Gazeta Telegraf/Kristo Mërtiri: Sa të jetë vërsniku “dollibash”, Edi Ramës i marrin të keqen!

559
Sigal


këtë botë të kokolepsur, për të qëndruar vazhdimisht me këmbët në tokë, ndonjëherë
njeriu paska nevojë të provojë sadopak edhe shijen e hidhur të zhgënjimit.
Shije që jo rrallë mund të ngelet edhe si komb në grykë. Dhe nuk është aspak paradoks
apo fantazi e marrëzi emocionale e çastit. Ky realitet që pohojmë çiltërsisht,
nuk mund të rrëzohet nga një e rënë e kalemit. Apo jo, o miku ynë në metropol!
Sepse ditët e fundit, kujtuam edhe një shkrimin tënd me humor therës e të
botuar vite më parë. Madje atëbotë, jo të gjithë e përtypën mirë mesazhin tënd
pa drita uloke e pa ekuivoke, lidhur me hedhjen e Edit si me parashutë brenda
natës në prehrin e kolltukut të Kryetarit të PS-së. Megjithëse paradite u rrëzua
platforma e tij në forume (!?). Ndërsa ca kokoroçë militantë të verbër e pa
identitet (anonimë), u hodhën përpjetë duke kërcyer tel më tel si pehlivanë e
“sharës me pagesë” në faqe e xhungla interneti. Asnjëri nuk mori guximin të
dilte me emër e mbiemër në sheshmeidanin e medies online. Mercenarë e lëpirës të
përjetshëm ndaj Njëshit të radhës në Parti e në Qeveri. Për të qeshur e për të
vënë duart në kokë: Disa të zhgënjyer tani vonë, të kanë kërkuar edhe ndjesë,
por ti me të drejtë nuk ua pranove për shumë arsye e shkaqe që i the publikisht
në median e shkruar…Mirëpo, ka momente në jetë, të cilat mund të tundin e
shkundin pluhurin mbytës të disa viteve iluzivë për iksin a ypsilonin me
spaleta e grada të larta, që nuk luajnë asnjë fije nga qoshja pjellore 25 vjeçare
e oxhakut partiak, legjislativ dhe ekzekutiv. Ky çerek shekulli tranzicioni i kërreu
lakuriq para opinioneve të majta e të djathta, të varura e ta pavarura. Megjithëse
fudullëku e bollëku u ka zënë sytë e veshët. Fjala vjen, ti e the copë e
shkoqur, rolin vendimtar të “Dollibashit” nga nahija jonë në Jug. Me sa duket,
ato mendime të hapura e guximtare, i rrëmbeu e i hodhi në det ai lumi euforik e
mospërfillës i kolltukofagërisë së gdhendur nga pena noliane. Sa për këtë
refleksion të tanishëm, pse ta fshehim, e rindezëm fshatçe pas katër a pesë shpërthimeve
të “befasishme” nga një grusht analistësh të njohur në media, rreth ikjes a qëndrimit
të Kryetarit të maxhorancës në krye të Qeverisë. Sinqerisht, pas kaq viteve nga
botimi i shkrimit tënd, themi se mendimi ynë sot është pjekur përfundimisht:
-Sa të jetë vërsniku yt, “dollibashi” fjalëprerë e i padalë në pension, Edi Ramës
i marrin të keqen në krye të PS-së! Dhe si gjithmonë, bashkë e sup më sup me
“fatligxhafërinë” (një nga pronarët kryesorë të “tregut të ligjeve” në
Parlament), simulantë e intrigantë të pashoq…

