Manipulatorët e investimeve dhe demagogjia mbi punësimin dhe meritokracinë

587
Prof. Dr. Lush SUSAJ

Të gjithë e njohin faktin se si manipuluesi, karakterizohet nga mendjemadhësia dhe demagogjia e shfrenuar mbi ngjarje dhe realitete të deformuara. Në këtë mënyrë, manipuluesi ose të ka mashtruar ose të ka piketuar për të mashtruar me patjetër. Nga pamja e jashtme, manipulatori (por edhe hajduti), është njeri i zakonshëm, prandaj duhet një kujdes pak më i lartë për të kuptuar lajkat, servilizmin, sjelljen e shtirur, ligësinë dhe etjen e tyre për të abuzuar, sunduar dhe vjedhur çdo pronë, çdo të mirë apo çdo arritje shoqërore. Zakonisht, manipulatori zhvillon një demagogji idiote e të shfrenuar, siç thotë populli rren ditën për dell e pa asnjë pikë turpi e sikleti. Kjo ndodh për faktin që pjesëtarët e shumtë të piramidës manipulatore të administratës, në përgjithësi janë karaktere të deformuara nga grykësia, nga ndjenja e madhështisë dhe e plotfuqishmërisë së tyre mbi realitetin politik, shoqëror dhe ekonomik. Madje janë aq të paturpshëm dhe injorantë sa që mendojnë që çdo pasuri, çdo vlerë shoqërore, çdo investim dhe kapacitet tekniko shkencor e profesional i vendit, duhet t’i nënshtrohet marrisë së mendjes së tyre. Sipas kokës së tyre të sëmurë, çdo njeri apo personazh i njohur shoqëror, akademik dhe politik duhet të behët duartrokitës dhe fasadë për prezencën dhe demagogjinë e tyre manipulative. Më e keqja qëndron tek manipuluesit e ngjitur në krye të institucioneve të larta të shtetit të cilët nuk lënë mjet pa përdorur për të zgjatur kohen e tyre manipuluese e korruptive. Për manipuluesit tonë politikë dhe institucionalë, duket sikur nuk ekziston racionaliteti as ndjenja e përgjegjësisë ndaj premtimeve, ndaj votës dhe misionit zhvillimor që buron prej sajë. Për manipuluesit dhe demagogët, fajtor janë njerëzit e thjeshtë, është populli që paguan taksa e që duhet të vazhdojë të besojë e të durojë në mashtrimet e tyre e deri në atë fyerjen e përditshme sipas të cilës, në Shqipëri ka punë por nuk ka njerëz që dinë e që duan të punojnë. Në këtë mënyrë, nga njerëzit e përkëdhelur nga jeta e tyre në bollëk e që realisht kurrë nuk janë përballur me të vërtetën e punës dhe jetës të shqiptarëve, po behët një presion i jashtëzakonshëm demoralizues ndaj njerëzve që janë shumë punëtorë e që zotërojnë disa profesione, duke filluar nga ato që kanë të bëjnë me punët e bujqësisë e deri tek ato të fushës së ndërtimit dhe teknologjive të avancuara. Me të drejtë njerëzit ndihen të fyer nga injoranca e zyrtarëve të cilët dalin përballë njerëzve që u është shkatërruar punësimi nga korrupsioni dhe hajdutëria e në vend që të bëjnë autokritikë e të kërkojnë falje të sinqertë, aludojnë dhe përhapin rrena të tilla sikur shqiptarët nuk janë profesionistë, nuk janë të arsimuar, janë dembel dhe nuk duan që të punojnë.

