Agjenci dhe ekspertë të huaj si “gjethe fiku” për të larë duart si “Ponc Pilati”

802
Dr. Jorgo Mandili 

Një agjenci private akreditimi “kontrolloi” dhe “vlerësoi” universitetet shqiptare në aspektin ligjor. Kështu u deklarua në shtyp se zyrtarisht ende nuk ka një informacion të qartë. Përse duhej vallë një agjenci e tillë e huaj për ligjshmërinë e universiteteve që e detyron shtetin të paguajë me valutë të huaj trefish apo katërfish këtë agjenci për akreditimin ligjor të universiteteve tona, kur ministrja e sporteve dhe e arsimit (se e ka marrë me shumë sportivitet arsimin dhe edukimin) e ka kompetencë ligjore të verifikojë paligjshmërinë në universitete” madje të marrë edhe masat përkatëse për abuzimet me të. Apo “nuk e ka pasur me qejf të finalizojë këtë kompetencë që, mesa duket, i del më mirë “t’i nxjerrë gështenjat me mashën” e të tjerëve”,? Apo për “të larë duart me universitetet, si Ponc Pilati”. Cilado qoftë arsyeja, duket se një veprim i tillë, (në vazhdën e të njëjtave veprime nga qeveria edhe në drejtime të tjera), nuk “bie erë e mirë” Do të ishim vërtetë të kënaqur sikur e keqja më e madhe në arsim do të ishin ligjet, qoftë edhe me boshllëqe. Çfarëdo agjencie të kontaktohet për vlerësimin e universiteteve shqiptarë, realiteti i trishtuar i universiteteve tona nuk mund të mbulohet me “një gjethe fiku”, qoftë kjo edhe e huaj. Në qoftë se nuk do të ndryshojë filozofia e menaxhimit politik dhe akademik i universiteteve, në qoftë se nuk do të kuptohet misioni i edukimit universitar, në qoftë se “diplomëshumët” nuk do të harrojnë gjenezën e krijimit të universiteteve si domosdoshmëri e shoqërive për progres dhe zhvillim. 

Asnjë ekspertizë e huaj nuk mund ta kuptojë dhe ndiejë realitetin e trishtuar të universiteteve tona dhe të realitetit shqiptar në përgjithësi. Boll jemi ngopur me “besueshmërinë” e vlerësimeve të të huajve, kur në ekipet e tyre madje ka edhe ekspertë shqiptarë që “i orientojnë” se si duhet të veprojnë. E pse duhet t’u besojmë këtyre agjencive e ekspertëve të huaj kur asnjë informacion nuk jepet për backgroundin dhe perfomancën e tyre? Çfarë ekspertësh janë, çfarë CV-je dhe përvoje kanë, cili është integriteti i tyre, reputacioni në vendin e tyre etj? Nuk është hera e parë që bëhen “aktrime” të tilla nga agjenci të huaja apo ekspertë privatë. A nuk ndodhi kështu me Akademinë e Shkencave, e cila pasi u “reformua” nga Saliu, u “konfirmua” nga dy “profesorë” gjermanë!! Apo eksperti amerikan i CIA – s për të ndjerin Kosta që ishte” rrëzuar kur kishte dalë për gjah “në Voskopojë?!. Të mos harrojmë përsëri anglezët e “Crown Agent” për të luftuar korrupsionin në dogana. Jo vetëm nuk e luftuan, por përkundrazi shërbeu si “shkollë” kualifikimi për doganierët tanë për mënyra më të sofistikuara korrupsioni. Kështu ndodh me ne të shkretët kur duan të na”hedhin hi syve”. Ose na thonë që është agjenci e Blerit ose lobim i këshilltarëve të Trampit duke na dërguar edhe ndonjë fotografi nga përtej oqeanit me presidentë e senatorë që i kanë paguar menaxherët e tyre me taksat tona, ose i ftojnë këtu kur ka zgjedhje apo protesta në çadra dhe mbajnë fjalime duke na treguar se cili prej liderëve tanë (Ah sikur të ishin vërtetë liderë e jo shefa partish) është Skënderbeu, Mesia dhe cili është Barabai apo na tregojnë dhe prezantojnë programe ekonomike gjermane si Falenski në emër të “Fondacionit Adenauer”, Daulit, etj etj. Gjë që pas viteve ’90 u bënë normale dhe të modës me Rajersonin e famshëm dhe Xhon Megoun sharlatan. E, kështu qëndron puna edhe me këtë agjenci angleze të arsimit të lartë. “Gojët e liga” thonë që edhe këta, njëlloj si të tjerët kanë dhënë vlerësime subjektive, shpesh informale, madje të aktruara sipas një skenari të përgatitur ku stafeve të disa universiteteve publikë e privatë iu bëhej “guidë” se si do t’u përgjigjeshin pyetjeve të akredituesve. Larg qoftë, nëse është e vërtetë! Turp për agjencinë dhe për ato universitete që e kanë pranuar. Një ditë do t’i dalë “kallaji” të