Flet Dr. Enriko Ceko: Në BE, shporta minimale ushqimore zë rreth 10–20% të buxhetit të familjes, ndërsa në Shqipëri shkon deri 40–50% të të ardhurave individuale dhe familjare

– Bazuar në çmimet aktuale, tregon se 85.5% e pensionit mesatar të një pensionisti shqiptar shkon vetëm për ushqimet bazë.

-Në BE paga minimale bruto varion mesatarisht 1,200–1,500 euro, ndërsa në Shqipëri është ende nën 500 euro.

Sigal

-Pensioni mesatar në shumë vende europiane zë 50–70% të pagës mesatare, ndërsa në Shqipëri shumë më pak se 35%.

-Një shoqëri e ushqyer mirë ka njerëz më të shëndetshëm, më produktivë dhe më të aftë për të ndërtuar zhvillim të qëndrueshëm.

-Shqipëria ka përjetuar rritje të konsiderueshme të çmimeve të produkteve bazë dhe të ushqimeve në përgjithësi gjatë viteve të fundit.

– Kategori të tilla si buka, bulmetrat, yndyrnat, mishrat, frutat dhe perimet që janë më kryesoret janë rritur  deri 15 %.

-Ushqimet, përveç funksionit fizik, lidhen me cilësinë e jetesës, shëndetin publik dhe zhvillimin ekonomik të një vendi.

– Hendeku midis pensioneve dhe pagave në të tërë komponentët apo klasifikimet, është duke u rritur me shpejtësi.

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

 

Paga minimale e matur sipas barazisë së fuqisë blerëse (PPP) në Shqipëri është më e ulëta në Europë dhe midis vendeve kandidate me 556 PPS. Më e larta nga vendet kandidate është në Turqi, me 919 PPS, e ndjekur nga Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe në fund, Shqipëria.

Hendeku mes pensionit dhe pagës mesatare në Shqipëri është shumë më i madh se në BE, duke e bërë pleqërimin e shqiptarëve gjithnjë e më të vështirë, ndërsa e lehtëson pleqërimin e të huajve që vijnë nga vende të pasura në Shqipëri.

Sipas pagës nominale në vlerë, Shqipëria renditet e treta me pagën më të ulët minimale në Europë, duke lënë pas nga Rajoni Maqedoninë e Veriut. Në Europë, dy shtetet me pagën më të ulët minimale janë Moldavia dhe Ukraina. Në Shqipëri, paga minimale ka arritur në 40 mijë lekë (rreth 400 euro) bruto në muaj pas rritjeve të vazhdueshme që bëri qeveria dy vitet e fundit, në një garë të ethshme për të barazuar pagat me rajonin. Kryesimin vijojnë ta mbajnë Serbia dhe Mali i Zi, të cilat nuk kanë qëndruar në vend ndërkohë. Në Serbi dhe Mal të Zi, paga minimale është rreth 35% më e lartë se në Shqipëri. Në të dy këto shtete, paga minimale i ka kaluar 500 euro/muaj. Në Serbi paga minimale është 544 euro në muaj, ndërsa në Mal të Zi 532 euro në muaj. Në Maqedoninë e Veriut, paga minimale është rreth 360 euro/muaj, por përditësimi më i fundit është i fundit të vitit 2021. Por, ndonëse paga minimale në Shqipëri tashmë është më e lartë në vlerë nominale së në Maqedoninë e Veriut, me këtë pagë mund të blesh më pak sesa në Maqedoninë e Veriut, për shkak të çmimeve më të shtrenjta. Në vendet e Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria jo vetëm rrogat në përgjithësi dhe të ardhurat mesatare të pensionistëve janë shumë më të ulëta se të ardhurat tashmë të ulëta mesatare të qytetarëve të tjerë, por për këtë arsye shumica e pensionistëve nuk kanë të holla të mjaftueshme për nevojat themelore, e lëre më për t’i mundësuar vetës ndonjë pushim apo udhëtim. Kjo shportë ushqimesh mujore konsiston në: bukë, oriz, vezë, qumësht, kos, djath, mish pule dhe viçi, peshk, fruta, perime, vaj dhe miell. Duke llogaritur të gjithë nevojën mujore të një individi të rritur në moshë pensioni, bazuar në çmimet mesatare aktuale në vendin tonë për këtë shportë ushqimesh, atëherë, totali shkon në 12.515 lekë. Në këtë shportë përfshihen vetëm produktet bazike, pra mungojnë produkte të tjera se: sheqeri, kafja, etj. Gjithsesi, kjo shportë, bazuar në çmimet aktuale, tregon se 85.5% e pensionit mesatar të një pensionisti shqiptar shkon vetëm për ushqimet bazë të një diete të shëndetshme, duke pasur parasysh edhe moshën.

