Gjeneral Piro Ahmetaj: “24 Marsi 1999, data e mirënjohjes kombëtare ndaj USA/NATO”

22
Sigal

Siç është gjerësisht e njohur, 24 Marsi 1999, simbolizon 25 vjetorin e ndërhyrjes ushtarake, të skalitur në historinë e lavdishme të NATO-s për çlirimin e Kosovës nga pushtimi Serb, por edhe si “datë e shenjtëruar në memorien e mirënjohjes Kombëtare! Në “kapacitetin e Ekspertit të Sigurisë Kombëtare, Rajonit dhe NATO-s”, ri-sjell në kujtesë rrethanat dhe peshën gjeopolitike të kësaj datë-ngjarje madhore:

Së pari, mbrëmjen e 23 Marsit 1999, misionari i paqes, Ambasadori i mirënjohur Holbrooke, u kthye nga Beogradi në Bruksel, “i refuzuar brutalisht nga Millosheviçi” në përpjekjen diplomatike për të ndalur gjenocidin si dhe evituar ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë. Në orët e para të ditës tjetër, pra 24 Mars, (për herë të parë nga krijimi I saj në 1949) fuqia ajrore e SHBA/NATO u angazhua në një luftë historike “jashtë artikullit 5, pa miratimin e KS/OKB-së, por që e legjitimoi NATO-n si “Aleancën e lirisë, paqes, shpresës dhe besimit te vlerat demokratike” në mbarë botën!

Kështu, 24 Marsi 1999, simbolizon jo vetëm përvjetorin e një ngjarje të lavdishme për historinë gjeopolitike të NATO-s, por meriton të skalitet në përjetësi nga mbarë shqiptarët edhe si data e mirënjohjes kombëtare ndaj fuqisë ushtarake të ShBA/NATO-s si dhe ndaj vlerave perëndimore.

Përveç kësaj, kjo datë konfirmoi vendosmërinë e Perëndimit për të gjunjëzuar një kriminel lufte si Millosheviçin, dhe megjithë përpëlitjet e Ariut të plagosur/Rusisë, kjo ngjarje ndryshoi përjetësisht hartën gjeopolitike të rajonit, në favor të Aleancës Euroatlantike si dhe të kombit Shqiptar.

Edhe në situaten aktuale, 24 Marsi mbetet një ngjarje me “mesazhe të forta shprese” për fundin që e pret Rusinë-Putiniste, e cila: “mbas mbi dy vjet lufte barbare nuk e pushtoi dot as me valle, tanke dhe raketa Ukrainën martire”. Ndërsa përkundër fitores, ka humbur me turp 50 % të teritoreve të pushtuara, inisjativën strategjike të luftës si dhe betejën për të sfiduar rendin e sigurisë globale, kohezionin, interesat dhe fuqinë e pakonkurueshme ushtarake të NATO-s. Tashmë nuk ka mbetur asnjë dilemë, as për mendjet e ndryshkura jo vetëm në Beograd, që pikërisht për shkak të kësaj lufte, Kremlini gjendet sot më i izoluar/diskretituar se asnjëherë me parë (p.sh vetëm Kim-Jongu, Vućić, e uruan për vetë-mandatimin me bajoneta); rrezikon përjashtimin nga 5-shja vendimmarrëse e Këshillit të Sigurimit/OKB si dhe Gjykata Ndërkombëtare ka lëshuar “urdhër arresti për krime lufte” ndaj Putinit dhe listën e zullumqarëve rreth tij.

Së dyti, shpreh keqardhjen për mungesën delirante “të mirënjohjes institucionale në ushtrimin e përgjegjësive shtetërore nga pushtetarët e Prishtinës” përkundër domosdoshmërisë jetike që ka Kosova për forcimin e bashkëpunimit me parnerët strategjik ShBA/NATO/BE!

E gjej zgënjyese që për herë të parë mbas 25 vjet pavarësi, krye-çlirimtarët e Kosovës, pra Washingtoni zyrtar ka ngritur një zhgënjim serioz:ne/SHBA jemi të shqetësuar për faktin se qeveria e Kosovës nuk po na trajton si partner, nuk po konsultohet dhe nuk po punojnë me ne/ShBA për sigurinë rajonale”! 

