Gëzim Tushi: Nëse nuk merr pjesë në zgjedhje, i ke thënë lamtumirë lirisë

-9 nëntori është një tërmet elektoral që duhet konsideruar dhe vlerësuar në impaktet e ardhshme politike.

Zgjedhjet treguan politikën e gabuar, rrezikun e ftohjes me popullin që mbjell elektorat apatik

NOA

– Njerëzit i kanë të shtuara dyshimet, se korrupsioni ose “zyra e administrimit” është e lidhur me faktin, se ato janë mjeti që të bëjnë të pasur.

– Mesazhi i këtij refuzimi elektoral, është: që politika të ndryshojë sjelljen në raport me nevojat e qytetarit si individ dhe komunitetit që ka në juridiksion administrative.

-Mospjesëmarrja në zgjedhje ishte një karshillëk social, i “qytetarit të atomizuar” dhe indiferent ndaj politikës

– Mospjesëmarrja historikisht më e ulët në votim e qytetarit me të drejtë vote, ka ca të vërteta që politika nuk mund t’i mbulojë me “logjikë struci”.

 

-Gëzim Tushi- Mjeshtër i Madh

 

Zgjedhjet e 9 nëtorit duhen vlerësuar politikisht dhe duhen analizuar sociologjikisht si një sinjal me rëndësi për shëndetin aktual dhe të ardhmen e demokracisë në Shqipëri. Ndaj duhet diagnostikuar kjo ngjarje, në dukje politikisht periferike, por pas të cilës fshihen shumë sinjale, që duhen vlerësuar në vetvete duke i dhënë njëkohësisht përgjigje pyetjes: Pjesëmarja me vetëm 18% në këto zgjedhje, është shfaqje e zgjerimit të fashës demografike të qytetarit individualist, indiferent dhe apatik, apo të qytetarit të mërzitur nga klasa politike që në këto zgjedhje u shfaq me ndërgjegje politikisht skeptik dhe individualisht refuzues! Duhet me qënë realist, sepse pas kësaj shifre historikisht më të ulët të pjesëmarrjes në votim të qytetarit me të drejtë vote, ka ca të vërteta që politika nuk mund t’i mbulojë me “logjikë struci”. A është anomali rastësore apo është shprehje e diçkaje thelbësore që fshihet pas kësaj shifre, e cila duhet lexuar dhe interpretuar drejt?

Këto ditë ka filluar debati i përgjithshëm politik e mediatik për të analizuar, diskutuar, debatuar, diagnostikuar rezultatet e zgjedhjeve të pjesshme në pesë bashki të vendit. Padyshim, rezultatet e 9 nëntorit nuk duhen parë në mënyrë sempliste dhe as nuk duhen interpretuar duke fshehur shkaqet dhe motivet e vërteta të këtij rezultati elektoral, që sipas mendimit tim duhen parë me optikë perspektive, ngaqë ato mund të jenë sinjali i një “dinamike shpërthyese” elektorale, mbase të panjohur deri tani në fushatat për zgjedhje politike dhe lokale të mëparshme. Kjo është një kthesë, mbase jo e papritur, po që shikojmë kurbën e zhvillimeve politike në Shqipëri. Por sidoqoftë, 9 nëntori është një tërmet elektoral që duhet konsideruar dhe vlerësuar në impaktet e ardhshme politike.

Analiza socio-politike është e udhës të jetë përtej argumentimeve dhe pozicioneve mekanikisht dikotomike e argumentimeve militanteske të politikës së majtë apo të djathtë. Është e natyrshme që idetë, pozicionet dhe argumentet e tyre janë të ndryshme. Debati politik midis PS-së dhe PD-së për këtë ngjarje është pragmatik dhe i natyrshëm. Edhe dikotomia e pikëpamjeve dhe qëndrimeve po ashtu, sepse si për të gjitha debatet politike, edhe për ngjarjen e zgjedhjeve të 9 nëntorit, nuk ka një të vërtetë të përbashkët dhe unike për të gjithë. Ka një të vërtetë për një pjesë dhe një të vërtetë për pjesën tjetër. Kjo është politika. Por ajo që bie në sy, është fakti që po ndeshemi me argumentime të sforcuara për rezultatet respektive të zgjedhjeve të 9 nëntorit. Përgjithësisht e mbuluar nga shpjegime përjashtuese dhe argumentime të njëanshme.

