nga kryeministri shqiptar.  Duket
se të gjitha reagimet, zyrtare dhe jo-zyrtare ndaj kësaj vizite, tregojnë se nuk
kishte asnjë bashkërendim të ideve dhe qëndrimeve të përbashkëta në lidhje me
takimin shqiptaro-serb që Serbia e kishte cilësuar si një të ashtuquajtur,
“Dialog
për
marrëdhëniet e shqiptarëve dhe serbëve në rajon”, ku fillimisht pritej të
ftoheshin të merrnin pjesë edhe përfaqësues politikë të Republikës së Kosovës,
gjë që nuk ndodhi.  Ose në qoftë se ka
patur këshillime zyrtare midis Tiranës dhe Prishtinës, atëherë qëndrimet mund
të kenë qenë diametralisht të kundërta në lidhje me takimin midis kryeministrit
shqiptar dhe atij serb.
Në mendimin tim, gjëja që duhet të
kritikohet më shumë me këtë rast, nuk është vizita e Edi Ramës në Serbi, por
është mungesa e bashkëpunimit, e këshillimeve dhe e koordinimit të qëndrimeve
midis Tiranës dhe Prishtinës, në muajt dhe javët para vizitës së Kryeministrit
Rama në Serbi. Me një bashkërendim të tillë, besoj, se gjithë ky debat krejtësisht
i pafrytshëm për interesat shqiptare në Ballkan, do të ishte mënjanuar. Prandaj,
në vend të akuzave dhe kundër akuzave të analistëve që ndjellin zi, duke
fajësuar njërën ose tjetrën palë, do të ishte më mirë të bëhej pyetja: Kishte
koordinim midis Prishtinës dhe Tiranës ndërkohë që planifikohej vizita në
Beograd?  Në qoftë se nuk kishte
këshillime, pse nuk kishte një bashkërendim të qëndrimeve për një vizitë që në
sipërfaqe dukej si e rëndësishme?  Për më
tepër dhe më me rëndësi, a është ky gjithmonë “modus operandi” – mungesa pra, e këshillimeve dhe bashkërendimit të
pikëpamjeve midis dy kryeqyteteve shqiptare – sidomos kur kemi të bëjmë me
çështje madhore të interesit kombëtar, siç janë marrëdhëniet shqiptaro-serbe? Këto
pyetje nuk kanë të bëjnë aspak me nacionalizëm primitiv, siç e quajnë disa, por
kanë të bëjnë me ekzistencën e kombit, pikësëpari me identitetin kombëtar dhe me
interesat afat shkurtra dhe afat gjata të të gjithë shqiptarëve, historikisht
të ndarë në pesë shtete nga të huajt, por aktualisht të përçarë nga vetja e
tyre, fatkeqësisht.

Në fillim të gushtit, në
artikullin “Punë Ballkanasish, Hesapi”, duke shkruar për vizitën e lajmëruar të
kryeministrit Rama që mori fund disa ditë më parë në Serbi, kisha shënuar se, “Për sa i përket takimit shqiptaro-serb, dialogu është i
mirë në çdo kohë dhe për gjithçka, por është procesi ,të cilit duhet t’i
kushtohet kujdes dhe vëmendje e veçantë. A do të jetë takimi i Nishit
një hap i parë dhe tepër i nevojshëm drejt pajtimit dhe drejtësisë midis dy
popujve – e vetmja mënyrë për paqe dhe stabilitet në rajon – apo do të jetë një
rast i radhës për të dëgjuar retorikën tashmë të mërzitshme serbe mbi “Kosovë-Metohinë”,
gjë që nuk ka ndihmuar as nuk i ndihmon zhvillimit normal të marrëdhënieve
midis shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan”.
Kam drojë se takimi Rama-Vuçiq, sidomos duke marrë parasysh edhe komentet e
kryeministrit serb gjatë dhe pas vizitës, jo vetëm që nuk kontribuoi aspak
drejt pajtimit midis popujve, por nga ky takim nuk përfitoi as paqja dhe
stabiliteti në rajon.  Dihej se pa
pjesëmarrjen e përfaqësuesve legjitimë të shqiptarëve të Kosovës në takimin,
“për një dialog midis shqiptarëve dhe serbëve”, dialogu midis dy palëve kësaj
radhe, ishte i predestinuar që të dështonte. 
Përkundrazi, kjo vizitë  duket se
pati efektin e padëshirueshëm të acarimit për të mos thënë përçarjes së marrëdhënieve
Tiranë-Prishtinë, siç po e cilësojnë disa komentues. Tashti është në duart të
dy palëve, Tiranës dhe Prishtinës zyrtare – që sa më shpejtë të zgjidhin çdo mosmarrëveshje
që mund të ekzistojë midis tyre ose në perceptimin e mendjes së popullit në
lidhje me këtë çështje – me qëllim për të ndaluar një debat të dëmshëm dhe të
panevojshëm nga të dy shtetet shqiptare, zyrtare dhe jo-zyrtare, ashtu që situata
të mos degjenerojë më keq, në një përçarje më të thellë midis shqiptarëve. Sepse
në fund të fundit, qëllimi i vizitës së Kryeministrit të Shqipërisë në Serbi
ishte për të përmirësuar atmosferën në marrëdhëniet shqiptaro-serbe dhe jo për ndarë
dhe për të përçarë shqiptarët.