Publikohet nga MASH, lista e re me 170 emra që u është konvertuar diploma

554
Sigal

ZYRTARE/Kriteret dhe procedurat që duhen ndjekur për njohjen e diplomave të huaja

 Është publikuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, lista e re me emrat e personave që u është njësuar diploma. Janë 170 emra të rijë që duhet të tërheqin diplomat e njësuara. Burime nga MASH, bëjnë të ditur se numri i studentëve shqiptarë që janë kthyer në atdhe, pas përfundimit të studimeve dhe që kanë dorëzuar dokumentet në MASH për konvertimin e diplomës është rritur. Përfaqësues pranë MASH-it pohojnë se për periudha të caktuara ka pasur dyndje për konvertimin e diplomave të huaja dhe kryesisht, janë studentë të kthyer nga shtetet fqinje, si Italia apo Greqia. Ndër të tjera, specialistët thonë se për t’u ardhur në ndihmë të rinjve të sapo kthyer, që duan të punësohen në vend apo të vazhdojnë studimet, procedurat për njohjen e diplomave kryhen në një kohë më të shkurtër se 45-ditëshi, ndërsa për rastet që dyshohen se kanë dokumente të falsifikuara, procedurat zgjasin.

Dokumentet që merren në shqyrtim

Burime pranë MASH-it konfirmojnë se fusha e veprimtarisë së njohjes së kualifikimeve të fituara kryhet nga Drejtoria e Politikave të Arsimit të Lartë dhe ka për qëllim:

a) Të administrojë dhe të kryejë procedurat për të gjitha aplikimet për njohje të diplomave të përfunduara të ciklit të parë, të ciklit të dytë, të diplomave Master i Nivelit të Dytë, si dhe certifikatave të specializimit të fituara jashtë shtetit;

b) Të kryejë procedurën verifikuese për vërtetësinë e certifikatave apo diplomave të tjera universitare, të fituara jashtë shtetit kur kërkohet nga institucione të tjera;

c) Të kryejë procedurën verifikuese për vërtetësinë e certifikatave apo diplomave universitare të fituara në Republikën e Shqipërisë, kur kërkohet nga institucione të tjera jashtë shtetit. Ndërkohë, MASH-i nuk do të shqyrtojë diploma dhe kualifikime të fituara nga institucione të akredituara në Republikën e Shqipërisë, kurse studimi të paplotësuara. Këto shqyrtohen nga Institucioni i Arsimit të Lartë, ku aplikanti kërkon të vijojë/përfundojë studimet në përputhje me statutin/rregulloren e tij; certifikata për kurse të vetme si gjuhë e huaj, kompjuter, diploma ose certifikata, lëshuar nga institucione të huaja që nuk kanë legjitimitetin e duhur; dokumentet që nuk janë origjinale apo të njëvlershme me to, diploma ose certifikata të fituara në shkolla të larta ushtarake, përjashtuar diplomat për drejtime civile të studimeve, si dhe diploma dhe certifikata të fituara në shkolla të larta fetare, përjashtuar diplomat për drejtimet civile të studimeve.

Procedura e aplikimit

Sipas udhëzimit më të ri të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, dosja e aplikimit duhet të përmbajë dokumentet e mëposhtme:

a) Formatin e aplikimit të plotësuar;

b) Diplomën ose certifikatën/vërtetimin e diplomimit;

c) Listën e notave ose suplementin e diplomës;

d) Dokument zyrtar identiteti: fotokopje e pasaportës dhe kartës së identitetit për shtetasit shqiptarë dhe të huaj;

e) Mandat-pagesën.

Dokumentet pranohen origjinalë ose fotokopje të noterizuara. Ndërsa për shtetasit e huaj, dokumentet duhet të jenë me përkthim të vërtetuar. Sipas udhëzimit të MASH-it, të paktën një nga dokumentet bazë që konfirmon diplomimin apo mbarimin e suksesshëm të kursit të studimit që do njihet, duhet të jetë i legalizuar me Vulën Apostille ose nga Ambasada Shqiptare, ose nga Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë. Në rast pamundësie të marrjes së legalizimit, aplikimi do të pranohet edhe pa dokument të legalizuar. Aplikimi duhet të dërgohet me postë në Zyrën e Marrëdhënieve me Publikun të MASH-it. Brenda 3 (tre) ditësh, Sektori i Njohjes së Diplomave (SENJOD) informon aplikantin për mbërritjen dhe plotësinë e dosjes.