Kryebashkiaku Veliaj / Takim me qytetarët në tregun e ri agroushqimor në Farkë: Do fillojmë një stinë promovimi të prodhimit vendas

15
Sigal

Të premten nga Tregu i ri Agroushqimor në Farkë, ‘AgroPark Tirana, e ndërtuar posaçërisht për fermerët, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, prezantuan Skemën Kombëtare 2024, si një mundësi e shkëlqyer për të rritur prodhimin dhe ulur kostot. Veliaj tha se ndërtimi i këtij tregu është një tjetër fjalë e mbajtur, që jep garanci edhe për realizimin e investimeve të tjera në këtë sektor. “Më vjen mirë që jemi në një hapësirë të një fjale të mbajtur. Kjo do të thotë se gjasat janë se për sa kohë që jemi në një premtim të mbajtur, qëllimin e kemi 100% të mbajmë edhe premtimet që japim duke filluar nga data 27 mars, kur hapen thirrjet për subvencionime në të gjithë territorin e Republikës, por sigurisht në të Tiranës do i bëjmë. Gjithmonë e më shumë, jo vetëm kufijtë e qytetit, por edhe ekonomia e qytetit, do identifikohet me njerëzit e punës. Ftesa për të gjithë miqtë tanë fermerë dhe familjet është: “duhet të sigurohemi që t’i shpenzojmë këto para, ndaj na duhet një mobilizim jo vetëm nga fermerët, por edhe nga administratorët tanë këtu, që mund të na ndihmojnë dhe të punojmë për këtë mision. Pra, jo vetëm ai që realisht punon me tokën, me bletët, me baxhon, me stallën, por të gjithë duhet të shkojmë në katund për t’u siguruar që këto para shkojnë në vendin e duhur. Ne jemi tregu më i madh sot në Republikën e Shqipërisë. Kjo do të thotë se kush prodhon në Tiranë është edhe më afër tregut. Ftesa për të gjithë, jo vetëm për ata që shtrojnë iftaret, restorantet, por për çfarëdo lloj sebepi, është të blejnë produkte lokale. Është shumë e rëndësishme që paraja të qarkullojë këtu. Ne i japim kaq shumë rëndësi marketingut për ta çuar jashtë, ndonjëherë harrojmë për të bërë marketing këtu brenda. Të gjithë e dimë se pjesa më e madhe e këtyre produkteve që vijnë nga jashtë, mund të kenë ngrirë nëpër frigoriferë, nga Brazili e nga Argjentina. Nuk jam këtu që të bëj reklamë kundër tyre, jam këtu që të bëj reklamë pro nesh dhe produkteve tona, ndaj ftesa për të gjithë është: Mall vendi, mall cilësore, dhe një para që shumohet këtu. Paraja shumëfishohet kur rri brenda ekonomisë. Duam të fillojmë edhe një stinë promovimi”, -theksoi Veliaj.