Hyqmet Zane: Serbia e Greqia, peshqeshe të Europës për Kosovën e Shqipërin

38
Sigal

Ngjarjet në Veri të Kosovës me sulmet e paramilitarëve të armatosur serbë ndaj policisë në veri të Kosovës dhe sjelljet e serbëve deri tek president Vuçiç si pasardhës i Millosheviçit, më sollën në kujtesë sjelljet tipike të grekërve në jug të Shqipërisë dhe veçanërisht në Himarë  dhe ajo ngjarja e Kacifas në Dropull. Dhe jo vetëm unë me vete themi se i kemi peshqeshe antishqiptare të Europës në 110 vjet.

Më shumë se 180 vjet kanë kaluar që nga programi antishqiptar i Megali-idesë për Greqinë e madhe në pushtim e zaptim të territoreve shqiptare, që zotëronin hapësirat më të mëdha në Ballkan e deri tek projekti Naçertania, projekti i shpërnguljes me dhunë të shqiptarëve (arnautëve) siç i quanin ata. Pra gjithë qëllimi është antishqiptarizmi që manifestohet herë pas here me genocid si në Çamëri edhe në Kosovë e territore të tjera shqiptare.

Lind një pyetje e natyrshme : -çfarë faji kanë bërë shqiptarët që janë autoktonë në trojet e tyre dhe grekët e serbët bëjnë projekte kundër tyre dhe Euroipa i përkrah? Kur themi i përkrah, e cilësoj me të madhe, sepse 110 vjet më parë ato Fuqitë e Mëdha na coptuan teritoret në 6 pjesë dhe ua dhanë serbëve dhe grekëve si peshqeshe. Ku i gjetën të drejtat e tyre europianët që mund të bëjnë dhurata të tilla në kurriz të ekzsitencës shqiptare dhe në dëm të interesave njerëzore universale?

Pas 1913-ës, u desh edhe 27 qershori i 1944-ës dhe marsi 1999 që Europa të shijonte frutet e pemës së antishqiptarizmit, që mbolli vetë në Ballkan dhe sot më 2023-shin vazhdon të heshtë për personat përgjegjës që kërkojnë të bëhen protagonistë pas ngjarjeve në Peshkëpi me sulmet greke ndaj postës kufitare shqiptare si dhe zhurmat për Elladhën e madhe në Himarë, si dhe sulmet e vrasjet në Veri të Kosovës. Shqiptarët e dinë mirë se serbët dhe grekët janë të pangopur me antishqiptarizmin e tyre. Po Europa çfarë ka që mban anën e tyre?

Intrigat antishqiptare të Europës u vunë përballë qëndrimeve amerikane të presidentit Ëillson më 1919 në Lozanë të Zvicrës, ndaj dhe “harresa” e qëllimshme europiane ndaj të vërtetave që po ndodhin ndaj shqiptarëve, duken edhe si një përplasje me Amerikën, që e deshi kombin shqitpar.

Sjell në kujtesë atë Memorandumin që i dërgoi Kasem Demi në emër të Komitetit Antifashist i Emigrantëve Çamë, Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në Neë-York nga Tirana  më 25 shtator 1946 dhe që mban Nr. 4 të Protokollit. E sjell në vëmendje këtë Memorandum të 77 vjetëve më parë si një kujtesë për opinionin kombëtar dhe atë ndërkombëtar, sepse ngjarjet që po ndodhin nuk kërkojnë kapërdisjen e kryeministrit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit me replika për hatër të Ukrahinës, në një kohë që ky njeri jo vetëm nuk e di, por dhe nuk do t’ia dijë për të vërtetat historike, që kanë ndodhur në kohë dhe hapësirë në territoret shqiptare në këto 80 vjetët e fundit dhe që vazhdojnë të ndodhin edhe si peshqeshe antishqiptare të Europës dhe ky lloj soj kryeministri hesht dhe merret me lojra fjalësh si ego personale të kapëluar nga marrëzia e liderit botëror.

Për interes publik po citoj Memorandumin e Kasem Demit ku shkruhet:

Siç dihet dhe konstatuar pakicat shqiptare në Greqi (Epir) të detyruara të braktisin vatanin emigrojnë prej dy vjetësh të shpërndara në krahinat e ndryshme të Shqipërisë.

Duke shkelur çdo parim njerëzor dhe të gjitha aktet ndërkombëtare, qeveria Greke ka ndjekur kurdoherë një politikë çfarosjeje ndaj minoritetit tonë. Duke ju nënshtruare persekutimeve, burgimeve internimeve dhe plaçkitjeve të organizuara nga klikat Greke në fuqi ne kemi kaluar 32 vjet të zeza robërije nën sundimin grek.