Së pari përtej inateve, pakënaqësive sociale e individuale me politikën, apo kandidatët e nominuar, të zgjedhur apo të vetë ofruar, qytetari i ndërgjegjshëm që nuk mori pjesë apo që me ndërgjegje refuzoi pjesëmarrjen në votime, duhet të kuptojë vlerën apo antivlerën e këtij qëndrimi. Personalisht e mendoj shqetësuese atë që ndodhi, dhe si sociolog mendoj se duhet intervenuar më në thellësi të kësaj ngjarjeje, e cila në mënyrë sintetike është produkt politik që ka shumë arsye me natyrë sociale, personale dhe individuale, të sintetizuara në marrëdhëniet midis përfaqësuesve politikë për pushtetin vendor dhe zgjedhësve. Ngjarja duket në pamje të parë si një karshillëk social, i “qytetarit të atomizuar” dhe indiferent ndaj politikës.

Kjo është ana e jashtme e asaj, që sociologjikisht lidhet me nivelin konceptual dhe kulturor të raporteve midis zgjedhësit dhe të zgjedhurve, me nivelin aktual të traditës demokratike, që lidhet me qytetarin që mbyllet në jetën private nga që nuk ka besim në jetën publike apo në rolin që luajnë zgjedhjet në zgjidhjen e problemeve ekonomike, sociale, urbane e ambiantale. Mesazhi i 9 nëntorit është i qartë dhe fare evident: qytetarët u treguan indiferentë, jo nga arsye cinike apo pakënaqësi nominale, të personalizuara. Edhe ato janë, dhe doemos mënyra e përzgjedhjes së kandidatëve kësaj rradhe, ishte një shprehje e një lloj “demokracie të administruar”, që ka filluar të konturohet në të gjithë krahët e politikës. Por kryesore dhe mesazhi i këtij refuzimi elektoral, që duhet kuptuar dhe përkthyer si duhet nga politika është: të ndryshojnë raportet dhe marrëdhëniet midis të zgjedhurve vendor dhe qytetarëve, shmangia e sindromës së transformimit arrogant të sjelljes dhe deformimit të personalitetit të atyre që “hipin” në pushtet, që ndryshojnë sjelljen në raport me nevojat e qytetarit si individ dhe komunitetit që ka në juridiksion administrativ.

Refuzimi i 9 nëntorit sipas mendimit tim, është reagim ndaj nevojës, që ata që zgjidhen të jenë jo në shërbim të vetes, klaneve fisnore, apo militantëve politikë respektivë, por në shërbim të shoqërisë, për zgjidhjen e problemeve sociale, ekonomike, kulturës, transportit, mirëqënies, etj. Jo vetëm kaq, qytetarët treguan se janë kundër faktit, që jo pak pushtetarë lokalë kanë shfaqur tendenca të forta korruptive e sjellje mashtruese. Qytetari nuk ka mekanizma të kontrollit dhe ndëshkimit të përfaqësuesve të korruptuar të pushtetit vendor. Ai ka vetëm votën. Dhe me sa duket kësaj here, në këto zgjedhje u mundua dhe besoi se refuzimi mund të ishte një mesazh për ata që u zgjodhën e që duhet t’i “vënë gishtin kokës”.

Njerëzit i kanë të shtuara dyshimet, se korrupsioni ose “zyra e administimit” është e lidhur me faktin, se ato janë mjeti që të bëjnë të pasur. Shoqëria shqiptare në këto momente është ekzistencialisht e tronditur. Pavarësisht nga përmasat e vërteta, zgjerimet, zmadhimet apo hipertrofizimet për qëllime politike konkurenciale dhe përfitime pragmatiste, është fakt që duhet njohur, pranuar dhe luftuar frontalisht dhe në të njëjtën kohë. Në mënyrë të vazhduar, jo me pauza politike apo fushata të ndëshkimeve ligjore.