tilla” kazanëve universitare”. Prisnim transparencë dhe objektivitet nga kjo agjenci. Sepse ne i njohim “sëmundjet” e arsimit tonë të lartë. E dimë edhe cilësinë e produkteve që dalin prej tyre. Të shkolluar, por jo të arsimuar. Jo e jo të edukuar si qytetarë të denjë e të dobishëm në shërbim të shoqërisë. E dimë se çfarë niveli ka stafi (koeficienti h =2 për pedagogët e F. S. H. N-, që mbahej më i miri, kur Evropa i rekruton me h>12),E dimë mirë se çfarë mësimi bëhet bëhet nga pedagogë e “presora” të punësuar në 2-3 universitete (dhe në asnjë universitet nuk e bëjnë punën të saktë), çfarë pune kërkimore e shkencore realizohet. E dimë se çfarë kurrikulash “copy-paste” janë përshtatur keq nga departamentet, se cilat programe studimore nuk përputhen me tregun e punës, se sa mjerane është gjendja e bazës materiale për degët teknologjike, Informatike dhe inxhinierike si dhe për kërkimin shkencor, se çfarë literature përdoret, se çfarë studentësh hyjnë dhe dalin, se çfarë korrupsioni dhe nepotizmi ekziston, se çfarë lidershipi menaxhon, etj etj. Shkurt e dimë se në çfarë ngërçi ndodhen universitetet tona. Dhe na duken absurde konkluzionet e agjencive të huaja, kushdo qofshin, madje edhe nga më të mirat në botë. Populli ynë ka një shprehje kuptimplotë për raste të tilla kur thotë se “I zoti e di ku i pikon çatia”. Dhe të zotët e shtëpisë janë vetë studentët dhe pedagogët që e dinë mirë se në çfarë derexheje janë 12 universitete publike (universitete u thënçin!) dhe më keq akoma universitetet private që “mbahen me miell hua”. Vallë kaq të paaftë u treguan këta ekspertë anglezë sa nuk i diktuan dot “frymërat e vdekura” që “lektojnë” në këto universitete, madje akoma më keq edhe rektorë, dekanë e përgjegjësa departamentesh janë prezent në organogramën e këtyre universiteteve vetëm si “figurantë”. Këto i di edhe ministria edhe kryeministri, por…. heshtin, heshtin e bëjnë “një sy qorr e një vesh shurdh”. Arsyen e dinë vetë ata. Edhe për universitetet private që kanë “shpëtuar” nga mbyllja selektive. Do të ishim të kënaqur nga kjo agjenci akreditimi, në qoftë se do të zbulonte “frymërat e vdekura”, numrin fiktiv të studentëve që frekuentojnë rregullisht dhe më vonë diplomohen “ligjërisht” edhe ata studentë që paraqiten vetëm në provime. Pra dihen edhe akoma më shumë si për universitetet publikë ashtu edhe për ato private, sado reklama e promovime të bëjnë për t’u shpëlarë trurin prindërve të shkretë që duan fëmijë me diplomë. Dhe midis shumë vlerësimesh të studentëve dhe pedagogëve për gjendjen e mjerueshme të universiteteve tona do të veçonim me dhjetëra artikuj në gazeta (sidomos gazeta “Telegraf” me dhjetëra artikuj ka denoncuar korrupsionin dhe nepotizmin në universitete) dhe mass-media, investigime të “Stop” – it e “Fix-fare”, që vazhdimisht kanë denoncuar realitetin e trishtuar të universiteteve tona dhe që është edhe një “shuplakë” për agjencinë angleze të Akreditimit si dhe “Ponc Pilatët” e shtetit tonë, të papërgjegjshëm, por mbi të gjitha pa një vizion strategjik për arsimin si një nga shtyllat themelore (shtylla tjetër është drejtësia) mbi të cilat ngrihet shteti modern. Madje arsimi është më prioritar se edhe vetë Drejtësia. E papërfytyrueshme dhe e pabesueshme për institucione të tilla si universitetet, që pretendojnë të prodhojnë (dhe jo të konsumojnë) dituri, qytetari dhe moral për një shoqëri moderne drejt Evropës. Por më e papërfytyrueshme dhe më e pabesueshme është qëndrimi indiferent dhe reagimi frigoriferik i kryeministrit ndaj këtyre denoncimeve. Të paktën njëra palë të mbajë përgjegjësi për ato që thotë. Jo vetëm kjo nuk ndodh, por më dëshpëruesja, më arrogantja dhe më narcizistja është karshillëku që bëjnë si kryeministri ashtu edhe ministrja e tij me deklarata hipokrite e pompoze mbi arritjet spektakolare të arsimit të lartë, ku pas 4 vjetësh ende Ligji i Arsimit të Lartë nuk është implementuar dhe për rrjedhojë ai lundron në një kaos të paparë ndonjëherë gjatë këtij tranzicioni. 

