CARLO MARIA, Kardinal MARTINI, 1927-2012

705
Sigal

In memoriam

Sot më 31 gusht 2012 pasdite kaloi në amshim kardinali i madh dhe i njohur në Milano, në Itali dhe në botë, Carlo Maria Martini. Pas heshtjes dhe uratës, ja disa kujtime që vrullshëm zgjohen në mua dhe që mund të jenë të dobishme edhe për të tjerët.

 Carlo Maria Martinin e kam njohur dhe takuar disa herë në jetën time. Në çdo takim kam pasur përshtypje dhe përjetime të jashtëzakonshme. Takimet e mia të para me Atë Carlo Maria Martinin, jezuit, janë nga vitet e studimeve në Romë/1968-1975/, sidomos si ligjërues të shkëlqyeshëm, Drejtor i Institutit Biblik në Romë, shkrimtar dhe dijetar me famë botërore, shkrimtar tejet i frytshëm në lëmin biblik, egzegjetik dhe shpirtëror. Deshi Zoti dhe Papa Gjon Pali II dhe ai qe emëruar arqipeshkv dhe kardinal i Milanos në vitin 1980 dhe dha dorëheqje për arsye të moshës dhe sëmundjes në vitin 2002, një ndër ipeshkvijtë më të mëdhenj dhe më të rëndësishme në botë. Dhe, ja prapë kardinal Martini ishte befasi e madhe, sepse u dëshmua si ipeshkëv dhe bari i shkëlqyeshëm me shumë iniciativa të qëlluara dhe të guximshme baritore, me dialogim të vazhdueshëm  ekumenik mes të krishterëve, pastaj me Hebrenjtë, me Myslimanët, deri edhe me mosbesimtarët dhe ateistët.

Ishte dhe mbeti një burim, mos të them “vullkan”, i pashtershëm i  librave dhe botimeve të përkthyera në mbarë botën. Ajo që më ra mua në sy ishte përcjellja e gjendjes kishtare dhe shekullore në Europë dhe në botë. Më kujtohet mirë Kongresi i Parë Ekumenik në Basel të Zvicrës /1989/, ku ai ishte një ndër kryesuesit dhe ligjëruesit më të spikatur dhe më të rëndësishëm të këtij tubimi. Për një mandat ishte edhe Kryetari i Konferencës Ipeshkvore Evropiane. Në këtë detyrë e kemi takuar disa herë së bashku me Imzot Nikë Prelën /1918-1996/, duke ia shpjeguar gjendjen tonë tejet të vështirë dhe shumë të rrezikshme. Gjithnjë pati mirësi dhe mirëkuptim për çështjen tonë kombëtare dhe kishtare. Më një rast ia mundësoi në katedralen e famshme të Milanos Imzot Nikë Prelës meshën për paqe në Kosovë dhe në Ballkan, me pjesëmarrje të madhe të besimtarëve të Milanos, gjë kjo që dëshmonte mendjen e tij të lartë dhe zemrën e tij të madhe për ata që ishin në vuajtje. Me shumë kënaqësi ruaj disa kujtime që tani do t’i shpalosi. Më 11 dhjetor 2005 personalisht më shkruajti një letër të cilën e ruaj si kujtim të çmuar dhe të dalluar, ku ndër të tjera shkruante kështu:

“I nderuaru don Lush Gjergji,

Përzemërsisht u falënderoj Juve dhe Shtëpinë Botuese VELAR për dhuratën e librit tuaj “Vivere Amare Testimoniare”, i cili, jam i sigurt, do t’i ndihmojë shumëkujt për të menduar mbi detyrën e solidaritetit. Më shkaktojnë dhembje lajmet që mi jepni lidhur me Kosovën dhe ia paraqes Zotit vuajtjen e mbarë popullatës.

I bashkuar në lutje, Ju bekoj me zemër, në Zotin

+ Carlo Maria kardinal Martini”.

