Ilmi S.Qazimi: Mirënjohje heronjve dhe partizanëve të Brigadës X Sulmuese

280

-78 vjet më parë-

Sigal

Më 29 tetor 1944, në lagjen Sulaj të Karbunarës të Lushnjës, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare të Shqipërisë firmosur nga Komandanti Enver Hoxha, u formua Brigada 10 Sulmuese Partizane. Përshëndeti këtë themelim brigade sekretari i partisë të Qarkut të Beratit Kahreman Ylli. Brigada u formua me rreth 1225 partizanë të batalioneve: “Riza Cerova”, “Tefik Lapani”, “Ajet Xhindole” si dhe batalioni i katërt,”Myzeqeja” me të rinj dhe të reja nga rrethi i Lushnjës. Batalioni i parë- 270 vetë; batalioni i dytë- 200 vetë; batalioni i tretë-290 partizanë; batalioni i katërt-250 vetë; kompania e shtabit-50 vetë; shtabi i brigadës me efektiv rreth 45 vetë. Komanda e Brigadës: Koço Papaj komandant, i cili pas dhjetë ditëve u caktua me një detyrë tjetër të rëndësishme duke u zëvendësuar nga Njazi Çepani; komisari Mane Nishova; zëvendëskomandant Qamil Hamzajzëvendëskomisar Misto Bllaci dhe intendent: Nexhat Skënderi.

Përbërja gjeografike e brigadës Partizanë nga Skrapari – 482 vetë (vetëm nga Komuna e Çepanit ishin 49 partizanë) nga Berati- 370 vetë; nga Fieri- 81 vetë nga Lushnja-76 nga Tirana-40; nga Shijaku-30; nga Elbasani-16 etj. Në këtë efektiv ishin 15 vajza partizane; ishin gjithashtu edhe 10 partizanë italianë.

Mosha mesatare e partizanëve të Br.10S: Me përjashtim të pesë kuadrove: Tafil Tërpani (51 vjeç), Myrteza Sevrani, Safet Iljazi, Xhevahir Spathara e Nikolla Gjeçi që ishin dyzet vjeç, gjithë efektivi i brigatës, ishte në moshë të re; Mosha më e vogël: 14 vjeç; (gjithsej 10 vetë); ishin 20 vetë të moshës 17 vjeç; mosha më e madhe dominuese 29 vjeç.

Qemal H.Bego, ish-partizan i Br10 S i gjalle, 96 vjec

Armatimi i brigadës: Ditën e përurimit të brigatës ishin siguruar: 950 pushkë; (571 italiane, 210 gjermane, 50 greke, 25 turke, 20 belge); 55 automatikë (25 italianë, 20 gjermanë, 10 anglezë); 40 mitrolozë të rëndë e të lehtë; 4 mortaja; (Armët e rënda i përdornin partizanë italianë, sepse ishin të stërvitur në atë specialitet); 20 mushka ngarkese.

Furnizimi me ushqime dhe veshmbathje bëhej kryesisht nga popullsia fshatare;

Strehimi bëhej në shtëpitë e banorëve të zonës ku vepronte brigata dhe në terren të hapur si male, fusha, pyje-ku ta zinte çasti dhe urdhëri.

Shkurt nga kalendari i luftimeve të brigadës:

Më 30 tetor, brigada mori urdhërin luftarak nga Shtabi i Përgjithshëm që të nisej për të marrë pjesë në luftimet për çlirimin e Tiranës.