Pavarësisht niveleve, është evidente që ka një përhapje të korrupsionit, i cili akoma është në fazën e “tumorrit” politik e social, mbi të cilin me vullnet politik apo instrumentet e drejtësisë mund të “inkapsulohet” dhe të luftohet. Ky fenomen është më shumë sëmundje e “jakave të bardha” dhe “…lind kur ata që janë në krye, mund t’i shndërrojnë pozicionet e tyre të autoritetit në avantazhe më të mëdha materiale dhe shoqërore se të tjerët”.

Pavarësisht këtij refuzimi, zgjedhjet u bënë dhe fitimtarët dhe humbësit u përcaktuan. Edhe pse jo të gjithë shprehën vullnetin, të drejtën kryesore kushtetuese si qytetar, ata duhet ta kuptojnë se “fshehja”, refuzimi apo kontestimi i ndërgjegjshëm, apo cinik qoftë, nuk i shpëton ata nga fakti, që nuk mund të shmangin statusin si taksapagues, edhe pse nuk janë votues dhe nuk e kanë shprehur vullnetin nominal për fitimtarin apo humbësin e zgjedhjeve të pushtetit vendor. E vetmja gjë që politikisht ka peshë socio-politike mbi pozitën e qytetarit, është fakti që ai me këtë “sjellje politike refuzuese” e rëndon veten në pozitën elektoralisht të margjinalizuar, dhe statusin e qytetarit jo aktiv. Megjithatë sinjali i 9 nëntorit duhet parë më thellë, duhet interpretuar me “lenten e perspektives” së zgjedhjeve demokratike në Shqipëri. Nuk duhet konsideruar sukses, ky nivel i lartë i bojkotimit elektoral, ky abstenim nga jeta politike lokale. Kjo ngjarje sociologjikisht tregon se ka një evolucion të kulturës aktuale politike, që ka ndryshuar tipologjinë e raporteve të dikurshme, midis zgjedhësit besnik dhe qëndrueshmërisë mekanike brenda “guackës politike”.

Unë besoj se tashmë jemi në fazën e kapërximit të ndarjes klasike elektorale dhe tipologjisë së qytetarit besnik deri në fund dhe pa kushte me partinë e tij. Zgjedhjet e 9 nëntorit kam përshtypjen se janë sinjal më i sigurt, për të analizuar dhe diagnostikuar shfaqjen e “individëve dhe segmenteve të paparashikuar elektoral”. Ka kohë që sociologët politikë, flasin për dukurinë e shfaqjes së krizës së “kulturave politike tradicionale dhe paparashikueshmërinë e zgjdhësve të tyre, të cilët tregojnë gjithnjë e më shumë gatishmëri për t’i braktisur partitë e tyre tradicionale”. Marco Reveli, “Populizmi” f. 104

Megjithatë ky sinjal, tregon se nëse raportet e politikës dhe atyre që synojnë karrierë politike, do vazhdojnë të jenë të tilla dhe do të ecin në këtë kurbë rënëse, atëhere fanomeni i “elektoratit apatik”, i fashës së “zgjedhësit refuzues” do të vijë duke u agravuar. Nuk është anomal e thjeshtë kjo pjesëmarrje e ulët, por është një tregues i zbehjes, ftohjes dhe shtimit të dozave të mosbesimit të qytetarit ndaj elitës politike. Shifra e atyre që nuk votuan në këto zgjedhje, duhet konsideruar si tendencë shqetësuese politikisht dhe kërcënuese elektoralisht. Politikanët këto ditë, edhe pse e ndjenë në palcë shijen e hidhur të refuzimit apo abstenimit ndaj këtij procesi, u munduan të justifikohen me shumë faktorë ekstra politikë dhe përtej elektoralë, duke e lidhur me faktorë, të cilët, mund të kenë patur ndikim, por që nuk janë thelbësorë, aq më pak të mjaftueshëm për të justifikuar këtë rezultat. Propaganda justifikuese, e bazuar në gjetjen e shkakut vetëm në një arsye (koha e keqe) nuk është as e mjaftueshme, as mbushamendëse. Sipas mendimit tim, kjo ngjarje në sintezë dhe domethënien e saj, nëse duam të jemi të vërtetë në diagnostikimin elektoral, duhet të pranojmë se kjo ngjarje nuk një arsye. Edhe pse mund të jetë, nuk është e vetmja.

