Vila e Zogut rrezikon të shembet

617
Sigal

Erozioni dhe rrëshqitja e dherave plasarit banesat dhe lokalet në Currila

Shiu i rënë gjatë fundvitit të kaluar, ka regjistruar  situatë të rënduar në qytetin e Durrësit, sidomos në zonat e Currilave, në Kodrën e Vilës së Zogut, si shkak i rrëshqitjeve masive të dherave, duke rrezikuar banesat dhe lokalet. Kështu, ka pasur rrëshqitje në Kodrën e  Vilës së Zogut, kryesisht  në zonën e Currilave. Pas reshjeve të shiut, masive dherash kanë rrezikuar banorët e zonës, pasi po përkeqësojnë situatën në Kodrën e Vilës dhe lokalet të ndërtuara poshtë saj. Gjatë viteve të fundit janë regjistruar rrëshqitje masive dherash nga Kodra drejt Currilave. Disa banesa rrezikojnë rrëshqitjen, pasi fenomeni i erozionit është thelluar së tepërmi në këtë zonë si pasojë e reshjeve të shiut që prej ditësh nuk kanë pushuar. Problemin e tyre edhe kësaj here banorët  e kanë ngritur  tek bashkia, pasi rreziku i tyre shtohet sa herë që bie shi.  Duke e parë nga afër situatën e krijuar, bashkiakët u shprehën se “për zonat ku ka rrëshqitje ka një projekt me vlerë 2 milionë euro, por që fle në sirtarët tanë, pasi ne si bashki nuk kemi fonde, projekti konsiston në mbjelljen e pemëve me qëllim ndalimin e erozionit”.  Sipas urbanistëve “problem financimi është dhe dëmshpërblimi që kanë kërkuar 200 familje që pësuan përmbytje nga shiu vitin e kaluar, familje të cilat janë nga zona e plazhit, Shkozetit dhe ish-Kënetës”. Grupe pune nga bashkia janë duke evidentuar dëmet dhe fatura financiare do t’i kalojë Këshillit Bashkiak për miratim. Nga ana e tyre  familjet pretendojnë se, “nga përmbytjet e çdo viti jo vetëm që po na shkatërrohen të mbjellat, por uji futet  në banesat tona, na ka shkatërruar mobilie dhe pajisje elektro-shtëpiake”.  Zona e Currilave dhe kodrës së Vilës së Zogut, pothuajse çdo vit pëson rrëshqitje masive të dherave dhe ka krijuar çarje duke rrezikuar banesat, lokalet dhe kryesisht edhe vetë vilën, e cila mbetet një pasuri e madhe me vlera të pallogaritshme.