Presidenti Begaj: “Gjuha shqipe është shpirti dhe ashti i kombit tonë. Në çdo fjalë të saj rreh zemra e shqiptarëve ndër shekuj.
-Ta duam, ta ruajmë dhe ta përcjellim te brezat – sepse ruajtja e shqipes është vetë ruajtja e atdheut”
-Kryetari Shoqatës Agim Çiraku: “ Më mirë se në Universitetin e Gjirokastrës, që mban emrin e korifeit të gjuhës shqipe “Eqrem Çabej”, nuk mund të zhvillohej ky aktivitet”.
– Ky aktivitet do mbetet një pasuri kombëtare që bën apel për qeveritë përkatëse dhe ambasadat tona në vënde të ndryshme të botës, që të bëjnë kujdes dhe të tregojnë interesim për gjuhën.”
– Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj: “ Gjuha shqipe është e shenjtë dhe ne duhet ta ruajmë të pastër”.
– Albert Z. ZHOLI
Në datën 15 nëntor Shoqata Atdhetare Kulturore Labëria “Nderi i Kombit”, në Gjirokastër në sallën kryesore të Universitetit “Eqerem Çabej” organizoi takimin Kombëtar “ GJUHA SHQIPE IDENTITETI YNË”, Në këtë takim mbresëlënës merrnin pjesë Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, akademikë dhe profesorë të gjuhës shqipe, shkrimtarë, studiues, anëtarë të shoqatës Labëria, grupi lab i Bënçës me Golik Jaupin, grupi lab i Çipinit me kryetar Tomorr Lelon, si dhe studentë të Universitetit. Salla ishte e tejmbushur për vetë temën e organizimit të këtj takimi. Sipas pedagogëve të këtij Universiteti kurrë më parë salla nuk ka qenë e tejmbushur me personalitete të artit, kulturës dhe shkencës. Pas ekzekutimit të Himnit moderatori Prof. Asoc. Alert Çeloaliaj theksoi: Të nderuar pjesëmarrës. I nderuar Presidenti i Republikës Profesor Bajram Begaj . “Të nderuar deputetë, akademikë, përfaqësues të Pushtetit vendor.

Më lejoni që në emër të Kryesisë së Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria t’u falënderoj për pjesëmarrien në këtë
Takim Kombëtar:
“Gjuha Shqipe Identiteti Ynë”.
Ja jap fjalën Kryetarit të Shoqatës Labëria, për të mbajtur fjalën e hapjes. Mes emocionesh për vetë natyrën e takimit kryëtari i Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria “Nderi i Kombit”, z. Agim Çiraku i cili theksoi:

Të nderuar pjesëmarrës!
I nderuar Presidenti i Republikës Shkëlqesia e Tij Profesor Bajram Begaj. “I nderuar Rektori i Universitetit “Eqrem Çabej” Gjirokastër, profesor Jaho Cana. Të nderuar Deputet, Akademik, Personalitete të Labërisë, përfaqësues të Pushtetit vendor, Prefekte Albana Hasanaj, Kryetari i Bashkisë Flamur Golemi, Kryetar i Qarkut Dino Selimi. I nderuar Kryetar i Partisë Demokratike të Preshevës Prof. i Asoc. Dr. Ragmi Mustafa!
Kam kënaqësinë dhe nderin që në emër të Kryesisë së Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria “Nderi i Kombit”, ju falënderoj për pjesëmarrien në këtë Takim Kombëtar, me një tematikë tepër sensitive: “Gjuha Shqipe Identiteti Ynë”. Falënderoj të gjithë referuesit, që pranuan ftesën tonë dhe u bënë pjesë me kontributin e tyre të çmuar, për të realizuar këtë veprimtari, që ka vlera historike e kombëtare për popullin tonë. Shoqata Atdhetare Kulturore Labëria, në rrugëtimin e saj 34 vjeçar ka treguar një sensibilitet të theksuar për të atakuar problemet më shqetësuese, që ka pasur shoqëria shqiptare, në vitet e pluralizmit politik. Në këtë sfond, para disa vitesh u organizua nga Shoqata Labëria në Prishtinë, një takim me temë të “Të ruajmë gjuhën dhe emërat shqip”, si një shqetësim, që vinte nga disa dukuri të familjeve shqiptare në emigracion, që kanë humbur jo vetëm emërat, por dhe të folurën shqip. Ky takim u vlerësua maksimalisht në fjalën përshëndetëse të Akademikut kosovar, profesor Rexhep Qoses, njëherazi dhe Kryetar Nderi i Shoqatës “Labëria”, që nga krijimi i saj. Profesor Qosja e quajti Shoqatën Labëria, mbarëkombëtare, gjë që e vërteton më së miri edhe ky takim dhe rekomandoi që një takim i ngjashëm të mbahet dhe në një nga universitetet e krahinës së Labërisë. Kryesia e shoqatës, duke vrojtuar dinamikën e ecurisë të këtij problemi, mendoi se është koha për një trajtesë të thelluar me pjesëmarrien e profesorëve, ekspert gjuhësor të trevave mbarëshqiptare, nga shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi dhe arbreshët. Më mirë se në Universitetin e Gjirokastrës, që mban emrin e korifeit të gjuhës shqipe “Eqrem Çabej”, nuk kishte vend tjetër.
Në erën e globalizmit dhe modernizmit, që fryn në tërë hapësirën shoqërore, nuk ka lënë pa prekur dhe emigracionin shqiptar, që ka goditur profilin shpirtëror, moral e fetar, ku ravijëzohen influenca multidimensionale, të rrezikshme për identitetin kombëtar. Shkretëtira shpirtërore, zbrazëtia, pasiguria për jetën, çrrënjosja e besimit, mëndësitë racionaliste e natyraliste, që janë përhapur në ditët tona, e kanë bërë njeriun më të pasigurtë, të çorientuar dhe psiqikisht të trishtuar. Këto dukuri vijnë duke u thelluar, ndaj kërkohet që të bashkrendisim forcat e institucioneve shtetërore e shoqërore, për t’u bërë pritë fenomeneve negative, që po shtratifikohen në familjet tona në emigracion. ky takim, me kontributin dhe trajtesën e profesorëve të gjuhësisë, është një pasuri kombëtare që bën apel për qeveritë përkatëse dhe ambasadat tona në vënde të ndryshme të botës, që të bëjnë kujdes dhe të tregojnë interesim, që fëmijët e emigrantëve të mos e humbasin gjuhën e nënës. Shembulli nga ku mund të frymëzohen dhe t’i referohen, janë arbreshët, që edhe pse kanë kaluar mbi 500 vjet, ata në shumicën e tyre ruajnë gjuhën shqipe, arkaike, që e kanë marrë me vete kur kanë emigruar në Itali. Edhe një herë falënderoj Presidentin e Republikës shkëlqesinë e tij, profesor Bajram Begaj, për vlerësimin që i bëri këtij takimi, duke ju përgjigjur ftesës tonë, si dhe për përshëndetjen që do përcjellë për ruajtjen e gjuhës dhe emrave shqip, e bën më të prekshëm dhe më të përgjegjshëm për institucionet shtetërore dhe shoqërinë civile
Ju faleminderit!
***

Mbas përfundimit të përshëndetjes, e cila u duartrokit për disa minuta kryetari Çiraku ja dha fjalën Presidentit të Republikës, Profesor Bajram Begaj. Me emocion dhe entusiazëm Presidenti Begaj theksoi:
“Jam i mrekulluar për këtë aktivitet të Shoqatës Labëria “Nderi i Kombit”. Aktivitete të tilla bëhen vetëm kur bëhen me zemër, pasi çdo gjë që del nga zemra pa dyshim del shumë bukur. Gjuha shqipe është shpirti dhe ashti i kombit tonë. Në çdo fjalë të saj rreh zemra e shqiptarëve ndër shekuj. Ta duam, ta ruajmë dhe ta përcjellim te brezat, sepse ruajtja e shqipes është vetë ruajtja e atdheut”. Fjala e tij u prit me shumë duartrokitje. Pas Presidentin Begaj fjalën e mori i zoti i shtëpisë, Rektori i Universitetit “Eqrem Çabej” Profesor Dr. Jaho Canaj, i cili theksoi se” ky është një takim unik, specifik dhe me vlera të rralla. Ndihemi krenar që ky takim u zhvillua në Gjirokastër në qytetin e Eqerem Çabejt dhe Ismail Kadaresë. Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, theksoi se gjuha shqipe është e shenjtë dhe ne duhet ta ruajmë të pastër.