Përkundrazi zgjerimi kritik i përmasave të elektoratit apatik ka shumë arsye. Pyetja që kam është: a do e vlerësojë politika këtë “shuplakë elektorale” apo do përpiqet ta konsiderojë si ngjarje aksidentale, e lidhur me faktorë më shumë natyrorë se sa politike dhe administrative, të lidhur me nivelin dhe cilësinë e qeverisjeve nga pushteti lokal? A do e ndërrmarë politika një studim, analizë sociologjike për të kuptuar atë që fshihet pas rezultateve të 9 nëntorit, për të trajtuar problemet që kërkojnë përgjigje nga politika e të gjithë krahëve, duke analizuar thellë dhe mbase duke i pyetur qytetarët për shkaqet që nuk duken të këtij qëndrimi. Mos vallë është mungesa e shpresës? Pakënaqësia me mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve respektive?

Në sociologjinë politike moderne ka shpjegime adekuate për situata të tilla analoge me 9 nëntorin, që i japin një lloj shpjegimi arsyeve të bojkotimit elektoral nga qytetarët. “Hamendësimi që karakterizon pasivitetin e qytetarëve dhe votuesve,…është që situata, pra gjëndja ekzistuese është e pakalueshme dhe e palëvizshme”. Marc Ague, “E ardhmja” f. 24

Personalisht mendoj se kjo sjellje elektorale, duhet vlerësuar “a la page”, sepse nuk është vetëm një faktor që determinoi këtë sjellje refuzuese elektorale. E kanë gabim ata që bëjnë të habiturin pas këtij rezultati. Nuk ka asgjë misterioze në këtë qëndrim elektoral. Problemi është më i thellë, është strukturor, ka të bëjë në mënyrë direkte dhe indirekte me mënyrën si ka filluar t’i ndërtojë politika marrëdhëniet me qytetarin, shtimin e dozave të autoritarizmit në përzgjedhjen e kandidatëve, në rezultatet jo të kënaqshme të administrimit të pushtetit vendor në vite, skepticizmi se gjërat do mund të ndryshojnë, qëndrimi i distancuar nga njerëzit, kufiri i zgjeruar i distancës sociale midis pushtetit dhe qytetarit, etj.

Por duhet parë edhe ana tjetër, që ka të bëjë me peshën e njeriut si qytetar dhe zgjedhës. Sepse qytetari që nuk voton apo me ndërgjegje dhe arsyetime të ndryshme, i shmanget kutisë së votimit, politikisht jo vetëm nuk është qytetar aktiv por është më shumë një “njeri i rastësishëm”, që ka shkelur marrëveshjen demokratike me Kushtetitën, që detyron dhe garanton lirinë dhe të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Ky qëndrim i “apatisë elektorale”, që gradualisht është shfaqur në të gjitha zgjedhjet politike dhe lokale të kohëve të fundit, është në logjikën e veçorisë interesante që ka përfshirë politikën kudo. Në analizën e kësaj situate filozofi Pjere Bourdieu, thekson se ndryshimet në jetën e kohës postmoderne “kanë rënuar themelet e solidaritetit të dikurshëm dhe se rezultati i “zhgënjimit shkon dorë për dore me vdekjen e shpirtit të militantizmit dhe pjesëmarrjes politike”. Z. Bauman, “Moderniteti i lëngët”, f. 206

Por pavarësisht argumentimeve teorike apo argumentimeve sociologjike, pjesëmarrja e ulët në këto zgjedhje, edhe pse nuk e pengon daljen e rezultatit ka brenda probleme të interpretimeve në nivel matematik statistikor e demografik, që tregojnë se kjo ngjarje nuk është vetëm shprehje e vetëvlerësimit të ulët të vetes, statusit si qytetar, përgjgjegjësisë elektorale si banor i një njësie lokale, por në një farë mënyre e bën të brishtë, të cënuar moralisht legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve.

