Nga Haxhi Isufi/
Në atë kohë i thonim reparti 5009 i tankeve por ushtarët pas stërvitjes në kohën e lirë punonin tokën, mbillnin domate, patate, tranguj, shalqi etj. Kjo quhej Ekonomi Ndihmëse. Bile kishte dhe blegtori, sidomos qengja, dele e desh, gjela deti kullotnin anembanë fushave e kodrave të territorit të repartit. Ruheshin me roje që të mos i hante armiku. Deshtë dhe qengjat thereshin kur vinin për kontroll nga Ministria e Mbrojtjes, për ministrin therej Dashi për zëvendës ministrin qengj, për shefin e shtabit të përgjithshëm dele e për komandantët gjela deti. Komisarët mereshin me organizimin e ceremonive. Nganjëherë aty vepronte dhe armiku i brendshëm, përshembull oficeri rojes me përgjegjësin e ndërresës hanin ndonje pule. Reparti kishte dhe agronom e veteriner, bile agronom Sulën e kapen me tre tulla në trastë dhe e hoqen nga Partia. (Historia e Sulës është e vërtetë). Kishte rregull e disiplinë ateherë. Nëpër parcela ishin vënë parrulla “Ti Ruhemi Armikut të Brendshëm” Ditën që hoqën Sulën nga Partia u poqën tre desh në hell për shokët e komandës së lartë nga ministria… Sot mora vesh se në Repartin e Zall-Herrit qenka mbjellur kanabis. Asgjë të keqe nuk ka. Tradita e ekonomisë ndihmëse vazhdon. Do mbillet aty. Me Armikun e jashtëm dhe të brendshëm merret NATO. Ushtria jonë nuk mund të rrijë duarkryq pas stërvitjes. Që të kompletohet mirë ai repart unë propozoj që brenda territorit të ndërtohet dhe një Resort, një disko e pse jo dhe një Motel…