Lamtumirë “Jorgo Papingji: Ja intervista e fundit në Telegraf: Poezia ka ngritur në këmbë perandorë, por jo politikanët tanë

21
Sigal

Intervista e fundit për Telegraf me  “Mjeshtrin e Madh” Jorgo Papingji:

– Poezia ka ngritur në këmbë Perandorë, Presidentë, Kryeministra, një popull, por jo politikanët tanë

– Tregu i lirë i ka prishur shumë punë poezisë. Sot shikon më shumë poetë se kuzhinjerë.

– Sot kushdo që ka dëshirë boton se nuk ka filtra, nuk ka tekste, por ka fjalë.

Kur muzika nuk thotë dot  atë që thotë teksti, kënga nuk del bukur.

– Tregu i lirë i ka prishur shumë punë poezisë- Poezi do të thotë fjalë e bukur, fjalë e artë, fjalë që të mbërthen

– Falenderoj Telegraf që i jap hapësirë poetëve dhe shkrimtarëve.

Intervistori: Albert Z. ZHOLI

Miku i Telegraf na la duke ikur në përjetësi. Iku ashtu i heshtur, mendjendritur, krenar, dhe plot fisnikëri. Ai mbetet poet i madh dhe njeri i thjeshtë. Intelektual njerëzor. Jorgo Papingji do të kujtohet si një ndër personalitetet më të spikatur të poezisë shqiptare, në festivalet e këngëve për fëmijë dhe të festivaleve në Radio Television. Dhënia e mësimit nëpër disa nga shkollat e kryeqytetit e ka bërë atë më të lidhur me nxënësit dhe me kolegët, ku mësimdhënia sipas tijë është një art shumë i vështirë që kërkon, studim , përkushtim, seriozitet dhe punë sistematike. Lumturohet kur fëmijët e përqafojnë për tekstet dhe nuk e percepron krijimtarinë në vende moderrne dhe salla llamburitëse. Thjeshtësinë e ka patur tiparin dallues në marrëdhëniet shoqërore, tipar që e ka bërë më të dashur tek këngëtarët dhe më të respektuar në masën e gjerë të artëdashësve. Ja intervista e fundit e zhvilluar një vit më pare për Telegraf…

– Fëmijëria për secilin ka veçoritë e veta. Diçka  mbi fëmijërinë tuaj. Si lindi tek ju dëshira për të krijuar deri sa arritët në nivelet e sotme ku jeni protagonist i shumë krijimeve me çmime?

-Sot mund të them se kam pranë vetes shumë fëmijëri. Kam ecur dhe eci më fëmijërinë. Fëmijëria ime më ka shoqëruar gjatë gjithë kohës së rritjes sime. Edhe në këtë moshë them se kam brenda vetes shume fëmijëri. Jam sa edhe plak edhe fëmijë. Dhe këtë pleqëri që mbaj ma zhduk kjo fëmijëri që mbaj brenda vetes. Unë mendoj se njeriu, po ta ketë brenda vetes këtë fëmijëri dhe po të di ti marri erë kësajë fëmijërie, nuk plaket asnjëherë. Është një gjë e çuditshme nganjëherë, që në moshën time të hershme kam pasur dëshirë të merrem me artin. Që fëmijë i vogël në kopësht unë bëja teatër kukullash.Kam lindur në Vlorë dhe në shtëpi gjithmonë ëndërroja për skenën, teatrin. Vlora vetiu të jep frymëzim. Ajo të magjeps. Të nxit për art. Në shtëpi ishte një penxhere hajati  dhe ne në atë penxhere merrnim kukulla dhe improvizonim lojën teatrore, pra sajonim teatër me aq sa kishim dëgjuar. Më vonë, në shkollë, kur bënim fletoren e kujtimeve ( i linim kujtimet njëri tjetrit në fletore) në fund të vitit shkollor, gjithmonë, në fund të shkrimit më shkruanin ose vendosja vetë Jorgo Papingji, regjizor. Në atë kohë unë nuk e kisha idenë se çfarë ishte regjizori. Ngadalë, ngadalë kjo u binjakëzua me veten time. Shpirti binjak i imi ka qenë dëshira gjithmonë për artin. Kjo më bëri të shkruaj. Në atë kohë ne kishim një gazetë në shkollë në Vlorë “ Fjala Jonë”. Kjo ishte gazetë muri. Gazeta kishte një redaksi që mblidhnin artikuj për fëmijë përvec problematikave të ndryshme të mëdha, si gjëra  që ndodhnin në klasë etj. Unë u bëra kryeredaktor i asaj reviste. Kjo revistë muri ishte si një ogur i mirë në krijimtarinë time.