Mbi të gjitha unë mendoj se nuk është e vështirë që politika të nxjerrë konkluzionet e duhura për këtë situatë, e cila përtej çdo ambalazhi justifikues dhe formave të shpjegimit nga politika, aktorët dhe liderët e saj, i vlerësuar sipas standarteve dhe normave elektorale, mund dhe duhet konsideruar si ngjarje që cënoi rëndë idenë dhe nevojën e pjesëmarrjes demokratike të qytetarit në zgjedhje. Mos bëni shpjegime të sforcuara të shkaqeve të kësaj ngjarjeje, duke luajtur me “format e shpjegimit”. Qytetarët duan shkaqet e vërteta, mesazhin e duhur se çfarë do bëjë politika për të ndaluar agravimin e fenomenit të “qytetarit apatik”, votuesit indiferent, skeptik e refuzues. Ka disa gjëra që duhen analizuar dhe duan përgjigje politike e sociologjike. Hapësira politike në kohë fushatash nuk ka nevojë për bravura false e butafori boshe, por për argumentime mbushamendëse. Banalizimi i kësaj fushate përveç të tjerash është e lidhur me mungesën pothuaj absolute të konkurencës midis kandidatëve. Kjo krijoi shkaqe shtesë për indiferencën elektorale të 9 majit. Mund të mos jetë analoge me situatën në këto zgjedhje, por është për t’u mbajtur shënimi ideja e Z Baumanit, sipas të cilit shpesh krijohen situata kur “…votuesit janë mjaft të ngjajshëm me klientët dhe politikanët ngjajnë më shumë me biznesmenët”. Z Bauman “Moderniteti i lëngët” f. 177-178.

Zgjedhjet e 9 nëntorit janë sinjal serioz i qytetarëve tanë, që duhet ta detyrojë politikën të bëhet më racionale, elastike, dhe vlerësojë në mënyrë konsensuale dimensionet e reja të marrëdhënieve të shoqërisë me politikën si të tillë dhe politikanët si aktorë ekzekutues të saj. Këto zgjedhje evidentuan edhe një skarcitet të militantizmit, që u shfaq në “abortin” e përpjekjeve të strukturave politike, partiake e mediatike, për të tërhequr elektoratin respektiv nga llogoret e refuzimit, apatisë, bojkotit dhe indiferencës politike. Këtë fenomen elektoral dhe politik e kanë edhe vendet me demokraci të zhvilluar. Por për ne, kjo është dukuri e re dhe pak e çuditshme për politikën bipartizane, me masshtabe të gjëra elektorale respektive. Zgjedhjet e 9 nëntorit evidentuan jo vetëm zbehjen e butaforisë militantekse dhe votuesit të qëndrueshëm e besnik, por statistikisht sipas mendimit tim kemi zgjerimin e shfaqjes së “elementit të pavarur politik , që nuk është i angazhuar në asnjërën nga partitë, votimi i të cilit po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm”. Daniel Bell, “Ardhja e shoqërisë industrial”, f 277.

Po më në fund shtrohet pyetja: pse duhet votuar? Sepse njerëzit tanë duhet të kuptojnë se pavarësisht gjithçkaje, e drejta e votës dhe detyrimi i votimit është statusi i parë kushtetues i qytetarit. Kjo situatë ka shtruar disa probleme për diskutim e zgjidhje politike e sociale, që kanë të bëjnë me kontradiktën midis të drejtës së votës dhe detyrimit qytetar për të votuar. E drejtë apo detyrim? Këtë përgjigje e ka dhënë Aristoteli në kohën e vet. Sipas tij “qytetari është ai që ka  pjesë në faktin e të qeverisurit dhe të qenit i qeverisur”. Jasques Ranciere, “Pjestimi ndjesores”, f 12.

Ka një sintagmë me shumë vlera sociologjike sipas së cilës ka rëndësi si ndërtohen lidhjet sociale dhe marrëdhëniet midis politikës dhe qytetarit si votues. “Trajtojini qytetarët e ndërgjegjshëm si dele votash dhe ata do të sillen si dele votash, por nëse i trajtoni si të matur, atëherë ata do të sillen si të matur. Gjithnjë politika do të korrë atë që mbjellë. Por pavarësisht kësaj, qytetarët tanë duhet të kuptojnë atë që është kuintesenca e zgjedhjeve dhe votës qytetare. Sepse ka një aksimë demokratike sipas të cilës, nëse nuk merr pjesë në zgjedhje i ke thënë lamtumirë lirisë!