Gëzim Zilja: Etërit, bijtë dhe pushteti i frikës

29
Sigal

/Telegraf.al/ Diktaturat në themel të sundimit kanë terrorin, kamzhikun që mbjell frikën në popujt, propagandën shurdhuese që të shplan trurin dhe varfërinë. Nga diktatura populli shqiptar veçse i varfër, doli i gjymtuar shpirtërisht, moralisht dhe psikologjikisht, por pak u përpoq për të mposhtur frikën dhe për të ndërtuar një shtet demokratik. Partia komuniste ndërroi vetëm emrin dhe vazhdoi rrugën e të parëve: propagandë dhe frikë. Nga ana tjetër PD-ja që lindi si parti e shpresës vendosi në krye të saj një ish sekretar partie, që ia doli të formojë një parti me bazë gënjeshtrën, vjedhjen e votës, servilizmin, frikën ndaj liderit për kockën e dhuruar, e bindjen e verbër në këmbim të karrierës. Shqiptarët pasi shpëtuan nga diktatura, mjerisht iu përshtatën edhe këtë herë politikave të partive për interes, mbijetesë e pasurim të pamerituar. Ja ku jemi sot pas tridhjetë vitesh: Etër e bijë kanë frikë kur i vjedhin qeveritarët dhe nuk denoncojnë, kanë frikë të denoncojnë një krim në rrugë, të protestojnë kundër rritjes së çmimeve e të taksave, të ngrenë zërin kundër shefave kur i dhunojnë, kanë frikë të denoncojnë nëpunësin e hipotekës, mjekun, doganierin, tatimorin, që u rrjepin lëkurën. I mësuan djemtë e vajzat të shesin e të blejnë votën në këmbim të një thesi me miell apo të një premtimi të pamerituar. Frika bëri që Enver Hoxha me kriminelët e tij të sundonin për dyzetepesë vjet. Edhe dyzet vjet të tjera do kishte vazhduar nëse komunizmi nuk do të kishte rënë në të gjitha vendet e Lindjes. As studentët e as brezi i diktaturës nuk ka pse mburret që rrëzuan diktaturën. Diktatura ra si shkak i rënies së komunizmit në të gjithë Lindjen. Shqiptarët edhe pas rënies së diktaturës vazhduan të rrisnin fëmijë, nipa e mbesa frikacakë, pa dinjitet, hileqarë, servilë, me shpirt skllavi e shërbëtori. I mësuan dhe i mësojnë fëmijët të paguajnë për një vend pune, të jenë dredharakë, frikacakë, të përulur vetëm për një rrogë, duke i lënë të kuptojnë se eprori ka në dorë jetën e tyre. Nuk duhet të çuditen me fëmijët e nipat se janë dembela, gënjeshtarë, që kalojnë kohën në fb dhe bëjnë në përgjithësi një jetë virtuale. Ka edhe më keq, që i mësojnë të pasurohen brenda natës, duke u bërë politikanë ose servilë të tyre, u tregojnë rrugën drejt vendeve perëndimore dhe në raste të zeza atë të krimit. Ata janë pjella e tyre, i lindin, rrisin dhe edukojnë, duke u thënë: mos ia kthe fjalën mësuesit, mos kundërshto pronarin, shefin e zyrës, le të dalin në ballë e të rrezikojnë të tjerët për padrejtësitë etj, etj. I mësojnë se leku e hedh ujin përpjetë, prandaj ta fitojnë atë me çdo mjet edhe duke vajtur në Dubai, me shoqet, pa pasur asnjë lek në xhep kur je vajzë, apo duke i lëpirë parapanicën shefit nëse je djalë. S’ka gajle. S’ke ç’u bën janë më të fortë. Prandaj nënshtrohuni ose mbathjani jashtë shtetit a thua andej janë hapur dyert e parajsës. Një pjesë e brezit të ri brohoret për Ramën e Berishën, të tjerë nuk shkojnë në votime ose largohen nga e keqja pa e dënuar e luftuar atë, të tjerë sallahanen e argëtohen me paret e vjedhura të etërve politikanë apo biznesmenë. Të gjithë këta janë produkt i tranzicionit të përjetshëm shqiptar me edukim bazë familjen. Mirë brezin e 60-70 vjeçarëve, që i rrahu qysh kulishë diktatura dhe për një fjalë futeshe në burg, po këta njëzetë-tridhjetë e dyzetë vjeçarë, kush i rrahu që kulish, që vegjetojnë, e shikojnë shpëtimin e tyre jo te liria e individit, puna, dinjiteti, e konkurenca e ndershme por te përulja, vegjetimi, poshtërimi, duke u kënaqur me atë që u japin?! Universitetet janë kthyer në këneta, ku ligjin e bën rektori e dekani, që merren me tendera gardhesh e përfitime të tjera, studentët paguajnë për notat e diplomën e pameritur, që vlen vetëm në një shoqëri të korruptuar. Familja është zemra e një kombi. Po familja shqiptare ka marrë rrokullimën me kohë. Nga prindër e gjyshër, që kanë duruar apo duartrokitur diktaturën, që duruan e durojnë çdo padrejtësi që u bëhet edhe sot, vështirë të lindin e rriten fëmijë trima, që sakrifikojnë e ndeshen me padrejtësinë për të ardhmen e tyre. Ish studentët, tashmë prindër e gjyshër, që gjoja përmbysën diktaturën, në pjesën dërrmuese ia kanë mbathur nëpër botë. Nga qindra e mijëra kilometra larg, predikojnë e u mësojnë albanezëve të Albanisë sesi duhet të luftojmë kundër qeverive të korruptuara e të ndërtojnë demokracinë, kur vet ata nuk kanë fituar ende të drejtën të votojnë si emigrantë. Ata pensionistë ose pragpensionistë, që qajnë, vajtojnë e i luten Ramës të verë dorën në zemër për pensionet çdo mëngjes nëpër TV, te Bashkimi, Sefedini e Nuredini le të shijojnë atë që gatuan këta 60-70 vjet. Tu bëjë mirë gjella e liderve dhe larove të tyre! Le të shpresojnë që bijtë emigrantë do të vazhdojnë të dërgojnë ndonjë lekë të hanë bukë e të blejnë ilaçet. Ata që i kanë të gjithë fëmijët jashtë, t’i luten në gjunjë Zotit, t’i varrosë gjitoni kur të vdesin, se qeveria nuk ka fonde për të tilla çështje. Ka popuj me shpirt skllavi që pranojnë fatin dhe i luten zotit ta bëjë më mirë. Ka të tjerë që luftojnë, përpiqen, sakrifikojnë gjithçka për një jetë më të mirë dhe ia dalin! Shqipëria, etër e bijë është mbushur me llojin e parë. Pa vrarë frikën shqiptarët, të mëdhenjë e të vegjël, nuk ka liri, drejtësi, shtet demokratik dhe përparim të ekonomik të shoqërisë.