Efektivi i brigadës së porsakrijuar me disiplinë të hekurt dhe me motive të fuqishme sulmuese, gjatë një marshimi të gjatë në këmbë nga Karbunara deri në periferi të Tiranës. Më 8 nëntor goditën në Fatishë të Peqinit një autokolonë gjermane me rreth 70 makina, 10 tanke dhe disa autoblinda që lëvizte nga Durrësi për në Elbasan duke i shkaktuar asaj humbje të ndjeshme. Me urdhër të Shtabit të Korparmatës së përë Sulmues të Ushtrisë, brigada u përqëndrua në  Kashar për të mbajtur nën goditje të pandërprerë rrugën Tiranë-Kashar dhe Tiranë -Vorë. Më 11 nëntor sulmoi në befasi forcat gjermane, që kishin zënë vijën Yzberish-Yrshek-Kashar-Gjokaj-Vorë dhe më 12 nëntor e kapi këtë vijë, përveç garnizonit gjerman tepër të fortifikuar të Vorës. Po atë ditë tre batalione të brigadës u vendosën në pritë në rrugën Tiranë –Vorë, ndërsa batalioni i dytë i brigadës u vendos në zonën e Shijakut. Për shtatë ditë e netë u zhvilluan luftime në këtë rajon e në këto vija duke i sjellë humbje të rënda në njerëz e teknikë armikut pushtues.  Më datën 13 nëntor pati zhvillime të ashpra deri edhe në luftim me granata dore midis forcave partiznë nga njëra anë dhe atyre gjermano-balliste nga ana tjetër. Më 16 nëntor brigada çliroi Shijakun dhe Durrësin. Në këto luftime nga pala gjermane pati 14 të vrarë dhe shumë armë, e municione të kapur. Nga brigada u vranë dhe mbetën dëshmorë të atdheut 12 partizanë: Agush Guraziu, Ali Sollaku Alush Grepcka, Avni Prishta, Hajdar Tafa, Hasan Veseshta, Jorgji Greku,Meleq Gjoni, Nazmi Diko, Qani Malimati, Shyqyri Faslliu. Më 18 nëntor brigada u rreshtua në përbërje të Divizionit të Parë Sulmues, në Gjirokastër, në roje të kufijve shtetërorë, nga Kakavija deri në Leskovik dhe më pas u inkuadrua në strukturat e Forcave të Armatosura të Republikës Popullore të Shqipërisë.

Nazif Sh.Osmani,ish-partizan i Br10s, i gjalle 96 vjec

Brigada e 10 Sulmuese e përmbushi detyrën e saj ndaj atdheut e popullit me heroizëm. Ishin ata të rinj e të reja, partizanë, të cilëve era e barutit ua motivonte çdo ditë të jetës së tyre dhe flijimin  për liri e quanin si veprën më të thjeshtë sa edhe sublime. Por në ditët e sotme, disa pinjollë të ringjallur ballistë dhe ndonjë pseudohistorian e politikan i pafytyrë, mundohen të shpifin e të hedhin baltë mbi këto fitore. Historia është bërë e nuk zhbëhet më. Çlirimi i Shqipërisë erdhi nga lufta që bënë brigadat heroike partizane dhe tërë populli ynë liridashës.

Njazi M.Çepani, komandant i Br10s

Himni i Brigadës 10S

Kur zjen lufta çlirimtare

me armikun gjakatar.

Ku martirët japin jetën,

me guxim legjendar.

 

Atje zemrat tona ndizen.

Atje shkrepin si rrufeja.

Dhe sulmojnë me tërbim:

ndër rrebeshe, ndër beteja.

 

Dridhu, dridhu tirani:

Brigatë e dhjetë sulmon.

Thyen zgjedhë e robëri

dhe zinxhirët i dërmon.

 

Mbi mjerimet, mbi shkretimet

e një populli të uritur,

po ngre lart brigatë e dhjetë

një flamur me yll të ndritur.

 

Një flamur që i jep dritë

anë e mbanë Shqipërisë

që për jetë do të valojë,

për shpëtim të njerëzisë.

 

Dridhu, dridhu tirani:

Brigatë e dhjetë sulmon

Thyen zgjedhë e robëri

dhe zinxhirë  i dërmon.

Teksti: Andrea  Varfi

Muzika: Nexhat  Skënderi