Durrës, prefekti akuzon Dakon për përmbytjet pasi nuk ka shembur ndërtimet mbi kolektorë

546
Sigal

GJENDJE E RËNDË/ Janë mbi 80 ndërtime pa leje mbi kolektor në plazh si dhe 60 ndërtime në zonën e Porto-Romanos

Prefekti i Qarkut të Durrësit, Genc Alizoti ka kritikuar ditën e premte kreun e Bashkisë së qytetit  Vangjush Dako si një prej shkaktarëve të përmbytjeve të qytetit. Ai ka deklaruar se janë mbi 70-80 ndërtime pa leje mbi kolektorë në plazh si dhe 50-60 ndërtime në zonën e Porto-Romanos mbi kanalin e shkarkimeve të ujërave të larta, të cilat janë shkaktarët kryesore të përmbytjeve në zonë. Ky bllokim ka deklaruar Alizoti nuk lejon makineritë që të ndërhyjnë për të bërë pastrimet e kanaleve. Ai ka vijuar në deklaratën e tij, se ka mbi 2 -3 vjet që i kemi kërkuar Bashkisë, e cila ka edhe detyrimin për të bërë veprimet ligjore lidhur me këto raste për të mos i lejuar ndërtimet mbi kolektorë, duke i afruar edhe ndihmën për të realizuar këto shembje, por ka që në atë periudhe që Bashkia, megjithëse fillimisht ka qenë dakord, nuk ka dhënë asnjë përgjigje. Ndërkohë që, qytetarët kanë mbetur duke u ankuar se sa herë bie shi ata përmbyten. Për këtë Alizoti ka përmendur rastin e një ndërtimi pas Triestes, në Hekurudha, ndërtim që ka bllokuar kanalin mes për mes, por edhe që ka bërë një gardhim që nuk lejon të ndërhyhet. Fillimisht u ra dakord për të bërë shembjen, tha Prefekti, por me pas nga Bashkia nuk u dëgjua më asnjë reagim. Dhe atje situata është vazhdimisht kritike.

Situata e përmbytjeve

Situata e përmbytjeve në qytetin e Durrësit ka qenë mjaft dramatike. Në zona të ndryshme ka pasur vërshime ujërash dhe kanalizimet e bllokuara kanë përmbytur banesat. Po ka pasur një veçori. Këtë radhë më i përmbytur ka qenë vetë qyteti i Durrësit se sa zona e ish-Kënetës, kanalet e së cilës janë fryrë, por nuk arritën që të dalin në rrugë, ndërsa kryqëzimet e rrugëve të qytetit në disa zona kanë pasur ujë të shumtë, për shkak të bllokimit të kanaleve të brendshme dhe furisë së ujërave që zbrisnin nga kodrat të padisiplinuara tashmë për shkak të bllokimit dhe të ndërtimeve mbi kanale. Kanë qenë mbi 80 mjete që janë fikur nga që kanë mbetur në kryqëzimet e Durrësit në mes të ujërave që vërshonin me vrull. Përveç banesave të përmbytura në Durrës, Porto Romano etj., sipas informacionit të Prefekturës, janë përmbytur rreth 50 banesa në Katundin e Ri, 50 banesa të tjera në Sukth, 20 banesa në bregun e Lumit Erzen në Shijak. Si dhe një banesë në Bubc. Probleme ka pasur edhe me rrugët dhe rrëshqitjet në Currila, ku ka rrëshqitur një pjesë e mirë e kodrinës dhe ka mbuluar tërësisht rrugën. Po kështu problem me rrëshqitjet ka pasur edhe në Gjepalaj, Shetel, F- Krujë, Ishëm, ku janë bllokuar rrugët dhe po punohet për zhbllokimin e tyre. Mbi 600 ha tokë bujqësore janë nën ujëra në brigjet e grykëderdhjes së Ishmit si dhe ne te Erzenit.

Situatë dramatike në lagjen e bregut të lumit Erzen

Një nga banorët e lagjes së poshtme të lumit Erzen ka përjetuar momente tragjike për të dalë me not nga banesa e tij. Gëzim Uka tha se janë përmbytur në ato orë rreth 6 banesa dhe se ai mezi kishte mbijetuar. Banorët e shqetësuar kanë ngritur zërin se nuk është e rëndësishme që të ndihmohen në moment të përmbytjeve, por është më e rëndësishme që të merren masa për të mos ndodhur përmbytjet. Ata kanë shprehur shqetësimin e tyre, se pasi mbaron situata e emergjencës, askush nuk e vret mendjen deri në vërshimin tjetër. Lumi i Erzenit kanë thënë ata është spostuar nga hedhjet e dherave për të ndërtuar biznese mbi to. Dhe për këtë askush nuk shqetësohet.