Iu dha lamtumira e fundit regjisorit Dhimitër Anagnosti

Në homazhe marrin pjesë Presidenti Begaj, kryeministri Rama dhe kryetari PD, Sali Berisha

Gazeta Telegraf

Sigal

Dje, me flamujt gjysmështizë në të gjithë vendin, me dhimbje lot në sy, familjarët, kolegët e publiku artdashës i dhanë këtë të martë lamtumirën e fundit Mjeshtrit të Madh të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnostit. Homazhet në nder të kujtimit e veprave të tij u mbajtën në hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit, ku bashkëudhëtarja e tij e jetës, aktorja Roza Anagnosti e fëmijët e tyre morën ngushëllime nga të njohur e të panjohur. Aktorë, regjisorë, kolegë të afërt, figura të njohura të artit dhe politikës, por edhe qytetarë të thjeshtë, i dhanë lamtumirën mjeshtrit të madh, i cili ka lënë një trashëgimi të pashlyeshme në kulturën shqiptare. Homazhet filluan në orën 10:00 dhe vazhduan deri në orën 13:00. Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në ceremoninë e homazheve të lamtumirës së fundit ndaj regjisorit dhe personalitetit të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti. Kreu i Shtetit vendosi kurorën me lule në arkëmortin e Dhimitër Anagnostit, si dhe i shprehu ngushëllime bashkëshortes së tij, artistes Roza Anagnosti, dhe familjarëve. Begaj e cilësoi ndarjen nga jeta të regjisorit Anagnosti si shuarjen e një ylli nga plejada e artistëve të mëdhenj shqiptarë, ndërsa u shpreh se arti i tij do të vazhdojë të magjepsë shqiptarët.  Në respekt të ditës së zisë kombëtare për ndarjen nga jeta të artistit Dhimitër Anagnosti, Institucioni i Presidentit të Republikës uli këtë të martë flamurin kombëtar në gjysmë shtizë.

Kryeministri Edi Rama, gjatë homazheve në nder të regjisorit Dhimitër Anagnosti, la edhe një mesazh në librin e ngushëllimeve:

“Jam i bindur që ke menduar shpesh për këtë ditë kur do të ndahesh përgjithnjë nga zhurma e qytetit e do të prehesh në Vunoin tënd, ku paqja e merituar do të jetë mbi ty.

Me mall Edi”

Ndërsa kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha: Anagnosti ishte një kolos i gjenisë krijuese artistike që u angazhua për përmbysjen e diktaturës dhe do të mbahet mend gjithmonë në memorien e kombit.

Marjana Kondi-aktore

. Profesor Anagnosti, kolosi i artit shqiptar. Kam qenë me fat që kam qenë mikja e tij. Gjithkush duhet të dijë një gjë që në këtë botë kur të shkosh duhet të shkosh me dinjitet. Mbaj mend korrektesën e tij, humorin e bukur që kishte. Sot duhet të vija 10 minuta përpara ashtu siç donte në set. Jam me fat, kam mësuar shumë nga ai. Ishte i mrekullueshëm. Ai do të prehet në botën e vërtetë me dinjitet.

Marjeta Ljarja-aktore:

Filmat e tij do të jenë të paharruar. Me Rikardin ka qenë mik i veçantë. Ka bërë gjëra të bukura. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij. Nuk do të harrohet.

Aktori dhe regjisori Gëzim Kame:

 Ishte redaktues i jashtëzakonshëm i veprave, dhe mbante veprën. Puna e tij si regjisor me aktorin në film ishte e jashtëzakonshme. Kishte motiv të vetëm që syri i aktorit të flasë në çdo gjë në ekran dhe kësaj gjëje nuk iu nda deri në fund. Karakteret në filmat e Anagnostit janë legjendare për ekranin shqiptar. Artisti shumë i madh. Do të mbahet mend si një nga kineastët më të mëdhenj. Kishte inteligjencë dhe kulturë të jashtëzakonshme. Duhet të mendoheshe kur të flisje me të. Nuk ishte “diktator i së bukurës”, ai që është kërkues. Është këmbëngulës për të gjetur të bukurën, të mirën, të mençurën e të drejtën.”

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja :

Sot është shpallur edhe ditë zie. Ndahet fizikisht një baba i kinemasë, një korife i regjisë dhe artit, por është ndarje që lë pas thesar e trashëgimi për të gjithë brezat. Vepra e tij do të mbahet mend gjithmonë. Jemi këtu pranë yllit të tij, Roza Anagnosti, familjes së tij për t’i shprehur këtë përulje dhe mirënjohje të thellë e të lartë.

Luftar Paja “Artist i Popullit”

-Dhimitër Anagnosti ishte një regjisor i madh, por dhe një njeri i ditur. Filmat e tij shquhen për lëvizje, dimensione njerëzore, për formatin specifik dhe plot finesë. Ai studionte shumë dhe ishte në korent të regjisurës botërore ndaj veprat e tij janë gjithmonë koherente dhe plot dinamizëm. Ai i përket një brezi që nxori talente të mëdhenj kur një ndër ta mbetet dhe Dhimitri. Filmat e tij të çdo kohe ndiqen me kureshtje edhe nga rinia e sotme. Ikja e tij është një humbje e madhe për artin shqiptar!

Anagnosti do të kujtohet nga shqiptarët si babai i “Lulëkuqe mbi mure” apo “Përrallë nga e kaluara”, krijuesi i personazheve si Sulo apo kujdestari, Gjinos dhe Marigosë. Sipas amanetit të tij, Dhimitër Anagnosti do të prehet në Vuno të Himarës, vendlindjen që e mbajti gjithmonë pranë zemrës dhe të cilën e përmendi me dashuri përgjatë gjithë jetës. Në shenjë nderimi për figurën e tij, Qeveria ka shpallur datën 2 Shtator Ditë Zie Kombëtare. Flamujt në të gjithë vendin janë ulur në gjysmështizë, ndërsa institucionet shtetërore po zhvillojnë homazhe për të përkujtuar jetën dhe veprën e një prej personaliteteve më të mëdha të artit shqiptar.