Frank Shkreli: U nda prej nesh Monsinjor Rrok Mirdita

574
Ishte ky lajmi pikëllues këtë javë nga një njoftim për mediat dhe për publikun nga Arkidioqeza Metropolitane Tiranë-Durrës. Lajmi na tronditi megjithëse kishim marrë vesh se gjendja e tij shëndetësore nuk ishte aq e mirë, prapse prap nuk na e merrte mendja se Mons. Mirdita do të ndahej prej nesh kaq shpejt. Ky lajm i zi, shkaktoi hidhërim të thellë në radhët e të gjithë atyre që e kanë njohur Monsinjor Rrok Mirditën, nga komuniteti shqiptaro-amerikan ku ai ka shërbyer me përkushtim për pothuaj 30-vjet, para se të emërohej nga Papa Gjon Pali i Dytë në vitin 1992 Arkipeshkëv i Durrës – Tiranë, por edhe nga shumë shqiptarë të gjitha feve anë e mbanë trojeve shqiptare që e kishin njohur dhe me të cilët kishin pasur kontakte, në radhët e të cilëve kishte lenë vetëm kujtime mbresëlënse për punën e tij si përfaqësues i lartë i Kishës Katolike, por edhe si shërbestar i popullit shqiptar pa dallim feje a krahine dhe Atdheut të tij. 
Si shumë shqiptarë të tjerë, edhe unë si bashkëvendas, bashkatdhetar dhe bashkëvuajtës – për një kohë edhe bashkëpuntor i tij në vitet e para pas ardhjes së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilin megjithëse larg me detyrë në Washington – mbaja kontakte të rregullta me të. Si i tillë, ndjej hidhërimin e thellë për këtë humbje të madhe për të gjithë ne, por sidomos për ata që e kanë njohur nga afër dhe në jetën e të cilëve ka lujatur rol dhe ka lënë mbresa të paharruara dhe të pashlyeshme. Nëqoftëse më lejohet, për rolin e tij në jetën time dhe të familjes mjafton të përmend se si bashkëvendas dhe të njohur që ishim me të dhe familjen e tij, në vitin 1975 Dom Rroku pranoi me një shprehje miratimi, të ndërmjetësonte si “shkues” për fejesën me bashkëshorten time Vitoren, që përfundoi në martesën që vazhdon për 40 vjet tani. Sot, por ndoshta edhe atëherë, mund të duket si diçka e jashtëzakonshme për një meshtar që të shërbente si shkues, por i tillë ishte Mons. Rrok Mirdita, i gatshëm për të shërbyer, jo vetëm me shërbime e ceremoni fetare, por gjendej edhe në fusha të ndryshme familjare dhe shoqërore. Unë dhe familja i jemi mirënjohës dhe përulemi me respekt në shenjë nderimi të thellë për rolin që ka luajtur në jetën tonë dhe të familjes. 
Si rrjedhim, ashtu si edhe shumë shqiptarë, unë ruaj konsideratën më të madhe për punën dhe veprimtarinë fetare dhe atdhetare prej 50 vjetësh të Monsinjor Rrok Mirditës, qoftë në vendlindje në rrethin e Ulqinit, qoftë në Amerikë, qoftë më në fund edhe në Shqipëri, ku luajti rolin kryesor për ringjalljen e Kishës Katolike të martirizuar për pothuaj një gjysëm shekulli nga regjimi i egër komunist i Enver Hoxhës, që kishte pasur në plan të zhdukte të gjitha fetë, por sidomos e kishte ferrë në sy klerin katolik, anëtarët e të cilit brutalisht i vrau, i burgosi dhe i torturoi deri në zhdukje. Me arritjen e tij në Shqipëri, Mons. Mirdita, përballet me një gjë gjendje të mjerueshme shoqërore dhe fetare, me një vend që kishte mbyllur kisha e xhamia dhe si asnjë shtet tjetër në botë, komunistët shqiptarë me një vendim absurd, kishin shpallur Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë, duke ndaluar me ligj edhe Zotin. 