Bëhet fjalë për vitin 1948. Unë kam  filluar të shkruaj shumë shpejt. Kam pasur një nënë shumë të kujdesëshme që na mësonte vazhdimisht edhe kur nuk kishim shkollë. Unë jam rritur pa baba dhe nënën e kishim edhe baba edhe nënë. Ajo i donte fëmijtë të mirë, të edukuar dhe të kulturuar. Kjo siç duket dha frytet mbrapa. Pas Vlorës ne u vendosëm në Tiranë. Në Tiranë kam ardhur nga klasa e katërt fillore dhe këtu kam filluar të ndjek mësimet në një shkollë me shumë emër, që në atë kohë quhej “ Shkolla e Kuqe”. Kjo shkollë ka pasur mësues shumë të mirë, ku të gjithë kanë mbjellur diçka  tek formimi im. Atë që kanë dhënë ata me gjithë shpirt, unë e ndjej tek vetja ime. E gjej nga një filiz të mbjellë nga ata tek vetja, qoftë  për artin, kulturën, gjuhën e huaj etj.

-A mund të veçonit ndonjë moment më të hollësishëm për ndonjë konflikt me mësuesit tuaj, ose kur një mësues ka reaguar ndaj një sjelljeje jo të hijshme tuajën?

-Unë mbahesha si fëmijë i mirë, i edukuar, por edhe sensibël. Problem kam pasur me një mësues të ciklit të ulët, sepse unë gjithmonë kam shkruajtur me dorën e majtë dhe ai donte të shkruaja me të djathjtën pasi ishte e ndaluar të shkruaje me të majtën. Mësuesi mbante në dorë gjithmonë një vizore edhe kur e shikonte që unë e kisha në dorën e majtë penën, më godiste me vizore. Ky ka qenë konflikti më i madh që unë kam ndeshur në jetën time shkollore. Ky ishte një konflikt njerëzor, në emër të ndihmës së sinqertë. Por edhe sot unë shkruaj me dorën e majtë. Kjo mënyrë të shkruari ishte brenda meje. (qesh).

-A e mbani mend poezinë e parë që keni shkruar?

-Poezinë e parë që kam shkruar e kam hedhur në  fletoren e kujtimit si e quanim.

Si zjarri që le hirin, Po lë edhe unë kujtimin.

Në këto vargje kam hedhur dashurinë shkollore. Dhe e kam bërë si kujtim për shokun tim të klasës. Në fund e nënshkruar Jorgo Papingji, regjisor. Këtë ngjarje e mbarta me vete dhe pastaj e shkruajta në një festival të këngës për fëmijë. Kam një këngë të bërë vite më mbrapa kur kam ardhur në Tiranë, që e ka zanafillën në ato materiale të kohës së fëmijërisë.

Kur ula të mendohem.
Për një lodër të mendoja,

nisa penën ta kafshoja.
Më shpëtoi një pikë me bojë.

Rri mendoj e rri  mendoj:
si t’ja bëj njollës me bojë.

Fletën e bëra pis.
Si t’ia bëj?
Ta fshi apo ta gris..?!

S’do ta  fshij, e s’do t’a gris,
fletën që e bëra  pis.

Përditë ta shikoj
e më mos të gaboj!

-Nga shumë krijues flitet se ka shumë tekste, që nuk ngjiten në nivelin e artit poetik. Pra poezi sidomos nga kantautorë, por edhe nga pseudopoetë…Mendimi juaj??

Tregu i lirë i ka prishur shumë punë poezisë. Sot shikon më shumë poetë se kuzhinjerë. Sot kushdo që ka dëshirë boton se nuk ka filtra. Pra, ndaj sot nuk ka tekste. Sot ka fjalë. Poezi do të thotë fjalë e bukur, fjalë e artë, fjalë që të mbërthen. Poezi apo tekst kënge do të thotë: Fjalë magjie. Sot në një tekst kënge ka vetëm 4 fjalë. Kaq! Ku është fjala e magjishme?! Në poezi kur lexon të rrëqethet mishtë. Ngrihesh në këmbë nga emocionet. Kënga ka tekst, ka muzikë, ka këngëtar. Pa tekst të bukur si do të jetë një këngë e bukur?! Poezia ka ngritur në këmbë Perandorë, Presidentë, Kryeministra, një popull. Poezia është fjala më e bukur e zotit.

-Po dita më e vështirë kur ka qenë si krijues dhe pse në shumë këngë më shumë vlerësohen këngëtari dhe kompozitori dhe aspak poeti?

