Prof. Dr. Valter Shtylla: Një takim i paharruar me Bekim Fehmiun në Prishtinë në vitin 2004

Me një stazh të gjatë si studiues i vlerave të Trashëgimisë Kulturore Materiale në Shqipëri kam pasur mundësinë që të vizitoj shumë herë Kosovën duke filluar që nga viti 1980. Njohja më në gjerësi e vlerave tona kombëtare, por edhe mikpritja, respekti e konsiderata që kolegët nga Kosova kanë për studiuesit nga Tirana, në çdo rast përbëjnë faktorë për ta ndjerë veten kurdoherë të mirëpritur ndërmjet bashkatdhetarësh dhe miqsh. Ka qenë një kënaqësi e veçantë për mua kur në bashkëpunim me kolegët kosovarë gjatë viteve 2004-2005 kemi realizuar restaurimin e urës së Tabakëve dhe asaj të Taliqit në Kosovë, objekte mesjetare, që mbështetur në gjurmët e mbetura rifituan pamjen origjinale dhe siguruan qëndrueshmërinë. Në vitet në vazhdim ndërhymë në konstruksionin e urës së Terzive ndërmjet Gjakovës e Prizrenit, hartuam Projektin e Restaurimit të urës së Budisavcit mbi Drinin e Bardhë pranë Klinës, u rikompozua ura e dëmtuar në Bubël të Malishevës, u kryen ekspertiza në urën romake prej druri në Rogovën e Hasit, në urën e Suzi Çelebiut në qytetin e Prizrenit etj. Gjithashtu u restaurua Hamami i Haxhi Beut në Pejë, janë kryer ekspedita kontrolli në Vranoc, në Pejë, Prishtinë, Prizren, Novobërd etj. Konsultat dhe leksionet, si në Mitrovicë, Prishtinë, Prizren etj. qenë aktivitete të zakonshme bashkëpunimi me organizatat e specializuara dhe me specialistët vendas me ose pa përvojë.

Në datën 22 korrik 2004 i shoqëruar nga miku im Osman Gojani, Drejtor i Entit Komunal të Monumenteve Gjakovë, kryem një vizitë pune në Ministrinë e Kulturës, në qendër të Prishtinës. Pasi dolëm nga Ministria kolegu Gojani më propozoi të uleshim për një kafe në Bar-Kafen “ABC” karshi godinës së Ministrisë. Gojani më shpjegoi se ky lokal frekuentohej nga njerëzit e artit dhe kulturës, jo vetëm se ndodhej pranë dikasterit të kulturës dhe Teatrit të Prishtinës por edhe se Bar-Kafeja kishte ngjitur Kinemanë “ABC”. Brenda në kafene, në një ambjent të saj, shohim të ulur aktorin e madh Bekim Fehmiu në shoqërinë e zotit Zufer Avdija, ish-basketbollist i njohur kosovar dhe pjestar i Kombëtares Jugosllave, aso kohe në elitën botërore të basketbollit. Shoqëruesi kosovar më pyeti nëse dëshiroja të ulesha për të pirë një kafe me aktorin e madh, propozim që e pranova me kënaqësi. Takimin e prita si një privilegj që s’e kisha menduar ndonjëherë, si një takim tej kufijve të artit, me vlera, të themi, të patriotizmit në art dhe kulturë. Veç kësaj më ngacmonte dhe fakti që kthimi në Tiranë do të rezervonte një moment tjetër të këndshëm duke i treguar vëllait tim Muharrem Shtylla, ish-drejtor disa-vjeçar i Teatrit tonë Kombëtar, bisedën me ndjenjë me artistin e madh botëror Bekim Fehmiu, të cilin im vëlla e kishte takuar kur ai vizitoi Tiranën në shoqëri të zotit Anagnosti.

