Kryparlamentari Ilir Meta: Gjykimi ynë për ligjin e “mbetjeve”, jo thjesht problem politik, por në raport me publikun

429
Sigal

Zgjedhjet e 6 nëntorit, nuk do të zgjedhin vetëm kreun e
ri të Lëvizjes Socialiste për Integrim, por edhe strukturat e reja, që do të
kenë në dorë fatin e partisë, në lidhje me koalicionin për Shqipërinë
Europiane.

Gjatë një interviste
ekskluzive dhënë për ‘News24’, kryeparlamentari Meta foli edhe për zgjedhjet e
Dibrës dhe të Kolonjës.

Kreu i
kuvendit ka komentuar edhe deklaratat e një dite më parë të ministrit të
jashtëm grek Nikos Kotzias me tone kërcënuese, për të cilat tha se ne nuk duhet
të sillemi njësoj, por të veprojmë si europianë.

Duke kërkuar
më shumë bashkëpunim mes institucioneve ne vend dhe atyre ndërkombëtare për të
luftuar trafikun e drogës, Meta thotë se ky shqetësim është ngritur edhe në
takime me zyrtarët greke dhe italianë.

Lidhur me
propozimet për reformën zgjedhore, më specifikisht për listat e hapura që u kundërshtuan
nga aleati Edi Rama, kreu i LSI thotë se kjo është një çështje që do të kërkojë
konsensusin e koalicionit, ndërsa shpreh votën pro të LSI-së, për numërimin
elektronik dhe mundësimin e votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë Atdheut.

Javën e
kaluar keni pasur një vizitë me takime intensive në Greqi. Përveç takimeve
zyrtare, keni patur edhe takime me dyer të mbyllura, çfarë u tha në ato takime
që nuk është thënë ende në media?

Mendoj se në
publik janë thënë të gjithë elementët e rëndësishëm dhe të domosdoshëm të kësaj
vizite, ndërsa përsa i takon pjesës tjetër, mendoj se është e panevojshme për
të bërë komente. Por ajo që mund të them është se marrëdhëniet mes dy vendeve
tona janë jetike dhe janë vitale.

A folët për
marrëveshjet dypalëshe që prekin drejtpërsëdrejti shqiptarët që jetojnë në
Greqi?

Po, patjetër
që kemi biseduar në mënyrë të veçantë për të krijuar lehtësi sa më praktike për
qytetarët tanë. Për shembull, zgjidhja e çështjes së dokumenteve të tyre,
zgjidhja e çështjes së Vulës Apostile, çështje që kanë të bëjnë me njohjen e
dokumenteve të drejtimit të makinës, pra të patentave.

Por,
mundësisht edhe zgjidhje të tjera sikurse kemi të bëjmë me njohjen e sigurimeve
shoqërore apo të pensioneve që natyrisht është më e vështirë dhe më komplekse
sepse është një çështje e rëndësishme edhe financiare, nuk është vetëm një
çështje e të drejtave të njeriut.

Ju flisni për
fqinjësi të mirë z. Meta ndërkohë një ditë më parë kryediplomati grek, Nikos
Kotzias bëri një deklaratë ku thotë se e njeh mirë Shqipërinë dhe e di
kapacitetin e saj, gjendjen në të cilën ndodhet. Ndërsa nga ana tjetër “nxjerr
dhëmbët” le të themi dhe flet për një fuqi më supreme të Greqisë sa i përket
forcave ushtarake dhe ekonomisë. Ju si ish-ministër i Jashtëm si i shihni këto
deklarata? Çfarë ka dashur të thotë Kotzias?

Kam lexuar me
vëmendje dje intervistën e Ministrit të Jashtëm të Greqisë, e cila nuk fliste
vetëm për marrëdhëniet me Shqipërinë, por edhe për marrëdhëniet me fqinjët e
tjerë, të Turqisë, me të cilën marrëdhëniet janë më komplekse, janë më të
vështira. Por unë e kuptoj ose më saktë e mirëkuptoj pozitën e tij.

A ishte kjo
një gjuhë diplomatike?

Asnjëherë
diplomacia mendoj unë nuk duhet të flasë me gjuhën e forcës apo të trimërisë.
Edhe në bisedën konfidenciale që pata me të në fillim të vizitës sime, mund
t’ju them që ai personalisht….

