Ilmi  S.Qazimi: Dhjetë të burgosur “Dhuron” Anglia për vitin e Ri 2023!

249
Sigal

Po qeveria shqiptare si ka mundësi që nuk i mbron shtetasit e vet? Është fatkeqësi që nuk ka një evidentim të saktë të njerëzve, që kanë emigruar konformë rregullave dhe jashtë tyre. Është e pafalshme që ndëshkohet një apo 1300 vetë në një shtet të huaj dhe qeveria jonë ndjek vetëm rrugën e heshtjes

Duke hyrë në korridorin e mermertë të një tregtoreje të madhe (maksimarket – i thonë prej 30 vjetësh sikur të mos kishte fjalë gjuha jonë aq e begatë nga e cila rrjedhin disa gjuhë të tjera), në Tiranë, kryeqytetin tonë, u befasova nga një e papritur. Një zonjë, tek bukuria e së cilës natyra nuk qe kursyer, me të dy duart e zëna me çanta, kur ishte veçse një metër përballë meje u kthye mbrapa me vërtik duke më treguar kurrizin. Por s’isha unë ai që meritoja këtë gjest. Ishte thirrja e një punëtori të tregtores që e detyroi: “O zonjë, keni harruar preshin!?- dhe me nxitim donte që t’ia dorëzonte qesen e mbushur. Ajo, disi e turpëruar, ia ktheu:”Nuk e dua”. Por punonjësi ngulte këmbë:”Preshin e ke dhuratë nga dyqani!” Po bluaja në mendje, se në ato që kemi lexuar e jetuar kemi vërejtur se dhuratat janë aq të shumëlloj-sojshme sa edhe njerëz që dëshirojnë të dhurojnë diçka për dikë. Kështu, dhurohen lule, kartolina, foto, libra deri tek jahte, qenushë, vila, avionë, ishuj, copa toke etj.etj. Por që të dhuroheshin presh- këtë e dëgjova sot. Se, djalli e marrtë, kjo bimë edhe pse ka aq shumë vlera ushqyese gëzon më tepër një emër e nam të keq. Mendimet m’i preu ekrani i madh i një kanali televiziv shqiptar i tregtores ku shkruhej me gërma të mëdha shqipe: “Anglia jep si dhuratë për vitin e ri dhjetë të burgosur…” Fjala dhuratë ishte në thonjëza. Qëndrova dhe dëgjova lajmin deri në fund. Ishte e vërtetë që ishte arritur një lloj marrëveshjeje midis dy qeverive dhe ministrive përkatëse, angleze dhe shqiptare që të realizohet transferimi në burgjet e Shqipërisë i personave me kombësi shqiptare të burgosur në Angli. Nuk e kam fjalën vetëm tek fyerja e tejskajshme që na bëhet si komb e si popull kur ata bij e bija që atje kanë shkuar për punë e jetesë më të mirë, ministrja angleze na i quan kriminelë. Por edhe më tepër. Djemtë tanë kanë shkuar në Angli, sepse vetë qeveria angleze bën herë pas here thirrje për fuqi punëtore ngase atje ka dy shekuj që lulëzon mendimi antinjerëzor se “anglezët nuk ka përse të punonjnë; për ta punojnë të tjerët”. Janë bizneset e gjithëllojshme angleze ato, që organizojnë edhe lëvizjen e klandestinëve me gomone e mjete të tjera e jo Shqipëria. Janë rangje të ndryshme të administratës angleze ato që ofrojnë, stimulojnë e lejojnë punën në të zezë dhe vlerësimin e pabazuar me diferencim e preferenca të emigrantëve. Emigrantët tanë të atjeshëm duan të jetojnë e mbijetojnë e nuk janë aspak kriminelë. Fakti që në Angli u qënka privuar e drejta e lirisë dhe janë burgosur 1300 emigrantë të ardhur nga Shqipëria është turp mbi turpe për qeverinë angleze e jo për individët shqiptarë. E vërteta historike është ndryshe: për tërë gjatë gjithë historisë së shtetit shqiptar, kanë qenë segmente të caktuara të qeverive të Britanisë së Madhe që kanë dërguar kriminelë në Shqipëri. Më e dendur kjo veprimtari ka qenë gjatë sistemit komunist, të cilin kapitalistët e imperialistët e atij shteti nuk e kanë dashur kurrë, por janë munduar ta rrëzojnë duke dërguar edhe kriminelë me parashutë edhe diplomatë me kollare. Nuk ka pse të quhet ‘dhuratë’ transferimi nga burgjet angleze i dhjetë të parëve të burgosur shqiptarë që do ta vuajnë dënimin në burgjet tona këtu në Shqipëri. Përse kjo mënyrë fyese të shprehuri? Qoftë nga media qoftë nga strukturat shtetërore. Të gjithë e dimë se në kapitalizëm gjithëçka është biznes; tërë çka natyrore apo e krijuar nga njeriu është mall, përfshi edhe vetë njeriun si qënie e ndërgjegjëshme. Pra, edhe i burgosuri dhe burgu, janë pjesë e një biznesi mafioz, ndoshta diku i bazuar edhe në ligje nga ato të tipit” Jo ligji, po Maliqi”. Dhe kapitalisti ka si qëllim të vetin vetëm të rrisë fitimin me çdo mjet. Kështu që, përse të harxhojë Anglia stërlina për të ushqyer e mbajtur në burg aq shumë shqiptarë? Asaj i del më mirë hesapi që ata të vuajnë, të punojnë e të mos paguhen kurrë për aq punë sa bëjnë. Edhe kur ndëshkohen të venë e të vuajnë dënimin në vendin e tyre. Atje le t’i mbajnë me komoditetet e burgut, (të cilat sipas ligjeve europiane për të drejtat e njeriut(?!) janë aq të kostueshme). Ky është qëllimi i qeverisë angleze, tek e fundit. Po qeveria shqiptare si ka mundësi, që nuk i mbron shtetasit e vet? Është fatkeqësi që qeveria jonë nuk ka një evidentim të saktë të njerëzve të saj, që kanë emigruar konformë rregullave dhe jashtë tyre. Është e pafalshme që ndëshkohet një apo 1300 vetë në një shtet të huaj dhe qeveria jonë ndjek vetëm rrugën e heshtjes. Mendoj se janë të gjitha mundësitë që shteti shqiptar të nisë sa më shpejt punën për këtë problem: ku janë, sa janë, si janë shqiptarët nëpër botë. Gjuha e trualli, tabani e vatani, plaku dhe i riu, ruhen kur shkruhen e jo kur braktisen e harrohen. Tani që globalizmi po bën punën e vet shkatërruese për popujt e vegjël e me mundësi ekonomike të pakta, qeveria jonë duhet të lëvizë nga vendi dhe të bëjë punën që i kërkon mbrojtja e jetëve të bijve të Shqipërisë kudo që ata janë degdisur. Kjo qeveri është nxjerrë nga populli për ta drejtuar, ndihmuar, mbrojtur, zhvilluar e jo asgjësuar atë. Nuk e kuptojnë këtë lloj detyrimi parësor ministrat e kryeministri ynë? Nuk duan apo nuk dinë ta kryejnë?