Masakrimi i 72 vetëve në fillim të pushtimit më 1913 nga Kapiten Delijanqi, komplloti fallco 1921 i të famshmit Gjeneral Bairas, tentativa e turpshme e shkëmbimit me grekët e Azisë së Vogël 1922-1923; organizimi i çetave terroriste para dhe mbas kësaj date në krahinat e Çamërisë, shpronësimet arbitrare, sanksionet ekonomike, lufta raciale braktisja në injorancën më të urrejtur, inkurajimi i kryqzatave fetare nxjerrin kjartë gjithë qëllimin e grekëve kundrejt nesh në këtë periudhë të zezë.

Me qindra kanë rënë viktimë e kësaj sjelljeje të poshtër.

Këto detyruan që shumë nga familjet të braktisin vendlindjen për të gjetë qetësinë shpirtnore në Shqipëri, Turqi, Amerikë dhe gjetiu.

Prej qershorit 1944 gjer në mars 1945, trupat e Gjeneralit Napoleon Zervas nën-udhëzimet e rretheve reaksionare qeveritare t’Athinës mbyllën këtë skenë tragjike mbi popullin tonë me masakrat më barbare që shënon historia. Ata hodhën në rrugë të madhe mbi 20.000 frymë duke bërë të vdesin urije dhe nga sëmundjet mbi 2760. Vranë në vend me tortura pa asnjë shkak 829 të tjerë gra, pleq e fëmijë të pafajshëm e të pambrojtur; dogjën dhe shkatëruan 68 katunde me 6500 shtëpi dhe bënë plaçkë gjithë pasurinë tonë të lujtshme dhe të palujtshme.

Kundra kësaj situate dhe kundra këtyre padrejtësive flagrante ne kemi ngritur dhe ngremë zërin tonë protestonjës.

Me protesta dhe memorandume drejtuar Tre të Mëdhenjve, Kombeve të Bashkuara, nga ne dhe Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë, kemi kërkuar marrjen në shqyrtim të problemit Çam dhe të kërkesave tona.

 Qeveritarët grekë mbajnë gjithë përgjegjësinë e kësaj situate tragjike që kanos zhdukjen tonë.

Në emer të parimeve të luftës së madhe Antifashiste dhe të njerëzimit përparimtar ne i denoncojmë këto akte para Jush Shkëlqesi si akte përdhunimi dhe barbarie si shkelje të të drejtave më elementare të njeriut dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Në emër të popullatës sonë të emigruar në Shqipëri ne parashtrojmë çështjen tonë për shqyrtim dhe kërkojmë :

1) Riatdhesimin tonë të shpejtë.

2) Kthimin tonë shpërblimin mbi të gjitha pasuritë tona të dëmtuara ose të grabitura.

3) Të ndihmohemi në rimëkëmbjen dhe të merren masat e nevojshme të sigurimit.

4) Të gëzojnë të gjitha të drejtat demokratike dhe nacionale.

5) Të gjykohen dhe të dënohen të gjithë përgjegjësat e masakrave në Çamëri.

Përsa me sipër për të parashtruar të vërtëtën mbi problemin Çam në parashtrojmë gjithashtu shkëlqesis, kërkesën që të munden të ndëgjohen dhe përfaqësonjësit tonë në shqyrtimin e problemit Çam.

Duke përfunduar ju parashtrojmë Shkëlqesia e tij konsideracionet tona më të shquara”.

Janë të njëjtat ngjarje, që po ndodhin në Veriun e Kosovës dhe që ndodhën më 1998 – 1999 në tërë Kosovën që më bëjnë të them se pas tyre qëndron politika dhe shteti i Serbisë, ashtu si pas çdo ngjarje të ndodhur në jug të Shqipërisë ka pas tyre dorën dhe mendjen e shtetit grek. Është pikërisht ky Memorandum për problemin çam, që vlen sot për OKB dhe Këshillin e Sigurimit edhe për ngjarjet në Kosovë, që kanë tejkaluar çdo cak të pritshmërisë për të vepruar Europa me tipa diplomacie si ato të Borel dhe Laiçak si vazhdim i peshqesheve të Europës për Serbinë dhe heshtjen para Greqisë. Nuk është vetëm Zoti që jep të drejtën shqiptarëve, por edhe këta europianë, që dikur e cilësonin Skënderbeun, heroin tonë Kombëtar si “Atletin e Krishtërimit” dhe “Parzmore e Qytetërimit Europian” dhe kombin e këtij Heroi e lanë në mëshirën e fatin, e coptuan padrejtësisht dhe sot heshtin kur vriten trashëgimtarët e asaj kohe të Dardanisë dhe Epirit. Kjo është padrejtësia e madhe në emëre të pabesisë europiane.