Gezim ZILJA/Çështja çame sërish e tradhëtuar

561
Sigal

Tre muaj para zgjedhjeve të reja parlamentare çështja çame është në vend numëro, madje ka bërë hapa prapa po të krahasohet me atë që arriti “Shoqata Çamëria” këtu e njëzet vjet më parë. Atëherë ishte një grusht njerëzish që pa asnjë interes iu fut Çështjes dhe ngjalli shpresa dhe entuziazëm të jashtëzakonshëm te çamët e rinj e të vjetër.Figurat e Abaz Dojakës dhe të Arshi Rexhës dhe shumë të tjerëve, përmenden edhe sot me respekt dhe nostalgji për punën e palodhur në rizgjimin e ndërgjegjes dhe ndërkombëtarizimin e çështjes çame. Emrat e tyre nuk përmenden as për vende pune të shitura, as për trafik votash dhe as për premtime kolltukësh. Punën e tyre në favor të Çështjes unë do t’a krahasoja me atë të rilindasve për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare. Edhe pse nuk ishin të pasur edhe pse nuk shtronin dreka e darka edhe pse nuk prenotonin autobusë falas, çamët grumbulloheshin rreth tyre kudo thirreshin: për marshime, tubime, apo konferenca ku diskutohej vetëm e vetëm një çështje: ajo e kthimit të pronave të çamëve. Një pjesë e atyre burrave trima e të mençur sot nuk jetojnë më. Jam i sigurt se edhe nëse i kanë varrosur me fytyrë nga qielli, ata edhe të vdekur kanë lëvizur dhe e kanë kthyer fytyrën nga Çamëria e dashur me shpresën e pashuar që një ditë të jenë atje qoftë dhe të vdekur. Por entuzaizmi, dëshira dhe shpresa që ngjalli puna e tyre,pas krijimit të partive sidomos pas vitit  2009 u fut në labirinthe bisedash, interesash, postesh, hatëresh, intrigash e përfitimesh, apo duke mbjellë folklor me këngë, valle e kostume çame nga njëra anë dhe nga ana tjetër duke fryrë e mbushur xhepat e një grushti njerëzish që kanë pak ose aspak lidhje me çështjen çame. Në sondazhin e bërë kohët e fundit nga një gazetë e përditëshme, me 2467 votues se: “kush ka fituar  nga PDIU-ja” përfundimi ishte: çamët 3,1%; Kauza 21.79%; Idrizi 75%. Edhe sikur ta marrim me rezerva prapë përfundimi është shqetësues. Gjithsesi mendoj se çamët sot janë më të përçarë se dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjet më parë dhe kauza e tyre po zbehet. Entuzaizmi i dikurshëm po ja le vendin pesimizmit dhe përfitimit vetjak. Po rendis disa arsye:

E para: Partia Socialiste dhe ajo Demokratike nuk e kanë në programin e tyre elektoral (të paktën deri tani) Problemin Çam. Çdo koalicion me këto parti ( gjë që pothuaj është e sigurt) do të hedhë në erë sërish çështjen çame dhe do të nxjerrë lakuriq të vërtetën se përfaqësuesit e tyre nuk kanë primare problemin çam por atë privat, personal që lidhet me një apo dy kolltukë në parlament dhe nja tridhjetë a dyzetë vende drejtorash e nëpunësish. Pra çdo gjë do të jetë si më parë.

E dyta: Ndryshe nga sa mendohej e shpresohej, qysh nga vendosja e flamujve kombëtarë e të partisë çame, midis dy  kryqëzimeve të lumit Lana në Tiranë, me rastin e 100 vjetorit, ajo parti nuk ka kryer më vonë asnjë aksion politik të komunitetit çam. Të paktën të zhvilloheshin protesta brenda e jashtë vendit për rastet e përsëritura të ndalimit të çamëve në kufirin grek që vendlindjen në pasaportë e kanë Çamëri.

E treta: Ndërkombëtarizimi i çështjes çame mbeti një utopi. Nuk ka një problem gjyqësor ndërkombëtar për pronat, nuk ka botime, libra, broshura,periodikë etj, për çështjen çame në gjuhën agleze të shpërndara nëpër institucione ndërkombëtare, nuk ka abetare të gjuhës shqipe në Çamëri, madje as komunitet çam të organizuar atje, të gjitha këto premtime nga udhëheqësit e PDIU-së. Ndërkombëtarizimi i kësaj çështjeje madhore mbeti në deklaratat patetike lart e poshtë të deputetëve çam. Sa i përket Greqisë, nuk ka asnjë hap zyrtar për këtë çështje.

E katërta: Menaxhimi i PDIU-së është menaxhim privat i dy deputetëve që e përdorin për interesat e tyre të ngushta me kufi ndarës lumin Vjosë. Tre muaj para zgjedhjeve kjo parti rezulton pa struktura, ku vendimet dhe emërimet bëhet nga pak njerëz. Fjala e çamëve të thjeshtë as është dëgjuar dhe as është marrë parasysh. Madje shumë nga ata e dinë që selia e PDIU-së është zyrë punësimi për çamët.

E pesta: U punësuan dhe po punësohen në poste drejtuese në emër të PDIU-së njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me Çështjen ose thjesht, njerëz të grupit apo të klanit të lidershipit. Shumë prej tyre nuk janë profesionistë në fushat e tyre madje në ndonjë rast edhe të përfolur për korrupsion.

E gjashta: PDIU-ja nuk ka shpallur ende një program elektoral, nuk ka votime për kandidatë, nuk ka mbledhje kryesie për organizim elektoral, nuk ka asnjë shprehje ose dukuri të elementëve demokratikë, parazgjedhorë.

E shtata: Rezoluta Çame e paraqitur me aq pompozitet nga deputetët çam nuk është ende në kalendarin e punimeve të parlamentit. Me sa duken bathët, janë larg pashkët, thotë një fjalë e urtë. Është e vërtetë që dorëzimi i rezolutës u shoqërua me një oqean premtimesh e zotimesh deri për dorëheqje në rast kundërshtimi, por prej atëherë (dhjetor 2012) deri tani, nga selia e PDIU-së nuk është dëgjuar ndonjë zë për rezolutën, qoftë dhe cicërimë harabeli. Në fillim të këtij muaji duke arsyetuar se PDIU-ja nuk i ka kryer detyrat që i vuri vetes, një grup jo i panjohur për komunitetin, krijoi “Senatin Çam” një organizatë që sipas tyre do t’i kushtohet vetëm dhe vetëm çështjes çame dhe që do të marrë pjesë në zgjedhjet e qershorit. Deri tani mund të themi se ndarja e votave nuk është në favor të çështjes çame. Gjithsesi shpresa vdes e fundit. Ndoshta ky grupim i ri do të jetë ai i duhuri, që do ta çojë çështjen çame drejt zgjidhjes, por kjo i mbetet së ardhmes.Të presim e të shohim.