Në një takim tjetër më tha kështu si në hoka: “Don Lush Gjergji, Ju më bëni konkurrencë me botimet tuaja në ipeshkvinë e Milanos!”. Unë u përgjigja: “Eminencë, mos u tallni me një prift të vogël siç jam unë…”. Ai vazhdoi: “Jo, jo, nuk është tallje, sepse kudo shkoj në ndonjë famulli të Milanos apo të rrethit, në institucionet tona shkollore, në Universitetin Katolik në Milano, has në librat tuaj mbi Nënën Terezën. Ju uroj dhe përgëzoj për këtë punë të madhe dhe tejet të dobishme… Kështu e nderoni Kishën, Nënën Terezën, popullin shqiptar dhe e afron atë për shumë lexues dhe admirues të saj kudo në botë…”.

Në një takim pas vitit 1999 dhe ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, në vjeshtë të vitit 2001, më priti me shumë përzemërsi dhe më dëgjoi me vëmendje të posaçme. Pasi Sekretaria kishte caktuar diku 20 minuta për takim, së pari në tavolinën e tij të punës u ndez një dritë, e pak më vonë u dëgjua edhe një cingërrim i kambanës së vogël, shenja që audienca kishte përfunduar. Unë e ndërpreva bisedën, se i kuptova shenjat… Ai më tha: “Vetëm vazhdoni… Gjatë bisedës hyri sekretari i tij personal… Kardinali i tha: “Nuk jam as i verbër as shurdhë, por dua të bisedoj edhe pak me Don Lush Gjergjin rreth Kosovës dhe Ballkanit…”. Dhe takimi e biseda jonë vazhdoi edhe për disa minuta.

Carlo Maria Martini, kardinali i Milanos deri në vitin 2003,  vite me radhë Kryetari i Konferencës Ipeshkvore Europiane, studiuesi i madh i Biblës, në një takim me Mons. Nikë Prelën ndër të tjera pati thënë kështu: “Shkëlqesi, deri sa Kisha dhe populli do të ketë njerëz si Ju, e tashmja dhe e ardhmja është e siguruar. Po, ajo së pari është në duart e Zotit, por edhe në përkujdesjen tonë. Zoti kërkon bashkëpunëtorë, e Ju jeni  një bashkëpunëtor i tij i shkëlqyeshëm. Urime dhe vetëm vazhdoni kështu!”. (Nga shënimet e mia, Milano, tetor 1994).

Vlen të përmendet se në shtator të vitit 2005 ishte në Kosovë, në Prizren, ku ishte takuar me Imzot Mark Sopin/1938-2006/ dhe në Letnicë, ku i kishte ushtrimet shpirtërore për studentet e filozofisë dhe teologjisë nga Shkodra. Më atë rast ia dhurove librin tim “Nëna e Dashurisë” në gjuhën italiane, duke theksuar Letnicën, si Shenjtërore dhe vend të përcaktimit përfundimtar për jetën rregulltare dhe për misione. Ai e pranoi me shumë falënderim dhe më tha: “Jam i lumtur që gjendem në Kosovën e lirë…, në Letnicë, vend fatlum për thirrjen dhe shërbimin e mrekullueshëm e së Lumes Nënës Terezë… Kjo gjë zgjon në mua shumë emocione…”. Në kohën më të vështirë për popullin Shqiptar, sidomos për Kosovën, ishte mik dhe dashamir i dëshmuar dhe angazhuar për njohjen, përhapjen dhe mbrojtjen e të drejtave tona, si dhe për liri, pavarësi dhe demokraci. Sot Carlo Maria Martini i bashkohet të mëdhenjve të shekullit, të Lumit Gjon Pali II, të Lumes Nëna Terezës si dhe shumë figurave të ndritshme, që me “dritë” në dorë dhe në zemër jetuan, janë “djegur” për Krishtin, Kishën, Njeriun,  tani shijojnë paqen, dritën dhe lumturinë e amshuar.

 Prishtinë, 31 gusht 2012