Asnjë raportim për biznesin e bagëtive në Xibrakë

510
Sigal

Gjermanët  “zbuluan” edhe dobësitë e atyre që e kishin për mision sigurinë e magazinave dhe evidentimin e aktiviteteve ..

E ndërsa dosja “Xibraka” ka nisur të mbushet me fakte dhe të dhëna të reja dhe të vjetra lidhur me trafikun e drogës, duket se pas dore po lihet puna e dobët e policisë së Elbasanit, duke nisur nga informacionet e munguara në rrugë operative për objektin në fjalë, e deri tek vëzhgimi dhe kontrollet që janë detyrë e këtyre organeve. Sipas deklaratave të një ish-specialisti policie për afro 30 vjet  “nuk mjafton ta njohësh në detaje punën tonë, por sipas një logjike të thjeshtë, policia e ka detyrim ligjor të kontrollojë dhe gjurmojë qoftë edhe një kioskë ku ushtrohet një aktivitet fare banal, dhe dyfish e ka këtë detyrim ligjor për një territor të madh, ku ndodhen magazine, ku thuhej se ishte ngritur një biznes bagëtish, apo çfarëdo qoftë ai”. Si ka mundësi që një territor i mbushur me magazina ku kishte nisur një biznes privat, të ishte jashtë kujdesit  dhe vëmendjes të uniformave blu, strukturave të tyre, dhe të kishin informacion të plotë organet inteligjente e policore gjermane e kolumbiane? Asnjë informacion dhe vëzhgim, asnjë kontroll i dokumentuar nga policia për heshtjen, për lëvizjet e shumta të personave dhe mjeteve në atë kompleks magazinash, asnjë kontroll dhe proces-verbal i mbajtur zyrtarisht nga inspektori zonës, në një territor që ndodhet jo më shumë se 10 km larg Elbasanit. Është detyrë ligjore e policisë dhe strukturave të specializuara të saj, ( në rast se ka të tilla), të mbajë nën kontroll çdo aktivitet privat, aq më tepër një territor i mbushur me magazina ku ndodheshin disa biznese, asnjë kontroll edhe nga strukturat e tjera të shtetit, si Reparti Zjarrfikëseve për verifikimin dhe konstatimin e mjeteve kundra zjarrit, tatimorët etj. Por detyrimin ligjor parësor e kanë strukturat policore, organet e hetimit dhe parandalimit të krimit dhe trafikut, të cilat kanë qenë në gjumë dhe janë zgjuar kur kolegët e tyre gjermanë kanë vënë alarmin. Përgjumja e policisë tregon paaftësinë e tyre dhe mungesën e profesionalizmit në rastin më të mirë. Ministria e Brendshme duhej të ishte ndalur gjerësisht në zbulimin e shkaqeve që çuan në zbulimin gjerman të trafikut të drogës dhe dosjen “Xibraka”, të ndalej në shkaqet që çuan në ngritjen e laboratorit, në mungesën e  profesionalizimit, të  informacioneve  paraprake etj. Është e pafalshme të mendosh se rrjeti i trafikut ndiqej nga Gjermania dhe vendet e tjera europiane, dhe policia shqiptare ishte në gjumë, e painformuar, pa asnjë të dhënë, qoftë edhe elementare, që në raste të tilla kur trafiku ka përmasa kaq të mëdha, më e pakta është vala e shkarkimeve dhe nxjerrja e përgjegjësive. Dështimi me “Xibrakën” e ka nxjerrë policinë zbuluar dhe ka shfaqur dukshëm mangësitë e punës së saj operative dhe hetimore. Dështimi me “Xibrakën” ka nxjerrë zbuluar dështimet e tjera të policisë së Elbasanit, strukturave të saj në luftën kundër krimit dhe trafiqeve. Kjo duket në rritjen e gamës së krimeve, duke nisur nga krimi i rrugës, e deri tek krimet e tjera, pa përjashtuar krimin ekonomik. Përpara se të shpalosen “arritjet” dhe të bëhet shou me ndonjë arrestim të dorës së dytë, duhen sqaruar dhe duhen thënë se përse fuqia zbuluese dhe parandaluese është nën nivelin e kërkuar, përse ka apati dhe ngadalësi në gjurmimin parandalimin dhe luftën ndaj fenomeneve negative dhe krimeve si korrupsioni, trafiqet dhe rritja e numrit të vjedhjeve dhe krimit të rrugës. Xibraka ishte dhe mbetet akoma kambana e cila bie për veshët e ministrit të Brendshëm, drejtorit të Policisë së Shtetit, deputetët e Parlamentit, për të vënë në binarët e ligjit punën e policisë dhe strukturave të saj. Ndoshta duke e nisur këtë rrugëtim ligjor nga Elbasani.