Miqtë e mi vërsnikë e
mendjehollë te Gryka e Këlcyrë-Mezhgoranit

Miqtë
e mi vërsnikë e mendjehollë te Gryka e Këlcyrë-Mezhgoranit, unë i dua dhe i
besoj shumë. Në kohë të mira e të këqija. Vetëm ata nuk më kanë tradhtuar e zhgënjyer
kurrë! Vetëm ata i thonë gjërat sy më sy e të kulluara si buronjat në Golik e
Trebeshinë. Larg rrëmujës e rrëmetit, larg zilisë, cmirës e lukunisë lakmitare,
larg mashtrimit e cinizmit metropolitan, larg hipokrizisë me çizme a këpucë
lustrafinë… Kanë mendimet e tyre të pavarura e të pa molepsura nga interesat e
ngushta e të dyshimta personale, familjare, fisnore e krahinore. Siç e shikoni,
edhe për ikjen apo qëndrimin e Ramës në timonin e PS, ata kanë patur e kanë
ende mendim krejt tjetër nga analistët rreth selive në kryeqytet. Me një fjali i
thonë të tëra, pa tjerrë komente e paragrafë me laps e stilografë, me ojne e
konkluzione. P.sh, “dollibashin” dinë ta respektojnë nëpër gostira e vakira,
por pa e bërë asnjëherë zot shtëpie a kalander drejtësie. Se vërtet mund të jetë
ende praktikisht “violina e parë” në atë forcë politike të pushtuar tashmë nga
rilindistët e djeshëm “të pavarur”, por dardha e ka bishtin prapa. Po ia dëgjojmë
krismat e padëgjuara dikur. Socialistët e vërtetë e me kontribute reale, po
humbasin pa nam e nishan, duke marrë së fundi me vete edhe Shkëlqim Canin
fillikat në qeverisje! Ama, heshtja e tij nuk ngjan aspak me atë heshtjen rënkimtare
e kuptimplote të 9 maleve të Dibrës. Megjithatë, ajo flet shumë për të gjithë
ata me kostum të vërtetë socialisti… Ndërsa për “Dollibashin” trim e fajkua i
dikurshëm, thonë se i qëndron gatitu “fatligxhafërisë”, por unë sinqerisht nuk
e besoj këtë haber taze, idhnak e ulërak. Sepse në fund të fundit, vjeshta
zakonisht nuk vjen vetëm me gënjeshtra. Dhe as vetëm me shira e mbjellje ugari
apo thjesht me karcinë vjeshte në Këlcyrë, te Pazari. Nuk thosh kot gjyshi im i
ndjerë: Gusht e gunë, vjeshtë e lugë! Aq më tepër tani që po troket vjeshta e
dytë. Sepse dollibashit, jo rastësisht i thërrasin edhe më shqip: Kryegjetës.
Kurse në Skrapar e kanë pagëzuar më herët edhe “Kryengritës”. Ndoshta në kundërshtim
me miqtë e mi të vjetër e vërsnikë, sinqerisht kam bindjen se ai dollibash i
regjur nuk ecën pas berihasë dhe as sheh yllin e merr pyllin. Për mua, qofsha i
gabuar, atij nuk i kanë rënë plotësisht pendët dhe këmbët i mban ende në
yzengji. Megjithëse një miku ynë i përbashkët e kokëplot, ka sugjeruar si pagëzim
më të saktë emërtimin “hyzmetci”. Sepse “dollibash” e quan mbivlerësim sipëror
e të pamerituar. Mirë, o mirë,iu ktheva unë para ca kohësh,por gjyshi na ka lënë
një llaf të çmuar si amanet: Më mirë qyqar se hyzmeqar të Njëshit !…Dhe vërtet
këta prototipa dinakë e të pështirë, para timonierit tregohen të mirë, të urtë
e të butë, babaxhanë e besnikë me “dorashka kadifeje”. Dhe krejt ndryshe e plot
maska me njerëzit e thjeshtë, me hallexhinjtë poshtë kupolës drejtuese…

Kush
e solli “kohën e gëk-mëkut” dhe memecllëkun në PS-në e Rilindjes

Një
pyetje po mbetet varur dhe e pakallur: Kush e solli “kohën e gëk-mëkut” dhe
memecllëkun në PS e Rilindjes? Bie fjala, ç’u bënë skifterët dhe çakejtë e
mendimit të lirë e “parimor” përballë të burgosurit politik, Fatos Nano (nga të
vetmit liderë të prangosur politikisht në Europë!). A e kanë humbur e në cilin
grazhd po shullëhen vallë ? Apo kanë ulur kokën bashkë me Drejtësinë Shqiptare
para qelive të Fatosit në katakombet e Bënçës?! Dorëheqjet e tij demokratike po
mbeten të vetmuara e model vitrine muzeale, rrethuar nga baltra e baltosës të
pacipë majtas e djathtas që u pasuruan frikshëm. “Ohuu, ata një yrnek janë, nuk
ndryshojnë shumë nga njeri-jatri…”, na thotë aty për aty një ish militant i
thekur i PS-së, ardhur në Tiranë nga “Progonati me vulë”. Taborët me lëpirës
rilindistë aguridhë e pa asnjë ditë përvoje dhe që drejtojnë thjesht me
fejsbuqe e ulluqe nëpër majat e shumta të Administratës Shtetërore, po shtojnë
e po fryjnë përrenjtë e zhgënjimit shpresëvrarë. Gati të gjithë kopjojnë e
imitojnë monologët iritues kryeministror. Së paku, le të njihen me këtë humor
therës nga lashtësia: “Aristofani, komediografi i madh, i kishte inat servilët.
Një ditë prej ditësh, njërit bashkëbisedues që po i miratonte çdo fjalë e po ia
përkëdhelte shumë qejfin, i tha: “Ju lutem, më kundërshtoni një herë, që të kem
përshtypjen se jemi dy veta që bisedojmë!”…Se vërtet ka idhujtarë të dukshëm
rilindistë deri në përulje e përthyerje përtej çdo dinjiteti e personaliteti,
por si në heshtjen pas bubullimave qiellore ka edhe pak kundërshtarë të
patundshëm që “lehin si qeni në hënë” përballë arrogancës e fodullëkut të
“ramskarenjve” të pandreqshëm. Vetëm ky takëm e të tjerë heshtjeshitur po ia
shikojnë hajrin hedhjes kolltuk më kolltuk shtetëror, pa punuar asgjëkund dhe
pa i vrarë kurrë këpuca. Mirëpo, më thoni, cili është për t’i pirë dollinë? Apo
ta lëmë si urdhëresë të detyruar për të gjithë në sofrën e sotme qeverisëse.
Shkurt, “dolli okë e kokë”! Se miqtë e mi të mençur dhe të rrahur në jetë me
vaj e me uthull, nuk ia futin kurrë “si kau pelës”, por më përgjigjen pa
shtresa e mbulesa demagogjie. Përgjigje që mund të begenisin e të ftillojnë
edhe ata analistët që përmendëm më lartë. Pa u telikosur e pa u nervozuar hiç:
“Sa të jetë vërsniku yt “dollibash”, Edi Ramës i marrin të keqen në majë të
PS-së!”. Të tjerat janë më tepër hamendje e copëza me përralla publicistike që
nuk të përkundin dot as për një sy gjumë…