Retorika e pavërtetë
Kjo retorikë është e pavërtetë dhe e padurueshme edhe për faktin që, sipas atyre që flasin me këtë gjuhë, në Shqipërinë e rilindjeje dhe rimashtrimeve, në këto 28 vite, shqiptarët na janë shndërruar në një formë të denatyruar të species njerëzore që nuk din as me shty karrocën, as me punuar tokën, as me ndërtuar mure, as me thye gurë me varre, as me prashitur bimët, as me kullotur bagëtinë, etj. Sipas mendjes së tyre të vockël, populli ynë duhet të behët urë, të besojë e të bëjë dua për manipulimin, mashtrimin, injorancën dhe dekadencën që buron nga qeverisja pa shpirt e pa ligje e çunave të rrugicës, e çunave të lagjes apo e çunave të plazhit që nuk kanë asnjë ide as ndjesi për tokën as për jetën e shqiptarëve që varfërohen çdo ditë. Në këtë kontekst, duket që sundimtarët e sotëm, akoma vazhdojnë që të mendojë që shqiptarët nuk e dinë shkakun dhe as mënyrën se si u është shkatërruar punësimi, prodhimi, jetesa dhe mirëqenia në vendin e tyre. Realisht, nuk besoj të ketë njeri në këtë vend që nuk e dinë faktin që kanalet kulluese dhe ujitëse të këtyre 27 viteve nuk u hapën dhe nuk funksionojnë për shkak se investimet e buxhetit të shtetit dhe donacionet ndërkombëtare janë vjedhur pa u parë dhe pa u prekur nga askush përveç atyre që i përvetësuan duke i shndërruar në dosje fiktive të mbushura me fotografi, me shkresa korruptive dhe me konferenca mediokriteti.

Roli i blegtorisë 
Shqiptarët e dinë mirë faktin se si në bujqësinë e Kalifornisë, për nga të ardhurat dhe punësimin, vendin e parë e zë blegtoria dhe të dytin vreshtaria, ndërsa në Shqipërinë e ndritur nga rilindjet dhe rimashtrimet, blegtoria dhe vreshtaria ka prekur nivelet më të ulëta të 1000 viteve të fundit. E gjithë kjo ka ndodhur dhe vazhdon që të ndodh vetëm për shkak se investimet, grantet, projektet dhe donacionet për blegtorinë, për vreshtarinë, për pemëtarinë etj., kurrë nuk shkuan tek puna, tek toka as tek prodhuesi. Në këtë mënyrë, përveç shkatërrimit pa mëshirë të gjitha vendbanimeve dhe resurseve tona natyrore, duket që është krijuar papunësia më e madhe dhe më e panevojshme që kemi pasur ndonjëherë. Kështu është rritur varfëria, është rritur lëvizja kaotike e popullsisë dhe po përshpejtohet edhe shpopullimi, largimi i rinisë, i fuqisë punëtore dhe kapaciteteve më të mira tekniko-profesionale të vendit. Ka ardhur koha që demagogët dhe manipulatorët e politikës shqiptare, ndaj vetës dhe ndajë çunave të hashashit dhe të trotuarit duhet të bëjnë një pyetje mbi faktin se: si ka mundësi që këta njerëz të lenë pa punë e pa mjete jetese e të përfolur e të fyer nga qeveritarët si dembelë dhe injorantë, sapo arrijnë në Gjermani, Angli, Zvicër, Suedi, madje dhe në Mal të Zi, etj, arrijnë të punojnë, madje punojnë shumë më mirë se emigrantët e tjerë, ata dallohen për profesionalizëm të lartë, për humanizëm dhe për ndershmëri. Manipulatorët dhe demagogët e politikës së rilindjeje dhe rimashtrimeve të këtyre 28 viteve duhet të analizojnë faktin se përse po vidhen dhe po rrënohen çdo ditë prodhuesit bujqësor të Lushnjes, Korçës, Dibrës, Kukësit, Shkodrës, Koplikut etj., që për vite me radhë kanë investuar në bujqësi, në sera, në blegtori, në patate, në vreshta, në pemëtari, etj. Këta njerëz, sipas një profesori izraelit dhe të gjithë vizitorëve të shumtë të zonës, janë profesionistë të një niveli shumë të lartë, por që për shkaqe administrative, si çdo vit bujqësor, prodhimet e tyre ose i shesin nën kosto ose i hedhin në kanal. Sipas manipulatorëve dhe demagogëve, përsëri fajin e kanë bujqit, e ka