Ilmi Qazimi: Në demokraci, koncepti Atdhe është asfiksuar, pasi po shitet toka, ajri, deti, krenaria, historia, rinia dhe pleqëria

18
Sigal

Gjetsh çfarë kërkofsh, o kryetari ynë!

Ai, që ishte ulur dhe që i kishin thënë se dikush ka ardhur te porta për ta takuar, e pyeti të porsaardhurin: “ kush je ti e nga po vjen?” I tromaksur, i trembur, i mardhur dhe shumë i drobitur, ky iu përgjegj: “Vij nga mosardhsha dhe jam ai që mos qofsha!” Si ngjarje është e jetuar. I përket dimrit të vitit 1944 dhe personat janë emra të njohur historikë në rrethana lufte të vërtetë, asaj të partizanëve kundër nazistëve gjermanë e bashkëpunëtorëve të tyre ballistë e zogistë. E rëndësishme është brendia e bisedës dhe posaçërisht këto fjalët e para. Ky, që ishte “mos qofsha” më ngjan me Edi Ramën tonë, që, 80 vjet më pas, në kushte lule pranvere e luksi, i trembur apo i lodhur, i hutuar apo i tejzemëruar dhe ndoshta krenarifyer nga pyetja e sinqertë e një gazetareje. “Përse filani është në krahun tuaj në atë foto”, iu përgjigj asaj tërë hundë e buzë: “Harroi të të pyeste ty?!” Apo më keq akoma kur, në një rast tjetër, guxon të vendosë pëllëmbën në faqen e gazetares!? Këtu kalohen tërë caqet e mirësjelljes e jo më etika e nëpunësit më të lartë të qeverisë! Çfarë kërkon gazetarja është e qartë; ajo po bën punën e saj për të cilën paguhet, aqsa e paguajnë. Çfarë kërkon kryetari i qeverisë nuk del e qartë. Më mirë ta bëjmë pyetjen si në Shkodrën ‘djep kulture’ ku kryetari ynë nuk guxon të hedhë batuta: “Ku don me dalë zotni kryetar me kët q’i po i ban nj’asaj gazetareje?”

Kjo, gjetsh çfarë kërkofsh ngjason edhe me atë tjetrën: Vafsh e mos ardhsh! Edhe pse kjo e dyta ka nuancë mallkimi më tepër se sa urimi. Gjithsesi populli ia ka vënë festen kujtdo sipas kokës që ka pasur. Kur ti ‘ia fut kot’ me ato që thua e që bën, shumëkush mund të të dëgjojë, nga frika, kurreshtja apo respekti qoftë edhe formal, por sa mbaron ti, ai të nxjerr gjuhën e të tallavit! Kështu po ndodh rëndom me ministrat tanë trimoshë, me ministreshat që me zor ministre vajti e i vuri Ai’! Le pastaj me deputetët -mos u dëgjoftë ky emër! – që, shumica e të cilëve, na kanë mërzitur jetën me ato që rokanisin e rrokullisin.Vetëm një gjë e bëjnë shumë mirë: duke kërkuar atë që duan të gjejnë, ngrejnë atë kartonin jeshil dhe ec-babë! Fut mbi dymilionshin në xhep! Ca të tjerë kërkojnë burgun dhe ia nisin me djegien e karrigeve, hedhjen e kutive tymuese, zhurmuese etj. Mirëpo kryetarëve (të gjykatës, të prokurorisë, të hetuesisë, të qeverisë dhe të parlamentit) as nuk iu intereson e as janë të zotë t’ua plotësojnë dëshirën për t’i dërguar në burg! Ndaj tallavaja vijon në sallon, në ballkon, në pavijon, në avion e kudo ku fjala, këmba e mendja u shkon. Pikërisht për aq kohë sa edhe ustai matanë oqeanit nuk shqetësohet. Po u kapërcye vija e kuqe e këtij të fundit, nisin sanksionet individuale etj.

Në periudhën e socializmit, kur Shqipëria ishte shtet i pavarur, kur kishte miq e aleatë shumë më të mirë sesa këta të sotshmit, ku njeriu vlerësohej lartësisht më tepër se sa tani, gjithkush, bënte punën e vet, që nga më i pari atje në krye të shtetit, komandanti i përgjithshëm a kryetari i qeverisë, deri tek më i fundit bie fjala, portieri, kashaitësi i kuajve, rojtari i pyjeve, qerrexhiu, etj. Secili përgjithësisht vlerësohej aq sa e si mundej, ose ndëshkohej, kur s’kish punuar në dobi të shoqërisë, por kish çuar ujë në mullirin e armikut. Ishin të ndara e të qartësuara punët, udhët, idetë, qëndrimet, vendimet. Por ama të gjithë kishin të sigurt, strehimin, shkollimin, punësimin,shëndetin madje edhe argëtimin, gjithnjë në bazë të normave të moralit proletar dhe mirësjelljes njerëzore. Ndaj, o do të ishe me partinë e qeverinë, o kundër saj. Ose do të punoje për atdheun, ose kundër tij. Shteti dhe partia të mësonin rrugën e drejtë ku duhej të ecje. Po të devijoje të dënonte ligji. Kjo aplikohej edhe në të folur edhe në të vepruar. Madje në të folur ishte edhe më i rreptë vlerësimi e sidomos ndëshkimi. Për një fjalë goje me dy kuptime, apo sharje neveritëse e fyese-duke kaluar në ekstrem si rezultat i indroktrinimit të ndonjë gjyqtari, prokurori a hetuesi- shkoje në burg për një kohë të gjatë. Njëherazi mbrojtja e atdheut ishte detyrë mbi detyrat.