II
Një lutje agjencisë angleze për fazën e dytë të Akreditimit. 
Në fazën e dytë të vlerësimit të përmbajtjes, strukturës, kurrikulave dhe menaxhimit të universiteteve tona mundësisht tregohuni më realistë dhe më objektivë në vlerësimin e cilësisë së tyre. Taksapaguesit dhe prindërit shqiptarë në shkëmbim të shpërblimit që merrni kërkojnë garanci prej jush për cilësinë e diplomave të fëmijëve të tyre si i vetmi kapital për të investuar dhe konkurruar në tregun e punës. Kërkojnë përgjigje për pyetjet e mëposhtme:
A ekziston në çdo universitet një botë akademike e dijes dhe një botë shkencore, në raport me një filozofi të caktuar, e cila do të sillte edhe një standard të ri mendimi dhe vlerësimi në lidhje me këto aspekte? 
A do të shërbente edhe si kriter për performancën e çdo pedagogu, vlerat e të cilit do të mateshin tashmë nëpërmjet kontributit të tij real të materializuara në aktivitetet e veprimtaritë e organizuara prej tij apo pjesëmarrjes së tij në këto aktivitete, nëpërmjet botimeve, kërkimeve dhe hulumtimeve, por me kusht që gjetjet dhe konkluzionet e këtyre veprimtarive të bëhen të prekshme dhe për institucionet e tjera si rekomandime për probleme të ndryshme të shtruara për zgjidhje? 
Kjo padyshim do të ndante natyrshëm “shapin nga sheqeri”: pedagogun kërkues e hulumtues që i përkushtohet çështjes, nga ai që vegjeton, që i përkushtohet formularëve të V.K.M-ve, të cilat i siguron edhe abuzivisht. 

• Sa është koeficienti “h”, që tregon nivelin cilësor të çdo pedagogu dhe sa kjo cilësi e stafeve garanton cilësinë e 12 universiteteve publikë? 
• Në ç’raport është ky koeficient rekrutimi në universitetet tanë me atë të universiteteve euroatlantike? 
• A prodhon ndonjë prej universiteteve produkt shkencor apo akademik të marketuar apo ndonjë patentë për një produkt të caktuar? 
• Çfarë studimesh teorike dhe eksperimentale kanë realizuar gjatë këtij tranzicioni çdo universitet? 
• Në çfarë niveli është mësimdhënia universitare? 
• A e ndjejnë studentët se janë futur në një botë tjetër të dijes ndryshe nga ajo e shkollës së mesme si në volum, përmbajtje dhe metodologji? 
• A është implementuar në universitetet tona, ashtu siç ka ndodhur në shumicën e universiteteve të vendeve ish-komuniste, mësim-kërkimi dhe mësim-hulumtimi, ku studentët gjatë viteve universitare edukohen me kulturën e punës si specialistë dhe kërkues nëpërmjet skedave, shënimeve, dosjeve dhe “fileve” elektronike për çështje dhe tema brenda fushave të interesave profesionale dhe personale? 
• Sa nga këto materiale u shërbejnë më vonë si lëndë për artikuj, shkrime të ndryshme, monografi, doktoraturë etj? 
