Frank SHKRELI/  Shuhet një figurë e respektuar e Gjermanisë

650
Sigal

“Të gjithë ne, fajtorë ose jo, të rinj apo të vjetër, duhet ta pranojmë të kaluarën. Të gjithëve na prekin pasojat e saj, që na kanë goditur. Të gjithë ata që mbyllin sytë para së kaluarës, janë të verbër në të tashmen”.   Ish-Presidenti i Gjermanisë, Richard von Weizsäcker

Zyra e presidentit të Gjermanisë,  z. Joachim Gauck njoftoi se të shtunën ndërroi jetë në moshën 94-vjeçare ish-Presidenti i Gjermanisë Richard von Weizsäcker. Ai kishte shërbyer në detyrën e presidentit për një periudhë prej dhjetë vitesh, nga viti 1984 deri në 1994 dhe më përpara ai kishte shërbyer si kryetar i Bashkisë së Berlinit nga viti 1981 deri në vitin 1984. Ndonëse detyra e presidentit në Gjermani është më tepër një post ceremonial, me gjithë këtë ai diti ta përdorte postin e lartë shtetëror për të inkurajuar diskutimin e çështjeve me rëndësi kombëtare, ndërkombëtare dhe për të nxitur debatin mbi rolin që duhet të luajë Gjermania në botë. Ish-presidenti gjerman konsiderohej si një udhëheqës i respektuar në fushën ndërkombëtare dhe si një figurë integruese dhe pajtuese brenda vendit të tij dhe me fqinjët e Gjermanisë. Gjatë mandatit të Presidentit të Richard von Weizsäcker dhe pas shembjes së Murit të Berlinit, Gjermania u ribashkua me 3 tetor, 1990. Presidenti i tanishëm i Gjermanisë, Joachim Gauck, në mesazhin e tij me rastin e vdekjes së paraardhësit të tij, tha se Presidenti Weizsacker, “Ishte simboli i integrimit të Gjermanisë në komunitetin e vendeve demokratike të botës dhe se ai dëshironte një Republikë Federale gjermane e cila do të përballej me të kaluarën e saj”.  Ndërsa Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, e cilësoi shuarjen e Richard von Weizsäcker si, “Një humbje të madhe për Gjermaninë”. Ndërkombëtarisht, Richard von Weizsäcker mori famë me fjalimin që ai mbajti në vitin 1985 drejtuar parlamentit të Gjermanisë Perëndimore në Bon, me rastin e 40-vjetorit të kapitullimit të Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore. Ai e cilësoi me atë rast ditën e fitores mbi nazizmin si “një ditë e çlirimit nga sistemi çnjerëzor i tiranisë nacional-socialiste”.  Ishte ky një fjalim, që sipas Kryetarit të Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, “ndikoi mbi një gjeneratë të tërë dhe një fjalim që përcaktoi imazhin e Gjermanisë si një forcë integruese, në qendër të kontinentit tonë”. Në atë fjalim, i ndjeri Weizsäcker u bëri thirrje të gjithë gjermanëve të gjeneratës së tij dhe të brezit të ri, që të përballen me historinë e tyre që të pranojnë turpin e kombit të vet në të kaluarën, duke theksuar se kjo ishte e vetmja mënyrë për të realizuar një të ardhme paqësore, për të siguruar pajtimin me njëri-tjetrin, midis gjermanëve dhe shumë popujve fqinjë të cilët kanë vuajtur nga nazizmi hitlerian. Me atë rast ai pohoi se, “Pothuajse çdo vend, në historinë e vet, mund të fajësohet për luftë dhe dhunë”, por sipas tij, si krim, “gjenocidi kundër hebrenjve është i pakrahasueshëm në histori”.  Gjatë atij fjalimi, që bëri shumë bujë në atë kohë, ai pat përcaktuar të ardhmen e gjermanëve me Perëndimin, deklaruar gjithashtu se Gjermania është përgjithmonë e lidhur me Komunitetin Europian dhe me Aleancën Perëndimore. Si bir i një zyrtari të lartë të regjimit nazist dhe si anëtar i regjimentit ushtarak që pushtoi Poloninë në vitin 1939, Richard von Weizsäcker, mbante mbi supe barrën e historisë jo vetëm si një gjerman i thjeshtë, por edhe si udhëheqës i Gjermanisë demokratike, pasardhëse e një regjimi që shkaktoi aq vuajtje. I ngarkuar me barrën e historisë, ai ishte presidenti i parë gjerman që vizitoi Izraelin dhe i pari udhëheqës gjerman i cili shënoi 50-vjetorin e invadimit të Polonisë nga forcat naziste me një letër që ai i kishte dërguar homologut të tij polak, me të cilën i shkruante se Gjermania nuk do të ketë kurrë pretendime mbi ish provincat perëndimore gjermane të Polonisë. Për më tepër, ai vizitoi Poloninë për herë të parë në vitin 1990, menjëherë pas shembjes