Shpreh revoltën, për të mos thënë neverinë strategjike jo vetëm për vendimarrjet e pakonsultuara me SHBA-të por veçanërisht për riciklimin e kokëfortësisë bollshevike dhe të sovranitetit folklorik nga të gjithë-të Pushtetshmit e Kosovës, ndaj politikanëve dhe opinionistëve mëndjendryshkur në Prishtinë, Tiranë, etj.

Duke përsëritur “përuljen ndaj të rënëve/Dëshmorëve të atdheut si dhe nderimin më të thellë ndaj sakrificave për pavarësi të luftëtarëve dhe popullit të Kosovës në shekuj”, mbas 25 vitesh besoj edhe më fortë se në koshiencën kombëtare dhe Institucionale të jetë përjetësisht e skalitur, që: “çlirimi i Kosovës nga pushtuesit Serb gjithsesi nuk u arrit as nga luftërat, as nga qëndresat dhe as nga sajrificat e popullit të Kosovës”.

Për shkak të së vërtetës shpresoj ta “pranojmë fisnikërisht se vetëm falë ndërhyrjes së fuqisë ajrore të NATO-s, Millosheviçi nënshkroi kapitullimin dhe tërheqjen e forcave pushtuese (ushtarake dhe policore) deri në kufijtë e përcaktuar nga rezoluta 1244 dhe të shenjtëruar në Flamurin e Kosovës nga Sh.T. Presidenti Rugova. Për këtë, mjafton të sjellim qetësisht në vëmendje që në Marreveshjen e Kumanovës, UÇK-ja nuk ishte as palë nënshkruese, as vëzhguese, edhe pse aty u vendos shkrirja dhe shndërrimi në Forcat e Sigurisë së Kosovës, ndërsa siguria territoriale, i’u ngarkua KFOR-it, me mbi 37 mijë forca këmbësorie nga 36 vende, anëtare të NATO-s dhe jo vetëm.

Prandaj, as ligjëratat marksiste dhe as bejtet patriotike mbi sovranitetin dhe të drejtat sovrane nuk do të munden kurrsesi të errësojnë rolin përcaktues të “çlirimtarëve të vërtetë” [ShBA/NATO/UK] të Kosovës nga pushtimi Serb dhe as peshën kritike që prej një çerek shekulli, ato vijojnë të mbajnë për paqen, stabilitetin si dhe ardhmërinë Euroatlantike të Kosovës.

Thënë këto, data 24 Mars meriton të skalitet jo vetëm si data e mirënjohjes mbarë-Kombëtare ndaj USA/NATO-s , por si dhe dita e falënderimeve ndaj 36 vendeve dhe rreth 500 mijë ushtarakëve të KFOR-it, që për 25 vjet vijojnë të mbrojnë paqen në Kosovë dhe Rajon.

Së treti, për shkak të funksioneve që kam ushtruar 25 vitet e fundit, kam ndjekur me vëmendje të shtuar situatën e sigurisë në Kosovë dhe Rajon. Sigurisht kam bërë detyrën që vlerësimet dhe rekomandimet strategjike për stabilitetin dhe sfidat Euroatlantike të Kosovës, i kam prezantuar në NATO si dhe forumet më të larta të sigurisë, në konferenca, panele, etj si dhe mijëra faqe të publikuara në kryeqytetet e rajonit, përfshi Beogradin në Këshillin e Atlantikut në Washington; me Ekpertë/Kolegë të sigurisë në Bruksel, Qëndrën Marshall, Gjermani, Kolegjin e Romës, në 32 vendet e NATO-s.

Ndërsa, 15 vitet e fundit: “shqetësimet strategjike mbi armatosjen deri në dhëmbë dhe (keq) shpërdorimin e Beogradit nga Kremlini”, i kam adresuar si pyetje të thjeshta/publike, ndaj z.Vuçiç dhe Gjeneralëve të tij: “përse shpenzon më shumë se 1 miliard € në vit për armatosjen nga Rusia me Tanke; Mig-29, Helikopter luftimi, raketa Pantsir-S, etj. Përse 3/4 e strukturave dhe fuqisë ushtarake ofensive i ka dislokuar në kufijtë shtetërorë të Kosovës ? Nga cili vend apo Aleancë rrezikohet tërësia territoriale e Serbisë ? (nga askush) Apo integritetin e cilit vend sovran, përveçse të Kosovës kërcënon Serbia”?