Në këto vite të kësaj kohe që emërtohet ‘demokraci’, koncepti “atdhe” është asfiksuar, sepse qeveria e shiti copa-copa edhe tokën, edhe ajrin edhe detin, edhe nderin, edhe krenarinë, edhe pasurinë, edhe historinë, edhe rininë edhe pleqërinë; tërëçka e ka shitur si qeverisja e Sali Berishës ashtu edhe Edi Rama personalisht. U shit vendi duke filluar nga vetja e kryetarit tek shtetet sundues të huaj, të cilëve ai po iu shërben me devotshmëri shembullore. S. Berisha, veç metodave primitive që lidhen me plumba, thikë pas shpine, bëj sikur ndihmoje dhe asgjësoje, pseudo-embargo, lidhu me të tërë e mos beso asnjë. Kishte edhe një parrullë disi fundore‘një metro një euro’ dhe ajo u realizua në gjerësi e thellësi. Ndërkohë që ai tani po vijon të zhurmojë nga ballkoni, Edi Rama vazhdon të flasë e veprojë nga timoni (i shtetit): “ne nuk e shesin ishullin e Sazanit!” E kush e beson? E si mund të besohet? A nuk e meriton ‘urimin’ e mësipërm ai që shet vendin e vet? Të gjithë e dimë se na i ka thënë me zë të lartë, vetë diplomacia amerikane: Amerika nuk ka aleatë të përjetshëm, por interesa të saj të përhershme në tërë globin. Dhe është fakt që bazat amerikane këtu buzë Adriatikut, në tokën tonë, po shtohen edhe më tepër: Kuçova, Biza, Gjadri, Tirana, Porto Palermo, Porto Romano. Tani edhe ishulli i Sazanit, po edhe Zvërneci pak më tutje nga qyteti i Vlorës u bëkërka resort turistik, si ‘xhevahir i Mesdheut”?? E nga kush pa!? Nga dhëndrri i një presidenti të Amerikës! Sikur edhe vetëm propagandë zgjedhore të jetë kjo, përsëri është me prapavijë të thellë politike e paramendim të atillë që manovrimet me fjalë, me gjeste e me foto në facebook, të kryetarit tonë nuk pinë ujë. Po na e quajnë investim të madh, si një reklamë të superfuqishme, që do të rrisë fitimet. Këtu ka një të vërtetë, edhe pse të hidhur. Amerika të jep një thelë e të merr një pelë! Ajo po merr tërë Shqipërinë këta thonë do të investojë atje një miliard dollarë!? Këtu duhen thënë dy fjalë për Sazanin-ishullin tonë famoz! Ka qenë e mbetet tokë shqiptare prej qindra vitesh.Tridhjet vjet e  mbajti të pushtuar Italia fashiste, 1914 deri 1944. Ishulli u çlirua nga forcat partizane të BrXIIS. Nga ky vit deri 1964, ishte pika më e mbrojtur dhe më e avancuar e kampit socialist. Edhe pse ngjarjet u rrokullisën jo në favorin tonë, ishulli mbeti objekt ushtarak i rëndësisë së veçantë. Ishin oficerët, ushtarët dhe tërë qytetarët shqiptarë heroikë që e populluan, e kthyen në qytezë simbol të kapërcimit të vështirësive kur vjen puna për mbrojtjen e lirisë dhe kufijve të tokës mëmë.Tani kryetari i qeverisë ia fal Amerikës!? Dhe bën postime në rrjetet sociale për leverdinë e madhe që gjoja do të ketë vendi ynë nga kjo aferë, sepse do të lartësojë turizmin elitar?! Pikërisht në ato postime, duket qartazi se ai po i afrohet që të gjejë atë që kërkon!?

Koncepti “njeri”, veçanërisht në këto njëzet vitet e fundit të këtij fillim shekulli, në vendin tonë, është asfiksuar, sepse, nga njëra anë janë qentë në konkurrim të denjë me të dhe nga ana tjetër, ndërgjegjen, treguesin numër një të kësaj qënieje, pra të njeriut, e kanë mbuluar veset, cilësitë më negative kafshërore si gënjeshtra, vjedhja, hipokrizia, imoraliteti, pangopësia, vrasja etj. Dhe, me sa duket kështu do vazhdojë gjatë, përderisa po goditet kaq rëndë shkolla, kultura, tradita, gjuha, e posaçërisht familja, bërthama e shoqërisë.

Do vijë një ditë që edhe kryetarët tanë të qeverive postkomuniste, të gjallë apo të vdekur, do ta pësojnë si ai që tha “Vij nga mosardhsha e jam ai që mos qofsha!” Dhe do ta gjejnë atë kanë kërkuar! Kjo do të ndodhë patjetër, sepse gjaku i dëshmorëve, që ranë për lirinë e këtij atdheu do të kthehet në valë përvëluese për të gjithë tradhtarët e këtij kombi. Shqiptarët janë një komb që ka jetuar vetëm në truallin që i lanë të parët dhe ka marrë rrezet e Diellit që i kanë takuar. Madje, siç i gjejmë të shkruara nëpër libra, Diellit e Tokës i janë thurur disa kulte, jo pak këngë e përralla si dhe tetëdhjetë e nëntë gjëagjëza. Si popull, shqiptarët kurrë nuk i kanë rënë më qafë kujt. Por ama nuk kanë lejuar kënd që t’i coptojë. Dhe nuk është asimiluar se është vetmbrojtur guximshëm me armë e dije.