Qytetarët po fshijnë gjithnjë e më shumë produkte nga buxhetet e tyre ushqimore për arsye të buxhetit familjar. Shporta minimale tregon se nuk mund të jetohet as me kaq para dhe se nevojitet një rritje e menjëhershme e pagave. Si është situata e pagave në Evropë dhe a ka vështirësi në popujt e BE blerja me rezerva e produkteve ushqimore më të domosdoshme për familjet?

Për këtë pyetje si fillim po ju bëj një krahasim midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për aspektet e jetës së përditëshme në kuadër të integrimit.

Jeta në aspektin fiziologjik është procesi i vazhdueshëm i ekzistencës dhe funksionimit të organizmave të gjallë, të cilët marrin nga mjedisi substancat ushqimore për të siguruar energji, rritje dhe mbijetesë. Pa këto substance ushqimore jeta nuk mund të zhvillohet dhe të ruajë ekuilibrin e saj natyror. Por të jetuarit nuk është vetëm biologji, por edhe pjesëmarrje në shoqëri, ku njeriu kontribuon dhe merr mbështetje për mirëqenien, që duhet të përmirësohet nga koha në kohë. Ushqimet, përveç funksionit fizik, lidhen me cilësinë e jetesës, shëndetin publik dhe zhvillimin ekonomik të një vendi. Një shoqëri e ushqyer mirë ka njerëz më të shëndetshëm, më produktivë dhe më të aftë për të ndërtuar zhvillim të qëndrueshëm.

Parë e tërë kjo në kontekstin e thjeshtë shqiptar, duhet parë ngushtë me gjetjen e arsyes se përse qytetarët shqiptarë po fshijnë gjithnjë e më shumë produkte nga buxhetet ushqimore dhe mesa duket kjo lidhet me disa faktorë të ndërthurur, të cilët i rendisim më poshtë:

  1. Rritja e çmimeve të ushqimeve dhe inflacioni – Shqipëria ka përjetuar rritje të konsiderueshme të çmimeve të produkteve bazë dhe të ushqimeve në përgjithësi gjatë viteve të fundit. Kategori të tilla si buka, bulmetrat, yndyrnat, mishrat, frutat dhe perimet janë më kryesoret. Besoj e keni vënë re se gjatë kësaj vere (2025) çmimet e frurave dhe perimeve nuk patën ndryshim nga periudha e fund dimrit (zakonisht ka ndryshim). Kjo e detyron familjen shqiptare mesatare të “kursejë”, duke eliminuar ose zëvendësuar produkte cilësore me alternativa më të lira.
  2. Pagat e ulëta në raport me çmimet – Edhe pse ka pasur rritje nominale të pagës minimale dhe mesatare, fuqia blerëse e shqiptarëve përsëri mbetet ndër më të ulëtat në rajon dhe për më tej ajo është shumë larg mesatares europiane. Në Bashkimin Evopian, ku synojmë të integrohemi, shporta minimale ushqimore zë rreth 10–20% të buxhetit të familjes, ndërsa në Shqipëri shpenzimet për ushqimet shkojnë në më shumë se 40–50% të të ardhurave individuale dhe familjare.
  3. Pensionet e pamjaftueshme – Pleqërimi po bëhet gjithnjë e më i vështirë. Pensioni mesatar është shumë i ulët krahasuar me pagën mesatare. Dhe hendeku midis pensioneve dhe pagave në të tërë komponentët apo klasifikimet, është duke u rritur me shpejtësi. Ndryshe nga Europa Perëndimore, ku pensionistët kanë garanci sociale dhe shëndetësore më të larta, në Shqipëri pensioni shpesh nuk mbulon as nevojat bazë ushqimore dhe shëndetësore. Nga ana tjetër edhe pse ka disa rregullime ligjore për këto aspekte, është pothuajse e pamundur që një person që del në pension të mund të plotësojë kushtet për pension të plotë, duke nisur që nga vitet e punës, që kërkohet të jenë të dokumentuara jo më pak se 40 vite. Edhe në rastet kur ky kusht plotësohet, është pothuajse e pamundur që të vërtetohet nga ana e dokumentacionit, pasi një pjesë e mirë e subjekteve kryesisht publike dhe ato private deri në vitet 2000, tashmë nuk ekzistojnë dhe nuk ka dokumenta as edhe në arkivën e shtetit.
  4. Shporta minimale e jetesës – Llogaritjet e fundit tregojnë se edhe me “shportën minimale”, në të cilën përfshin vetëm ushqimet më të domosdoshme, nuk mund të sigurohet një jetesë dinjitoze. Krahasuar me vendet e BE-së, ku standardi i shportës minimale është i lidhur me të ardhura më të larta dhe me politika sociale mbështetëse, në Shqipëri ky nivel nuk mjafton për të jetuar, por vetëm për të mbijetuar. Aq më shumë që në Shqipëri ka një kakofonio shumë të madhe me atë se ç’është shporta, cilat janë produktet dhe shërbimet që aktualisht përfshihen në të dhe cilat duhet të përfshihen.
  5. Krahasimi me Europën
  • Në BE paga minimale bruto varion mesatarisht 1,200–1,500 euro, ndërsa në Shqipëri është ende nën 500 euro.
  • Pensioni mesatar në shumë vende europiane zë 50–70% të pagës mesatare, ndërsa në Shqipëri shumë më pak se 35%.
  • Si pasojë, ndërkohë që qytetari europian redukton “shpenzimet e luksit” kur çmimet rriten, qytetari shqiptar redukton ushqimet bazë.