Si Arkipeshkëv i Durrës-Tiranë emërohet dhe shugurohet nga miku i madh i shqiptarëve, Papa Gjon Pali i Dytë në fillim të 90-ve. Ndër veprimtaritë e tij të shumëta gjatë asaj periudhe, si drejtor i entit bamirës të Kishës Katolike, Caritas-it Shqiptar nga viti 1994 deri në vitin 2000, ai me vetitë e jashtëzakonshme mendjeje e zemre që e dallonin, ashtu siç vihet në dukje edhe në njoftimin e Arkipeshkëv i Durrës- Tiranë, Mons. Mirdita siguron ndihma nga vende dhe institucione të ndryshme katolike anë e mbanë Europës, por edhe nga komuniteti shqiptaro-amerikan, për t’i ardhur në ndihmë popullësisë së varfër në Shqipëri, por njëkohësisht edhe popullit shqiptar të vuajtur dhe të terrorizuar të Kosovës nga forcat terroriste të policisë dhe ushtrisë serbe të Millosheviçit gjatë dekadës së vështirë të 90-ve. Gjatë asaj periudhe, Kisha Katolike Shqiptare në New York kishte organizuar gjithsejt 22 transportime ushqimesh dhe veshmbathjesh, si edhe fonde me qindëra mijëra dollarë për njerëzit në nevojë në Shqipëri dhe për refugjatët shqiptarë nga Kosova. Parardhësi dhe mbështetësi i Mons. Rrok Mirditës në New York, Dom Zef Oroshi me rastin e themelimit të Lidhjes Katolike Shqiptare në vitin 1962, pat deklaruar: “Mirë se u pruni Zoti në shtëpinë tuej. Kjo sot është një shkëndi e vogël që me ndihmë të Zotit do të bahemi dritë e madhe, me shndërritë edhe votrat e errësueme në Atdhe. Rruga e jonë është dhe mbetet ajo e Krishtit: drejtësi, dashuni e paqë për gjithkënd dhe me gjithkënd”. Nuk ka asnjë dyshim, për ata që e kanë njohur dhe që kanë ndjekur jetën dhe veprimtarinë e Mons. Rrok Mirditës, se në të vërtetë ishte Arkipeshvi i Durrës -Tiranë, i cili për fat të keq u nda prej nesh para pak ditësh, ai që “shkëndinë e vogël”, për të cilën pat folur Mons. Zef Oroshi në vitin 1962 – Arkipeshkvi Rrok Mirdita ishte ai që shndërroi, atë shkëndi të vogël në një “Dritë të Madhe”, dritë e cila sot me krenarinë dhe besimin e padyshimtë në pasurinë etnike të trashëguar nga të parët dhe në traditat fetare dhe kombëtare shqiptare, të gërshetuara me kulturën e shëndoshë amerikano-perëndimore, më në fund, “shndërriti në votrat e errësueme të Atdheut”. Kjo është merita dhe trashëgimia e Mons. Rrok Mirditës, i cili me entuziazmin e tij pat sjellur një bashkëpunim të zellshëm e të frutshëm në komunitetin shqiptaro-amerikan duke i dhënë një hov të ri veprimtarisë së Kishës së parë Katolike në Amerikë dhe bashkëpunimit të këtij komuniteti dhe mbarë shqiptarëve në Shtetetet e Bashkuara, pa dallim. Ishin përpjekje të vështira këto për të bashkuar shqiptarët e shpërndarë anë e mbanë Nju Jorkut dhe në shtete të tjera. Por me vullnetin e pandërprerë, me sakrifica e mundime të mëdha që Mons. Mirdita me bashkëpuntorët e tij arriti të kapërcente kundërshtimet, apatitë, ndërhyrjet qëllim-këqia dhe më në fund nën drejtimin e tij, ia dolën me realizimin e objektivit të lartë fetar e kombëtar, ndërtimit të Kishës së re, Zoja e Shkodrës këtu në Hartsdale të New Yorkut që sot është bërë jo vetëm qendër fetare, por edhe një qendër kombëtare me rëndësi e shqiptarizmit dhe e vëllazërimit midis shqiptarëve të besimeve të ndryshme. 
I ftuar nga Papa Gjon Pali i dytë, Mons. Mirdita pranon këtë thirrje dhe privilegj historik që veprën e madhe të filluar në Amerikë, t’a vazhdonte në Atdhe, për të filluar një agim të ri për Shqipërinë, siç pat shkruar një gazetë amerikane në atë kohë. Me transferimin e tij në Shqipëri, ai angazhohet për ringjalljen e Kishës Katolike duke ndërtuar, ndër të tjera, edhe Kishën Katedrale të Shën Palit Në Tiranë, edhe kjo një qendër shërbimesh fetare dhe kombëtare për të gjithë shqiptarët, por një qendër kjo që Mons. Rrok Mirdita e shndërroi në bashkërendimin e veprimtarive të shumta në fusha të ndryshme bamirëse përfshirë, sipas njoftimit të Arkipeshkvisë, “fushën e arsimit, atë shëndetësore, në mbrojtjen e fëmijëve, në mbështetjen e familjeve në vështirësi dhe në strehimin e të braktisurve përmes hapjes së shkollave fillore (fillore dhe të mesme), azileve, qendrave sociale, shkollave profesionale, qendrave shëndetësore dhe atyre për fëmijët e braktisur”, ndër të tjera. Humbje e madhe e një udhëheqësi kishtar, i pajisur me cilësi të një prijsi të palodhur i pa shkurajuar përballë vështërsive, ia hyri punës me gjoks, me ndihmën e shumë përkrahësve ai kapërceu vështërsi të panumërta, këtu në Amerikë por edhe më shumë në Shqipëri. Unë, dhe besoj shumë të tjerë, do të ushqejmë dhe do të ruajmë, sa të jemi gjallë, mirënjohje për miqësinë, bashkëpunimin e këshillat, por për më tepër për trashëgiminë e tij fetare, kulturore dhe kombëtare, trashëgimi që besoj se do të sjellë lulëzime dhe punë të tjera të mbara për Kishën Katolike në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, në dobi të mbarë kombit. Jo vetëm Kisha Katolike, por bota shqiptare në përgjithësi, ka humbur një frymëzues dhe organizator të palodhur nismash jo vetëm fetare, por edhe kulturoro-kombëtare, gjthmonë në përputhje dhe në lartësimin e vlerave më të dalluara fetare dhe kombëtare. Unë dhe shumë të tjerë që e kemi njohur për së afërmi Mons. Rrok Mirditën dhe me të cilin si indivdidë dhe si komunitet kemi kaluar nepër disa shtigje të vështira, por edhe të lumtura gjatë dekadave të fundit, e ndjejmë rëndë humbjen e tij. Si bashkëudhtarë në këto shtigje – vëllezërve dhe familjes së tij më të gjerë – si pjesëmarrës në zinë që e goditi, u shprehim ndjenjajt dhe përdhimtimet tona më të sinqerta. Ai pushoftë në paqë dhe ju Zoti u forcoftë!

Shkrimi u botua në gazetën Telegraf të datës 09.12.2015
Sigal