Engjëll Musai
Drejtor i “Telegraf”
Nuk kishte asnjë mëdyshje që Anglia do të fitonte, madje edhe me qëllimin final, për të mos pësuar gol, çka ishte rekordi i dytë i anglezëve , përsa i përket 10 fitoreve rresht dhe pa pësuar asnjë gol. Që djemtë “Kuq e Zi” dhanë maksimumin dhe shpirtin në fushë, edhe kjo u pa dhe u përshëndet me ovacione nga publiku që kishte mbushur 100% kapacitetin e stadiumit ‘Air Albania’. Madje lojtarët tanë ishin edhe futbollist, edhe këshilltarë për njëri-tjetrin. Zbatuan secili porositë e dhëna dhe ndihmuan njëri-tjetrin pavarësisht pozicionit. Dhe, për të gjitha këto ata meritojnë mirënjohjen e sportëdashësve kudo në Shqipëri dhe në botë. Pothuajse të gjithë futbollistët tanë janë profesionistë dhe nuk kanë shumë nevojë për trajner individual. Kjo lidhet me faktin që lojtarët luajnë në klube të elitës, dhe i dinë detyrat, edhe sikur t’i lësh pa trajner. Drejtuesi teknik duhet vetëm sa të përgatis skemat. Por ajo që në na mundon dhe që çalon tek ekipi Kuq e Zi ka të bëjë me faktin që ne nuk kemi TRAJNER për Kombëtaren. Të luash me anglezët, të shikosh që trajneri i tyre bënë 5 ndërrime, dhe “Silvua” jonë bëri vetëm 1 ndërrim, Brojën, se ai i Hysës ishte i detyruar pas dëmtimit do të thotë më shumë se marrëzi!!! Të ndërrosh futbollistët në 9 minutat e fundit, tiransit i thonë : “M’ka çu baba me la gojën”. Ky trajner duhet të ik, ose të largohet sa më shpejt nga “Beu” i federatës Armando Duka, në të kundërt publiku do të fillojë të reagojë me largimin nga shkallët e stadiumit, por edhe ndaj vetë Dukës. Presidenti i FSHF duhet t’a dijë se biletat e kripura për një popull të varfër janë më shumë se një krim ! Ndaj është koha për një Drejtues Teknik dhe jo për një “Bari”..! Duke llogaritur dy ndeshjet e fundit, futbollistët meritojnë notën 8 dhe trajneri Silvinjo notën 4 .



