NOA

Siç e theksova më lart, në shoqërinë e kafes së Bekimit ishte zoti Zufer Avdija, baskebollist kosovar, i lindur në zonën e Sharrit në vitin 1959. Si një figurë shqiptare e ‘top-koshit’ të njohur të ish-Jugosllavisë, ai ka pasur një aktivizim disa-vjeçar në lojën e basketbollit. Në vitet 1977-1979 ka luajtur me ekipin e Prishtinës e më pas, 79-89 është aktivizuar me Crvena Zvezdën e Beogradit, një nga ekipet më të forta të ish-Jugosllavisë. Me përfaqësuesen e këtij vendi në vitin 1980 ka fituar Kampionatin Ballkanik në Kluzh të Rumanisë, më 1982 ka marrë medaljen e bronzit, vendi i tretë në Kampionatin Botëror në Kolumbi, dhe së fundi më 1983 u shpall fituesi i Lojrave Mesdhetare në Kazablanka. Ka luajtur përkrah lojtarëve të njohur të ish-Jugosllavisë si Kiçanoviç, Dalipagiç, Dalibasiç etj. Sot djali i tij Deni është i vetmi lojtar shqiptar që luan në ligën NBI në USA me ekipin Portland Trail Blazers. Me gjatësi ia kalon babait të tij 66 vjeçar, që sot arrin tek 2.03 metrat, Deni është 2.06 m.

Sigurisht, momentin më kulmor të këtij eventi për mua e bënte takimi me Bekim Fehmiun, i cili në atë ditë të nxehtë korriku ishte i veshur mjaft sportiv, me bluzë me vija dhe me pantallona të shkurtëra. Aso kohe ishte 68 vjeç, m’u duk i rënë dhe i dobët, duke e menduar me tiparet e artistit simpatik dhe sportiv që e kisha njohur në filmat me emër të kohëve të kaluara. Gjatë kafes me Bekimin zhvilluam një bisedë tepër të çiltër, e cila sa vinte e “ngrohej”. Tashmë kishim hyrë në rangun e një bashkëbisedimi ndërmjet dy personazheve të botës së kulturës. Ai më tregoi për veten, për familjen, për shtëpitë që kishte në Beograd, në Prishtinë dhe në Prizren, në të cilat jetonte në përshtatshmëri me stinët. Sigurisht, duke ia njohur vetes epërsinë në artin e xhirimit, fliste pak kumbueshëm.

Duke qenë se ndjehesha mëse i nderuar nga njohja me një personazh arti të lartësuar, aq më tepër të dy arbër, i kërkova Bekimit që të shkrepnim një foto-kujtim bashkë. Për habinë time ai e refuzoi këtë propozim, duke ma argumentuar se nuk dëshironte që të fotografohej në gjendjen e sotme në moshë të thyer. Unë dua, shtoi Bekimi, që njerëzit të më mbajnë mend ashtu siç më kanë parë nëpër filma, duke më kujtuar dhe admiruar me imazhin e atyre kohëve të kaluara dhe jo siç më shihni sot, prej vitesh tashmë i tërhequr nga jeta intensive dhe me variacionet e artit. Bekimi vazhdoi bisedën më tej duke dialoguar për ngjarjet emocionale të jetës së tij artistike, për kujtimet dhe përshtypjet e shumta. Një moment të ndjeshëm ai më shprehet: “Ju nuk keni pse të më kujtoni dhe lartësoni si artist. Unë nuk kam merita për artin shqiptar dhe nuk kam pasur rastin të realizoj vepra artistike në ambjentin shqiptar. Jam aktivizuar dhe vlerësuar në shumë studio kinematografike të huaja dhe vetëm kaq. Nuk kam realizuar për emrin tim shqiptar, megjithëse kam ëndërruar për rolin e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut.” Këtë dëshirë artisti i madh e ka shprehur edhe gjatë vizitës së tij në Shqipëri. Gjatë kohës që ai shprehte këtë mendim, e pyesja veten nëse kjo mospërfshirje në artin e origjinës së tij ishte pasojë e konjukturave politike dhe sistemit të kohës, apo rridhte për arsye të ndonjë qejfmbetjeje nga xhelozitë profesionale, që në botën e artit janë shpesh të pranishme. Jo vetëm në rolin e bashkëbiseduesit në tryezën e Barit “ABC” në qendër të Prishtinës, por edhe si një bashkëkombës i tij e quajta të arsyeshme që të paktën t’i shprehja shqiptarit me emër të ndritur atë çka mendoja unë për vlerat tona kombëtare në çdo fushë. “Populli ynë ka historinë e tij dhe gjatë saj ka evidentuar figura të njohura në aspekte të ndryshme të drejtimit dhe krijimit. Gjatë shekujve kemi njohur miq dhe dashamirës, por dhe nga ata, pranë dhe larg nesh, që na kanë parë shtrembër. Shqiptarët janë një popull i vogël, por me Histori të Madhe dhe me individualitete të nderuara edhe botërisht, prandaj duhet të nderojmë dhe respektojmë figurat tona kombëtare në çdo fushë qofshin. Krenohemi me Skënderbeun jo vetëm se mbrojti territoret shqiptare, por edhe, sepse kontribuoi për sigurinë e trojeve në vende të tjera. Gjithashtu krenohemi edhe me Nënën e madhe Tereza; e cila pati pak veprimtari në trojet shqiptare, por gjatë gjithë jetës iu përkushtua një misioni humanitar, që u bë i njohur në gjithë botën. Shqiptar ka qenë edhe Aleksandër Moisiu, që interpretoi shkëlqyeshëm role të mëdha në skenat e njohura të Europës. Një tjetër figurë e nderuar, letrari i madh kombëtar Ismail Kadare përkthehet e lexohet në mbarë botën.”