-Që  të jem i sinqertë të këqijat nuk i mbaj mend. Ndërsa për këtë të fundit ndihem keq. Është e vërtetë pse nuk i kushtohet po aq vëmendje poetit sa dhe këngëtarit? Mund të këndohet pa tekst. Këngëtari është i fundit në radhë.

-Ku ndjeni më shumë emocion, tek festivalet për fëmijë apo tek ato për të rritur?

-Çdo lloj aktiviteti kanë emocionet e veta që nuk krahasohen me njëra -tjetrën. Unë edhe sot e kësajë dite marr pjesë sistematikisht në të gjitha festivalet e të rriturve, por kënaqësinë që ma jep festivali i  fëmijëve nuk ma jep asnjë festival tjetër.

-A kujtoni ndonjë moment në festivalet e fëmijëve që mes tyre ju keni qenë shumë i emocionuar?

-Ajo më ka ndjekur gjithë jetën. Unë çdo vit kam pjesëmarrje në festival qoftë në atë të Tiranës qoftë edhe në atë të Shkodrës. Dhe në të gjitha rastet është bukur kur thonë që ky xhaxhi është ai që ka bërë këngën, të përqafon. Urimet e fëmijëve janë të sinqerta. Ato të gjallojnë dhe të zgjasin jetën.

– Kompozimi i muzikës lidhet ngushtë me tekstin. Sot tek këngët e Festivalit në Radio  Televizion tek tekstet ka përsëritje fjalësh dhe një refren  me dy tri fjalë, ku teksti stonon, të lodh, të mërzit. Pra në vend që të të mbërthejë, mallëngjejë, ndodh e kundërta të largon. Çfarë do të  thoni ju për tekstet e sotme të këngëve?

-Unë nuk marr përsipër të jap mendime për tekstet  e këngëve të të tjerëve. Gjithmonë çdo njeri që krijon ka sensin e krahasimit. Dhe shija e njerëzve nuk ka marrë një formim të plotë. Kjo ka  arësyen e vet. Ne u hapëm se ishim  të mbyllur dhe në këtë hapje pa doganë hynë pa rubinetë të gjitha të huajt dhe u la pas dore tradita. Por, mbas kaq vjetësh duket se po  kalon ajo që ne kopjuam dhe shkundëm. Pra sikur po hiqen at  të tepërta  dhe shihet se po del një gjethe e gjelbër dhe e bukur. Unë them se kjo është një  kohë që do të kalojë në krijimtari. Tranzicioni hapi plagët e veta dhe në muzikë. Koha e filtron çdo gjë. Ka filluar të ndjehet përgjegjësia në tekstet.  Po i jepet më shumë rëndësi. Një tekst i bukur duhet muzikuar bukur. Kur muzika nuk thotë dot  atë që thotë teksti kënga nuk del bukur. Stonon. Humb harmoninë. Rrjedhshmërinë. Një këngë e harmonizuar është si burimi në mal. Gurgullima e ujit, cicërima e zogjve dhe fëshfëritja e gjetheve. Falenderoj Telegraf që i jap hapësirë poetëve dhe shkrimtarëve.

Gazeta Telegraf ngushëllon familjen e poetit Jorgo Papingji

Me pikëllim të thellë e morëm lajmin se ka ndërruar jetë poeti i shquar Jorgo Papingji. Kontributi i tij për letërsinë dhe kryesisht për poezinë shqiptare ka qene evidente për mëse 5 dekata. Për më shumë se 15 vjet Papingji ka qenë një mik dhe bashkëpunëtor i veçantë i gazetës Telegraf. Me penën dhe krijimtarinë e tij Papingji krijoi një individualitet në poezinë shqipe dhe si mësues u kujdes për arsimimin e shumë gjeneratave, ku do të mbahet mend për profesionalizmin dhe urtësinë e tij. Poeti Papingji i la trashëgimi poezisë shqipe mijëra poezi dhe tekste këngësh që kanë ngelur të pavdekshme. Duke qenë se figura e poetit Papingji lidhet ngushtë edhe me çështjen kombëtare, kjo e bën atë një nga emrat që do tw mbahet mend përgjithmonë ndër breza për një vepër unike. I paharuar kujtimi i tij. Me konosideratë gazeta “Telegraf”.

