Bankers Petroleum, tributi që Shqipëria i pagoi Wesley Clark për bombardimin e Serbisë

1129
Kastriot MYFTARAJ
Kur u publikua letra që Ambasadori Amerikan në Shqipëri i ka dërguar Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë, ku i kërkonte të ndërpriteshin hetimet ndaj kompanisë “Bankers Petroleum Albania L.t.d.”, shumëkush u habit se përse ambasada amerikane interesohej për një kompani kanadeze? Aq më tepër kur Kanadaja është një vend i madh që di t’ i mbrojë interesat e veta. Ata që u habitën duket se kanë harruar që, kur “Bankers Petroleum”, kërkoi të merrte një koncesion të nxjerrjes dhe përpunimit të hidrokarbureve në Shqipëri, në 2004, në Tiranë erdhi si lobist i kompanisë Gjenerali Wesley Clark, ish-komandanti i përgjithshëm i NATO-s në kohën e luftës së Kosovës, dhe fushatës ajrore të aleancës atlantike kundër Serbisë.

Kompania “Bankers Petroleum Albania L.t.d.” ishte krijuar vetëm për të marrë koncesionin në zonën Patos-Marinëz në Shqipëri, që është zona hidrokarbure më e madhe në Europë. Ajo nuk kishte përvojë në këtë veprimtari. Por autoriteti i Wesley Clark ishte i padiskutueshëm në Shqipëri. Cila qeveri shqiptare do të mund të refuzonte gjeneralin që bombardoi Beogradin për Kosovën! Kështu që në korrik 2004 qeveria e Partisë Socialiste, e drejtuar nga Fatos Nano me një VKM (Vendim i Këshillit të Ministrave) ia dha “Bankers Petroleum Albania L.t.d.” koncesionin e kërkuar.

Nëndrejtori i kompanisë publike shqiptare të hidrokarbureve “Albpetrol”, që do të ishte partner i drejtpërdrejtë i “Bankers Petroleum Albania L.t.d.” në marrëveshje, Leonidha Çobo, njeriu që ishte personi teknik-kyç nga pala shqiptare gjatë negociatave, në korrik 2004 u punësua nga “Bankers Petroleum Albania L.t.d.” si nëndrejtor teknik, e pastaj që nga viti 2006 si drejtor i prodhimit dhe operacioneve, e më pas nëndrejtor i përgjithshëm dhe nënpresident. Kuptohet se z. Çobo mori shpërblim që kishte shërbyer ilegalisht si njeriu i kompanisë kanadeze në negociata. Në vitin 2004 opozita (PD) dhe media pranë saj, e kritikonte qeverinë se po e refuzonte ofertën që kishte sjellë Wesley Clark (a thua se ky ishte biznesmen), sepse Kryeministri Nano donte t’ ia jepte koncesionin një kompanie greke. 

“Bankers Petroleum Albania L.t.d.” pretendon se që nga koha kur mori koncesionin, ka investuar në Shqipëri më tepër se 1.7 miliardë dollarë kanadezë, ose rreth 1.4 miliardë USD. Por duket e çuditshme që pronarët e një kompanie e cila thotë se ka investuar mbi 1.7 miliardë dollarë, të pranojnë një ofertë për t’ ia shitur kompaninë e tyre një kompanie kineze për 575 milionë dollarë kanadezë (441 milion USD)!!! Kur ka ndodhur diçka e tillë? Kështu del se “Bankers Petroleum Albania L.t.d.” jo vetëm që nuk ka pasur fitime në Shqipëri, por ka dalë me humbje të mëdha! Se logjika e thjeshtë ekonomike të thotë që nëse koncesioni nuk do të kishte qenë fitimprurës, kinezët nuk do të bënin një ofertë për ta blerë kompaninë. Kuptohet se shifra e investimeve të pretenduara është në një masë të madhe e rreme dhe është dhënë për t’ iu shmangur kompania detyrimeve fiskale ndaj shtetit shqiptar dhe posaçërisht tatimit mbi fitimin.

Të bën përshtypje fakti se marrëveshja për shitjen e “Bankers Petroleum Albania L.t.d.” te kompania kineze Geo-Jade Petroleum, për të cilën marrëveshje pritet ende miratimi nga qeveria kineze, është arritur për një shifër që është e barabartë me shumën e taksave që “Bankers Petroleum Albania L.t.d.” thotë se i ka paguar shtetit shqiptar: 575 milionë dollar kanadezë! Kjo e bën shumë të dyshimtë mitin e investimeve të mëdha të kompanisë në Shqipëri.

Në të vërtetë, “Bankers Petroleum Albania L.t.d.” ka investuar në Shqipëri vetëm çerekun e shumës së pretenduar prej saj, diçka më shumë se 400 milionë dollarë kanadezë (310 milionë USD). Shuma prej 1.3 miliardë dollarë kanadezë (1 miliardë USD) investime të rreme, fsheh një evazion fiskal gjigant, që në total, taksa dhe tatim për fitimin, shkon në 400 milionë dollarë kanadezë, ose 310 milionë USD. Kompania thotë se i ka paguar shtetit shqiptar, gjithsej, gjatë 11 viteve, taksa në shumën 575 milionë dollarë kanadezë (441 milion USD). Pra, kompania më e madhe në Shqipëri, e cila zotëron koncesionin më fitimprurës në vend, i ka paguar shtetit shqiptar vetëm 40 milion USD taksa në vit dhe zero dollar tatim mbi fitimin! 
Kompania, në 11 vitet e fundit ka pasur të ardhura vjetore prej 500-600 milionë dollar kanadezë në vit (430-460 milionë USD në vit), por të cilat i ka fshehur në mënyra të ndryshme.

Në 2006, Qeveria “Berisha” bëri një marrëveshje me konsorciumin amerikano-turk Bechtel-Enca për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash, që rezultoi sipas Prokurorisë Shqiptare me një abuzim prej 230 milionë euro (255 milionë USD). Humbja që ka pësuar buxheti i shtetit, domethënë të ardhurat publike, nga evazioni fiskal i “Bankers Petroleum Albania L.t.d.” është së paku tre herë më i madh.
Ditët e fundit, shteti shqiptar ka humbur një kontest me “Bankers Petroleum Albania L.t.d.”, dhe si pasojë duhet t’ i paguajë kompanisë 30 milionë dollarë. Historia është shumë e dyshimtë sepse auditori ndërkombëtar i cili luajti rolin e arbitrit ishte zgjedhur sipas dëshirës së kompanisë kanadeze.
Edhe këto para shkojnë praktikisht në llogarinë e pagesës që i bën Shqipëria z. Wesley Clark për bombardimin e Serbisë, që të arrihej deri te çlirimi i Kosovës.
Sigal