Që u fokusua
tek…

Te disa nga
çështjet më delikate në marrëdhëniet tona. Mendoj që ai është në një pozitë të
vështirë personalisht…

Edhe për
çështjen “çame”?

Për të gjitha
çështjet dhe padyshim edhe për çështjen “çame”, veçanërisht pas përmendjes së
saj nga Komisioneri Hahn. Natyrisht që kjo nuk e justifikon, mendoj unë, këtë
mënyrë komunikimi, e cila nuk është e vetmja që vjen në përgjithësi nga
diplomacitë ballkanike. Kështu që zgjidhja më e mirë nuk është as të masim
GDP-në e njëri-tjetrit, as të tregojmë kapacitetet mbrojtëse, sepse unë nuk jam
edhe për përgjigje simetrike. Unë mendoj që ne duhet të jemi asimetrik, por
gjithmonë europianë. E vetmja rrugë që ne të shkëputemi nga e kaluara ballkanike,
në kuptimin e konflikteve dhe të pengimit të njëri-tjetrit, është një sjellje
tërësisht e hapur pro-evropiane.

Çështja
“çame” nuk është e shkuara do të thoshte z. Idrizi sikurse u përmend edhe në
Parlament…

Patjetër me
shumë të drejtë. Është një çështje që e kërkon dhe e meriton një zgjidhje dhe
për të cilën absolutisht është shumë e rëndësishme që të ndiqet një politikë që
e zgjidh, jo një politikë që e ngurtëson apo e kalçifikon dhe që e bën këtë
çështje një çështje të largët, në kuptimin e zgjidhjes së saj.

Sa kohë do të
duhet për të gjetur një zgjidhje, z. Meta?

Duhet të
punojnë në mënyrë të veçantë diplomacia dhe politika, sepse nuk është një
çështje që mund të zgjidhet në mënyrë të njëanshme. Në qoftë se do të kishte
qenë një çështje, që mund të ishte zgjidhur në mënyrë të njëanshme, kjo çështje
do të ishte zgjidhur me kohë.

Së dyti, kjo
është një çështje që në çdo rast do të zgjidhet në bashkëpunim me Greqinë dhe
natyrisht që në çdo rast dhe në çdo rast ajo fillon me një akt formal të heqjes
së ligjit të luftës. Sepse çështje të tilla, pa një konsensus të gjerë, është e
vështirë që të zgjidhen edhe për arsye elektorale. Pra, të keqpërdorimit të
tyre nga forcat politike apo nga opozita për të dëmtuar qeverinë, për ta
paraqitur atë si një tradhtare të interesave kombëtare e kështu me radhë.

A jemi ne në
krizë me Greqinë sikurse shkruajnë mediat e huaja, sidomos i referohen tre
viteve të fundit, që përkojnë me mandatin e qeverisjes tuaj dhe të z. Rama?

Nuk mund të
them se ne jemi në një krizë me Greqinë, sepse kemi marrëdhënie mjaft aktive.
Mos të harrojmë që në Shqipëri ka qenë Presidenti Papulias. Kanë qenë vizita të
niveleve të larta. Njëkohësisht edhe në Greqi dhe në këtë drejtim mund të bëhet
akoma më tej. Për herë të parë patëm një vizitë të nivelit të lartë të
Kryetarit të Kuvendit me një delegacion të gjerë që është shumë pozitive.

Dhe unë besoj
që jemi në një moment të rëndësishëm për të krijuar një klimë edhe më
mirëbesuese me njëri-tjetrin dhe ky duhet të jetë angazhim i përbashkët dhe i
të gjithë faktorëve. Sepse padyshim që kjo është një marrëdhënie, e theksoj,
është edhe jetike, është edhe vitale, dhe jo vetëm për njërën palë, por mendoj
për të dy vendet, për të dy popujt.