Jorgo Papingji është si Poezia fjala më e bukur e zotit

Albert Z. ZHOLI

Jorgo Papingji është një nga poetët më elegant shqiptar si dhe një intelektual me vlera të rralla. I qetë, i qeshur, i dashur e sheh gjithmonë me laps dhe letër në dorë. Me të kam bërë shumë intervista, por edhe biseda miqësore dhe kam ngelur i befasur nga dijet e tij. I madhi Papingji, është një autor dhe poet shqiptar, i njohur për këngët e tij të shumta që morën pjesë në “Festivali i Këngës në RTSH”. Ai ka shkruar 5 këngë fituese në “Festivali i Këngës”, njëri prej të cilave ka marrë pjesë edhe në Festivalin Evropian në vitin 2014. Mban titullin “Mjeshtri i Madh”. Jorgo Papingji ka shkruar mbi 4000 këngë që ruhen në arkivin e tij. Në biseda ai gjithmonë patjetër do ta përcillte emrin e Vlorës disa herë. Ja si shprehet ai në një bisedë telefonike para 1 viti:

“Kam disa muaj që jam në vendlindje, në Vlorën heroike. Jam në Vlorën e Ismail Qemalit aty ku hodha hapat e parë dhe mora aromën e detit që më nxiti për krijimtarinë. Ishte ky qytet fisnik që m’i fali të tëra që unë të merrja penën dhe të krijoja. Vlora është një magji, është diell, hënë, është det, hapësirë, mbushur me stoli dhe vende piktoreske. Vlora më çlodh, më emocionon, më jep krahë dhe më lehtëson nga çdo dhimbje. Ka burra të mençur dhe natyrë përrallore. Nuk do isha ky që jam besoj nëse nuk do të kisha lindur në këtë qytet historik, ku çdo gur ka një ngjarje, ku çdo ditë ka një histori”. Një situatë të vështirë Papingji kaloi në vitin e Covid-19. Nuk e kishte parë kurrë veten të izoluar. Kjo situatë ka qenë tepër e vështirë, tepër e dhimbshme më thoshte shpesh në telefon. Kjo situatë as që ishte menduar pasi e ndau nga shokët, nga miqtë nga aktivitetet, nga krijimtaria e mirëfilltë, nga dasmat, fejesat, nga lëvizjet jashtë atdheut. Ju larguan në përjetësi shumë shokë pa u dhënë lamtumirën si duhet. Çdo ditë e atij viti dëgjoheshin lajme nga më të trishtat, vrasje, zjarre, vdekje, vjedhje, grabitje, largim të rinisë. Shqipëria po varfërohet dhe po plaket më thoshte kur takoheshim. Në disa momente nuk dimë as si të veprojmë. Si duket i kishte ikur ajo iniciativa e dikurshme për të bërë vepra të bukura. Por megjithatë në çdo ditë ka pak diell, ka momente të bukura, kishte situata që e gëzonin. Krijimtaria e largonte nga ky terr që e ka çuar vendin politika. Sa herë dëgjonte në televizione lajme të pabesueshme  merrte lapsin. Aty gjente dhe gjen ngushëllim. Aty sikur largonte hallet. Politika jo vetëm si koncept, por edhe si profesion ishte dhe mbetet jashtë shijeve të tija. Kjo s’do të thotë që s’e ndiqte politikën që nuk njihte politikanë. Jo! Përkundrazi, çdo poet është një ndjekës i rregullt i politikës, pasi me krijimet e tij jep një nxitje ndaj popullit, ndryshe nga ajo që bën politika. Por tjetër të miresh dhe tjetër ta ndjekësh. Çdo intelektual duhet ta ndjekë me vëmëndje politikën e vendit të vet. Aq më tepër poetët. Në shumë vende të botës poetët e mëdhenj edhe me tre vargje kanë qenë burim frymëzimi për masat popullore, për të drejtat e tyre dhe për t’i nxitur ata kundër shfrytëzimit. Por ai nuk është marrë direkt me politikë, pasi politika më e mirë për vendin e tij, për kombin e tij është poezia, arti. Një poezi e bukur me frymë atdhetare për të janë sa qindra ligjërata të politikanëve në parlament. Një poezi për Atdheun është sa mijëra fjalë boshe të politikanëve. Sot më tepër se kurrë politika shqiptare duhet t’i thërrasë mendjes për të qenë e qetë, gjakftohtë, korrekte me ligjin dhe Kushtetutën që t’i shërbejë sa më mirë vendit të saj. Politikanët bëjnë ligjet, ata tensionojnë situatën, pasojat i vuan populli, reagon Papingji në biseda. Me ç’të drejtë kjo klasë politike luan me fatin e popullit tonë të shumëvuajtur? Me ç’të drejtë kjo klasë politike acaron situatën që mund të degjenerojë dhe përkeqësohet më tej? Kush jua jep këtë të drejtë të luajnë me jetën e një populli, që iu ka besuar me dëshirë fatet e tij? Jorgo shprehet se “Për mendimin tim kjo klasë politike duhet të largohet pasi janë të njëjtat fytyra për shumë e shumë vjet. Ju lutem, kujdes. Jemi në zgripin e acarimit dhe të humbjes së orientimit. Kujdes, kujdes. Larg zjarrit dhe kokëfortësisë. Larg mendjemadhësisë dhe arrogancës. Larg molotovëve dhe provokimeve. Këtij populli i duhen më shumë libra, këngë, komedi, piktura, pak politikë”. Meraku i tij mbetet cilësia e poezisë. Dhe realisht tregu i lirë i ka prishur shumë punë poezisë. Sot shikon më shumë poetë se kuzhinjerë. Sot kushdo që ka dëshirë boton se nuk ka filtra. Pra, ndaj sot nuk ka tekste. Sot ka fjalë. Poezi do të thotë fjalë e bukur, fjalë e artë, fjalë që të mbërthen. Poezi apo tekst kënge do të thotë: Fjalë magjie. Sot në një tekst kënge ka vetëm 4 fjalë. Kaq! Ku është fjala e magjishme?! Në poezi kur lexon të rrëqethet mishtë. Ngrihesh në këmbë nga emocionet. Kënga ka tekst, ka muzikë, ka këngëtar. Pa tekst të bukur si do të jetë një këngë e bukur?! Poezia ka ngritur në këmbë Perandorë, Presidentë, Kryeministra, një popull. Poezia është fjala më e bukur e zotit. Por sot thotë Papingji ka më shumë poetë se punëtorë.

