21 janari/ Burgaj dhe Kuliçaj u paraqitën dje për herë të parë në Prokurori

412
Sigal

Ish drejtuesit e Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj dhe Agron Kuliçaj, janë paraqitur për herë të parë dje në prokurori, si persona nën hetim për çështjen e 21 janarit, ku mbetën të vrarë 4 protestues. Kuliçaj dhe Burgaj janë paraqitur në prokurori ditën e hënë, për të dhënë deponimet e tyre, përballë prokurorit të çështjes, Ndini Tavani. Arsyeja për të cilën ish drejtuesit janë thirrur në prokurori për të dëshmuar lidhet  me mos zbatimin e urdhrit të Prokurorisë për arrestimin e grupit të zjarrit në protestën e 21 janarit të vitit 2011. Por, megjithëse janë paraqitur në prokurori të dy ish drejtuesit e Policisë së Shtetit, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, i vetmi që ka dëshmuar është ish drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Burgaj. Ndërsa Agron Kuliçaj, nuk ka pranuar të dëshmojë, duke deklaruar se do të paraqitet në prani të avokatit për të dëshmuar versionin e tij, në lidhje me mos arrestimin e 6 gardistëve të cilët vranë 4 protestues në protestën e Partisë Socialiste, atë kohë në opozitë. Në dëshminë e tij, Burgaj mësohet të ketë thënë se urdhër arrestet nuk janë zbatuar herën e parë, për shkak të një lapsusi ortografik, por pas korrigjimit, duke qenë se kompetencat i kanë kaluar drejtorisë së Tiranës, ai nuk ka dijeni se çka ndodhur më pas. Gjatë procesit të marrjes në pyetje të

dy ish drejtuesve të policisë së shtetit, të pranishëm kanë qenë oficeri i policisë gjyqësore si dhe oficeri i shërbimit të kontrollit të brendshëm të policisë së shtetit.  Dosja, sipas prokurorisë, aktualisht ndodhet për veprime procedurale pranë SHKB-së.  Më herët ka qenë Ministria e Brendshme ajo që ka kallëzuar në prokurori, Burgaj dhe Kuliçaj për shpërdorim detyre. Por mësohet se në radhët e personave që do të pyeten lidhur me 21 Janarin, është dhe ish- drejtori i Policisë së Tiranës, Sajmir Muça. Paraqitja në deponim në prokurori e ish drejtuesve të policisë së shtetit vjen 4 vite pas vrasjes së 4 protestuesve, Aleks Nika, Hekuran Deda, Ziver Veizi dhe Faik Myrto. Dosja 21 janarit nuk është mbyllur, kjo për shkak se Gjykata e Lartë vazhdon të studiojë dosjen pas kërkesës së Prokurorisë për rikthimin në burg të Ndrea Prendit, Agim Llupos dhe Margarit Kumes.