populli. Sipas politikanëve tonë të dështuar e të turpëruar për situatën e krijuar, punëtori që punon në bujqësi, krahas prashitjes dhe punëve të tjera të përditshme në fermën e tij bujqësore, duhet të bëjë edhe agro-eksportin, edhe rajonizimin profesional, edhe standardin dhe certifikimin e fidanëve dhe pajisjeve të tjera bujqësore, etj. E gjithë kjo ndodh për shkak se administrata jonë shtetërore (e çdo niveli), nuk ka profesionalizëm dhe as aromë meritokracie. Madje edhe në të tilla raste specifike sikur është Ministria e Bujqësisë dhe Universiteti Bujqësor, në vend që të ketë bashkëpunim të frytshëm dhe në shërbim të rritjes së efektivitetit të investimeve në bujqësi, blegtori, etj, vazhdohet përsëri me atë traditën e njohur të fasadave dhe zgjidhjeve të gabuara konspirative e korruptive. E gjithë kjo është arritur dhe arrihet duke e mënjanuar qëllimisht ekspertizën, autoritetin dhe oponencën e mirëfilltë shkencore të departamenteve që mbulojnë fushat specifike të bujqësisë, blegtorisë, sistemimeve, etj. E gjithë kjo lojë korruptive, njëlloj si më parë po zhvillohet përmes shoqatave të krijuara dhe të drejtuara nga vetë zyrtarët e lartë të ministrive që si me magji arrijnë dhe i fitojnë të gjitha projektet, marrin të gjitha investimet, mendojnë se i dinë të gjitha, mendojnë se duhet t’i bëjnë të gjitha. Në të vërtetë nuk dinë asgjë më shumë se të korruptuar, varfëruar, mashtruar e manipuluar pa frikë e pa turp. Nuk është e rastit që për vite me radhë, të gjitha studimet, investimet dhe projektet në bujqësi dhe në mjedis e që padyshim janë burimi më i madh i punësimit dhe i rritjes së të ardhurave, janë administruar dhe administrohen nga 2-3 njerëz që kanë krijuar nga një rrjet shoqatash të korrupsionit, hajnisë dhe fiktivitetit. Nëse, p.sh midis ministrisë së bujqësisë dhe universitetit do të kishte një bashkëpunim real, kurrë nuk do të ishim në këtë situatë kaotike dhe defaktorizuese për tregun e punës dhe të prodhimeve. Bashkëpunimi real lidhet me misionin bazë të shkollës që sipas Luigj Gurakuqit (1912) është:“shkolla në shërbim të mirëqenies dhe të çështjes kombëtare”. Bashkëpunimi ka në themel profesionistët e fushave dhe të degëve të bujqësisë që në asnjë kohë e rrethanë nuk mund të bëheshin shkaktarë apo përgjegjës të kësaj situate, pothuajse të pashpresë. Në periudhën që populli ynë i mrekullueshëm e quan “koha e Sali Berishës” (kështu shkrihet koha me emrin e personazheve dhe periudhave nën pushtime e despotizëm), një grup militantësh e shoqatash të babëzitura për donacione e financime, duket sikur e patën mashtruar ministrin e bujqësisë dhe kryeministrin duke i kërkuar që të financonte mbjelljen e bananes në Lushnje, në Divjakë dhe në zonat e tjera në Jug të Shqipërisë. Edhe në atë kohë folëm hapur dhe fjala jonë u dëgjua nga ata pak specialistë të ditur që arritën që të emëroheshin e punonin në atë institucion. Njëlloj si atëherë, madje në përmasa edhe më të mëdha abuzivizmi, tani morëm vesh që është hedhur ideja e financimit të kultivimit të Avokados në Divjakë dhe në zonat e tjera të bregdetit. Kështu ka ndodhur dhe do të ndodh sa herë që rajonizimin e kulturave bujqësore dhe orientimin e investimeve në këto fusha (sidomos të vreshtave, agrumeve dhe pemë frutore) e bëjnë militantët, veterineret dhe pisanjosët që mëzi janë diplomuar për të punuar në ara e jo për t’u punësuar pa meritë nëpër institucionet nga ku priten të tjera alternative për prodhimin, eksportet, punësimin, marketingun, rajonizimin, specializimin e kulturave dhe rajoneve, efektivitetin e investimeve etj.