Një poet ka thënë; “Ai që nuk i përket atdheut nuk i përket as njerëzimit”. Pra Papingji i përket në radhë të parë atdheut të tij. Ai është një ndjekës i rregullt i zhvillimeve të hapësirës mbarëshqiptare. Sot, shumë gjëra nuk duan shumë koment. Kosova ishte e lënë në harresë nga koha, vjen një ditë dhe fiton pavarësinë edhe pse nuk bashkohet me trungun mëmë. Çamëria është një krahinë po aq martire, po aq e dhimbshme, po aq e diskutueshme. Sot është koha e Çamërisë. Shoh shumë këngëtarë të njohur çamë si Enkeljda Alushi, Sajmir Braho, etj…që i janë përkushtuar kësaj çështeje dhe ata me zërin e tyre po e bëjnë prezent këtë çështje dhe në organizmat ndërkombëtarë. Kërkimi i një të drejte nëpërmjet një kënge merr një këndvështrim tjetër, paqësor, artistik, që ndoshta sjell më shumë reagim. Kënga të çarmatos por dhe përhapet si vetëtima. Ajo është si zog shtegtar që kalon shumë shpejt kufijtë e vendit…Dhe për këto brenga ai merr penën. Ka shkruar poezi për të gjitha trevat shqiptare, për të gjitha tragjeditë shqiptare. Por ai ka pasur një jetë të vështirë. Ka ecur i vetëm mes halleve. Një poet jetim dhe nga dhimbja ka shkruar ato perla që nuk vdesin kurrë.

Jeta e tij ka një histori të rrallë, një histori të pabesueshme, një histori që përcjell dhimbje të patregueshme. Jorgo Papingji dhe Lefter Gjyli janë dy vlonjatë, baballarët e të cilëve u vranë nga bisha naziste në Mat’hauzen së bashku me 308 burra të tjerë vlonjatë. Arrestimi i tyre u bë në mesnatën e 15 mars 1943, u mbajtën një natë në burgun e Vlorës dhe të nesërmen u nisën për në Prishtinë dhe prej andej në Austri. Jorgo atëherë ishte vetëm 6 muajsh, ndërsa Lefteri vetëm 4 vjeç. Lajmi për vdekjen e baballarëve e morën vesh në qershor 1945 me anë të një liste të Kryqit të Kuq Shqiptar. Ata u rritën pa baba, por nga ana tjetër dhe pse prindërit janë shpallur dëshmor, për të 308 të vrarët vlonjat në Mat’hauzen, nuk ka një lapidar ku fëmijët të vendosnin një lule (pasi ata janë pa varr) …Kur kujton fëmijërinë ai loton. Ai punon, sepse artistin e mirë sado ta vlerësosh gjithmonë je mangët në vlerësim pasi ecën më përpara se koha, i paraprin kohës. Arti ka vlera të pallogaritshme. Asnjë artist nuk mund të thotë në Shqipëri që merr hakun e punës që bën. Megjithatë artistët janë shpirtmëdhenj dhe me këtë gjendje vazhdojnë të shkruajnë dhe krijojnë. I japin njerëzve të thjeshtë gëzim dhe kënaqësi. I tillë është dhe poeti penë artë, Jorgo Papingji.