Për këtë arsye, kërkesa për një rritje të menjëhershme të pagave dhe rishikim të politikave të pensioneve është e domosdoshme, në të kundërt rrezikohet thellimi i varfërisë dhe i pabarazisë sociale.

Inflacioni ushqimor godet më fort Shqipërinë, pasi është ekonomi e vogël dhe importuese, se sa vendet e BE-së dhe vendet që janë prodhuese neto të ushqimeve, edhe nëse këto vende janë të vogla.

Më poshtë kam përgatitur për publikun e Gazetës Telegraf një tabelë krahasuese Shqipëri – BE në lidhje me pagën, pensionet, shpenzime ushqimore, koston e jetesës, etj. Shifrat janë orientuese si mesatare e periudhës 2023–2024 dhe janë marrë nga burime zyrtare të besueshme si Eurostat, INSTAT, OECD, etj.

Krahasim Shqipëri – Bashkimi Europian (BE)

Parametri Shqipëria (2024) BE, Mesatarja (2024) Vërejtje kryesore
Paga minimale bruto ~400–450 € ~1,250–1,500 € Shqipëria ka rreth 3 herë më pak se mesatarja e BE
Paga mesatare bruto ~650–700 € ~2,500–3,000 € Hendek i madh në fuqinë blerëse
Pensioni mesatar mujor ~180–220 € ~1,200–1,500 € Diferenca Shqipëri–BE mbi 6 herë
Raporti pension/pagë mesatare 25–30% 50–70% Pensionistët shqiptarë jetojnë më keq relativisht
Shporta minimale ushqimore ~70–90% e pensionit mesatar ~20–30% e pensionit mesatar Në Shqipëri ushqimi konsumon pjesën më të madhe të të ardhurave
Pesha e ushqimit në buxhet familjar 40–50% 10–20% Në BE më shumë shpenzohet për shërbime & argëtim
Norma e inflacionit ushqimor (2023) 7–10% 4–6% Shqipëria e ndikuar më shumë nga importet
Kosto mesatare e jetesës mujore (për 1 person) ~600–700 € ~1,500–2,000 € Kosto më e ulët absolute, por e papërballueshme për shqiptarët me paga aktuale
Të ardhurat për frymë (PPP) ~8,000–9,000 € ~35,000 € 4 herë më pak se BE
Rreziku i varfërisë ~35% popullsisë ~15–17% Shumë më i lartë në Shqipëri
Jetëgjatësia mesatare ~77 vjet ~81 vjet Diferencë e lidhur edhe me cilësinë e shëndetësisë dhe ushqimit

 

-Çfarë mund të mësojë lexuesi nga kjo tabelë?

Nisur nga kjo tabelë mund të themi se:

  • Në Shqipëri, shpenzimet ushqimore përbëjnë pothuaj gjysmën e buxhetit familjar, ndërkohë që në BE ato janë vetëm një e pesta.
  • Paga minimale e shqiptarëve është 3 herë më e ulët se mesatarja europiane, ndërsa pensioni mesatar mbi 6 herë më i ulët.
  • Hendeku mes pensionit dhe pagës mesatare në Shqipëri është shumë më i madh se në BE, duke e bërë pleqërimin e shqiptarëve gjithnjë e më të vështirë, ndërsa e lehtëson pleqërimin e të huajve që vijnë nga vende të pasura në Shqipëri.
  • Inflacioni ushqimor godet më fort Shqipërinë, pasi është ekonomi e vogël dhe importuese, se sa vendet e BE-së dhe vendet që janë prodhuese neto të ushqimeve, edhe nëse këto vende janë të vogla.

Këto të dhëna tregojnë pse qytetarët shqiptarë fshijnë gjithnjë e më shumë produkte nga buxheti ushqimor dhe pse kërkesa për rritje pagash dhe reformim të sistemit të pensioneve është një nevojë urgjente. Është emergjencë kombëtare.