Nuk kam forcën për të parandaluar
Unë nuk pretendoj se kam forcën për të parandaluar përdorimin pa kriter të rreth 100 milionë eurove të adresuara për bujqësinë, ama kam forcën dhe argumentin për të paralajmëruar pamundësinë totale të kultivimit të Avokados në Shqipëri. Këtë e bazoj në dy shkaqe të pa manipulueshme në vite e shekuj. Së pari, kjo bimë është provuar të kultivohet në Borsh që në vitet 1970-1980 dhe nuk ka dhënë asnjë rezultat. Së dyti, nuk mund të kultivohet në Shqipëri për shkak se kjo bimë thahet në kushtet e temperaturës së ulët – 2,5oC, kjo e pamundëson kultivimin e avokados në të gjithë Shqipërinë. Me këtë rast, për ata që ngatërrojnë pozicionin gjeografik të Shqipërisë me Jugun e Italisë, me Spanjën apo me Izraelin, po kujtoj faktin që Shqipëria shtrihet midis gjerësisë gjeografike veriore 39º38’ (në jug të Konispolit), dhe 42º39’ (në skajin verior të Vermoshit), ndërmjet gjatësisë gjeografike perëndimore 19º16’ (Ishulli i Sazanit), dhe gjatësisë gjeografike lindore 21º 4’ (fshati Vernik në rrethin e Korçës). Ju kujtoj edhe faktin që, sipas ligjit Bioklimatik të Hobkinsit, 1o gjerësi gjeografike është e barabartë me 5o gjatësi gjeografike, etj, nga ku buron e gjithë ecuria e treguesve klimatik, sidomos regjimi i temperaturës që përcakton edhe përhapjen e llojeve dhe kultivarëve. E them këtë për të shprehur edhe njëherë sigurinë time në lidhje me faktin që, çdo qindarkë e shpenzuar për Avokadon, nuk është asgjë më tepër se shpërdorim dhe dështim. Do të jetë një investim me zero impakt, njëlloj si në rastin e ndërtimit të serave të domates dhe kastravecit në zonat ku në vite të veçanta godasin murlanet, ngricat dhe ciklonet. Është njëlloj si dështimet me bananen apo me krijimin e vreshtave në zonat që goditën shpesh nga breshëri dhe ngricat e vona të pranverës etj. Për këto e shumë më tepër, demagogjia dhe manipulimi me varfërinë dhe me punësimin nuk sjellin asnjë të mirë shoqërore. Rruga jonë e zhvillimit kalon vetëm përmes administrimit shkencor e profesional të resurseve tona prodhuese dhe të kapaciteteve menaxhuese e intelektuale të vendit. Shqipëria ka profesionistë të njohur e të certifikuar në të gjitha fushat e prodhimit dhe të administrimit ekonomik e shoqëror. Shqiptarët duan të punojnë e të jetojnë në vatrat e tyre dhe pranë familjeve të tyre. Ka ardhur koha për t’i dhënë fund manipulimit iritues mbi punën dhe punësimin, është koha për të pranuar faktin se punësimi dhe zhvillimi ekonomik e shoqëror i vendit tonë arrihet duke luftuar korrupsionin në investime dhe duke i adresuar punët dhe politikat zhvillimore tek profesionistët e jo tek shoqatat e funksionarëve abuzues e mediokër. 
Sigal