Vizita juaj
z. Meta në Greqi a i bëri më transparente të themi çarjet brenda koalicionit?
Gjatë seancës së kaluar ju patët edhe një fërkim me z. Idrizi, dhe pse kishit
premtuar se nuk do ta merrnit fjalën. Në foltoren e Kuvendit ju zbritët dhe iu
kundërpërgjigjët…

Unë kam
mirëkuptim maksimal për përfaqësuesit e PDIU-së dhe e theksoj që gjithnjë kam
qenë dhe jam i shqetësuar, që një lloj padurimi për vetë kohën e gjatë të
moszgjidhjes së kësaj çështjeje, e cila sjell edhe një lloj nervozizmi. E
kthyer në një lloj retorike që stigmatizon Greqinë e sotme dhe njëkohësisht
përmes stigmatizimit kërkon zgjidhjen, e bën zgjidhjen shumë më të vështirë po
të kemi parasysh se nuk është kjo klasë politike në Greqi përgjegjëse për atë
që ka ndodhur përpara 70 viteve.

Kështu që unë
mirëkuptoj gjithmonë qëndrimin e përfaqësuesve të komunitetit çam, por më e
rëndësishme për të gjithë ata dhe të gjithë ne, është të gjejmë rrugën e
zgjidhjes së kësaj çështje në mënyrë që edhe marrëdhëniet midis dy vendeve të
forcohen, dhe njëkohësisht edhe të drejtat e tyre të respektohen që të kenë
mundësi të shkojnë në trojet e të parëve të tyre, të kenë mundësi të gëzojnë të
drejtat e pronës, të trashëgimisë, të kenë të drejtë të vënë një buqetë me lule
në varret e të parëve të tyre, e kështu me radhë.

Brenda
koalicionit a ka të pakënaqur nga qëndrimi juaj në Greqi? A keni pasur
komunikim direkt me z. Idrizi përveç atyre çfarë është thënë publikisht në
foltoren e Kuvendit?

Të gjithë
forcat politike në Shqipëri kanë interes që të zgjidhet, pra nuk është thjeshtë
një çështje e ngushtë. Ajo që dua të them është kjo: askush nuk duhet të presë
nga unë për shkak të përvojës që kamë në marrëdhëniet ndërkombëtare, që t’i
hedh benzinë zjarrit.

Qëllimi im ka
qenë, është dhe do të jetë që kjo çështje, pra çështja “çame”, të zgjidhet në
mënyrë më të mundshme dhe më të shpejtë si një çështje që do të ndihmonte shumë
çtensionimin për aq sa ato janë të tensionuara të marrëdhënieve midis dy
vendeve.

Çfarë ju ka
thënë z. Idrizi për këtë qëndrim që ju keni mbajtur, sepse një qëndrim
sigurisht jua ka dhënë?

Unë besoj se
kemi pasur një komunikim mirëkuptues dhe e kam njohur me të gjitha bisedimet që
kemi zhvilluar atje.

Mbetemi pak
te zhvillimet në Greqi. Gjatë vizitës që patët atje, a kishit një bisedim me
homologët tuaj për çështjen e kanabisit?

Kjo çështje
është ngritur në takime të ndryshme nga Kryetari i Parlamentit, edhe në takimin
me Kryeministrit, sidomos në drejtim të forcimit të luftës kundër krimit të
organizuar. Natyrisht është një çështje që ka një impakt në marrëdhëniet tona,
por për arsye, sepse një pjesë e kanabisit shkon edhe përmes Greqisë.

Çfarë
shqetësimi ju paraqitën grekët?

Të forcimit
të luftës më tej në këtë drejtim.

Një tjetër
takim ju patët edhe me Presidenten e Dhomës së Deputetëve, znj. Boldrini, këtë
herë me fqinjin tjetër, fqinjin italian. Gjithashtu patët një komunikim për
kanabisin, sepse tonelata të drogës kapen pothuajse çdo javë, të mos themi çdo
ditë?

Natyrisht,
edhe këtu kemi ndarë të njëjtin shqetësim që duhet forcuar lufta kundër krimit
të organizuar në të dy anët e Adriatikut dhe njëkohësisht në drejtim të luftës
kundër trafikut të drogës, të kanabisit e kështu me radhë.

Nuk e di nëse
jeni në dijeni, por në mediat italiane ditëve të fundit i është bërë një
fushatë për kanabisin që vjen nga Shqipëria. Ka pasur edhe televizione që kanë
ardhur në Shqipëri, kanë shfaqur nëpërmjet kamerave të tyre parcela me drogë. Çfarë
mendimi keni ju për këtë situatë z. Meta? Si po dukemi ne në sytë e
ndërkombëtarëve kur Shqipëria për kanabisin?