• Sa janë të motivuar dhe të interesuar studentët për studime kërkimore dhe hulumtuese? Sa për qind e detyrave, eseve, projekteve apo tema diplomash janë punë e vetë studentëve nën udhëheqjen e pedagogut dhe sa për qind janë copy-paste? 
• Sa larg janë universitetet tona nga ato euro-atlantike në logjikën dhe filozofinë e funksionimit të tyre në strukturë, përmbajte dhe menaxhim?
• A janë ofertat e ofruara nga Universiteti të komanduara nga lart apo janë të konsultuara e të integruara me kërkesat e tregut dhe shoqërisë dhe në bashkëpunim të ngushtë me ata që janë konsumatorë të këtyre produkteve humane?
• Sa nga këto oferta i shërbejnë tregut real të punës dhe sa janë “autsajder”? 
• Sa këto oferta garantojnë edhe një standard të lirisë së studentëve në formatimin e programit të studimeve të tyre me një hapësirë maksimale në zgjedhjen e kurrikulës dhe të lëndëve për t’u bërë aktorë të formimit të vet profesional dhe menaxher i aftësive të tij intelektuale, duke mos e detyruar nga formularët e ardhur nga “lart”? 
• Sa ia garanton universiteti studentit lirinë individuale dhe mjedisin kërkimor – shkencor cilësor e fleksibël që ai të veprojë lirisht në hulumtime teorike e kërkime eksperimentale? 
• Sa i garanton universiteti edhe një akomodim të tij brenda një kampusi universitar për t’u edukuar edhe si qytetar me vlerat kulturore dhe demokratike, ashtu si bashkëmoshatarët e tij në universitetet euroatlantike? 
• Si mundet universiteti të transformohet në një institucion, i cili të gjenerojë intelekt, punësim e qytetari? 
Përgjigja e kësaj pyetjeje na orienton drejt disa pyetjeve të tjera:
o A duhet rishikuar koncepti universitet? 
o A mund të edukohen si tani kaq shumë njerëz? 
o A është e mundur të garantohet cilësia në të 12 universitetet me këtë buxhet, me këtë nivel stafi, me këtë bazë materiale dhe laboratorike si dhe me këtë akomodim “mejhaneje” që iu bëhet studentëve? 
o A ka ndonjë dallim thelbësor nga njëri universitet tek tjetri në strukturë, përmbajtje, kurrikula, organizim e menaxhim? A nuk ngjajnë si të “klonuar” ? 
o A ka profesione që për arsye të theksimit praktik nuk meritojnë studime universitare?

Dhe deri atëherë kur të marrim përgjigjet e këtyre pyetjeve nga agjencia e Akreditimit apo nga qeveria, le të argëtohemi me grindjet dhe akuzat e rektorëve dhe ish-rektorëve me njëri tjetrin për fondet e studentëve, për tenderin e bravave dhe çelësave ndoshta më vonë edhe për bidetë e wc-ve. Le të argëtohemi edhe me ata “presorë”, shkollarë me magjistratë e me doktorata e madje edhe drejtues njësish (fakultete apo departamente), që i kanë kthyer këto qendra ekspertize dhe shkencore thjesht në “sekretari mësimore”, të cilët i harxhojnë energjitë e tyre për peticione, protesta e greva, për të rritur kredencialet tek partitë e shefat e tyre, apo për të dhënë mësim në dy e tre universitete duke i lënë studentët në “mëshirën e fatit”, pa këshillime, pa konsultime, pa udhëheqje etj, siç bëjnë profesorët e universiteteve perëndimorë me studentët e tyre që i udhëheqin me pasion drejt rrugës të jetës së tyre për ta përballuar me sukses. Deri atëherë ne duhet të kënaqemi dhe me atë që Oruelli i krahason të tillë “presora” me doktorata e madje dhe me tituj akademikë, me qentë e cirkut, të cilët kërcejnë kur ushtruesi i tyre godet tokën me kërbaç! Por meqë këta tanët janë kaq mirëushtruar, sa që kamxhiku nuk nevojitet fare. Ata kërcejnë vullnetarisht për “qejf” të partive apo shefave të tyre e, madje edhe për “qejf” të “mullixhiut” për “inat të vjehrrës”, siç kërcejnë edhe politikanët tanë, madje edhe për “qejf të ambasadorëve”! 
Sigal