Pas tij, për të krijuar atmosferë argëtuese u ftua në skenë grupi lab i Sarandës, i cili me tekst të shkruar enkas nga rapsodi Tomorr Lelo për gjuhën shqipe këndoi një këngë. Në këtë takim mbajtën fjalën e tyre 12 profesorë dhe asisent profesorë si më poshtë: prof. Xhevat Lloshi: Pena të arta për gjuhën shqipe. Akademik Valter Memishaj, Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe, vepër e rëndësishme e gjuhësisë shqiptare, me bashkautor Profesor Dr. Shezai Rrokaj. Profesor Dr. Naim Berisha referoi: Konsulta gjuhësore e Prishtinës dhe Kongresi i Drejtshkrimit-rrugëtimi drejt bashkimit gjuhësor e kombëtar të shqiptarëve. Pas këtij referimi grupi i Bënçës me në krye Golikun këndoi këngën për Labërinë. Më pas diskutuan: Profesor Dr. Berton Sulejmani: Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut, sot (statusi i pabarabartë kushtetues me gjuhën maqedonase ). Prof. Dr. Xhafer Beqiri referoi: Shkronjat që bashkuan një komb. Prof. Dr. Karlo Pelikano: Si është ruajtur dhe transmetuar gjuha shqipe në breza!

Prof. Asoc. Dr. Faton Krasniqi: Statusi zyrtar i përdorimit të gjuhës shqipe në Republikën e Malit të Zi. Prof. Dr. Shezai Rrokaj: Mitat Frashëri, Gjergj Fishta dhe Ndre Mjeda, arkitektë të Kongresit të Manastirit. Prof. Dr. Bardhosh Gaçe: Gjuha shqipe dhe shoqëria e sotme shqiptare. Dr. Migena Arllati: Nga Arbër në shqiptarë, Rruga e etnonimeve dhe pasqyrimi i identitetit kombëtar në gjuhë dhe histori. Dr. Yllka Proda: Një vështrim filologjik mbi ligjërimin artistik të këngës labe. Prof. Dr. Ago Nezha: Kryetar i Forumit të Nderit, “Mjeshtër i Madh” dhe “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” referoi: Një amanet i Akademikut Rexhep Qosja: “Të ruajmë gjuhën dhe emrat shqip”.

Mbas 3 orësh diskutimesh ky takim mbresëlënës përfundoi me sukses duke lënë si detyrë që puna për ruajtjen dhe transmetimin e gjuhës shqipe të jetë e vazhdueshme. Një nga fitoret e kombit shqiptar me të drejtë është quajtur njësimi i gjuhës shqipe në Kongresin e Drejtshkrimit që u mbajt në Tiranë në vitin 1972, me pjesëmarrjen e gjuhëtarëve më të zëshëm: nga Shqipëria Kosova, Arbëreshët dhe Diaspora. Kjo ishte një arritje historike për kombin tonë. Ndaj, në vazhdim të këtyre ideve dhe problemeve që ka sot gjuha shqipe kryesia e Shoqatës Atdhetare Kultuore Labëria “Nderi i Kombit” në bashkëpunim me universitetin “Eqerem Çabej” organizoi këtë takim specifik dhe mjaft domethënës që la gjurmë të thella tek të pranishmit. Ky takim ishte një arritje historike për Shoqatën Atdhetare Kulturore Labëria “Nderi i Kombit” por edhe për vetë kombin tonë pasi referuesit ishin nga të gjitha trevat shqiptare. Ky takim tregoi se emrat dhe gjuha janë pasuri kombëtare, të cilat duhet të ruhen me fanatizëm, por sipas tij këto dy elemente janë të cënuara sot në Shqipëri.



