Ne duhet të
forcojmë bashkëpunimin më tej me partnerët tanë ndërkombëtarë, sepse ky
padyshim që është një problem shqiptar, por është edhe një problem
ndërkombëtar. Përgjegjësia nuk është vetëm e jona. Përgjegjësia është e
përbashkët.

Puna e
Policisë së Shtetit për luftën kundër kanabisit si ju duket?

Kjo është një
pyetje që i takon më shumë Kryeministrit, sepse ai bën vlerësime dhe ka informacionin
më të plotë për këtë çështje. Por është e qartë se duhet bërë akoma shumë më
tepër nga të gjithë institucionet që kanë përgjegjësi për sigurinë kombëtare,
për administrimin e territorit.

Meqenëse
përmendët Prokurorinë, z. Meta, ka pasur një përplasje të ditëve të fundit
përsa i përket vdekjes së një 36-vjeçari në Shëngjergj. Ngjarje të cilën
fillimisht policia e cilësoi si një vetëvrasje, por për shkak të rrethanave që
u zbuluan më pas, ka pasur një hetim të mëtejshëm të Prokurorisë që e ka rihapur
çështjen dhe e ka klasifikuar atë si vrasje për çështjen e kanabisit. Si i
shihni këto përplasje mes Policisë dhe Prokurorisë z. Meta?

Mua asnjëherë
nuk më pëlqejnë dhe nuk i nxis përplasjet midis institucioneve, sepse janë
shumë të gabuara, aq më tepër institucioneve që duhet të punojnë çdo ditë së
bashku. Sepse shpesh përgjegjësitë nuk ndahen me thikë, aq më tepër në drejtim
të zbatimit të ligjit dhe në këtë plan e vetmja gjë që unë mund të kërkoj edhe
si Kryetari i Kuvendit është forcim i bashkëpunimit të institucioneve.

Gjatë muajve
të kaluar kemi pasur zgjedhjet në Dibër, zgjedhje për të cilat ishte një
angazhim dhe më i madh e më i dukshëm i PDIU, ndërsa LSI-ja le të themi pati
një rol më të vogël dhe ndoshta nuk u duk edhe aq shumë mediatikisht. A ishte
kjo një fitore e PDIU-së?

Edhe nëse
ishte e tillë neve kjo fitore na gëzon.

Si u
perceptua ky angazhim i PDIU-së në Dibër në koalicionin tuaj?

Unë nuk kam
qenë në Dibër, sepse e kam thënë që këto zgjedhje ishin aksidentale, siç është
edhe në rastin e Kolonjës. Dhe natyrisht që ka qenë zgjedhje që do të mbetej më
shumë në vlerësimin e komunitetit atje, sepse këto ishin zgjedhje të
rëndësishme për atë komunitet.

A ishin
zgjedhjet e Dibrës një provë gjenerale le të themi për zgjedhjet e përgjithshme
të vitit 2017? I referohem rezultatit…

Unë i
referohem asaj që kam thënë pas zgjedhjeve, që këto kanë qenë zgjedhje me
rëndësi thjesht lokale. Siç të tilla do të jenë edhe në Kolonjë apo kudo që do
të ndodhin zgjedhje të paparashikuara dhe të pjesshme.

Po Kolonjën
pse ia latë Partisë Socialiste, z. Meta? E kishit tuajën…

Kolonja ka
qenë e koalicionit, do të jetë e koalicionit, çështja e kandidatit për ne nuk
ka qenë dhe nuk është e rëndësishme, aq më tepër pas asaj që ndodhi…

Ju keni lënë
dy poste kandidatësh për kryetar bashkie, Dibrën dhe Kolonjën, çfarë kërkon
LSI-ja në këmbim të këtyre dy posteve?

Ne kërkojmë
që këto zgjedhje të përmirësojnë jetën e komunitetit ku do të kemi zgjedhje.
Kaq, asgjë tjetër!

LSI-ja nuk
mund t’ia ofronte komunitetit këtë gjë?

Mendoj që
LSI-ja beson që përmes këtij koalicioni i ofrohet mundësia më e mirë.