Nga ana tjetër, nuk kam asnjë mëdyshje, që 25 vitet pas çlirimit të Kosovës apo 25 muajt e luftës gjakatare në Ukrainë: “qëndrimet dhe veprimet e Beogradit Zyrtar, i gjej të sikronizuara me endrrat dhe interesat gjeopolitike të Rusisë në Ballkan”. Gjithësesi, Rusia – Putiniste ka dështuar për të ndezur një front të ri lufte në rajon, duke frymëzuar dhe armatosur grupet kriminale në veri të Kosovës si dhe ekstremistët e tipit Dodik, për të mbajtur ndezur frymën antiperëndimore, apo duke e diskretituar Beogradin “deri me agresion ushtarak!” jo vetëm ndaj sovranitetit territorial të Kosovës, por edhe kundër prezencës së shtuar të KFOR/NATO-s në terren.

Thënë këto, më duhet ta përsëris qartë, përfshi për gjeneralet dhe mëndjet putiniste në Beograd (dhe jo vetëm) si dhe për sovranistët folklorikë të Prishtinës: “përsa kohë të ketë prezencë të SHBA/NATO në terren, agresioni ushtarak kundër tërësisë territoriale të Kosovës, përveçse aventurë vetëvrasëse e Serbisë mbetet një mision tërësisht i pamundur (zero)”!

Në shtesë, në vijim gjeni përmbledhje me “5 rekomandime strategjikepër sigurinë afatgjatë, dialogun konstruktiv, bashkëjetesën paqësore për ardhmërinë Euroatlantike të Kosovës dhe Serbisë:

  1. 1. Përsa për 25 vjet fatekeqesisht 2-palët nuk po i zgjidhën dot mosmarreveshjet ndërshtetërore dhe ndërkufitare, Serbia dhe Kosova do duhet të tregohen seriozë për të zhvilluar dialogun konstruktiv, masat e mirëbesimit reciprok dhe bashkëjetesës paqësore mes popujve, duke i dhënë njëkohësisht besim partnerëve Euroatlantik.
  2. 2. Ndërsa Beogradit zyrtar i duhet “t’i harrojë kërcënimet-neo Staliniste” në gojën e “gjeneralëve delekuent” për valëvitjen/rikthimin e flamurit Serb në vendin e krimeve kundër njerëzimit si dhe riciklimin e fushatave të përgjakshme ndaj integritetit territorial të Kosovës dhe popullit Shqiptar.

Për të mirën e Serbisë, të mos shpenzoj kot 1 miliard € në vit nga taksat/mundi i popullit serb, pasi ka ZERO, aftësi, ose këllqe të përballet me fuqinë ushtarake të USA/NATO-s dhe FSK në Kosovë; të heqë dorë nga ëndrrat për “të pirë” nga 3 nëna (Moska, Brukseli dhe Washingtoni), apo luajtur me disa porta/vende jo-miqësore me NATO-n. Ndërsa, z.Vuçiç të mos riciklojë oshilacionet e Millosheviçit dhe as të bëjë trimin e tërbuar të Putinit duke kërcënuar perëndimin (ose me Serbinë ose me Kosovën!); por as viktimën dhe as të irrituarin, pasi, siç është konfirmuar nga ekpertët e Pentagonit edhe 246 raketat Javelin të miratuara nga DASH/SHBA për FSK, nuk janë kapacitete sulmuese, por vetëm për të ushtruar të drejtën sovrane të vetë-mbrojtjes së tërësisë teritoriale të Republikës së Kosovës nga çdo armik potencial, që në fakt mbetet vetëm Serbia, apo Jo?

