Del nga shtrati lumi Osum, gjysma e Beratit nën uji

SHIRAT/ Lumi shemb 4 shtylla të energjisë elektrike, përmbyt tokat e mbjella bujqësore dhe qindra banesa

Shirat e rrëmbyeshëm, që kanë rënë ditët e fundit, kanë bërë që dhe prurjet e ujërave të shtratit të lumit të jenë të mëdha. Situata e ditëve të fundit ka bërë që ujërat të dalin nga shtrati dhe të përmbytin shumë banesa në qytetin e Urës –Vajgurore, Starovë, Komunën Velabisht, fshatin Moravë, Veterik në fshatin Orizaj në Komunën Otllak etj.. Gjendja më e rënduar është në qytetin e Urës- Vajgurore, ku lumi ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur për së treti herë këtë qytet. Madje, banorët e lagjeve periferike, ende nuk e kanë marr vete nga përmbytjet e mëparshme. Burime nga Bashkia e Urës-Vajgurore, bëjnë të ditur për gazetën “Telegraf”, se ujërat kanë përmbytur 23 banesa dhe një sipërfaqe të madhe, tokë bujqësore, e cila ishte e gjitha e mbjell. Dëmi për fermerët është i madh. Kreu i Bashkisë, Syrja Ormenaj, u shpreh: “Jemi në një situatë tepër të vështirë. Ne, si bashki kemi evokuar përsëri familjet e lagjes periferike pasi banesat e tyre tashmë janë të përmbytura. Askush nuk po na ndihmon. E gjitha zona që shtrihet përgjatë lumit është e përmbytur, fshatra të tërë janë prekur nga përmbytjet. Situata duket alarmante”. Po një gjendje e tillë është dhe në fshatrat e Komunës Poshnje, ku ujërat e shtratit të lumit kanë përmbytur disa banesa dhe tokë të mbjellë. Gjithsesi, kjo gjendje përsëritet sa herë që bijë shi i rrëmbyeshëm, pasi shtrati i lumit Osum është i pafortifikuar me mur betoni dhe pavarësisht kërkesave të shumta për ndërtimin e tij asnjë masë nuk është marrë.

NOA

Devijimi

Rreth 13 mijë banorë të Komunës Velabisht ndodhen që prej mbrëmjes së djeshme në errësirë të plotë. Shkak për këtë janë bërë prurjet e shumta të lumit Osum, i cili ka devijuar shtratin dhe ka shembur e marrë në rrjedhën e tij 4 shtylla të tensionit të lartë. Me gjithë kërkesat e bëra nga banorët e komuna, ende nuk është marrë asnjë masë për zëvendësimin e linjës elektrike apo gjetjen e një mënyre emergjente për furnizimin me energji të 13 fshatrave të kësaj komune. Banorët e kësaj komune shprehen se gjendja është tepër e rënduar dhe se mungesa e energjisë u ka shkaktuar mjaft dëme në familjet e tyre. Kryetari i Komunës Velabisht, Kastriot Rrapaj shprehet se devijimi i shtratit të lumit, përveçse ka shembur 4 shtyllat elektrike duke e lënë të gjithë komunës pa drita, por është duke përparuar edhe në tokat bujqësore. Mungesa e energjisë elektrike ka pezulluar njëkohësisht edhe punën e administratës së kësaj komune, e cila prej dy ditësh nuk kryen asnjë shërbim për banorët dhe asnjë aplikim për kartë identiteti apo pasaportë për banorët e Komunës Velabisht dhe 2 Komunave Sinjë e Tërpan që aplikojnë në këtë komunë.