Këta janë shqiptarë, vlera dhe veprimtaria e të cilëve i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë, të Kosovës dhe të vendeve të tjera ku kanë jetuar. Prandaj, i shprehem Bekimit: “Edhe ti je një shqiptar me vlera të mëdha. Figura jote tashmë admirohet në të gjithë ekranet e planetit duke e lartësuar emrin e shqiptarit. Me aftësitë e tua krijuese, me talentin tënd, ti i ke treguar opinionit se ç’mund të bëjnë shqiptarët në fushën e Fartit. Pse vallë, pak është kjo për një popull të vogël si i yni, të cilit shpesh të tjerët mundohen t’ia përvetësojnë origjinën dhe vlerat, madje deri në përkatësinë etnike të figurave”. Në përmbledhje i them Bekimit: “Ti je botëror për vlerat dhe talentin, por je i yni, krenohemi me ty. Veç kësaj rrjedh nga një familje e njohur patriotike. Babai yt, arsimtari i njohur Ibrahim Fehmiu, është nderuar për në banesën e fundit me flamurin shqiptar mbi ark-mortin ceremonial.” Pas këtyre fjalëve vura re me kënaqësi se aktorit të madh shqiptar i erdhi për shtat një mbyllje e tillë e bisedës sonë, me pathos dhe kulturë, prej dy kolegësh tashmë të miqësuar dhe të mirëkuptuar.

Ndërkohë që largohesha nga ky takim mbresë-lënës me Bekimin e Madh Shqiptar, me kënaqësinë e njohjes me atë krijues të talentuar, por me keqardhjen për mos realizimin e një kujtimi fotografik, kolegu shoqërues Osman Gojani afrohet dhe më thotë se me celularin e tij kishte arritur të na “vidhte” një foto, për mua historike, në shoqërinë e dy personazheve të spikatur nga Kosova. Duke nderuar veprën e tij, ndjehem me emocion dhe fat që pata një bisedë tepër miqësore me Bekim Fehmiun; i cili më 15 qershor 2010 u largua nga jeta. Hiri i tij u shpërnda në ujërat e lumit të qytetit të Prizrenit, që njihet me emrin Lumbardhë. Kështu aktori historik i Kosovës me fundin e jetës së tij nderoi emrin e Prizrenit, si një nga qendrat më të spikatura të Patriotizmës Shqiptare. Nderimin për kujtimin e tij e ndjeja si detyrim që të shkruaja dy fjalë për përjetimin e takimit në Prishtinë me Bekimin e ndritur.