Në 2017-n,
LSI-ja është e gatshme të dalë e vetme në zgjedhje?

Unë jam thjesht
një kandidat për Kryetar i LSI-së, dhe shpresoj që të zgjidhem kryetar i saj.
Por edhe nëse do të zgjidhem, përsëri ky nuk është një vendim që do ta marrë
Kryetari i LSI-së. Ky është një vendim që do ta marrin forumet e LSI-së dhe
është një çështje tepër e parakohshme.

Por çështjen
e koalicionit kur do ta ndani z. Meta, një muaj para zgjedhjeve, në fushatë
elektorale apo më herët?

Kjo është një
çështje për të cilën nuk mund të shprehem unë, sepse nuk mund të zëvendësoj unë
forumet e LSI-së.

Mbetemi sërish
te reforma zgjedhore. Keni propozuar listat e hapura për deputetët….

Besojmë që
kjo është rruga më e mirë, që të forcohet sistemi parlamentar në vend dhe të
jetë më demokratik. Natyrisht dhe për këtë kërkohet mirëkuptim dhe konsensus.

Partia
Socialiste nuk ka qenë dakord dhe nga Beogradi, z. Rama iu dha një përgjigje
indirekte, kur tha se nuk është dakord për listat e hapura…

Kjo është një
çështje që i mbetet komisionit për të diskutuar. Ky është qëndrimi i ynë dhe
besojmë që ka mjaft argumente në këtë drejtim, megjithatë e theksova që çdo
çështje e reformës zgjedhore kërkon mirëkuptim të gjerë edhe konsensus.

Lidhur me
reformën zgjedhore po diskutohet edhe ideja e votimit elektronik, e kërkuar nga
opozita dhe për votimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, që është
kërkuar nga mazhoranca. Cili është qëndrimi juaj për të dyja këto propozime?

Ne jemi të
hapur për përfshirjen e të dyja këtyre elementeve mjaft të rëndësishëm edhe për
të garantuar të drejtën e votës së qytetarëve shqiptarë atje ku ata jetojnë,
pra në rastin konkret të emigrantëve. Edhe përsa i takon votimit elektronik
nëse do të jetë koha e mundur për t’u realizuar nga ana teknike. Gjithashtu,
kemi kërkuar si Kuvend edhe ekspertizën e OSBE-ODIHR-it për çështje të reformës
zgjedhore dhe gjithçka që garanton transparencën dhe forcon transparencën e
sistemit tonë zgjedhor, dhe besimin te ky sistem dhe tek integriteti i tij, ne
e mbështesim fuqimisht.

Jeni në pikun
e fushatës suaj elektorale për zgjedhjet në parti. Çfarë po ndodh me fushatën dhe
një vlerësim pse jo dhe për kandidatët e vetpropozuar?

Do të doja që
të dy kandidatët të ishin edhe më aktivë, megjithatë kjo është një çështje e
tyre, por përderisa kanë kandiduar kam respekt për cilindo që kandidon dhe që
ka dëshirë të kontribuojë për përmirësimin e drejtimit apo të lidershipit të
LSI-së.

Sepse edhe
unë besoj që ka mjaft gjëra që duhen përmirësuar në politikëbërjen e LSI-së në
funksionimin e forumeve të saj, në cilësinë e përfaqësimit të saj dhe në këtë
drejtim kontributi i secilit është shumë i mirëpritur

Përparim
Spahiu ka qenë le të themi shumë i pranishme dhe në media dhe ka pasur
deklarata të forta. Në ato postimet që bën në rrjetet sociale kërkon një
Kryeministër nga LSI-ja, e ka fjalën për veten apo për ju z. Meta?

Kjo është një
e drejtë e tij, por nuk mund të duket kaq e thjeshtë përmes Twitter-it për t’u
bërë as Kryetar i LSI-së aq më tepër as Kryeministër…

Gjithsesi,
juve nuk do t’iu pëlqente ideja e Kryeministrit në 2017-n, z. Meta?

Mendoj që
këto janë çështje që nuk kanë lidhje me këtë fushatë ku ne ndodhemi. Secili ka
mendimin e vet, ka vizionin e tij dhe më e rëndësishme se sa të bëjmë lajme apo
të krijojmë sensacione është të përmirësojmë me themel disa politika.