  1. 3. Prishtina Zyrtare, pa u konsultuar me partnerët strategjik/ShBA, kurrsesi nuk do duhej/ të marrë vendimmarrje me impakte strategjike, që minojnë themelet e besimit me “çlirimtarët/USA, që prej 25 vitesh vijojnë të mbajnë peshë kritike për sigurinë dhe ardhmërinë Euroatlantike të Kosovës”. Për më shumë, do t’i këshilloja vllazërisht aktorët mëndjehapur të Prishtinës që: “çlirimi nga pushtuesit Serb në 1999 si dhe riciklimi i kërcënimeve ushtarake të Beogradit ndaj integritetit të Kosovës”, të mos i konsiderojnë me triumfalizëm populist, por si “përgjegjësi e lartë shtetërore për të ndërtuar Kosovën moderne, përtej prezencës së NATO-s (që nuk do të jetë e përjetshme); vendin ku, qytetarët pavarësisht përkatësive etnike, fetare dhe politike të ndihen të barabartë para ligjit, si dhe faktorizimin e Kosovës nga konsumatorë në kontribuese për sigurinë si dhe integrimin e rajonit në NATO dhe BE!
  2. 4. Tirana dhe Prishtina zyrtare, e kanë përgjegjësi të lartë kombëtare dhe fisnike të demostrojnë mirënjohje ndaj ShBA/NATO-s. Ndërsa përkundër: “vendimarrjeve të pakonsultuara dhe kakofonisë për protagonizëm internacionalist”, e çmoj si emergjencë kombëtare, ngritjen e një “Grupi të Urtësh – Ëise Group” me personalitete të gjithpranuara, që përulen në gjunjë para historisë së përgjakshme dhe interesave kombëtare për t’i dhënë jetë një plafforme të përbashkët “2-Shtete sovrane, 1-Komb i vetëm”, duke garantuar parnerët strategjik se kjo “platformë e vonuar” do të kontribuojë si balancë racionale për paqen afatgjatë në rajon.

Sigurisht që: “ky projekt (2-Shtete 1-Komb), nuk ka kurrsesi lidhje me dalldisjen bollshevike që vjen nga fuqia elektorale e mbi-Pushtetit dhe as me pushtetarë kusarë që presin (duke u dridhur) radhën në SPAK; as me pluralizmin fasadë dhe as me mjerimin e opozitës të pushtuar nga sekserët; por as me aguridhet 50 milioneshe € të ish-Kryetarit të ushtrisë së vdekur si dhe një grushti egocentrikësh të sëmurë, që si kamikaz të lidhur pas karrikeve, blinduan dyert dhe mbajnë çelsat e depos së kashtës duke përmjerë mbi Institucionin/PD që u ka dhuruar kolltuqe, llokma dhe ofiqe”.

  1. 5. Ndërsa, parnerëve strategjik, aktorëve dhe Ekspertëve/Kolegëve në rajon, Ëashington, Bruksel, etj do t’i ri-sugjeroja që perspektivën e paqes dhe stabilitetin e Rajonit, ta para-kushtëzojnë me rikthimin e dy Masave të Mirëbesimit Reciprok, nëpërmjet të cilave Serbia “të imponohet” që: (1) do të ruajë balancat e fuqisë ushtarake duke mos kërcënuar integritetin teritorial të Kosovës; (2) nuk do të vendos instalime dhe as aktivitete ushtarake (25 km distancë ajrore dhe 10 km tokësorë), në kufijtë shtetërore mes vendeve, dy kushte që gjithësesi duhen të monitorohen nga USA/NATO/BE, që mbeten faktor kritik për paqen në rajon.

Në përmbledhje, përkundër riciklimit të urrejtjes dhe gjakderdhjes shekullore, besoj edhe më fortë se 24 Marsi 1999 do të mbetet një këmbanë alarmi për të mbajtur zgjuar kujtesën e popujve të rajonit, pasi: “paqja mbetet misioni i vetëm, në interes të sigurisë së jetës, pronës, mirëqënies së qytetarëve si dhe ardhmërisë euroatlatike të Kosovës, të Serbisë si dhe 4 vendeve të tjera të Ballkanit perëndimor”.

* Autori, Gjeneral  Piro Ahmetaj: 

Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n, 

Zv/President i Këshillit Atlantikut; & ish:

Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,

Këshilltar i Presidentit, Zv/ShShPFA, 

Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.