së Murit të Berlinit, vizitë të cilën ai e ka quajtur si më të rëndësishmen e karrierës së tij politike. Në vazhdën e përpjekjeve të tij për pajtim me fqinjët europianë, presidenti von Weizsäcker priti presidentin e parë demokratik çekosllovak, Vaclav Havel për një vizitë në Munich, aty ku Hitleri kishte siguruar nënshkrimin e marrëveshjes për ndarjen e Çekosllovakisë, dhe disa javë më vonë me rastin e 51-vjetorit të hyrjes së forcave pushtuese naziste në Pragë, të prira nga vetë Hitleri, presidenti  Weizsaker u gjend në Pragë për të shënuar atë përvjetor në liri. Në një koment të radios gjermane Deutsche Welle (DW) kushtuar jetës dhe veprimtarisë së ish-presidentit gjerman, duke e cilësuar atë si një “figurë morale të rëndësishme”, nënvizohet rëndësia që presidenti Weizsäcker i kushtoi gjatë mandatit 10-vjeçar të tij, pajtimit të Berlinit me vendet e Europës Lindore dhe me Izraelin. Ai ishte i bindur, thuhet në komentin e DW-së, se nuk mund të shënohej një fillim i ri në marrëdhëniet e Gjermanisë me këto vende duke fshehur të kaluarën, por donte që të rivendoste lidhje të reja integruese dhe pajtimi midis gjermanëve dhe popujve të tjerë, duke kujtuar dhe rikujtuar atë histori dhe duke diskutuar të kaluarën, sado e dhimbshme që ishte, me qëllim për të mos e harruar kurrë. Madje, edhe pasi u largua nga posti i presidentit, Richard von Weizsäcker vazhdoi të luante rolin e tij integrues dhe pajtues në Europë midis vendit të tij dhe vendeve të Europës Lindore. Mendimet e tija kërkoheshin dhe këshillat e tija dëgjoheshin, pasi konsiderohej si mbështetës i vendosur i demokracisë, i lirisë dhe të drejtave të njeriut për të gjithë dhe kudo dhe si njëri që besonte se historia sado e keqe dhe e dhimbshme të ketë qenë, duhej të shpalosej për brezat e ardhshme në përpjekje që të mos përsëritet kurrë më. Në një kryeartikull mbi Kosovën, botuar në gazetën amerikane Washington Post më 28 mars 2007, me bashkautor ish-ministrin e Brendshëm italian, Giuliano Amato, i ndjeri ish-presidenti gjerman Richard von Weizsäcker tregon interesimin e tij edhe për gjendjen në Kosovë. Në atë artikull ai shprehte shqetësimet e tija mbi status kuonë në Kosovë (më 2007) duke i bërë thirrje Bashkimit Europian për një angazhim më të madh dhe më të vendosur në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, duke shkruar se, “e ardhmja e Bashkimit Europian nuk mund të ndahet nga e ardhmja e Ballkanit Perëndimor. Vendet e Ballkanit, tani janë aq afër suksesit sa janë edhe afër dështimit. Luftërat kanë marrë fund, por profili i rajonit është një numër shtetesh të dobëta dhe protektorate ndërkombëtare të cilat shpresojnë të anëtarësohen në Bashkimin Europian, por nuk dinë se kur dhe si”. Ata vazhdojnë artikullin duke theksuar se, “ne europianët kemi një përgjegjësi të veçantë për çka ka ndodhur në Ballkan”, dhe duke pranuar dështimet e politikës europiane ndaj Ballkanit gjatë viteve 1990-të, ata shkruajnë në gazetën Washington Post se, “ne dështuam të parandalonim shpërthimin e luftërave në zemër të Europës, megjithëse tani ndërhyrja jonë ushtarake dhe ekonomike, kryesisht, i ka dhënë formën gjendjes së tanishme të krijuar në atë rajon” dhe theksonin se “shumica e forcave ushtarake sot në Kosovë janë europiane dhe se Europa ka kontribuar shumicën e fondeve në Kosovë gjatë dekadës së fundit”, nënvizojnë bashkautorët e artikullit mbi Kosovën. I ndjeri Richard von Weizsäcker, së bashku me kolegun e tij Italian, e përfundonte artikullin mbi Kosovën duke u bërë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Europian që të kenë një qëndrim të përbashkët për njohjen e Kosovës duke bërë thirrje që, “me çdo kusht, Europa duhet të mos lejojë që disa vende europiane të përkrahin njohjen e Kosovës e disa të tjera jo”, përfundonte artikulli i botuar në gazetën e kryeqytetit amerikan në vitin 2007. Ish-presidenti i parë i Gjermanisë së ribashkuar, Richard von Weizsäcker dhe figura që konsiderohet si “ndërgjegjja morale e kombit” të vet, ndërroi jetë të shtunën që kaloi, në moshën 94-vjeçare.