Në 2017-n
kemi edhe zgjedhjen e Presidenti të Republikës. Ka pasur deputetë të Partisë
Socialiste të cilët kanë deklaruar që z. Meta në postin e Presidentit do t’i
lehtësonte rrugën PS-së në qeverisje, gjithmonë nëse në zgjedhjet e ardhshme e
majta të marrë edhe një mandat tjetër…

Për çdo
gazetar apo aktor që ka një vlerësim për mua, nuk mbetet gjë tjetër veçse t’i
falënderoj dhe t’u shpreh mirënjohjen. Ashtu sikurse jam i bindur që Shqipëria
ka shumë individë, personalitete, politikanë që mund të jenë President shumë të
denjë të Republikës, por njëkohësisht edhe që mund të jenë edhe
Kryeministra, Kryetar Kuvendi dhe në çdo lloj funksioni të lartë
përfaqësuesish.

Nëse ju
propozojnë, do ta refuzonit?

Unë nuk marrë
pjesë në garat, të cilat nuk ekzistojnë dhe nuk janë hapur.

E ka
Kushtetuta z. Meta, në 2017 zgjidhet Presidenti? Do të jetë ky Parlament që do
ta zgjedhë? Të paktën kështu ka thanë z. Rama, si keni rënë dakord?

Unë besoj se
do të respektohen të gjitha kërkesat e Kushtetutës dhe procedurat kushtetuese
dhe për këtë rast.

Dua të ndalem
te një temë, ligji i mbetjeve. Ju jeni larguar nga seanca e 22
shtatorit në ato momente, kur u bë votimi dhe ju nuk e kemi votuar.
Presidenti Nishani e kthehu mbrapsht ligjin në Parlament. Cili do të jetë
qëndrimi i LSI-së?

Qëndrimi
LSI-së besoj do të bazohet në vlerësimin e argumenteve, mbi të cilat Presidenti
ka mbajtur qëndrimin e fundit dhe besoj që LSI-ja në çdo rast nuk do ta shikojë
këtë ligj, si një problem midis shumicës dhe opozitës. Pra si problem thjesht
politik apo si problem institucional midis Parlamentit dhe Presidentit, por do
ta gjykojë me përgjegjësi, si problem, në raport me opinionin publik, në raport
me shoqërinë civile.

Do ta votojë
Ilir Meta këtë herë ligjin kur të vijë në Parlament?

Nuk mund të jap asnjë
prononcim të parakohshëm dhe të panevojshëm, sepse çdo vendim i tillë do të
ishte i paragjykuar. Ndërkohë që kemi të bëjmë me një çështje mjaft të
rëndësishme, e cila kërkon përqendrim, thellim dhe dialog, sidomos me ekspertët
e kësaj fushe.

Në fakt,
17-vjeçari Ardit Gjoklaj mbeti viktimë mbi malin me mbetje në Sharrë. Partia
Demokratike kërkon që të ketë zbardhje të vdekjes së 17 –vjeçarit, duke e
quajtur atë një krim shtetëror. Keni ju një qëndrim si LSI pasi ka pasur shumë
reagim mbi këtë çështje?

Absolutisht,
që është një ngjarje mjaft e rëndë. I rëndë është edhe politizimi i kësaj
tragjedie, por në çdo rast, absolutisht për çdo dyshim, ne mendojmë që duhet të
ketë një reagim të institucioneve përgjegjëse. Por nuk do të doja të bëhesha
pjesë e këtij debati, i cili ka një shqetësim të gjerë publik dhe njerëzor, por
i cili ka dhe pjesën e spekulimit apo të përfitimit politik. Por çështja e
trajtimit të mbetjeve është një çështje mjaft e rëndësishme në vendin tonë dhe
në çdo rast duhet të synojmë trajtimin maksimal të mbetjeve në vendin tonë

Meta, ju sot do të niseni edhe për një vizitë zyrtare, në
Kinë. Cili do të jetë qëllimi i kësaj vizite?

Kjo është një
vizitë zyrtare e programuar prej kohësh. Qëllimi është forcimi i marrëdhënieve
midis parlamenteve, institucioneve të dy vendeve tona. Marrëdhënie të cilat
janë shumë të mira.