Frank SHKRELI/ Le të jetë viti 2014, Viti i Shqiptarëve

589
Sigal

Viti i Ri është festa më gjithpërfshirse dhe më e celebruar në botë. Me këtë rast, ne përpiqemi që, në nivelin personal, këtë ditë ta festojmë me më të afërmit, me familje, me miqtë e dashamirët tonë, për të shënuar atë që shpresojmë të jetë një fillim i ri suksesesh dhe realizim objektivash për veten tonë dhe për familjen, njëherazi duke lënë pas, pakënaqësitë, dështimet dhe humbjet e vitit ose viteve që kaluan. Mbi të gjitha, urojmë njëri-tjetrin që Përenda të na dhurojë në Vitin e Ri, gjërat bazë dhe më të rëndësishme, siç janë jeta dhe shëndeti, për veten tonë, për familjet tona dhe për miqtë dhe dashamirët tonë të ngushtë, por shpresojmë edhe për lumturi dhe begati.

Është gjithashtu traditë që më rastin e Vitit të Ri, të angazhohemi duke i bërë vetes, dhe të tjerëve, premtime se vitin e ardhshëm do ndërmarrim veprime dhe projekte për përmirësim, për ndreqjen e gabimeve, dhe për rritjen e vlerave dhe të cilësisë së punës dhe veprimtarisë tonë në përgjithësi. Bëjmë urime dhe dërgojmë mesazhe frymëzimi për një Vit të Ri të lumtur, me besimin për një fillim të ri, të bindur se ky Vit i Ri do të jetë më i mirë dhe më i suksesshëm se ai që posa mori fund. Edhe pesimisti më i madh, në këtë ditë, përpiqet që të fillojë Vitin e Ri me një qëndrim më pozitiv dhe më shpresëdhënës, për një të ardhme më të ndritur dhe më të lumtur. Prandaj le të jetë kjo një ditë celebrimesh për ju dhe të afërmit tuaj, një ditë gjithashtu premtimesh dhe mundësish për realizimin e objektivave të mëdha, por të jetë njëkohësisht edhe një ditë ëndërrimi dhe besimi, se viti i ardhshëm do të jetë vërtetë më i mirë se viti që kaloi, për ne si individë, për familjen tonë të ngushtë dhe për familjen më të gjerë, kombin shqiptar dhe për vendin kudo që jetojmë, të përhapur anë mbanë botës.

Në nivelin kombëtar, Viti i Ri do të jetë një vit vendimesh me rëndësi si për Shqipërinë ashtu edhe për Kosovën. Ky do të jetë viti vendimtar i avancimit ose jo të aspiratave të shqiptarëve për integrimin e mëtejshëm dhe të plotë të kombit shqiptar në organizmat euro-atlantike. Por për të bërë të mundur një gjë të tillë, a do jetë ky viti gjatë të cilit politika shqiptare në të gjitha trevat, do të ngrihet mbi interesat personale dhe partiake për të kthyer njëherë e mirë timonin e anijes së kombit shqiptar drejtë Europës duke përvetësuar vlerat, standardet dhe angazhimet e përbashkëta të kontinentit. Ndonëse, shqiptarët dikur ishin mësuar të luftonin trimërisht të huajin, kryesisht të bashkuar me njëri-tjetrin për idealet kombëtare, sot duket sikur qielli i trojeve shqiptare është mjegullosur nga lufta politike vëlla me vëlla, për pushtet dhe interesa të ngushta personale, duke mos përfillur interesat madhore e afatgjata të kombit. Besoj se të gjithë shqiptarët vullnet mirë, brenda dhe jashtë trojeve të tyre, urojnë dhe dëshirojnë që Viti i Ri 2014, të sjelli një atmosferë debati të hapur e miqësor, një debat që me të vërtetë ka munguar por një debat të cilin e meritojnë shqiptarët dhe e ardhmja e tyre në Europë. Kjo është përgjegjësia morale dhe atdhetare e atyre që udhëheqin sot shqiptarët. Urojnë shqiptarët vullnet mirë që të ketë një ripërtëritje rrënjësore politike, e pse jo edhe morale, në radhët e klasës politike shqiptare, në mënyrë që interesat kombëtare, megjithë ndryshimet e theksuara në pikëpamjet e përfaqësuesve të kësaj klase, të bashkërendohen dhe të harmonizohen me qëllim të krijimit të shtetit dhe të një qeverisjeje në përputhje me frymën moderne të kohës, si dhe në përshtatje të vlerave dhe standardeve europiane. Le të jetë viti 2014, viti i fillimit të integrimit përfundimtar të shqiptarëve në Europë. Le të jetë ky brezi fatlum që realizon ëndrrën shekullore të shqiptarëve.  Le të jetë ky angazhimi serioz për Vitin e Ri, i atyre që kanë sot në dorë fatin e shqiptarëve, pa ua hedhur fajin të huajve ose njëri tjetrit, për realizimin e këtij objektivi të madh e historik në interes të kombit. Të nderuar pjesëtarë të të gjitha ngjyrave politike, angazhojuni se, në Vitin e Ri që po fillon, me veprat tuaja do të lartësoni vlerat kombëtare të shqiptarëve duke ndezur një shkëndijë drejtë rrugës së integrimit të plotë euro-atlantik, një rruge që do të hapë epoka të reja në historinë e shekullit 21-ët të shqiptarëve.

Në këtë kuptim, le të jetë viti 2014, Viti i Shqiptarëve. Gëzuar Viti i Ri.